Që kur është krijuar bota njerëzore i ka shpikur dhe përdorur urat për bashkim. Qytetërimi, urbanizimi, civilizimi e as socializimi nuk mund të vinin mbi tokë pa ndërtimin e urave për bashkim. Ura në shërbim të nevojave të njerëzve ka shërbyer njëkohësisht edhe si urë e paqes dhe mirëkuptimit njerëzor. Kjo do të thotë se kush përpiqet të ndërtojë ose funksionalizojë një urë, i shërben paqes, harmonisë, mirëqenies, sigurisë dhe ekuilibrit në marrëdhëniet njerëzore.
Sinqerisht u befasova nga kjo. Si është e mundur që hapja e një ure, e cila lehtëson jetën e qytetarëve pa dallim feje, kombësie e etnie, të refuzohet nga një palë tjetër. Më pas mendoja se çfarë pune dhe interesi ka që një palë e tretë (Beogradi) të pengojë hapjen e Urës së Ibrit?! Njëqind pyetje pa përgjigje të lindin në raste të tilla. Nuk ta kap truri se si një vend si Serbia, e cila tenton që në vitin 2027 të bëhet pjesë e BE-së, të jetë kundër hapjes së kësaj ure. Pra të pozicionohet për ngritje muresh e mbyllje urash. As në rendin skllavopronar e në mesjetë nuk kanë ndodhur qëndrime si këto.
Ndërkohë vendet e Quint-it “janë të shqetësuara”! Unë personalisht nuk e besoj këtë përrallën se “Hapja e Urës së Ibrit destabilizon Kosovën dhe rajonin”! Dhe duhet ta them se kundërshtitë e pesë vendeve të Quint-it për këtë me arsyetimin absurd se urat u bëkan shkak për konflikte, janë absurde jo vetëm në parim. Janë absurde edhe në praktikë. Mbyllja e asaj ure në qershor 1999 nga KFOR-i francez ishte gafa më e madhe e asaj kohe dhe e të gjitha kohërave. Ura u mbyll me arsyetimin se “UÇK-ja do të kalonte në veri dhe do të bënte spastrim etnik të serbëve”! Por kjo ishte thjesht alibia e aktit të turpshëm të KFOR-it francez, akt që po i kushton Kosovës edhe sot pas 25 vitesh.
Nisur nga ajo çfarë ka ndodhur në të kaluarën, gjithkush e di se mbyllja e Urës së Ibrit para 25 vitesh ishte projekt i Parisit për ndarjen e Kosovës. Nuk e dimë ende nëse ky projekt ishte diskutuar midis Francës dhe Serbisë së Milosheviçit. Por e dimë se KFOR-i francez u vendos në veri të Kosovës me insistim të politikës franceze. Sepse nuk ishte parashikuar që francezët të vendoseshin te Ura e Ibrit. Nëse do të kishim në atë zonë KFOR-in anglez, amerikan, gjerman, apo turk, nuk do të ishte mbyllur Ura e Ibrit. Nuk do të kishte roja të urës që vrisnin shqiptarët për ta spastruar veriun e Mitrovicës nga ata. Nuk do të kishte sot diskutime nëse duhet të shërbejë ose jo kjo urë për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Po pse Albin Kurti u detyrua t’u japë leksion ambasadorëve të vendeve më demokratike dhe më të rëndësishme të botës perendimore? Ata janë ambasadorë, për më tepër, të vendeve nga buron dija e harmonia. Por fatkeqësisht duket se këto pesë vende nuk janë në një mendje, kanë mospajtime midis tyre. Ka ndonjë prej këtyre vendeve që akoma shpreson në ndarjen e Kosovës dhe shkëputjen e veriut nga shteti i Kosovës. Nëse ura hapet, atëherë ndarja vështirësohet më shumë, sepse autoriteti dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës shtrihet më lehtësisht e tërësisht në katër komunat e veriut. Nëse ura hapet dhe asgjë e keqe nuk shkaktohet nga kjo, atëherë zhvleftësohet opsioni për krijimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë. Integrimi faktik e dobëson përpjekjen e Beogradit dhe disa miqve të tij në BE e SHBA për ndarjen e Kosovës.
Ura e Ibrit duhet të hapet. Të qarkullojnë lirshëm jo vetëm veturat e njerëzit, por edhe automjetet e rënda, në funksion të investimeve private e publike, si dhe të tregtisë brenda vendit e me shtetin fqinjë, Serbinë. Ura duhet të hapet, sepse është premtim dhe angazhim i vetë liderëve të BE-së. Kam parasysh kur Angela Merkel para 8 vitesh vajti në veri të Mitrovicës dhe prej aty tha se institucionet paralele të Serbisë duhet të zhbëhen dhe ura duhej të hapej. Në vend që dikush të mbajë përgjegjësi pse prej asaj kohe nuk kanë ndodhur këto zhvillime, ende diskutohet nëse duhet ose nuk duhet hapur ajo urë që i bashkon qytetarët e Kosovës! Nëse do t’u thuhej kjo e vërtetë amerikanëve, gjermanëve, britanikëve, francezëve e italianëve të thjeshtë, do të zhvleftësohej shumë autoriteti i qeverive të tyre. Sepse askujt nuk ia kap rradakja se si diplomatët e këtyre vendeve këmbngulin ende në çerekun e shekullit XXI për të mbajtur mbyllur urat e komunikimit njerëzor!
/bota sot/
Diskutim rreth këtij postimi