Dardania Press
E martë, 9 Qershor, 2026
  • BSBS
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
No Result
View All Result
Dardania Press
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
No Result
View All Result
Dardania Press
No Result
View All Result
Home Kultura

SREBRENICA – DËSHMI E KTHYER NË AMANET

Ramadan Shkodra

2 Qershor, 2026
in Kultura, Vështrime
15 1
0
SREBRENICA – DËSHMI E KTHYER NË AMANET
18
SHARES
231
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Ka libra që lexohen si histori, ka libra që lexohen si dokumente, por ka edhe libra që lexohen si dëshmi të gjalla të një tragjedie që nuk guxon të harrohet. Një i tillë është libri “Svjedok Srebreničkog genocida” (Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës) i imamit boshnjak Mevludin Hrnjiq, i mbijetuar i gjenocidit të korrikut 1995 dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i njërës prej ngjarjeve më të tmerrshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në prag të përvjetorit të 30-të të gjenocidit të Srebrenicës, kjo vepër vjen edhe para lexuesit shqiptar si një kujtesë e fuqishme për krimin, vuajtjen dhe qëndresën njerëzore. Autori nuk shkruan si historian apo analist, por si njeri që e përjetoi ferrin e Srebrenicës, që humbi të afërm, miq dhe bashkëqytetarë, duke mbajtur mbi supe barrën morale për të dëshmuar para brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

Libri është më shumë se një rrëfim personal. Ai është një kronikë e dhimbjes kolektive të popullit boshnjak, një dokument i kujtesës dhe një thirrje që e vërteta të mos mbulohet nga harresa. Nëpërmjet përjetimeve të autorit, lexuesi përballet me realitetin e gjenocidit që mori jetën e mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë dhe që la plagë të thella në ndërgjegjen e njerëzimit.

Për lexuesin shqiptar, kjo dëshmi ka një peshë të veçantë. Historia e Srebrenicës dhe ajo e Kosovës bartin plagë të ngjashme, të shkaktuara nga e njëjta ideologji e urrejtjes dhe spastrimit etnik. Pikërisht për këtë arsye, botimi i kësaj vepre në gjuhën shqipe është një akt kujtese, solidariteti dhe respekti ndaj viktimave.

DardaniaPress sjell sot një vështrim mbi këtë libër të rëndësishëm dhe mbi autorin e tij, imamin Mevludin Hrnjiq, njeriun që e shndërroi kujtesën personale në amanet për brezat që vijnë.

Ramadan Shkodra

Srebrenica – është emërvendi që i flet botës për njërën prej tragjedive më të mëdha njerëzore në fund të shekullit XX. Është zëri i 8372 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë të vrarë mizorisht nga forcat serbe në korrik të vitit 1995. Është vendi i shehidëve, të cilët u vranë vetëm sepse i përkisnin një etnie tjetër dhe një besimi tjetër nga ai i xhelatit. Aty u snua të zhdukej një popull për shkak të identitetit dhe të fesë së tij. Në Srebrenicë ndodhi gjenocidi, i cili u faktua, me të drejtë vetëm një vit më parë, edhe nëpërmjet konstatimit të tij nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Sot, tridhjetë vjet më pas, “Srebrenica është…, të shkosh në Potoçari; të heshtësh, të shikosh bardhësinë e nishaneve dhe ta lësh heshtjen që të ta shpjegojë leksionin nga historia, për të cilin të gjithë zhurmshëm po flasin.”- shprehet në kujtimet e tij, imami Mevludin Hrnjiqi.

Po, vallë, kush është Mevludin Hrnjiqi?

Është autori i librit që gjendet përpara jush “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës – Kronologji e kujtesës kushtuar gjenocidit në Srebrenicë”. Është ai që, bashkë me të tjerët, ishte aty – në qendër të tragjedisë, mu në mesin e kasaphanës. Është ai që nuk shkroi me laps të ftohtë, por me zemrën që ende mban plagët e së kaluarës. Është ai që foli thjesht, por në mënyrë tronditëse. Është ai që nuk pranoi të heshtë. Është rrëfimtari i dëshmisë bindëse, të vërtetën e së cilës xhelatët nuk mund ta fshehin dot.Është ai që brezave të rinj ua dokumenton dhe ua kujton që kurrë të mos harrojnë se ç’u bënë të parëve fqinjët e tyre.

Imami Mevludin Hrnjiqi nuk është historian, as kronist, as jurist, as gazetar. Ai nuk e shkroi si profesionist i fjalës apo i analizës, por si dëshmitar i mbijetuar, i ndershëm dhe i guximshëm. Ai nuk shkroi me stilin e një akademiku, por me forcën e kujtesës së gjallë, me dhimbjen që buron nga shpirti, me zemrën e plagosur të një njeriu që e pa me sy shfarosjen e popullit të tij.

Prandaj libri “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës – Kronologji e kujtesës kushtuar gjenocidit në Srebrenicë”, i imam Mevludin Hrnjiqit, nuk është vetëm një vepër letrare a një dëshmi historike. Ai është një britmë që vjen nga thellësia e shpirtit të një të mbijetuari; është një amanet i dhimbjes dhe i qëndresës që nuk bën të harrohet. Nuk është as vetëm autobiografi, por është një testament i dhimbjes dhe i besës, një ftesë për reflektim dhe veprim moral; është një akt nderimi dhe një kambanë që bie për drejtësi dhe kujtesë njëkohësisht.

Me një fjalë, Imami Mevludin Hrnjiq e ka shkruar këtë libër për të çliruar ndërgjegjen, për të mos e mbajtur brenda vetes peshën e asaj që ka parë dhe përjetuar. Dhe, më shumë se kaq, e ka shkruar për t’i dëshmuar botës, me dinjitet e qartësi, mizoritë që i janë bërë popullit boshnjak në Srebrenicë.

I lindur dhe i rritur në rajonin e Srebrenicës, i mbijetuar i gjenocidit tëvitit 1995 dhe dëshmitar i gjallë i asaj tragjedie, Imam Mevludin Hrnjiqi, një ndër figurat më të respektuara të komunitetit mysliman boshnjak sot, mori, pra, mbi vete barrën morale për ta ruajtur kujtesën dhe për ta dokumentuar të vërtetën si një zë i të gjithë atyre që nuk jetojnë më për të rrëfyer. Qëndrimi i tij i palëkundur dhe gatishmëria për ta ndarë dhimbjen me të tjerët prandaj e bëjnë këtë libër jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pazëvendësueshëm në arkivin e kujtesës historike të popullit boshnjak dhe më gjerë. Në një format të këtillë, ky libër është zëri i ndërprerë i klithmave të mijëra të vrarëve, që u artikuluan në dakikun e fundit të jetës së tyre, është amaneti për ta thënë të vërtetën për ta, atë të vërtetë që do të kujtohet si njëra ndër ngjarjet më ngjethëse në historinë e mizorive çnjerëzore, e mbi të gjitha është dhembje e bashkëndjenjë me nënat dhe me familjet boshnjake. Duke e njohur këtë të vërtetë të dhimbshme, bota e qytetëruar u bashkua në shënimin e saj, ndonëse edhe sot vijojnë zërat që e relativizojnë dhe madje edhe e mohojnë gjenocidin e bërë në Srebrenicë. Edhe ata do të mund të mësonin nga dëshmia e autorit Hrnjiq.

Libri është ndërtuar mbi një strukturë kronologjike që ndjek jetën personale të autorit, të ndërthurur me historinë e përgjakshme të Bosnjës. Ai ndahet në kapituj që trajtojnë jetën para luftës, përvojën gjatë agrsionit serb dhe gjenocidin në Srebrenicë, rrugën e mbijetesës nëpër male dhe jetën pas luftës si imam e edukator. Çdo kapitull bart peshën e një kohe të caktuar – që nga fëmijëria e qetë në një familje fshatare myslimane deri te ferri i Srebrenicës dhe rruga e dhimbjes përmes humbjes së babait dhe tre vëllezërve… Libri është një dokumentim i gjallë dhe i thellë I traumës kolektive dhe një testament i qëndresës shpirtërore, që i tejkalon  kufijtë e Bosnjës dhe popullit boshnjak dhe që jehon fuqishëm, sidomos edhe ndër ata që pësuan ngjashëm dhe u përballën me të njëjtin xhelat.

Botimi i këtij libri në gjuhën shqipe prandaj është një ngjarje e veçantë dhe me domethënie të thellë. Për herë të parë lexuesi shqiptar ka mundësi që ta lexojë këtë rrëfim të gjallë e të drejtpërdrejtë nga një imam boshnjak, i cili, nëpërmjet përjetimeve të tij personale, flet për tragjedinë e një populli të tërë. Është një ngjarje e veçantë edhe sepse mes asaj që ndodhi në Bosnjë dhe asaj që Serbia tentoi të realizonte në Kosovë ka shumë ngjashmëri. Në të dyja rastet dhuna dhe gjenocidi u përdorën si mjet për spastrimin etnik, për zhdukjen e identitetit. Armiku ishte dhe mbetet i përbashkët – një ideologji e urrejtjes që ka prodhuar vetëm gjak dhe tragjedi në Ballkan.

Ky botim është fryt i një bashkëpunimi të çmuar mes Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, si një shenjë solidariteti, vëllazërie dhe përgjegjësie për ta ruajtur të vërtetën dhe për ta ndarë atë me të gjithë ata që besojnë në drejtësi dhe në të vërtetën.

Shtëpia botuese “Dituria Islame” nga Prishtina e pati për nder që me shumë përkushtim ta realizonte botimin e këtij libri në gjuhën shqipe,sidomos pas bisedave të gjata e plot emocione e dhimbje që patëm vitin e kaluar me Imam Hrnjqin gjatë qëndrimit të tij në Prizren dhe Prishtinë (tetor 2024), me rastin e ekspozitës “Bota kujton Srebrenicën – Svet pamti Srebrenicu” kushtuar gjenocidit të Srebrenicës, të cilin e falënderojmë vëllazërisht.

Libri “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës – Kronologji e kujtesës kushtuar gjenocidit në Srebrenicë” i Imam Mevludin Hrnjiqit, që po elk në dritë edhe në në gjuhën shqipe, le të jetë e le të shërbejë si jehonë e zërit që nuk do të shuhet kurrë; si një thirrje për të mos harruar, por për të mësuar; si kujtesë jo për të urryer, por për të qëndruar të bashkuar përballë padrejtësisë dhe krimit. Le të jetë një homazh për viktimat – për jetët e pafajshme të shuara në Srebrenicë, për nënat që kërkojnë bijtë e tyre edhe sot, për ata që mbijetuan me plagë të pashërueshme. Le të shërbejë gjithashtu si thirrje për të shkruar dhe për të ruajtur të vërtetën, por edhe si një shembull që duhet ndjekur edhe nga të mbijetuarit tanë në Kosovë, të cilët përjetuan po ashtu terrorin dhe mizoritë e forcave serbe në vitet 90 të shekullit të kaluar, sepse dëshmia është një akt drejtësie, është mënyra më njerëzore për të mos lejuar që krimi të mbulohet nga pluhuri i harresës.

Historia, që të mos përsëritet, nuk duhet të harrohet!

Tags: Mevludin HrnjiqRamadan ShkodraSrebrenica

Discussion about this post

  • Trending
  • Comments
  • Latest
Qazim Haziri: Djaloshi që u dogj me benzinë për s‘gjalli

Qazim Haziri: Djaloshi që u dogj me benzinë për s‘gjalli

15 Gusht, 2024
Gjenocidi serbo-malazez në krahinën e Bihorit në natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve të arkivave shqiptare (I)

Gjenocidi serbo-malazez në krahinën e Bihorit në natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve të arkivave shqiptare (I)

0
Gjenocidi në krahinën e  Bihorit në Natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve arkivore shqiptare (II)

Gjenocidi në krahinën e  Bihorit në Natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve arkivore shqiptare (II)

0
PRESIDENTI I REPUBLIKES SE SHQIPËRISË, SHKELQËSIA E TIJ Z. ILIR META MË 30 QERSHOR 2022 DEKOROJ PRIJËSIT E SANXHAKUT

PRESIDENTI I REPUBLIKES SE SHQIPËRISË, SHKELQËSIA E TIJ Z. ILIR META MË 30 QERSHOR 2022 DEKOROJ PRIJËSIT E SANXHAKUT

0
Dervish Mitrovica – delegat në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912)

Dervish Mitrovica – delegat në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912)

0
Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi themelon Institutin për Kulturë Shqiptare

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi themelon Institutin për Kulturë Shqiptare

9 Qershor, 2026
SHËN TEREZA NË KUJTESËN E KOMBIT

SHËN TEREZA NË KUJTESËN E KOMBIT

8 Qershor, 2026
Demokracia funksionale hapëron kombin

Demokracia funksionale hapëron kombin

8 Qershor, 2026
Shkupi bëhet me tempull të librit shqip

Shkupi bëhet me tempull të librit shqip

8 Qershor, 2026
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
info@dardaniapress.net

© 2020 Dardania Press - Powered by AA.

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori

© 2020 Dardania Press - Powered by AA.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Create New Account!

Fill the forms bellow to register

All fields are required. Log In

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In