Teksa profesori i nderuar Adem Zejnullahu, në një takim të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës më fliste me pasion e përkushtim për librin e tij më të ri, i cili sapo kishte dalë nga shtypi, ndieja se si tek unë shtohej një ndjesi e veçantë, një përzierje mes respektit për autorin dhe një kureshtjeje e thellë intelektuale për librin. E tërë kjo nuk ishte thjesht një dëshirë për të pasur një libër të ri në bibliotekë, por një nevojë e brendshme për ta lexuar, për ta njohur nga afër mendimin shkencor që kishte marrë formë në faqet e tij. Fjalët e profesorit, të ngarkuara me përvojë, bindje dhe vizion historik, e shtonin më tej dëshirën time për t’u zhytur në përmbajtjen e librit. Ishte një ndjesi që shpesh i ndodh studiuesit përballë veprave që premtojnë të hapin dritare të reja në njohjen e së kaluarës sonë. Në atë çast, mendimi im ishte i vetëm, si ta siguroj sa më parë atë libër dhe ta lexoj me vëmendje, jo thjesht si një lexues i zakonshëm, por si dikush që e ndien historinë si thirrje për të kuptuar më mirë veten dhe shoqërinë në të cilën jeton.
Ndoshta dikush, me një qasje sipërfaqësore, mund të ngrejë pyetjen, ç ‘punë ke ti me këngët popullore, aq më tepër me këngët e hakmarrjes? Por një pyetje e tillë, përtej skepticizmit të saj të heshtur, më fton t’i jap një përgjigje të qartë dhe pa hezitim, sepse këngët popullore janë më shumë sesa shprehje emocionale të një populli—ato janë dokumente të gjalla të historisë, arkiva të pashkruara të kujtesës kolektive. Në to, populli shqiptar ka gdhendur përjetimet më të thella dhe më të ndjeshme përmes metaforës, ritmit dhe narrativës poetike. Janë pikërisht këngët, shpesh të lindura në dhimbje, në luftë apo në nderim të virtytit, që kanë ruajtur me besnikëri rrëfimet për ngjarje, figura dhe zakone që nuk janë regjistruar në analet zyrtare të historisë. Këngët e hakmarrjes, për shembull, nuk janë vetëm përçues të një kodi kanunor, por dëshmi të një bote ku nderi, gjaku dhe drejtësia kishin një peshë ekzistenciale, dhe ku tragjikja individuale shndërrohej në kujtesë kolektive.
Prandaj, t’u qasesh këtyre këngëve me vëmendje akademike nuk do të thotë të romantizosh një të kaluar të dhunshme, por të lexosh ndër rreshta një formë të veçantë të transmetimit historik e kulturor. Ato janë një gjuhë tjetër e së kaluarës—ndoshta më emocionale, por po aq e vërtetë—që meriton të dëgjohet, të analizohet dhe të ruhet.
E kam thënë dikur dhe e përsëris me një ndjenjë të thellë kujtese, në një kohë të pakohë, në një mbrëmje të heshtur, babai im më rrëfente për të kaluarën tonë jo si historian, por si një rrëfimtar i dhimbjes së përmbajtur. Me zërin e tij të qetë, por të rënduar nga koha, ai më thoshte: “Epo, bija ime, historia jonë, në kohë të vështira, është treguar si përrallë…”. Në ato çaste, nuk ishte fjala për përralla që zbavitin fëmijët, por për përralla që mbanin të gjallë kujtesën, që vishnin tragjiken me metaforë, që e bënin të përballueshme një të kaluar të rëndë, ndonjëherë të padurueshme. Dhe pastaj ai fillonte të më tregonte për një bajloz të zi, që na kishte zënë frymën për dekada, që i kishte bërë të gjitha të këqijat popullit tonë – një figurë që, në thelb, mishëronte pushtetin, shtypjen, humbjen e të drejtës. E ndërlidhte të kaluarën historike me mitin, dhimbjen me simbolikën, dhe gjithçka e përmblidhte në një gjuhë që vetëm një prind mund ta përdorë kur rrëfen të vërtetat më të dhimbshme te fëmija i tij.
Por ajo që më është ngulitur më thellë në kujtesë ishte qeshja e tij pas këtij rrëfimi – një qeshje që nuk ishte as e lehtë, as e lirë. Ishte një qeshje e thyer, që më shumë se të qeshte, rrëfente. Ajo qeshje të linte për të dëshiruar shumë, një drejtësi të munguar, një liri të vonuar, një histori të dëgjuar ndryshe – jo si përrallë, por si e vërtetë e jetuar. Dhe në atë qeshje, më shumë se në fjalë, unë mësova se historia jonë nuk ka qenë kurrë vetëm kronikë, por edhe rrëfim i shpirtit, i dhimbjes dhe i qëndresës bile nganjëherë edhe këngë.
Dhe kështu, pas një bisede të ngrohtë e të ngjeshur me reflektime për dije, për përvojë dhe për kohën që s’na pret, profesori – ai njeri i palodhur i shkencës, që gjithnjë bart me vete jo vetëm libra por edhe përkushtim – e nxori me kujdes një libër nga çanta. E mbante si një dhuratë që nuk peshohej nga vlera materiale, por nga pesha e mendimit dhe e përkushtimit që kishte në faqet e tij. Ma zgjati me një buzëqeshje të qetë dhe më tha: “Ja, kjo është për ju. Lexoje, por kur të kesh kohë. Mendoj se do të gjesh diçka që të intereson.” Fjalët e tij, edhe pse të thjeshta, bartnin një ndjesi të thellë përkushtimi dhe një gjurmë të heshtur besimi. Ishte një akt që nuk kërkonte kthim, një ofertë që nuk vinte me kusht, por me pritje të qetë – një dorëzim simbolik i dijes, i përvojës së ngjeshur në rreshta, dhe i një bote të tërë që priste të lexohej. Ishte një çast që të kujton se librat e vërteta nuk dhurohen vetëm për tu lexuar, por për të bashkëndarë një botëkuptim, për të ndërtuar ura mendimi, për të mbjellë pyetje që zgjohen vonë, ndoshta edhe pas leximit.
Dhe pikërisht aty, në atë moment të heshtur, ndjeva se më ishte dhënë diçka më shumë se një libër — më ishte besuar një rrëfim që duhej lexuar me vëmendje, në kohën kur fjala e shkruar e gjen rezonancën e saj të brendshme.
E falënderova me përzemërsi profesorin, jo vetëm për librin që më dhuroi, por për gjestin e heshtur që në vetvete mbante një peshë të veçantë, peshën e dijes së ndarë pa bujë, të përvojës që kalon dorë më dorë, si një trashëgimi e heshtur ndër breza.
Sapo arrita në shtëpi, me atë ndjesinë e njohur që ta jep vetëm një libër i sapomarrë, ia hapa me kujdes kapakët. E shfletova për pak çaste, sa për të ndier mendimin e autorit, për të kapur aromën e letrës dhe tingullin e parë të fjalëve që më pritnin në heshtje. Pastaj, me një lloj përkushtimi të brendshëm, e vendosa në vendin ku mbaj librat që presin radhën — jo thjesht si objekte që presin të lexohen, por si udhëtime që ende nuk i kam nisur.
Aty, libri u bashkua me të tjerët që presin qetësisht, secili me zërin e vet, me botën që fsheh brenda, duke ditur se do të vijë momenti i tyre. Dhe kur ai moment të vijë, libri i profesorit nuk do të jetë më një dhuratë, por një kapitull i ri i reflektimit tim.
Që nga ajo ditë e deri më sot, kanë kaluar disa javë – javë të mbushura me punë, mendime të shpërndara dhe libra të tjerë që më thërrisnin nga rafti. Por libri i profesorit mbeti aty, i heshtur, duke pritur me durim kohën e tij. Dhe ajo kohë, më në fund, erdhi. Në një mbrëmje të qetë, kur mendja kërkonte një ndalesë u ula dhe e hapa. Nuk e lashë më nga dora. Faqe pas faqeje, më tërhoqi me një forcë të brendshme, jo vetëm për përmbajtjen, por për atë ndjesi të rrallë që të jep leximi i një vepre që flet me ndershmëri dhe thellësi.
E lexova me një frymë – jo thjesht nga dëshira për ta përfunduar, por sepse nuk mund të bëja ndryshe. Ishte një rrugëtim që nuk lejonte ndalesa, një rrëfim që kërkonte vëmendje të plotë dhe shpirt të hapur. Dhe në atë lexim të paprerë, ndjeva se nuk po lexoja thjesht një libër, por po rikthehesha te biseda e parë, te gjesti i dhurimit, dhe mbi të gjitha, te fjala që i jep kuptim kujtesës sonë të përbashkët. Nuk munda të qëndroja duarkryq, të heshtja si një lexues që kalon tutje, pa lënë asnjë shenjë. Ishte e pamundur të mos shkruaja diçka – qoftë edhe pak fjalë – për mbresat që më la ky libër dhe për rëndësinë që ai mbart në planin historik. Disa vepra nuk të kërkojnë thjesht të lexosh, por të reagosh, të reflektosh, të komunikosh me to – dhe ky ishte pikërisht njëri prej tyre.
Ndërsa e përfundoja leximin, ndjeva se isha bërë pjesë e një rrëfimi më të madh se unë, një thirrje për të mos e harruar atë që është përjetuar, për të mos e lënë historinë të tretet në harresë. Ky libër nuk është vetëm një dëshmi, por një akt kujtese – dhe një nxitje për të menduar më thellë mbi të shkuarën tonë kolektive. Prandaj, nuk munda të mos shkruaj. Ishte një nevojë e brendshme, një detyrim i heshtur ndaj fjalës së thënë me ndershmëri dhe qëllim, ndaj historisë që ende kërkon të dëgjohet me veshë të kujdesshëm dhe zemër të hapur.
Libri i prof. dr. Adem Zejnullahut, “Këngë popullore të hakmarrjes”, bleu i shtatë me radhë, Prishtinë, 2024, i publikuar nga Instituti Albanologjik, përfaqëson një realizim të qëndrueshme dhe të thellë për të dokumentuar dhe ruajtur një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar. Ky botim ishte frytë i një pune disavjeçare, ku autori ishte angazhuar me përkushtim të rrallë në grumbullimin, sistemimin dhe analizën e këngëve popullore të hakmarrjes, duke përfshirë këngë të ndryshme që përshkojnë historinë, ndjeshmërinë dhe kujtesën kolektive të shoqërisë sonë.
Në këtë vepër, prof. Zejnullahu sjell jo vetëm një përmbledhje të këngëve të hakmarrjes si një nënzhanër specifik brenda folklorit tonë, por edhe një dëshmi të gjallë për mënyrën se si këto këngë kanë funksionuar si mekanizëm i rrëfimit, i përballjes me dhimbjen, dhe i artikulimit të drejtësisë në mungesë të asaj institucionale. Ajo çfarë e bën këtë botim të dallueshëm është serioziteti shkencor me të cilin autori i qaset materialit, por edhe ndjeshmëria e thellë për rolin që ka pasur fjala e kënduar në mbajtjen gjallë të identitetit dhe dinjitetit në kohë të vështira.
Ky libër, në të vërtet, në thelb, është shumë më tepër se një përmbledhje tekstesh folklorike – është një urë ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, ndërmjet zërit të popullit dhe veshit të studiuesit, një akt kujtese dhe një kontribut i rëndësishëm në fushën e albanologjisë.
Libri “Këngët popullore të hakmarrjes” përmbledh një korpus të veçantë të krijimtarisë gojore shqiptare—këngë që nuk janë thjesht shprehje e ndjenjave individuale, por pasqyrë e thellë e një strukture shoqërore, ku nderi, drejtësia dhe përgjegjësia familjare kanë qenë për shekuj me radhë në themel të jetës kolektive. Këto këngë, të lindura në rrethana të dhimbshme, i përkasin një realiteti historik dhe kulturor që e ka shoqëruar popullin shqiptar ndër epoka, duke filluar që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët tona – edhe pse me një intensitet të zbehur, por ende të pranishëm në kujtesën kolektive.
Ato janë këngë që vetëm nuk janë kënduar, por edhe janë jetuar. Përmes vargjeve të tyre, populli ka rrëfyer tragjeditë, padrejtësitë dhe dilemat morale të një shoqërie që shpesh ka qenë e detyruar të marrë drejtësinë në dorë. Janë këngë që bartin brenda vetes jo vetëm emocione të forta, por edhe kode të pashkruara të jetesës, të trashëguara brez pas brezi. Nëpër to, hakmarrja nuk paraqitet vetëm si akt, por si pasojë, si detyrim i imponuar nga sistemi i vlerave të kohës, që përmes këngës merr formën e një rrëfimi të përbashkët për dhimbjen, nderin dhe kujtimin.
Kjo vepër, pra, nuk është vetëm një përmbledhje e një zhanri të caktuar folklorik, por një ndërmarrje e guximshme për të trajtuar një aspekt kompleks të jetës dhe kulturës shqiptare, i cili, sado i ndjeshëm dhe shpesh i kontestuar, mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shpirtërore. Ato këngë flasin për një epokë kur fjala dhe nderi peshoheshin më shumë se vetë jeta—dhe leximi i tyre sot kërkon jo vetëm vëmendje filologjike, por mbi të gjitha ndjeshmëri kulturore dhe historike.
Këngët e hakmarrjes, ndonëse të mbështjella me emocione të forta dhe shpesh të trishta, mbartin në vetvete një dimension të thellë historik. Ato nuk janë thjesht shprehje e dhimbjes individuale apo e revoltës familjare – janë rrëfime kolektive të një populli që për shekuj me radhë ka përjetuar pushtime, padrejtësi dhe mungesë të institucioneve të drejtësisë. Në thelb, këto këngë përbëjnë një formë alternative të dokumentimit të historisë, një arkiv gojor ku janë gravuar ngjarje, fate dhe përvoja që shpesh kanë mbetur jashtë kronikave zyrtare.
Përmes vargjeve të tyre, këngët e hakmarrjes na flasin për vështirësitë e jetës në male dhe fshatra të largëta, për përplasjen mes ligjit të shtetit dhe normës zakonore, për ndjenjat e detyrimit dhe të nderit, por mbi të gjitha për shpirtin e pathyeshëm të një populli që, edhe në kushte të rënda, ka ditur të krijojë art dhe të ruajë kujtesën. Në këtë kuptim, këto këngë nuk janë thjesht reflektime mbi ndodhi tragjike, por janë një mënyrë se si shoqëria shqiptare ka artikuluar vuajtjen, ka kërkuar drejtësinë dhe ka ruajtur identitetin.
Këngët e hakmarrjes janë, pra, më shumë se sa poezi popullore, ato janë pasqyrë e realiteteve historike të shqiptarëve, të përjetuara dhe të transformuara në vargje që i kanë mbijetuar kohës. Ato na ftojnë të lexojmë me kujdes jo vetëm tekstin e tyre, por edhe nëntekstin që flet për dhimbje të pashprehura ndryshe dhe për një histori të thënë jo në sallat e kuvendeve, por në prag shtëpish, në oda burrash dhe në zëra këngëtarësh që bartnin më shumë se tinguj – bartnin kujtesën.
Hakmarrja, si një nga plagët më të thella të ndërgjegjes sonë shoqërore, ka qenë ndër shekuj një dukuri e pranishme dhe e rrezikshme, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërthurjen e jetës private me atë kolektive. Nuk mund të trajtohet thjesht si një akt individual i dhunës apo si një pasojë e ndjenjës së padrejtësisë – ajo është një pasqyrim i ndërlikuar i strukturave shoqërore, kulturore dhe historike në të cilat ka vepruar dhe mbijetuar populli shqiptar.
Në shumë raste, hakmarrja nuk ka qenë vetëm një reagim spontan ndaj një padrejtësie, por një mekanizëm i imponuar nga mungesa e institucioneve të besueshme të drejtësisë, nga boshllëku i rendit shtetëror dhe nga një moral i ndërtuar mbi nderin, dinjitetin dhe detyrimin familjar. Ajo ka ndodhur jo në një hapësirë boshe, por në një kontekst të caktuar historik ku dhuna dhe nënshtrimi kanë qenë realitete të përditshme, të përjetuara shpesh nën sundimin e pushtuesve të huaj.
Pikërisht për këtë arsye, hakmarrja është e lidhur ngushtë me fatin historik të një populli të pushtuar, të nëpërkëmbur, të braktisur nga drejtësia e institucioneve dhe i detyruar të ruajë rendin përmes normave të veta. Në shumë raste, janë vetë okupatorët që, përmes ndarjes, nxitjes së përçarjes dhe mungesës së drejtësisë së barabartë, kanë ushqyer mekanizma hakmarrjeje, duke e përdorur këtë plagë të brendshme si mjet për dobësimin e strukturës shoqërore dhe për ruajtjen e dominimit të tyre.
Hakmarrja, pra, nuk është vetëm një kategori etike apo sociologjike, ajo është pjesë e narrativës së historisë sonë kolektive, një simptomë e dhimbshme e një kohe të padrejtësisë, e një shoqërie që ka jetuar gjatë në përplasje mes kodit zakonor dhe rendit politik të imponuar. Dhe vetëm përmes një qasjeje të thellë historike dhe kulturore mund ta kuptojmë këtë dukuri jo për ta justifikuar, por për ta shpjeguar dhe për ta tejkaluar me vetëdije të ndriçuar.
Gjatë leximit të këtij libri, e veçanërisht të parathënies së tij, ndeshemi me një reflektim të thelluar dhe të guximshëm mbi një ndër plagët më të ndërlikuara të shoqërisë shqiptare, hakmarrjen në format e saj të ndryshme. Autori, me të drejtë, konstaton se në historinë tonë shoqërore e kulturore, janë shfaqur dhe kanë bashkëjetuar tri forma të dhimbshme të konfliktit të brendshëm – vëllavrasja, hakmarrja dhe gjakmarrja.
Këto nuk janë thjesht terma që i përkasin një fjalori të dhunës së kaluar, ato janë fenomene të ndërthurura ngushtë me rendin shoqëror, me mungesën e drejtësisë dhe me përplasjen ndërmjet normës zakonore dhe autoritetit shtetëror. Autori nuk i përmend ato si fjalë të rëndomta, por si koncepte që duhen analizuar me kujdes, në kuptimin e tyre historik, kulturor dhe etik.
Në një mënyrë të ndërtuar me maturi shkencore dhe me ndjeshmëri njerëzore, ai u qaset këtyre tri formave të dhunës duke i dalluar jo vetëm në aspektin semantik, por edhe në funksionin që kanë pasur në rrethanat konkrete shoqërore. Vëllavrasja, si akt i dhimbshëm që ndodh brenda rrethit më të ngushtë familjar; hakmarrja, si përgjigje ndaj një fyerjeje apo dëmi të perceptuar ndaj nderit; dhe gjakmarrja, si një formë më e institucionalizuar e ndëshkimit në kuadër të ligjit të Kanunit – të gjitha këto trajtohen jo si episode të shkëputura, por si pjesë e një sistemi vlerash që ka mbijetuar ndër shekuj.
Autori, përmes këtij sqarimi, nuk synon thjesht të na informojë për dallimet mes tyre, por të na ftojë në një reflektim më të thellë, çfarë kuptimi kanë këto dukuri në ndërgjegjen tonë sot? Çfarë na mësojnë ato për mënyrën se si kemi ndërtuar raportet tona me drejtësinë, me nderin dhe me tjetrin? Dhe, më e rëndësishmja, si mund ta trajtojmë këtë trashëgimi pa e mohuar, por duke e kuptuar për të mos e ripërsëritur?
Në këtë dritë, libri nuk është vetëm një përmbledhje e këngëve të hakmarrjes, por një udhëtim në psikologjinë dhe historinë kolektive të një populli që ka ditur të këndojë edhe kur ka vuajtur, të ruajë kujtesën edhe kur ka humbur paqen, dhe të artikulojë dhimbjen përmes vargut, kur fjala e shkruar mungonte.
Gjatë studimeve të mia të thelluara mbi lëvizjen ilegale patriotike shqiptare, veçanërisht për periudhën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kam hasur në një mori dokumentesh arkivore dhe dëshmish gojore që hedhin dritë mbi një realitet të hidhur dhe të dhimbshëm. Vrasjet e shumta që ndodhnin në mes popullatës shqiptare nuk ishin thjesht pasoja të spontanitetit apo hakmarrjes individuale, por shpesh ishin produkt i një skenari të paramenduar, i një strategjie të dirigjuar dhe të zbatuar nga vetë aparati shtetëror jugosllav i kohës.
Në veçanti, gjatë të ashtuquajturit “Koha e Rankoviqit”, kam vënë re mekanizma të mirëorganizuar për infiltrimin dhe manipulimin e individëve të caktuar nga ana e strukturave të UDB-së. Këtyre individëve, të cilët për arsye të ndryshme – shpesh për shkak të rrethanave socio-ekonomike apo dobësive personale – ishin të lehtë për t’u instrumentalizuar, u janë dorëzuar me qëllim armë dhe janë nxitur në mënyrë të drejtpërdrejtë që të kryejnë vrasje ndaj figurave të njohura atdhetare.
Skenari i përgatitur nga pushteti ndiqte një logjikë të rrezikshme dezinformomi, viktimat e vrara shpeshherë identifikoheshin dhe shënjestroheshin përmes shpifjeve të qëllimshme, të cilat i paraqiteshin atentatorëve si të vërteta të padiskutueshme. Në këtë mënyrë, i ashtuquajturi “vrasës” i bindur se po vepronte për të mbrojtur nderin apo hakun e familjes së tij, kryente një akt kriminal të manipuluar dhe të nxitur nga struktura shtetërore, pa qenë i vetëdijshëm për faktin se kishte rënë viktimë e një skeme të stisur.
Dhe megjithëse krimi ndodhte, ai mbetej pa autor në kuptimin e drejtësisë së vërtetë. Ekzekutuesit rrallëherë merreshin në pyetje apo ndëshkoheshin, sepse në fakt kishin kryer një akt që i shërbente interesave të pushtetit. Ata ishin përdorur si mjete për të zhdukur fizikisht dhe moralisht përfaqësues të rezistencës kombëtare.
Ky realitet ngre pikëpyetje të shumta mbi natyrën e shtetit, mbi mekanizmat e dhunës së institucionalizuar dhe mbi trajtat që merr represioni në kontekste autoritare. Ai gjithashtu na fton të thellojmë reflektimin mbi mënyrën se si është shkruar dhe dokumentuar historia e kësaj periudhe dhe të rishqyrtojmë me ndjeshmëri e ndershmëri tragjeditë individuale të atyre që jo vetëm u vranë, por edhe u tradhtuan nga vetë realiteti politik në të cilin jetuan.
Një nga plagët më të dhimbshme që ka rënduar ndër shekuj mbi trupin shoqëror të shqiptarëve ka qenë dukuria e hakmarrjes. Kjo praktikë, e rrënjosur në kode të vjetra zakonesh dhe e trashëguar ndër breza, shpesh ka funksionuar si një plagë vetëshkatërruese në trupin e kombit, duke kthyer energjitë e një populli të tërë kundër vetvetes. Në këtë kontekst, armiku historik i shqiptarëve nuk ka pasur nevojë të veprojë drejtpërdrejt – mjaftonte të qëndronte në heshtje e të përfitonte nga ndarjet, përçarjet dhe gjakderdhja brenda vetë popullit shqiptar. Megjithatë, historia e këtij populli nuk është vetëm histori përplasjesh të brendshme dhe dështimesh morale. Ajo është po ashtu një dëshmi e fuqisë së brendshme për të kapërcyer ndasitë dhe për të triumfuar mbi instinktet e dhunës. Në momentet kur vetë qenësia shqiptare ka qenë e rrezikuar – nga pushtuesit e huaj, nga përpjekjet për asimilim apo zhdukje kulturore – shoqëria shqiptare ka ditur të vetëdijesohet, të mobilizohet dhe, mbi të gjitha, të shtrijë dorën e pajtimit.
Ky akt fisnik i bashkimit përtej hasmërive individuale ka ndodhur në forma të ndryshme gjatë shekujve, por ndoshta një nga kulmet më të ndritura të këtij humanizmi kolektiv u arrit në fundin e shekullit XX. Menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 dhe sidomos në vitin 1990, në një kohë kur shtypja dhe kërcënimi ndaj qenies shqiptare në Kosovë kishte marrë përmasa dramatike, ndodhi një ringjallje shpirtërore e paprecedentë- lëvizja për pajtimin e gjaqeve. E udhëhequr nga figura emblematike e profesor Anton Qetës – një urtak me vizion dhe një burrë i mençur që simbolizonte urtësinë e kombit – kjo lëvizje u përhap me shpejtësi në të gjitha trevat shqiptare, duke vendosur themelet për një bashkim moral dhe qytetar që i parapriu rezistencës së organizuar për liri.
Kjo lëvizje nuk ishte vetëm një nismë për ndaljen e dhunës së brendshme, por një akt i thellë emancipues. Ajo përfaqësonte një kthesë kulturore, një ripërtëritje të vetëdijes kombëtare dhe një rifokusim të energjive popullore drejt një qëllimi më të lartë – mbrojtjes së dinjitetit, ekzistencës dhe aspiratës për shtetformim. Kësisoj, pajtimi i gjaqeve i viteve ’90 mbetet një nga shembujt më të fuqishëm të kapacitetit të shqiptarëve për të bërë paqe me veten në emër të një ideali më të madh.
Lëvizja madhore për pajtimin e gjaqeve, e cila shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë morale dhe politike të shqiptarëve të Kosovës, nuk u kufizua vetëm brenda kufijve të atdheut. Ajo frymë e fuqishme solidariteti dhe vetëdijeje kombëtare kapërceu kufijtë gjeografikë dhe depërtoi thellë edhe në mërgatën shqiptare – në diasporën që për dekada kishte ruajtur gjallë kujtesën historike, ndjenjën e përkatësisë dhe idealin e çlirimit.
Edhe në mesin e bashkatdhetarëve tanë në mërgim, në qytete e vendbanime të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, u organizuan nisma të vetëdijshme për faljen e gjakut, duke u mbështetur në të njëjtat parime që i udhëhoqën proceset e brendshme në Kosovë. Kjo nuk ishte thjesht një lëvizje etike ose shpirtërore, por një akt politik në kuptimin më të thellë të fjalës – një ripërtëritje e unitetit kombëtar përmes ndalimit të përçarjes dhe shpërfaqjes së një morali të lartë qytetar, që vendoste interesin e përgjithshëm përpara ndjenjave individuale të hakmarrjes.
Në këto tubime të mërgatës shqiptare, falja e gjakut nuk bëhej vetëm në emër të pajtimit tradicional, por përfaqësonte një akt simbolik dhe politik në të njëjtën kohë. Gjaqet faleshin në emër të lirisë së Kosovës dhe në emër të idesë së saj si një republikë sovrane. Kjo dëshmonte jo vetëm një ndërgjegjësim të thellë për nevojën e bashkimit shpirtëror e kombëtar, por edhe një reflektim të qartë se pavarësia nuk mund të arrihej pa pastrimin e plagëve të brendshme që i kishin lodhur brezat.
Kësisoj, mërgata shqiptare nuk qëndroi vetëm si mbështetëse nga larg, por u bë pjesë aktive e një procesi historik emancipues që synonte jo vetëm çlirimin nga një pushtues i jashtëm, por edhe nga zinxhirët e urrejtjes së trashëguar brenda vetë popullit. Ky akt i faljes, i bërë në emër të Kosovës si projekt i përbashkët politik dhe moral, mbetet një dëshmi e pjekurisë së diasporës dhe e rolit të saj në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të bashkuar për kombin shqiptar.
Autori thekson me bindje se këngët popullore që trajton në studimin e tij nuk janë produkte të një kohe të vetme apo të një momenti të izoluar historik. Përkundrazi, ato përfaqësojnë një proces të gjatë dhe dinamik të krijimtarisë kolektive, të cilat janë formësuar e zhvilluar përgjatë periudhave të ndryshme historike, duke reflektuar ndryshimet shoqërore, kulturore dhe politike që kanë përjetuar shqiptarët në vijimësi.
Këto këngë, sipas autorit, kanë kaluar përmes një filtri të pashkruar por shumë të fuqishëm- censurës kolektive. Kjo formë e përzgjedhjes shoqërore ka vepruar si një mekanizëm natyror që ka përcaktuar çfarë mbijeton dhe çfarë humbet në kujtesën e brezave. Vetëm ato krijime që kanë rezonuar thellë me ndjeshmërinë dhe vlerat e popullit janë ruajtur, përpunuar dhe transmetuar më tej. Për më tepër, gjatë këtij rrugëtimi historik, këngët nuk kanë mbetur statike. Ato janë pasuruar me elemente të reja gjuhësore, shprehje të standardizuara dhe forma më të përpunuara poetike e muzikore, duke u funksionalizuar në një trajtë të mirëfilltë artistike. Në këtë mënyrë, janë bërë pjesë e një repertori tradicional që nuk i përket thjesht së kaluarës, por jeton në mënyrë organike në kulturën e sotme, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin e origjinës dhe gjallërinë e ripërtëritjes së vazhdueshme.
Këto këngë, në aspektin e këndimit dhe të melodisë, pasqyrojnë një unitet stilistik dhe një ndjenjë të thellë përkatësie me krijimtarinë tradicionale, duke u bërë bartëse të kujtesës kolektive dhe njëkohësisht shprehëse e shpirtit të popullit në gjithë kompleksitetin e tij historik, estetik dhe emocional.
Duhet theksuar se këngët që trajtojnë temën e hakmarrjes zënë një vend të veçantë brenda korpusit të krijimtarisë gojore shqiptare dhe, në veçanti, në tipologjinë e këngëve historike. Ato përfaqësojnë një nënzhanër të veçantë që nuk është vetëm reflektim i një ngjarjeje individuale apo rasti të izoluar, por pasqyrim i një fenomeni shoqëror kompleks dhe të rrënjosur thellë në ndërgjegjen kolektive të popullit. Hakmarrja, si tematikë, nuk është thjesht një motiv tragjik, ajo përfaqëson një plagë të hapur në historinë sociale të shqiptarëve, një realitet i dhimbshëm që për dekada me radhë ka ndikuar në marrëdhëniet ndërnjerëzore, në strukturën e komunitetit dhe në perceptimin e drejtësisë. Këngët që i kushtohen kësaj dukurie nuk mund të lexohen vetëm si rrëfime artistike apo si dokumente të thjeshta folklorike, por si dëshmi të një jete të përshkuar nga përballje të forta morale, ndjenjash të thella dhe konfliktualiteti të trashëguar.
Përmes vargut dhe melodisë, këto këngë shndërrohen në forma të artikulimit kolektiv të dhimbjes, të revoltës, por shpeshherë edhe të pendesës e reflektimit. Ato i japin zë dramës njerëzore që lidhet me humbjen, me ciklin e dhunës dhe me ndjenjën e pashmangshme të detyrimit për ta mbrojtur nderin e familjes. Në këtë mënyrë, ato shërbejnë njëkohësisht si arkiv emocional dhe si platformë për të kuptuar se si një shoqëri ka artikuluar e përballuar plagët e veta më të thella.
Pra, këngët për hakmarrjen nuk janë vetëm pasqyrë e një tradite të errët, por edhe një thirrje e heshtur për ndërgjegjësim, për tejkalim dhe për ripërfytyrim të së kaluarës, duke ofruar kësisoj një dritare në tensionet midis trashëgimisë kulturore dhe aspiratave për një të ardhme më të pajtuar dhe më humane.
Gjatë viteve të angazhimit tim kërkimor dhe leximeve të ndryshme, kam hasur një numër të konsiderueshëm shkrimesh që trajtojnë këngët popullore shqiptare në aspekte të ndryshme, qofshin ato gjuhësore, tematike apo muzikore. Megjithatë, ajo që bie në sy dhe e veçon studimin e Prof. Dr. Adem Zejnullahut është mënyra se si ai arrin të ndërtojë një strukturë analitike të veçantë dhe të mirëorganizuar që i jep këtyre këngëve një dimension të ri, si në rrafshin shkencor ashtu edhe në atë kulturor.
Në mënyrë të posaçme, autori i qaset këngëve që trajtojnë temën e hakmarrjes me një kujdes të thellë metodologjik. Ai nuk i trajton këto këngë si një kategori homogjene dhe të përgjithësuar, por i ndan dhe i radhit ato sipas një rendi kronologjik që pasqyron ndryshimet e pushtimeve dhe regjimeve që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare. Kjo qasje nuk është vetëm një zgjedhje strukturore, por një metodë e thellë interpretimi që i jep mundësi lexuesit të kuptojë se si tematika e hakmarrjes ka evoluar dhe është shndërruar në funksion të konteksteve politike dhe shoqërore të kohës.
Një tjetër aspekt që e dallon këtë studim është ndjeshmëria e autorit ndaj autenticitetit gjuhësor të këngëve. Pavarësisht prejardhjes së ndryshme gjeografike të materialit të mbledhur, gjuha e përdorur në këngë është ruajtur pa ndërhyrje stilistike apo standardizime artificiale. Kjo qasje e vetëdijshme e bën studimin jo vetëm të vlefshëm nga aspekti filologjik dhe etnologjik, por edhe e pasuron atë si një dëshmi autentike të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.
Prandaj, mund të thuhet me plot bindje se kontributi i Prof. Dr. Adem Zejnullahut nuk qëndron vetëm në grumbullimin e materialeve gojore, por në mënyrën se si ai arrin t’i analizojë ato në një kornizë të gjerë historike, kulturore dhe gjuhësore. Ky studim është një ftesë për të thelluar njohjen dhe për ta kuptuar më mirë kompleksitetin e ndjeshmërisë kolektive të një populli që, përmes këngës, ka ruajtur kujtesën, dhimbjen dhe rezistencën.
Një ndër veçoritë që e bën këtë vepër të autorit të dallueshme në fushën e studimeve folklorike është përkushtimi i jashtëzakonshëm me të cilin ai ka ndërmarrë punën kërkimore në terren. Duke udhëtuar nëpër hapësira të ndryshme gjeografike shqiptare – nga veriu në jug, nga trevat e brendshme në ato të diasporës – autori ka arritur të grumbullojë një thesar të rrallë të këngëve që trajtojnë motivin e hakmarrjes. Numri prej 97 këngësh të plota të përfshira në vëllim është dëshmi e një angazhimi sistematik, të menduar jo vetëm si mbledhje mekanike, por si një proces i thellë dokumentimi dhe përzgjedhjeje me kriter shkencor.
Përveç këtyre këngëve, autori ka përfshirë edhe fragmente të tjera të veçanta të këngëve për hakmarrjen, duke u dhënë atyre një vend të merituar në analizën e strukturës, motiveve dhe mesazheve që ato përcjellin. Kjo qasje jo vetëm që pasuron materialin burimor, por edhe i mundëson lexuesit një hyrje më të plotë në universin emocional, leksikor dhe artistik të kësaj krijimtarie.
Në fund të veprës, autori e ka pajisur librin me një fjalor të fjalëve të rralla popullore, një shtojcë e çmuar që jo vetëm ndihmon në kuptimin e termave të vjetër apo të lokalizuara, por edhe kontribuon në ruajtjen e pasurisë gjuhësore të shqipes së folur. Ky fjalor shërben njëkohësisht si mjet ndihmës për studiuesit dhe si dëshmi e ndjeshmërisë së autorit ndaj autenticitetit gjuhësor të materialit.
Vepra është plotësuar gjithashtu me të dhëna të rëndësishme shtesë, ku autori ka evidentuar me kujdes emrat e vendeve dhe personazheve që lidhen me këngët, burimet nga janë marrë këngët, si dhe emrat e këngëtarëve, mbledhësve dhe botimeve të mëparshme që kanë shërbyer si referencë. Këto të dhëna jo vetëm e rrisin vlerën dokumentare të studimit, por e shndërrojnë veprën në një model të mirëfilltë të punës hulumtuese në fushën e folklorit, ku gërshetohen pasioni individual, metodologjia shkencore dhe përkushtimi ndaj trashëgimisë kulturore.
Prandaj, me të drejtë mund të pohohet se libri i studiuesit të përkushtuar, Prof. Dr. Adem Zejnullahu, përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në fushën e folkloristikës, si një përmbledhje e pasur e këngëve popullore që trajtojnë temën e hakmarrjes, por edhe si një vepër me vlerë të thellë historike dhe kulturore. Libri ngrihet përtej dimensionit të tij si dokumentim i krijimtarisë gojore, ai shërben si një pasqyrë e ndjeshme e një dukurie të rrënjosur thellë në ndërgjegjen kolektive shqiptare – një plagë që, për fat të keq, ka shoqëruar brezat ndër shekuj.
Nëpërmjet kësaj vepre, autori nuk bën thjesht një ekspozim të praktikës së hakmarrjes si tematikë artistike, por hedh dritë mbi një realitet historik që ka ndikuar në strukturën e shoqërisë shqiptare dhe në ndërtimin e vetëdijes kolektive. Këngët që Zejnullahu ka mbledhur, analizuar dhe klasifikuar dëshmojnë se hakmarrja nuk ishte thjesht një akt individual, por një fenomen shoqëror që ka gjetur shprehje dhe legjitimim në kujtesën kulturore të popullit ton. Duke i dokumentuar këto këngë, autori ka bërë një thirrje të heshtur – por tejet të fuqishme – për reflektim dhe tejkalim të kësaj trashëgimie të dhimbshme.
Është një dëshirë dhe lutje e përbashkët që ky zakon i lashtë dhe shkatërrues të zhduket njëherë e përgjithmonë nga trojet tona, që vendin e gjakmarrjes ta zërë pajtimi, e vendin e hakut, arsyeja dhe drejtësia shoqërore.
Në fund, mbetet të shprehet mirënjohja për autorin, me urimin që pena e tij e vyer të vazhdojë të na dhurojë edhe në të ardhmen vepra të tjera të rëndësishme, që jo vetëm dokumentojnë, por edhe ndriçojnë e pasurojnë trashëgiminë kulturore të kombit tonë. Vepra të tilla nuk janë vetëm pasuri akademike, por edhe pasqyrë shpirtërore e një populli që kërkon të njohë veten përmes historisë, artit dhe kujtesës kolektive.
19 maj 2025
Diskutim rreth këtij postimi