E mërkurë, 20 Nëntor, 2024

Kur do të zjgjidhen nyjet gordiane në mes të Kosovës dhe Serbisë?

20
SHARES
251
VIEWS
Klasa politike e Kosovës ende nuk e ka dhënë një përgjigje të prerë se kujt dhe pse iu deshtë të ri negociohet për statusin e Kosovës, përfshi edhe çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe,  pas verdiktit të GJND-së, 2010, sipas të cilit pavarësia e Republikës së Kosovës ishte komfor të drejtës ndërkombëtare dhe ajo nuk e cenonte asnjë parim të legjitimitetit dhe legalitetit.

Nga Mehmet PRISHTINANjë prej çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që nuk do të duhej të jetë e tillë, është edhe themelimi i të ashtuquajturit Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Derisa përfaqësuesit e  Kosovës, në njërën anë thonë se nuk dëshirojnë ta hapin këtë çështje, Serbia në anën tjetër insiston që të bisedohet për të. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një temë tashmë e mbyllur, ndërkohë që drejtori i të ashtuquajturës Zyrëpër Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sipas mediave të Beogradit, “mund ta gënjejë publikun sa të dojë”, por ai “nuk do t’i ikë” krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.Një qëndrim të ndërmjetëm ka mbajtur përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, i cili ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.

 

NATO dhe Berlini janë skeptikë

Por, përfaqësues diplomatik e ushtarak të instaluar brenda dhe jashtë Kosovës vazhdojnë ta shohin me skepticizëm këtë çështje. Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Michele Risi, ka deklaruar se pika e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është çështje e diskutueshme e cila në vete bart një rrezik të caktuar.

“Një pikë shumë e diskutueshme në dialog, ka të bëjë me formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe çfarë funksioni dhe fuqie ekzekutive do t’i caktohet asaj”, tha Risi gjatë një konference të Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s në Romë, që i kushtohet integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

“Disa përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, paralajmëruan për rrezikun e ‘bosnjësimit’ të Kosovës, i cili do të mund të rrezikonte etnitetin shtetëror të Kosovës”, tha Risi.

Në anën tjetër, Berlini zyrtar ka shprehur qëndrim të qartë sa i përket kësaj çështjeje. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha të hënën në Berlin, se në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që po zhvillohet nën drejtimin e BE duhet të shqyrtohen të gjitha çështjet ende të hapura: „Është shumë e rëndësishme që të dyja palët të punojnë drejt arritjes së kompromisit, pavarësisht nga këndvështrimet e tyre natyrshëm të ndryshme. Qëllimi është një marrëveshje me të vërtetë gjithëpërfshirëse dhe e detyrueshme ligjërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovë. E për të arritur një marrëveshje të tillë, Beogradi dhe Prishtina duhet të shqyrtojnë të gjitha çështjet e hapura,” tha Seibert në konferencën e shtypit në Berlin.

Zyrtari gjerman kujtoi dy marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut teknik, në prill 2013 dhe gusht 2015. „Për tiparet dhe më pas edhe kompetencat e sakta, duhet rënë dakord saktësisht mbi këtë bazë, dhe ato duhet të jenë në harmoni me të drejtën kosovare”, tha Seibert dhe shtoi: „Kompetencat e Asociacionit janë përshkruar mjaft qartë në këto marrëveshje dhe ato përfshijnë, për shembull: arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik etj.”

 

Asociacioni, hendeku i pambyllur në raportet Kosovë-Serbi

Krijimi i Asociacionit, siç dihet, ishte paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës me aktvendim kishte konstatuar se parimet për themelimin e këtij Asociacioni nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndonëse, sipas Gjykatës Kushtetuese, ato parime mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

 

Se çështja e formimit të këtij Asociacioni paraqet një prej kushteve për mbylljen e çështjeve të ndjeshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, flet edhe qëndrimi i palëkundur i përfaqësuesve serbë të cilët insistojnë në mundësinë që Asociacioni të krijohet sipas marrëveshjes së gushtit të vitit 2015, e jo sipas marrëveshjes së Brukselit e vitit 2013, e cila ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, aktualisht president i Kosovës. Por, analistë të paanshëm në Beograd dhe në Prishtinë kanë thënë se marrëveshja e vitit 2013 siguron vetëm pajtimin në parim për formimin e Asociacionit, ndërkohë që marrëveshja e gushtit të vitit 2015, i specifikon kushtet e formimit. Për rrjedhojë , zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në disa raste kanë sugjeruar se  çështja e formimit të Asociacionit nuk është urgjente dhe se “së pari duhet të hartohet draft-statuti, e pastaj ai të rishikohet sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjes së Brukselit, si dhe përsëri ai duhet të shkojë edhe një herë për konfirmim në Gjykatën Kushtetuese”.

 

Pse u imponua Asociacioni- a pati nevojë fare?

Deri më tani nuk ka kurrfarë veprimi juridik që vërteton funksionimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila do të kishte përfaqësues nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveqani, Zubin Potoku, Shtërpca, Graçanica, Parteshi, Novo Bërda, Raniluki, dhe Kllokoti. Por, mos formimi de fakto i këtij Asociacioni nuk nënkupton se Kosova është e liruar nga ankthi i politikave de stabilizuese të Serbisë. Madje kritikuesit opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë janë të prirur ta krahasojnë Asociacionin si një entitet me Republikën Srpska në Bosnje, ndërkohë që në vokabularin zyrtar të përfaqësuesve qeveritarë Asociacioni figuron si një farë OJQ pa kurrfarë kompetence ekzekutive. Por, kështu nuk mendon Beogradi, sipas të cilit Asociacioni është një ‘lloj entiteti’ përmes së cilit serbët do të jenë në pozitë ta qeverisin vetveten në mënyrë autonome prej Prishtinës.

Në Prishtinë ka mospajtime sa i përket kompetencave të Asociacionit, sepse një grup njerëzish mendojnë se Asociacioni nuk do të ketë fuqi të vetos për t’i bllokuar vendimet në nivelin qendror, por, grupi tjetër mbron qëndrimin se në aspektin politik Asociacioni do të ketë fuqi që t’i paraqes dhe të shtyjë përpara interesat politike të një grupi të caktuar, duke vënë në rrezik funksionalitetin e shtetit, dhe si i tillë mund ta zgjerojë hendekun e ndarjeve etnike e fetare në mes të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Në instancë të fundit, një formë e tillë e organizimit paralel të komunitetit serb, mund të vë në pikëpyetje tërë konceptin shumetnik të Kosovës, i ngritur mbi parimet e Pakos së Ahtisarit më 2007, me të cilën rregullohej pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, duke ofruar nivel te lartë të vetëqeverisjes për komunat me shumicë serbe dhe duke u dhënë kompetenca shtesë në fushën e edukimit dhe shëndetësisë. Pakoja e Ahtisarit ishte mjaft e qartë në garantimin e të drejtave të pakicave, duke i favorizuar madje serbët si një komunitet me të drejta më të mëdha se pakicat tjera. Sepse vetëm serbëve iu lejua të kenë përdorim të gjerë të gjuhës serbe në gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht faktit se në shumë pjesë të Kosovës nuk ka prezencë etnike serbe si dhe vetëm Kishës Serbe iu lejua të ketë status eksterritorial brenda hapësirës tokësore të shtetit të Kosovës, duke e ngritur madje këtë status gati në nivelin e principatave (Lihtenshtajn, Monaco) evropiane.

Klasa politike e Kosovës ende nuk e ka dhënë një përgjigje të prerë se kujt dhe pse iu desht të ri negociohet për statusin e Kosovës, përfshi edhe çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe,  pas verdiktit të GJND-së, 2010, sipas të cilit pavarësia e Republikës së Kosovës ishte konform të drejtës ndërkombëtare dhe ajo nuk e cenonte asnjë parim të legjitimitetit dhe legalitetit.

Me dhënien e mendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi legalitetin e deklaratës ë pavarësisë së Kosovës, në korrik të vitit 2010, Kosova dhe Serbia kanë pasur mundësinë t’i tejkalojnë dallimet, të vendosin marrëdhënie dypalëshe dhe te zhbllokojnë rrugën e tyre drejt integrimit ne Bashkësinë Evropiane (BE).

Mirëpo Serbia, jo vetëm që nuk iu është përmbajtur marrëveshjeve të shumta me Kosovën, por ajo ka vazhduar veprimtarinë destruktive në planin diplomatik në minimin e procesit të legjitimitetit dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga ana e shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Këtë situatë më së miri e ka përshkruar Grupi Ndërkombëtar i Krizave (Internation Crisis Group), sipas të cilit nëse Serbia me të vërtet kërkon progres thelbësor dhe dëshiron ti bindë BE-në dhe SHBA-në se është e vendosur të negociojë e jo vetëm të vonojë njohjet eventuale të Kosovës, atëherë ajo duhet ta njohë Kosovën si partner të barabartë, edhe nëse nuk e njeh si shtet të pavarur.

Se deri kur do të vazhdojë kjo situatë e paqartë, kjo është një përgjigje e vështirë, por ajo që kërkohet nga elita politike e Kosovës është të intensifikojë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e brendshëm dhe kultivimin e miqësisë parimore me SHBA, BE dhe NATO. Në të kundërtën nyja Gordiane në raportet Kosovë-Serbi do të vazhdojë të rëndojë klimën e bashkëpunimit rajonal, kurse Kosovës do t’ia shtojë edhe disa trungje në rrugën e progresit dhe njohjeve ndërkombëtare

 

 

 

Diskutim rreth këtij postimi

Welcome Back!

Login to your account below

Create New Account!

Fill the forms below to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.