Mënyra se si ai paturpësisht gënjente veten dhe popullin e tij pa iu dridh qerpiku, na kujton deklarimet e ish-vartësit të tij, Sllobodan Millosheviq, i cili me një retorikë të tillë manipulative filloi nxitjen e konfliktit luftarak në ish Jugosllavi që në fund të viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar kur erdhi në pushtet dhe me po atë retorikë e mbaroi karrierën tij në birucat e Sheveningenit, duke lënë pas qindra e mijëra viktima të pafajshme.
Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Mënyra se si Serbia i qaset sot realitetit politik në marrëdhëniet ndërfqinjësore është në kundërshtim të plotë jo vetëm se me realitetin objektiv, por edhe me vetveten e tyre! Në fakt, duket shumë trishtuese dhe madje anakronike vazhdimi i të njëjtës mendësi përçudnuese antihistorike dhe antidemokratike, me të cilën ky shtet e ushqen vetveten dhe tenton të manipulojë të tjerët me shekuj të tërë, deri në ditët e sotme.
Të mohosh diçka që është dokumentuar me të gjitha mjetet e mundshme teknologjike bashkëkohore, diçka që është parë, fotografuar, xhiruar, dokumentuar e dëshmuar jo nga një, por dhjetëra dëshmitarë të gjallë – është kulmi i marrëzisë dhe faqja më e zezë e një politike ballkanike! Dhe, kjo ngjau vetëm pak ditë më parë në sytë e botës…
“Pinokio” Vulin!
Nuk besoj se mund të ketë një njeri normal në këtë tokë e që nuk është ndjerë keq derisa ka dëgjuar ministrin e policisë serbe, Aleksandar Vulin, duke mohuar masakrën e Reçakut të janarit 1999 në Kosovë, e madje duke e quajtur atë një “gënjeshtër të madhe”! Mënyra se si ai paturpësisht gënjente veten dhe popullin e tij pa iu dridh qerpiku, na kujton deklarimet e ish-vartësit të tij, Sllobodan Millosheviq, i cili me një retorikë të tillë manipulative filloi nxitjen e konfliktit luftarak në ish Jugosllavi që në fund të viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar kur erdhi në pushtet dhe me po atë retorikë e mbaroi karrierën tij në birucat e Sheveningenit, duke lënë pas qindra e mijëra viktima të pafajshme.
Dhe, kjo sërish na kthen te mendimi i njohur i “babait të kombit serb”, komunistit të regjur me prirje nacional-shoviniste, Dobrica Qosiq, i cili në një nga romanet e tij, që më 1961 kishte shkruar: “Gënjeshtra është virtyti më i mirë i popullit serb! Ne gënjejmë për të mashtruar veten, për të ngushëlluar të tjerët. Ne gënjejmë për të kërkuar ndjesë, falje, ne gënjejmë për të luftuar kundër frikës, gënjejmë për të fshehur mjerimin tonë. Gënjeshtra është një formë e patriotizmit tonë dhe me të vërtetojmë inteligjencën tonë. Ne gënjejmë me imagjinatë dhe në mënyrë kreative…!”.
Sponsorizimi i gënjeshtrave
Për të paketuar sa më mirë gënjeshtrat e veta ndaj botës, Serbia në vazhdimësi bën investime të hatashme në veprimtarinë propagandistike, botuese, kinematografike. I fundit ishte pikërisht filmi që e promovoi kryegënjeshtari Vulin, në një përpjekje për ta ndryshuar perceptimin e botës ndaj masakrës së Reçakut, kur më 15 janar 1999 soldateska serbe vrau 45 civilë shqiptarë. Janë bërë filma të tillë edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Betejën e Koshares, Epopenë e Jasharajve… Në këtë drejtim, edhe kinematografia ruse ka investuar shuma marramendëse parash për disa filma proserbë që kanë për qëllim po ashtu të hedhin pluhur mbi realitetin objektiv në Kosovë e Bosnjë.
Serbia, deri më tash, ka sponsorizuar botimin e qindra librave “dokumentare-historike”, me propagandimin e gënjeshtrave të tyre kundrejt botës. Shumica e tyre janë përkthyer në gjuhë të huaja, e sidomos atë angleze, duke pretenduar ndryshimin e perceptimit të botës perëndimore për Serbinë gjakësore, e cila u ka shkaktuar aq shumë vuajtje e dhimbje popujve joserbë, në radhë të parë shqiptarëve e boshnjakëve.
Fytyra shoviniste e Serbisë
Por, cila është fytyra e vërtetë e Serbisë, dhe a mund ajo aq lehtë t’i fshijë gjurmët e krimit ndër shekuj kundër shqiptarëve dhe popujve tjerë joserbë?!
Historia ka regjistruar skena të llahtarshme të krimeve të kryera nga Serbia që nga mesjeta e deri në fund të shekullit XX. Piramida e shtetit serb ka hartuar plane e programe shfarosëse kundër shqiptarëve dhe myslimanëve, të cilat janë dokumentuar fort mirë dhe dihen botërisht.
Është një listë e gjerë e sundimtarëve dhe ideologëve serbë, të cilët me doktrinat e tyre shoviniste të mbuluara me petkun fetar ortodoks lanë njolla të zeza mbi civilizimin. Që nga Car Dushani, Milosh Obrenoviqi, Ilija Garashanini, Vasa Qubrilloviqi, Ivo Andriqi e deri te Aleksandar Rankoviqi e Sllobodan Millosheviqi, janë të njohura masakrat dhe gjenocidi serb kundër popullatës shqiptare. Dhe, ç’është me rëndësi, asnjëherë asnjë udhëheqës shtetëror serb nuk e ka parë të udhës që të paktën popullit të tyre t’ua thonë të vërtetën për atë që kanë bërë. Asnjëherë asnjë kërkimfalje për të gjitha tragjeditë që u kanë shkaktuar popujve joserbë. Edhe sot kur brenda Bashkimit Europian bëhen përpjekje të mëdha për afrimin e popujve ballkanikë mes vete, me qëllim integrimin e tyre në familjen e madhe europiane, është pikërisht Serbia diga kryesore e të gjitha bllokadave. Ajo nuk bën asnjë hap para në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës (njohjen e saj), që është një nga kushtet kryesore të vëna nga BE. E, madje, në bazë të retorikave të përsëritura të udhëheqësve serbë – pasardhës ideologjikë të Millosheviqit, një gjë e tillë as që pritet të ndodhë në një të ardhme.
“Ballkani i hapur” për Serbinë
Pranimi i fajit dhe kërkimfalja për krimin shtetëror të ushtruar nga Serbia në Kosovë është kushti i vetëm që në këtë moment shqiptarët e presin nga Serbia. Aktualisht, pala shqiptare e Kosovës është duke i qëndruar fort këtij parimi edhe në të gjitha forumet ndërkombëtare, por sa gjatë do të mund të qëndrojë si e tillë vertikalisht kjo është pak diskutabile, për shkak të rrethanave të reja që po krijohen në kontekst gjeopolitik në Ballkan.
Në këtë aspekt, është krejt e padenjë hapja e fundit e Shqipërisë ndaj Serbisë me projektin kontrovers “Ballkani i hapur” në kohën kur Serbia e tipit të Vuçiqit e Vulinit, vazhdon të ketë qëndrim të ngurtë karshi shqiptarëve dhe Kosovës. Në anën tjetër, një nismë që kundërshtohet fuqishëm nga shtetet më properëndimore të Ballkanit, siç janë Kosova e Mali i Zi, e të afirmohet me aq shumë lehtësi nga Shqipëria e Edi Ramës, kjo nuk ka asnjë sens as moral e as kombëtar!
Siç dihet, historikisht qëllimet e Serbisë për dalje në detin Adriatik kanë qenë permanente. Për këtë qëllim Serbia ka bërë luftëra të pandërprera dhe mësymje të disahershme drejt bregdetit shqiptar që nga Car Dushani e deri te komunistët e Titos e Millosheviqit, por nuk ia ka arritur qëllimit. Tani i erdhi koha që këtë synim ta realizojë pa mund e pa luftë dhe prandaj Serbia e Vuçiqi ndjehen të ngazëllyer derisa cakërrojnë gotat me Edi Ramën në Elbasan për këtë “fitore të madhe të të gjithëve”.
Pa dyshim, kjo nismë do t’i mundësojë Serbisë një bum të madh ekonomik, si rezultat i potencialit të madh që e ka ky shtet edhe aktualisht. “Ballkani i hapur” i Edi Ramës për pak kohë do ta bëjë Serbinë forcën kryesore ekonomike dhe politike në Ballkan, duke ia rikthyer namin e dikurshëm të Jugosllavisë së Titos. Ndërkaq, Shqipëria do të mbetet vetëm një tigan i ndryshkur ku do të zihen gjellët e kuzhinës serbe
Diskutim rreth këtij postimi