Veprimet destruktive politike te Serbisë në raport me Kosovën nuk janë befasi për opinionin vendas dhe të huaj, duke dëshmuar se ata nuk veprojnë sipas parimeve por sipas interesave utilitare, që dëshmohet me veprimet e javës së parë të janarit të këtij viti, përmes lejimit të qarkullimit të veturave me targa të RKS në territorin e Serbisë dhe refuzimit të ministrit të brendshëm të Kosovës për të vizituar Luginën e Preshevës, qe ka nxitur Qeverinë e Kosovës të aplikojë reciprocitetin në leje për vizita zyrtare si vlerë të barazisë në mes dy vendeve
Nga Nail Draga
Në fund të dhjetorit, mediat njoftuan se Serbia vendosi që nga 1 janari t’i njohë targat RKS dhe të lejojë lirshëm qarkullimin e tyre, pa u vendosur letër ngjitëse. Në lidhje me këtë çështje Qeveria e Kosovës pati njoftuar se do të presë zbatimin në terren të këtij vendimi nga Serbia për të vendosur në bazë të reciprocitetit për t’i hequr ngjitëset nga targat e veturave të Serbisë.
Targat e RKS u njohen nga Serbia
Mbulimi i simboleve të Serbisë, përkatësisht të Kosovës, me ngjitëse të bardha ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më 30 shtator 2021 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Theksojmë se banorët e komunave me shumicë serbe në veri, dy javë para arritjes së kësaj marrëveshjeje patën bllokuar rrugët që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, meqë ndërkohë Qeveria e Kosovës pati vendosur masat e reciprocitetit për tabelat e automjeteve.
Në lidhje me këtë çështje Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike të enjten( 4 janar) ka vendosur që të largohen ngjitësët nga veturat me targa të Serbisë.
Ky vendim, sipas njoftimit të Qeverisë është “akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”. Sipas njoftimeve të para nuk ka pasur asnjë pengesë për qarkullim me veturat nga të dy vendet, por dilema mbetën se a do të qendrojë Serbia këtij vendimi, duke marrë parasysh se ata janë të pa parashikueshëm, sepse veprojnë sipas interesave të tyre utilitare.
Pikërisht duke marrë parasysh një konstatim të tillë kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi për heqjen e letrave ngjitëse nga targat e Serbisë mund të ndryshojë po qe se ndryshon qasja apo sjellja e autoriteteve serbe për lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS. Nga ana tjetër ai ka shtuar se veprimi i Serbisë për njohjen e targave RKS duhet të lexohet si “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”.
Ai ka theksuar se vendimi ka ardhur pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit dhe si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje.
Refuzimi i vizitës së ministrit në Luginën e Preshevës
Se nga ana e Serbisë mund të pritën veprime destruktive, dëshmon e dhëna se të enjtën me 4 janar mediat informuan se Serbia ia ka refuzuar ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kërkesën për ta vizituar Luginën e Preshevës.
Bëhët me dije se ministri Sveçla gjatë qendrimit në Luginë të Preshevës kishte planifikuar takime në selitë e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në lidhje me këtë refuzim përmes Facebook-ut Sveçla ka njoftuar opinionin se “në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë, për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës. Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë, pa asnjë shpjegim. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”.
Pse u refuzua vizita
Në lidhje me refuzimin që iu bë Sveçlës ka pasur reagime si nga ana e përfaqësuesve politikë të Luginës, por edhe të atyre në Kosovë. Duke marrë parasysh strategjinë antishqiptare nga Qeveria e Serbisë refuzimi i tillë nuk është i pari e as i fundit, duke dëshmuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës i trajton si popullsi e getoizuar, duke i diskriminuar në forma të ndryshme edhe tash në pluralizëm. Një veprim i tillë nuk paraqet befasi, madje mund të llogaritet si hakmarrje për shqiptarët të cilët votuan me shumicë absolute për deputetin e tyre të vetëm Shaip Kamberin në Kuvendin e Serbisë. Madje unifikimi i faktorit politik shqiptar në prag të votimeve në Serbi të 17 dhjetorit, duke vizituar kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë dhe mbeshtetjen qe kanë marrë nga ai, është dëshmi e mjaftueshme për të refuzuar vizitën e ministrit Sveçla në Luginë të Preshevës. Veprimi i tillë destruktiv i autoriteteve kundër kësaj vizite të ministrit Sveçla është dëshmi se ata nuk janë për bashkëpunim dhe për dialog në mes Kosovës e Serbisë. Madje edhe takimet në nivel me të lartë ne mes dy vendeve janë realizuar përmes ndërmjetëseve të BE-së, por gjithmonë duke pasur qasje destruktive nga pala serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur pala serbe ate qe kërkon për pjesëtarët e popullit serb në Kosovës, iu mohon shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nuk ka dilemë se veprimi politik i Serbisë është të izolojë shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke iu pamundësuar komunikimin me Kosovën, ku në sajë të politikës serbe diskriminuese nga Lugina e Preshevës janë zhvendosur një numër i madh shqiptarësh si në Prishtinë, Gjilan, Fushë Kosovë etj.
Marrëveshjet duhet të respektohen
Marrëveshja për vizitat zyrtare është arritur në kuadër të dialogut teknik të Brukselit në vitin 2014. Vizitat ishte thënë se duhet të zhvillohen në atë mënyrë që nxit procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Por marrëveshja është shkelur çdoherë kur ka pasur tensionim të situatës në raportet mes dy vendeve.
Refuzimi i vizitës se ministrit Sveçla në Kosovë ka nxitur reagimin e zyrtarëve të tjerë qeveritarë që paralajmëruan aplikim të reciprocitetit edhe në këtë çështje. Nuk ka dilemë se një qasje e tillë duhet të iu bëhet e qartë edhe ndërkombëtarëve të cilët janë të angazhuar për vazhdimin e dialogut në mes dy vendeve.
Mungoi reagimi nga Shqipëria
Kur janë në pyetje shiptarët në Luginën e Preshevës, si më parë edhe tash ka munguar reagimi nga Qeveria e Shqipërisë. Duke marrë parasysh se kryeministri Edi Rama është në raporte të afërta miqësore me presidentin e Serbisë, A.Vuçiq, është pritur një reagim i tij. Por, mos reagimi nuk paraqet befasi, sepse në mënyrë identike është vepruar nga ana e tij edhe më herët.Nuk ka dilemë se një veprim i tillë i heshtur nga E.Rama është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar se ai nuk është i shqetësuar për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilët janë të diskriminuar nga pushteti serb.
(Janar 2024)
Diskutim rreth këtij postimi