Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Kur u krijuan shtetet autonome të Serbisë (1835) dhe Bullgarisë (1878) e më pas të pavarura (më 1878 Serbia e më 1908 Bullgaria), kufijtë etnikë mes tyre ishin të paqartë. Liturgjia greke në kishat dhe manastiret ortodokse nën Perandorinë Osmane e bënte jorelevante përkatësinë etnike deri në kohën kur filluan lëvizjet kombëtare në Ballkan.
Derisa nuk u krijuan kufijtë shtetërorë, po të niseshe nga Beogradi në Sofje apo anasjelltas, nuk mund të vëreje se ku mbaronin fshatrat serbe dhe ku fillonin fshatrat bullgare apo anasjelltas. Ky fakt e ashpërsoi betejën mes idesë kombëtare serbe dhe asaj bullgare, saqë vetëm në një rast në histori serbët e bullgarët u gjetën aleatë (Luftën e Parë Ballkanike), kurse në të gjithë luftërat e tjera ishin armiqtë më të përbetuar të njëri-tjetrit.
Maqedonia ishte territori për të cilin po luftonin të dyja palët për ta shtrirë ndikimin e vet, përmes shkollave dhe priftërinjve. Rezultatin e kësaj beteje e shohim në statistikat osmane të fillim shekullit XX. Për të mos lodhur lexuesit me statistikat ekzakte, që i paraqet në librin e tij profesori turko-amerikan Kemal Karpat, popullsia sllavo-folëse e qyteteve të Maqedonisë deklarohet bullgare në masën 90% ndërsa serbe në masën 10%. Por, më 1912 në Luftën Ballkanike (Bullgaria, Greqia, Serbia e Mali i Zi kundër Perandorisë Osmane), Serbia e Greqia e tradhtojnë keq armikun e deridjeshëm dhe aleatin e tyre të momentit, Bullgarinë, dhe e marrin pothuaj komplet Maqedoninë. Serbia e mori Maqedoninë veriore. përfshirë qytetet më të rëndësishme: Shkupin, Ohrin e Manastirin, kurse Greqia atë jugore përfshirë Selanikun.
Me Luftën II Ballkanike (Serbia, Greqia, Rumunia e Perandoria Osmane kundër Bullgarisë) më 1913, Bullgaria e humbi edhe atë pak territor që e fitoi në luftën paraprake. Pas luftërave ballkanike, Maqedonia e sotme u bë pjesë e Serbisë dhe bullgarët e deridjeshëm u konsideruan për serbë.
Por, më 1914 shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe Bullgaria ia mori Serbisë Maqedoninë. Katër vite me radhë popullsia sllavo-folëse e Maqedonisë mësoi për identitetin e vet bullgar në shkollat laike dhe ato fetare.
Më 1918, Serbia e rimori Maqedoninë, vrau e preu elitën bullgare të saj, përmes shkollave dhe kishës dhe u përpoq t’i bindte se nuk janë bullgarë, por serbë, të gjithë ata banorë që flisnin gjuhën sllave.
Megjithëkëtë identiteti bullgar kishte lëshuar tashme rrënjë dhe rezistenca bullgare në Maqedoni ishte më e fuqishme se ajo shqiptare në Kosovë. Derisa akti më madhor i irredentizmit shqiptar në Kosovë ishte zënia peng e komandantit të xhandarmërisë serbe në Mitrovicë nga ana e Shote Galicës, irredentistët bullgarë të Maqedonisë më 1921 vranë kryeministrin e Bullgarisë, Aleksandar Stambolinskin, sepse nënshkroi paqe me Beogradin, duke ia prerë dhe ekspozuar dorën me të cilën e nënshkroi “aktin e tradhtisë”. Ndërkaq më 1934 në Marsej të Francës irredentistët bullgarë të Maqedonisë, të organizatës VMRO, e vranë edhe vetë mbretin serb, Aleksandar II Karagjorgjeviq.
Më 1941 Bullgaria ia rimerr Maqedoninë Serbisë. Shqipëria merr qytetet shqiptare të Maqedonisë, pos Shkupit e Kumanovës, të cilat i mbesin Bullgarisë. Deri më 1945 funksionoi kisha bullgare dhe shkollat bullgare. Madje, edhe ilegalët komunistë të asaj kohe në Maqedoni ishin të lidhur me Partinë Komuniste Bullgare. Partia Komuniste e Jugosllavisë mezi e gjeti Llazar Kolishevskin për ta bërë për vete.
Më 1945 Serbia ia rimori Bullgarisë Maqedoninë. Terrori serb mbi elitën bullgare në Maqedoni ishte shumëfish më i madh se ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mësuesit, nëpunësit, ushtarakët, xhandarët, priftërinjtë, me një fjalë gjithë shtresa e lartë dhe e mesme u ekzekutua.
Megjithëkëtë, pas gjithë asaj çfarë kishte ndodhur, Beogradi nuk pretendoi më serbizimin e bullgarëve, por doli me idenë e shpalljes së kombit maqedon dhe shpikjes se etnisë maqedone. D.m.th, “meqë nuk qenkenit serbë, atëherë nuk jeni as bullgarë”. Nga ky fakt u traumatizuan edhe shqiptarët e Kosovës, saqë edhe sot 70 vite më mbas, kur u përmendet se tani shqiptarët e Kosovës janë komb në Kosovë, halucinojnë sikur dikush po u shpikë një etni të paqenë, sikur të qenët komb kosovar u dashka të thotë se “nuk je më me etni shqiptar”, edhe pse Ahtisaari me planin e tij komunitetin etnik shqiptar e sanksionon si komb.
Është interesante se në fjalorin e gjuhës shqipe as që ekziston fjala maqedon (përkatësi kombëtare si italian, gjerman etj), por vetëm fjala maqedonas (përkatësi territoriale si tiranas, beratas etj).
Dhe, përderisa lindja e një kombi të ri është rezultat politik, shpikja e një etnie të paqenë kërkon shtrembërime të shkencës dhe sforcim të identitetit të stisur.
Megjithëkëtë ndjenja bullgare në Maqedoni, sado që u venit, nuk u shua kurrë.Më 1990, sapo paraqitet mundësia e pluralizmit politik në Maqedoni, formohet partia me emrin historik VMRO dhe shtesën DPMNE, me logon me luanin me kurorë mbretërore, që është simboli kombëtar bullgar. Amerikanët tregohen të kujdesshëm dhe nuk e ndihmojnë VMRO-në të vijë në pushtet, për shkak se kjo do ta hapte vatrën e luftës edhe në jug të Ballkanit, andaj amerikanët do ta kishin më vështirë ta mbanin nën kontroll situatën në Ballkan përderisa zjarri i luftës veç po fillonte në Slloveni, e pastaj Kroaci e kështu me radhë. Amerikanët e ndihmuan ta marrin pushtetin më liberalët në mesin e ish-komunistëve, përkatësisht më joantibullgarët në mesin e proserbëve – presidenti Kiro Gligorov dhe kryeministri Nikolla Klusev – për ta realizuar pavarësimin e Maqedonisë pa luftë.
Por, pas problemeve që aleati i natyrshëm i Serbisë, Greqia, ia paraqiti Maqedonisë, forcat proserbe ne krye me Cervenkovskin e LSDM-së, e marrin pushtetin. Pasi merret qeveria e Maqedonisë nga proserbet, ato tentojnë ta marrin edhe Presidencën. Më 1995 organizohet atentat ndaj presidentit Kiro Gligorov, një veprim që nuk u zbardh kurrë. Presidenti u plagos rëndë, por shpëtoi.
Më 1998, po afrohej koha kur Perëndimi duhej të intervenonte në Kosovë dhe një regjim proserb në Maqedoni do të ishte pengesë e madhe. Andaj Perëndimi e ndihmoi VMRO-DPMNE probullgare në krye me Lubçe Georgievskin. Më 1999 Boris Trajkovski, po ashtu nga VMRO-DPMNE, u zgjodh president i Maqedonisë. Por, më 2004 avioni i presidentit Trajkovski rrëzohet afër Mostarit në Bosnjë dhe hetimet akoma vazhdojnë. Me gjasë të mëdha, një atentat i forcave proserbe, pasi vendin e tij e zuri Cervenkovski proserb.
Dhe, derisa LSDM-ja bie në dorë të probullgarëve, proserbët e marrin VMRO-në. Natyrisht, politikanëve maqedonë nuk u shkruante në ballë se kush është probullgar e kush proserb derisa ata nuk vinin në pushtet dhe e tregonin veten.
Fuqia e Gruevskit rritej për dy arsye: e para se udhëhiqte një parti që tradicionalisht ka qenë bullgare dhe, e dyta, se gëzonte përkrahjen e armiqve më të përbetuar të bullgarëve: serbëve dhe grekëve. Derisa në njërën anë nuk lëshonte pe asnjë milimetër ndaj kërkesave absurde të Greqisë për emrin, Greqia po bëhej eksportuesi më i madh në Maqedoni. Në kohën kur Perëndimit i duhej që Maqedonia të jetë në NATO, Greqia, në njërën anë, e Gruevski, duke mos lëshuar pe, ia bënë qejfin Rusisë. Nuk kishte asgjë jopatriotike që të pranohej emri Republika e Maqedonisë Veriore, por ai nuk e bënte, ngaqë donte pretekst për të mos hyrë në NATO. Hashim Thaçi, ta zëmë, ka bërë lëshim shumë më të madh kur lejoi që emrin ndërkombëtar i shtetit të Kosovës të jetë “Kosovo” e jo “Kosova”.
Perëndimi e kuptoi se kush na qenka Gruevski tek kur u shfaq hapur si prorus, por ai tashmë ishte tepër i fuqishëm. Në zgjedhjet e vitit 2014, të paktën institucioni i Presidentit kishte mundësi të merrej nga forcat properendimore nëse shqiptarët do të votonin për kandidatin e LSDM, Stevo Pendarovski. Autori i këtyre rreshtave e ftoi në Prishtinë dhe e paraqiti para studentëve kandidatin e LSDM-së për President të Maqedonisë, Pendarovski, vetëm 2 ditë përpara balotazhit dhe u bëri ftesë publike shqiptarëve të Maqedonisë që ta votojnë atë. Të njëjtën gjë e bëri edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Duke e ditur që Gruevski do ta merrte sërish qeverinë, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi nuk deshën ta dëgjojnë as Hashim Thaçin e as diplomatët perëndimorë, andaj ia mundësuan fitoren kandidatit proserb që të bëhet president i Maqedonisë.
Kur Edi Rama paraqitej me retorikë nacionaliste përballë Maqedonisë, ai gdhendte me sëpatë në këmbë të Shqipërisë. Shteti maqedon është krijesë amerikane. Të luftosh kundër krijesës së aleatit tënd strategjik do të thotë të bësh vetëvrasje politike.
Nëse do të zhbëhej Maqedonia, territoret e saj me më shumë gjasë do t’i merrte Serbia sesa Bullgaria, Shqipëria ose Kosova. Kësaj të fundit, luftëtarët e saj më me eksperiencë iu zunë në grackë e iu kthyen në arkivole.
Nëse Edi Rama dëshiron të dëshmohet patriot, atëherë ai – së bashku me Albin Kurtin – duhet t’i kërkojnë takim kryeministrit të Bullgarisë, në mënyrë që të tretë së bashku ta takojnë Zoran Zaevin dhe t’u bëjnë thirrje bullgarëve/maqedonëve, shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë që ta përkrahin Zaevin. Kësisoj t’ia hapin rrugë Maqedonisë për NATO e BE dhe jo ta pengojnë atë në këtë rrugë.
botuar në SHENJA
Diskutim rreth këtij postimi