Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, kur diskutohej për luftërat në Slloveni, Kroaci e Bosnje, kishte një shqetësim të përgjithshëm – flakët e luftës të mos e kapin Maqedoninë. Kishte arsye të forta për këtë. Maqedonia ishte shkak i Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913) dhe i Luftës së Dytë Ballkanike (1913).
Kur qeveritë ballkanike (në Beograd, Athinë, Sofje e Cetinje) e kuptuan se Maqedonia po futej në territorin e Shqipërisë Autonome, që Portës së Lartë iu imponua nga kryengritja e Hasan Prishtinës e vitit 1912, shumë lehtë ranë dakord që së bashku ta sulmojnë Perandorinë Osmane më 10.10.1912.
Edhe pse kishte një armiqësi të egër mes kombit serb e kombit bullgar që në lindje të tyre, çështja e Maqedonisë i bëri bashkë. Kur Serbia e Greqia e morën hisen e luanit me territoret e Maqedonisë, Bullgaria e mllefosur e nisi Luftën e Dytë Ballkanike kundër Serbisë e Greqisë, ndërsa Rumania e Perandoria Osmane e sulmuan Bullgarinë prapa shpine. Përfundimi dihet – Bullgaria humbi edhe atë çfarë e kishte fituar në Luftën e Parë Ballkanike dhe pak më tepër se aq.
Po ashtu, në dy luftërat botërore Maqedonia ishte xixa ballkanike. Dominimi mbi Maqedoninë e përcaktonte fitimtarin. Kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, Perëndimi u kujdes që pavarësimi i Maqedonisë të bëhet pa luftë. Vetëm kur Kosova u nxor nga kthetrat e Serbisë, Maqedonisë iu dha komoditeti që problemet e saj të brendshme t’i zgjidhë edhe me luftë të armatosur. Por, vdekja aksidentale (ose ndoshta vrasja) e Presidentit Boris Trajkovski, e ktheu Maqedoninë ngadalë në orbitën serbe e ruse. Kulminacioni u arrit me Nikolla Gruevskin kryeministër. Largimi i Gruevskit dukej i pamundur pa ndërhyrje direkte të Perëndimit, duke i dhënë në dorë shefit të opozitës, Zoran Zaev, përgjimet që do ta shembnin piramidën e pushtetit të Gruevskit. Natyrisht, në rrëzimin e Zaevit u përdor leva shqiptare. Lideri kryesor i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, i injoroi shenjat që Përendimi ia dha atij për ta ndihmuar zgjedhjen e Stevo Pendarovskit për President të Maqedonisë, por kur presioni perëndimor u bë i hapur dhe kërcënues për të që të bëhej me Zaevin dy vite më pas, Ali Ahmeti e bëri dhe kështu iu dha fund sundimit të Gruevskit. Natyrisht, në përpjekjen e dytë për President, pas 4 vitesh, e ndihmoi edhe Pendarovskin.
Në mozaikun politik maqedon, struktura etnike e popullsisë luan deri diku një rol, por jo edhe rolin vendimtar. Kur territori gjeografik i Maqedonisë ishte në përbërje të Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX, struktura fetare e popullsisë së këtij territori ishte pothuaj e barabartë mes myslimanëve dhe të krishterëve. Në territorin e Maqedonisë, që e pushtoi Serbia më 1913 (pra territori i sotëm i Maqedonisë Veriore) dominonte popullsia myslimane. Historianët shqiptarë janë të prirë që gjithë këtë popullsi myslimane ta konsiderojnë shqiptare. E vërteta është se ndoshta shumica e kësaj popullsie ishte shqiptare, por në përbërje të popullsisë myslimane të Maqedonisë ishin edhe bullgarët myslimanë, grekët myslimanë, vllahët myslimanë, romët myslimanë, hebrenjtë myslimanë dhe turqit myslimanë.
Kjo shumicë myslimane në Maqedoninë Veriore filloi të pakësohet nga Lufta e Parë Ballkanike (1912/1913), ku një numër i madh i kësaj popullsie u vra nga forcat serbe dhe një pjesë u zhvendos në Anadoll. Megjithëkëtë, epërsia në numër e popullsisë myslimane ndaj asaj të krishterë në Maqedoni do të ekzistonte deri në vitin 1938, kur do të nënshkruhej memorandumi i bashkëpunimit të qeverisë jugosllave dhe qeverisë turke për riatdhesimin e “popullsisë turke” nga Mbretëria e Jugosllavisë.
Më 1941, territori i Maqedonisë Veriore tashmë veç kishte shumicë të krishterë, kjo si pasojë e shpërnguljeve të popullsisë myslimane në Turqi. Kjo epërsi në favor të popullsisë së krishterë në Maqedoni u rrit sidomos pas shpërnguljes së mbi 80.000 myslimanëve nga Maqedonia Veriore në Turqi.
Ky disekuilibër etnik, i shkaktuar dhunshëm nga pushteti serb, filloi të riparohet gjatë viteve të ‘70-ta e ‘80-ta, kur popullsia bullgare e Maqedonisë (tashmë e proklamuar maqedone, madje edhe në kuptim etnik) filloi të emancipohet dhe, rrjedhimisht, të ketë natalitet jo të lartë, kurse popullsia shqiptare, e mbërthyer me skllavërim kulturor, arsimor e primitivizëm, vazhdoi të ketë natalitet të lartë.
Ky trend u ndal tek në fillim të shekullit XXI, kur minoriteti shqiptar në Maqedoni u akomodua më mirë në Maqedoninë e pavarur, me të drejta të fituara nën përkujdesjen e Perëndimit. Pra, kësisoj edhe nataliteti shqiptar ra pothuaj në përmasat e natalitetit bullgar/maqedon në Maqedoni.
Regjistrimi i popullsisë më 2021, nëse do të ishte i plotë dhe jo i mangët, e interesi i shqiptarëve është të jetë i plotë, do të na tregonte se çfarë është gjendja aktuale, e cila do të vazhdonte të mbetej, me gjasë, edhe në të ardhmen. Por, përqindja e pjesëmarrjes së një komuniteti etnik në popullsinë e gjithmbarshme në një shtet, nuk e siguron automatikisht vëllimin e të drejtave për atë komunitet. Kjo vlen edhe për shqiptarët e Maqedonisë.
Ta zëmë, edhe pse komuniteti serb në Kosovë është nën 8% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës, ndërsa përqindja e komunitetit shqiptar në Maqedoni është të paktën më shumë se trefishi i kësaj, prapëseprapë gjuha shqipe në Maqedoni nuk ka një status si serbishtja në Kosovë. Arsyeja është se komuniteti serb në Kosovë ka përkrahjen e fuqishme të shtetit serb, kurse komuniteti shqiptar në Maqedoni të Veriut nuk ka përkrahje konkrete as nga Kosova as nga Shqipëria. Dhe, e dyta. komuniteti shqiptar në Maqedoni të Veriut nuk është i aftë të artikulohet politikisht siç artikulohet komuniteti serb në Kosovë.
Për ta arritur këtë, duhet që së pari komuniteti shqiptar në Maqedoni të Veriut të jetë më shumë i drejtuar kah vetvetja. Para disa ditësh dëgjova në media se disa rrugë në Shkup qenkan emëruar me emra shqiptarësh. Shumica e këtyre emrave ishin nga Kosova e Shqipëria. Sikur të mos kishte emra shqiptarësh të denjë nga territori i Maqedonisë së Veriut. Ta zëmë, a nuk është figurë më e rëndësishme historike Vehbi Agolli – Dibra sesa Ismail Qemal Vlora, madje edhe në përmasa gjithëshqiptare. E përse, pra, në Maqedoni të Veriut të ketë shkollë apo rrugë me emër Ismail Qemal Vlora e jo Vehbi Agolli – Dibra? A nuk është emër i madh Iliaz Pashë Dibra apo Mehmet Pashë Deralla? Apo Dervish Hima? Apo Fuat Dibra? Apo Xhemë Gostivari? Dhe, shumë e shumë personalitete të të gjitha epokave historike.
Nëse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i kthehen vetvetes, atëherë edhe Shqipëria e Kosova do t’i respektojnë dhe ndihmojnë më tepër. Madje, edhe bullgarët/maqedonët do t’i respektojnë më shumë. Me fjalë të tjera, numri i popullsisë është sasi, por sasia jo gjithmonë përkthehet në cilësi. Ndërkaq për cilësinë e jetës së një komuniteti në një shtet (qoftë ky komunitet në statusin e kombit ose në statusin e minoritetit) më e rëndësishme është cilësia kulturore e politike e atij komuniteti sesa madhësia e tij numerike.
/shenja/
Diskutim rreth këtij postimi