Shkruan; Maxhun Smajli
Njeriu që tepër shumë e deshi popullin shqiptar dhe në veçanti fëmijët është Bekim
Berisha-Abeja. Në disa takime që pata me të, pashë se si duhet të duhet populli shqiptar dhe
në veçanti fëmijët. Ai i donte shumë drenicasit. Përveç që ishte mësues ushtarak, ku i mësonte
dhe i ushtronte ushtarët e UÇK-së, ai ishte i papërtueshëm edhe për punë krahu. Bashkë me
ushtarët hapte istikame, bashkë me popullin ngarkonte dhe shkarkonte traktorë e kamiona me
ndihma të ndryshme.
Bekimi, ishte një burrë mesatar, shëndetlig dhe në qafë bartte një kryq ari që e kishte
kujtim nga një oficier kroat, të cilin Bekimi kishte arritur ta nxjerrë të plagosur nga rrethimi
serb në një zonë lufte, i cili më pas kishte vdekur në një spital ushtarak kroat.
Ai nuk fliste shumë, ishte i dalluar për karakter të mirë dhe gjakëmbël, si dhe për cilësitë e tija
ushtarake. Kishte zemër të mirë me cilësi të shkëlqyeshme fisnike që respektohej nga ushtarët
dhe populli në përgjithësi.
Bekimi i donte gazetarët, ngase si thoshte: “Në një moment në Kroaci, mua bashkë me
38 luftarë të tjerë, të rrethuar nga serbët, na kanë shpëtuar gazetarët. Gazetari ka raportuar se
në atë pikë ku ne ishim, gjenden rreth 400 ushtarë të forcave kroate, në mesin e të cilëve edhe
shumë legjionar-komandos. Dhe, pikërishtë ky informacion ka bërë ka bërë që forcat serbe, të
friksuara, të largoheshin. E, ne u tërhoqëm pa pasoja, ndryshe ka qenë e mundur të të
vriteshim të gjithë”.
Kur ushtarët e pyetnin se sa largë e gjuan predhën arma e tij, Abeja u thoshte “më së
shumti 30-të metra” dhe, kur ata të çuditur e mohonin një gjë të tillë, Bekimi ua kthente: “Unë
e di vetëm për kaq, ngase kurrë nuk e kam provuar t’i rri armikut më larg”.
Sipas tij, luftë i thonë asaj kur erret qielli nga aeroplanët dhe helikopterët e armikut.
Pastaj, ai i kritikonte ushtarët e UÇK-së kur i dëgjonte të thoshin: “E kam rrokur armën për të
vdekur për Kosovë”. Abeja, ua kthente: “Jo për të vdekur, por për të luftuar kundër armikut të
Kosovës dhe popullit të saj”. Bile, ai u thoshte, se: “Ushtari i mirë duhet të luftojë, ta kryej
aksionin dhe nuk guxon të vdesë, sepse ai i duhet ushtrisë së tij edhe për aksione të tjera. A
keni parë në lojën e shahut, kur kundërshtari ua merr ndonjë figurë që prapë ke mundësi ta
vësh në fushën e shahut, e sheh se sa e madhe është mungesa e asaj figure. Ndërsa, këtu kemi
të bëjë me figura që kur hiqen, nuk ke mundësi prapë t’i vësh në fushën e shahut në ndonjë
betejë tjetër”, thoshte, ai.
Pastaj, Bekimi kritikonte udhëheqësit ushtarak të UÇK-së që nuk i ruanin policët e
zënë rob, por i ekzekutonin, çka, sipas Abesë, ishte një gabim i madh, ngase me ta mund të
bëheshin këmbime me shokët e tyre të arrestuar nga forcat serbe, apo t’u kushtëzohej me
tërheqjen e forcave serbe nga pikat që ishin me një rëndësi të veçantë për UÇK-n dhe
popullin, e të cilat nuk mund të realizohen me luftë.
Pasta, thoshte: “Unë shoh, se ushtarët kanë vullnet, dëshirë dhe guxim të madh për ta
luftuar armikun, por shumë sish po thehen moralisht e shpirtërisht si pasoj e dobësive të
eprorëve të tyre duke mos njohur artin ushtarak”.
Në fund të muajit korrik të vitit 1998, Abeja, është larguar nga Kosova për në Shqipëri
me shpirtë të thyer dhe shumë i pakënaqur me udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-
së, si dhe me disa drejtues të Shtabit të UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës. I vendosur
që të mos hyjë më kurrë në Kosovë për të luftuar.
Me 09 gusht 1998, në Shqipëri, Bekim Berisha takon 106 ushtarë të UÇK-së, nga
Zona Operative e Drenicës, duke pritur për të hyrë në Kosovë. Këta ushtarë drejtoheshin nga
Bedri Shala, të cilin Bekimi e donte shumë. Kur Bedriu i thotë se nuk po kemi njeri që na
prinë për të hyrë në Kosovë, Bekimi ndërron mendje dhe u prinë.
Në orët e hershme të 10 gushtit, hyjnë në Kosovë. Në Junik bëhej luftë e madhe.
Bekimi, iu thotë ushtarëve drenicas, se, edhe këtu është Kosovë, të kthehemi e t’u ndihmojmë.
Bedri Shala me ushtarët e tij, kthehet dhe i bashkangjesin pushkët me luftetarët e Dukagjinit
në luftë kundër pushtuesit serb. Bekim Berisha, kur sheh këtë vullnet të luftetarëve drenicak,
zotohet se: “O do ta çoj një tank serb në Drenicë, o do vdes”.
Bekimi, u ishte afruar aç afër forcave serbe sa kishte arritur të futej brenda tyre. I
hypur mbi një tank, pritmas qëllohet nga një predhë e pragës serbe, ku Bekimit i kishte
këputur krahun. Bedri Shala, me pesë ushtarët e tij nga Drenica, duke qëlluar pa ndërpre mbi
forcat serbe, ishte nisur për ta tërhequr Bekimin e plagosur rëndë, por vritët me pesë ushtarët e
tij. Pas pak, nga gjakderdhja e madhe, Bekim Berisha ndërron jetë.
Kurrë nuk më ka ndodhur, deri më sot, të kujtoj heroizmin e Bekim Berishës dhe
Bedri Shalës me luftetarët e Drenicës, që bënë me 10 gusht 1998 në Junik, e të mos më
rrjedhin lotët. Edhe tani kur shkruaj, shpirti më është quar peshë, ngrisë duart dhe drejtoj sytë
nga qielli, me ndrydhje shpirti bërtas me të madhe: “O, Zot i madh e i gjithëpushtetshëm,
përse i shove jetërat e tyre, dritën e jetës së kombit tonë. E dua Drenicën, e dua Dukagjinin, e
dua Kosovën” dhe, i drejtohem djalit tim, Agonit, i cili lindi të njëjtën ditë, me 10 gushti
1998. Agonin, e kam simbol të kësaj date të një rëndësie të veçantë kombëtare. Dhe, sa herë
shënon ditëlindjën, mendja më ikë tek Bekim Berisha, Bedri Shala dhe trimat e Drenicës, më
liget zemra dhe qaj si një fëmijë pa nënë.
Sot, Agoni, mbushi 23 vite, po kaq vite edhe Beteja e Junikut dhe heroizmi i Bekim
Berishës dhe Bedri Shalës me trimat e Drenicës.
Lavdi u qoftë të gjithë të rënve në Betejën e Junikut!
Diskutim rreth këtij postimi