Njëri nder personat e parë që ishte në ushtrime ushtarake në Shqipëri bashkë me komandantin Adem Jashari, tani kryetar i degës së LDK-së në Gjermani, Osmani Ferizi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se me nisjen e gjykimit në Gjykatën Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, po bien maskat e atyre, siç thotë ai hartuan listat për vrasje.
“Maskat e lugetërve politik po bien! Mjerisht kjo gjendje e sotme ku atakohet në mënyrë indirekt lufta çlirimtare është pasojë e misionarëve e mercenarëve që e ngulfatën luftën, e sabotuan, na ndanë e përçanë, me kërcënime e vrasje deri në luftë qytetare nga ish Shtabet e tyre që hartuan Listat e Zeza, piketuan, kërcënuan dhe vranë kundërshtarë politik, thuaja pa përjashtim ishin të LDK-së por edhe rivalë brenda llojit, Kjo është e ditur dhe e provuar në çdo trevë të Dardanisë”, shprehet Ferizi.
Sipas tij, ky mision u krye nga ish shërbimi sekret i Kosovës, i njohur si SHIK-u, i cili udhëhiqej nga Kadri Veseli.
“Misioni u krye kryesisht nga grupi me mision special (SHIK), sipas modelit komunist të Enver Hoxhës në koordinim me strukturat shtetërore majtiste të shtetit shqiptar që ishim mobilizuar në dobësimin e rolit udhëheqës të LDK-së, defunksionalizimin e sistemit paralel në krye me presidentin Dr. Rugova, Aganin, akademik Idriz Ajetin, akademik Mark Krasniqin… qëllimi i vetëm i tyre ishte marrja e pushtetit më çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete, përfitimet dhe babëzia për pasurim enorm të tyre, që shihet dhe konfirmohet gjithandej edhe nga shërbimet e vendeve mike dhe organizatat ndërkombëtare që i vlerësojnë zhvillimet dhe proceset demokratike në shtetet në zhvillim dhe tranzicion”, deklaron Ferizi.
Pro çfarë pret Osman Ferizi nga Gjykata Speciale?
“Besoj që kjo gjykatë ndërkombëtare me gjyqtar nga shtetet mike që na ndihmuan në çlirimin nga dhuna dhe diskriminimi serb, (SHBA-ja dhe BE-ja) do i zhveshë maskat e lugetërve që degraduan dhe komprometuan rolin çlirimtar të UÇK-së dhe shpirtin e idealist të qytetarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta që vuajtëm mbi një shekull nën serbo-sllavi. Sjelljen e këtyre përfituesve në emër të luftës dhe lirisë duke marrë shpërblim revolucionar për luften, përdori me mjeshtri dhe dinakëri propaganda serbe, e cila din të mashtrojë dhe falsifikojë edhe kur nuk ka dëshmi”, shprehet ai për “Bota sot”.
Më tej, Ferizi hedh akuza në drejtim të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe të tjerëve që po gjykohen në Hagë.
“Shumë veta (ti Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi etj.) shkruanin libra lavdie, krekoseshim për trimëri të pabëra, harronim se neve Serbia na i vrau 13.500 veta, na i dhunuan 20 mijë gra e vajza, ju kapët gjykatat dhe çdo institucion shtetëror, privatizuat pasurinë e shtetit dhe ndërmarrjet shoqërore i privatizuat me çmime qesharake , si t’ua kishte lënë babai, përfituat qindra miliona nga tenderët, nga vjedhjet e panumërta të vartësve tuaj etj.,…”.
“Por, nuk u ngopët as me këto, falsifikuat historinë e UÇK-së duke shkelur themeluesit e saj (Sali Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ahmet Hoxhen…), mohuat shtetin paralel, institucionet dhe përgatitjet nga “Shteti paralel”, si dhe rolin e LDK-së dhe të presidentit Rugova në vendosjen e themeleve institucionale të Ushtrisë së Kosovës, kur bëri marrëveshje me shtetin shqiptar dhe i dërgoi dy grupet e para gjatë tetor/nëntorit 1991. Për klientelë vote dhe përfitime materiale, e frytë edhe numrin e veteranëve në 60 mijë, që ishte e turpshme, e mbushët Kosovën me gati 1000 xhami turke, e degraduat sistemin arsimor, që nga fillor e deri në atë universitar, për interes të pushtetit të tyre i falët mijëra hektarë toke, Maqedonisë e Malit të Zi, lista e të zezave të tyre vazhdon pa fund”, shpjegon Ferizi.
Ashtu si shumica, edhe Ferizi thotë se në Gjykatën Speciale nuk po gjykohet UÇK-ja, po individët e përfshirë në krime.
“Populli ka shpresë, që kjo gjykatë do ta pastroj vërtetë UÇK-në nga glorifikimet dhe hiperbolizimet e tepruara, klasat e korruptuara dhe të inkriminuara politike dhe të mbyllet ky kapitull i falsifikuar nga grupet e interesit, këtu nuk po fajësohet UÇK-ja, por individ të papërgjegjshëm që e kanë shfrytëzuar një moment historik, aq më tepër që kjo gjykatë u krijua falë presionit ndërkombëtar, fajet janë tonat dhe ato nuk mund t’ia hedhim askujt”.
Më tej, Ferizi drejton gishtin drejt tri organizatave për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë, e ku shumica e viktimave ishin anëtarë të LDK-së.
“Thembra e Akilit mbetet që të zbardhen vrasjet politike të veprimtarëve, intelektualëve, gazetarëve, ushtarakëve, ushtarëve të vijës institucionale që janë shumë. Përgjegjësisë nuk mund t’i ikin sepse këta ishin përgjegjësit, dizajnuesit, drejtuesit, skenaristet në media, gazeta, tubime publike, fushata ku janë bërë thirrje dhe etiketuar dhe drejtuar gishti kundër LDK-së, adresa të sjellë te Shtabi i Përgjithshëm, SHIK-ut dhe “Shqiponjat e Zeza”, janë të ditur disa nga ekzekutorët e Xhemajl Mustafës, Fetah Rudit, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt, ministrit Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, Behahdin Allaqit…”, deklaron Ferizi.
Për fund, Ferizi shprehet se marshi i organizuar pak ditë më parë në mbrojtje të të akuzuarve të Speciales, do të duhej të organizohej në kohen kur ndodhën vrasjet politike.
“Marshi për Drejtësi do të duhej të organizohej që nga viti 2000 e jo më vonë se 2005 deri kur u vranë rreth 100 personalitete e figura të rëndësishme të LDK-së, kur vriteshin nga dora e zezë figura të respektuara të skenës politike, individ me kontribute e reputacion, nëse edhe kjo drejtësi blihet me paratë e taksapaguesve dhe paratë e vjedhura, atëherë ky vend do të jetë vend i krimit, oligarkëve dhe askush nuk do të dëshiroj të jetoj aty, nëse sot heshtet për vrasjet ato do të ndodhin prapë, këto vrasje ishin më të rënda se vrasjet e dhunimet që i bëri Serbia fashiste sepse vinin nga rivalët politik dhe për qëllime meskine, marrjen e pushtetit! Varret e të vrarëve janë aty, nëse drejtësia nuk i zbardhë ato vrasje do jetë vrasje e dytë për të vrarët dhe familjet e tyre. Heshtja është krim dhe pajtim, fol mos hesht!”, përfundon për “Bota sot”, kryetari i LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi.
/bota sot/
Diskutim rreth këtij postimi