“Atë ditë të enjte, rreth orës 05:25 të mëngjesit, policë të njësiteve speciale të Serbisë që ishin stacionuar në fabrikën e municionit në Prekaz, nisën një aksion të rrufeshëm mbi shtëpitë e Shaban Jasharit. Duke dashur t’i zinin në befasi, synonin t’i arrestonin apo edhe t’i vrisnin dy djemtë e Shabanit: Hamzën dhe Ademin, por pa e kursyer askënd. Kishte gjashtë muaj që policia e vëzhgonin edhe me kamera 24 orë shtëpinë dhe familjen e Shaban Jasharit, prej nga pothuajse gjithçka ishte planifikuar në shërbim të këtij aksioni.
Kishin menduar t’i shfrytëzonin ditët e muajit të Ramazanit kur agjërohet, për çka kishin sulmuar pak minuta pas syfyrit, kur pas këtij vakti të ngrënies njerëzit janë në gjumë. Në mesnatë e kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe linjat telefonike. Kishin mobilizuar njësite speciale të policisë të trajnuara për aksione speciale dhe të armatosura me armë kalibrash të rëndë. Por nuk e kishin planifikuar vetëm një gjë: që Shaban Jashari me familjen e tij nuk dorëzohej, sepse ishte i armatosur edhe me armë zjarri edhe me armët e idealeve të lirisë, të guximit për të luftuar dhe për të jetuar në liri sipas traditave shqiptare.
Aksioni filloi me tri predha të hedhura nga distanca: një në dyer të oborrit, një në ahur dhe një në oborr. Pastaj një seri predhash dhe rafale plumbash u shtien në drejtim të shtëpive të Shaban Jasharit, duke ndriçuar në errësirën e atij mëngjesi të hershëm dhe të ftohtë të janarit, në fshatin e terrur pa rrymë elektrike. Ademi nuk ishte aty, kishte qëlluar te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nën dritën e zjarrit të stufës në odë, Shabani me tre nipat e tij, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), i mbushën armët dhe nisën të rezistojnë.
“Derisa i kanë thyer dyert e kanë shtirë prej së largu, kam pritur dhe nuk kam reaguar, por kur e pashë se janë kah ma rrënojnë shtëpinë dhe kah m’i vrasin të gjithë anëtarët e familjes, atëherë kam nisur të shtie. Gjithkush do ta mbronte pragun e vet. Tjetër shtëpi nuk kam, e kam vetëm këtë, prandaj pragun e shtëpisë do ta mbrojë.” Kështu i tha po atë ditë Shaban Jashari gazetarëve Hamide Latifi dhe Sabit Istogu.
Në anën tjetër të oborrit, nga dritaret e thyera prej sulmeve, Hamza luftoi me automatik dhe duke hedhur disa bomba dore në drejtim të policëve që kishin hyrë në oborr. Nëna Zahide me gratë dhe fëmijët, po mbroheshin brenda në shtëpi, siç rrëfeu më pas ajo vet: “Ishim duke u bërë gati të flejmë pas syfyrit, kur përnjëherë oborri u zdritë edhe nisën krismat. U mblodhëm me fëmijët dhe gratë dhe u strehuam në një dhomë. Dy mbesa më janë plagosur, por shpëtuam nga vdekja.” Atë ditë, plumbat e policëve serbë i qëlluan duke i plagosur Selvete Hamëz Jasharin (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jasharin (25) në dorë.
Gjithçka ndodhi brenda gjysmë ore, deri në ora 06:00 kur policët nisën të tërhiqeshin me të plagosur mes tyre dhe duke lënë pas në oborrin e shtëpive të Shaban Jasharit predhahedhës dhe municione. Në tërheqeje e sipër, policia shtiu dhe e vrau Hysen Manxhollin, një 55 vjeçar nga fshati Mikushnicë, e i cili po shkonte në punë në fabrikën e tjegullave në Skënderaj. Dy ditë më pas, më 24 janar, Hysenin e varrosën në Mikushnicë 20.000 njerëz. Autoritetet shtetërore të Serbisë heshtën për vrasjen dhe plagosjet, duke e aktivizuar propagandën për “terroristët shqiptarë” që e kishin sulmuar policinë dhe që pastaj kinse ishin tërhequr në shtëpinë e Shaban Jasharit prej ku kishin rezistuar.
Që nga paradita e 22 janarit, mijëra njerëz i shkuan për vizitë Shaban Jasharit në shtëpinë e tij, duke e ngushëlluar për mbesat e plagosura dhe dëmet materiale, si dhe duke e mbështetur për rezistencën. Dhjetëra reportazhe gazetash dhe kronika televizive u realizuan në ditët në vijim duke e dëshmuar të vërtetën e atyre ngjarjeve. Ky aksion i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit, erdhi plot 6 vite pas aksionit të 30 dhjetorit të vitit 1991. Ndërsa vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra policë dhe ushtarë të Serbisë e kryen aksionin e tretë dhe më fatalin në Prekaz, duke i vrarë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit nga 59 sa u vranë gjithsej ato ditë në Prekaz. Pas kësaj, lufta e Kosovës u bë një gjendje e pakthyeshme pas sikur edhe rezistenca e armatosur deri në çlirimin e Kosovës.
Sot bëhen 26 vite nga aksioni i policisë serbe në Prekaz dhe rezistenca e familjes së Shaban Jasharit. I kujtojmë këto ngjarje sot dhe në çdo përvjetor, sepse janë kapituj historie në rrugën e gjatë të shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe për të jetuar të lirë në Kosovë!”
Diskutim rreth këtij postimi