Nga Nail Draga
Trajtimi i identitetit politik paraqet çështje me interes jo vetëm sociologjik për çdo mjedis, andaj ka peshë të veçantë në diferencimin e individëve apo grupëve të ndryshme sociale. Nëse në kohën e monizmit trajtimi i tillë ishte i ndaluar, sepse partia-shtet ishte mbi të gjitha, në pluralizëm qytetarët përjetuan frymarrje tjetër, sepse iu ofroua mundësia të zgjedhin subjektin politik sipas preferencës së tyre. Dhe nga ajo kohë kemi të bëjmë me binomin pozitë-opozitë në skenën politike, ku identiteti politik ka të bëjë enkas me mbeshtetjen e një subjekti politik në zgjedhje me qellim për të qeverisur në mjedisin përkatës.
Shqiptarët pjesë e skenës politike
Duke ndjekur rrjedhat politike të kohës edhe shqiptarët në Mal të Zi me miratimin e pluralizmit arriten të organizohen politikisht, duke formuar subjektin e parë nacional në këtë mjedis. Ndonëse këshilli inicues i subjektit politik mbajti mbledhjen e vet në Ulqin me 26 gusht 1990, kuvendi themelues u mbajt me 9 shtator 1990 në Tuz, duke e emërtuar subjektin politik me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi(LDMZ).
Një veprim dhe organizim i tillë nga shqiptarët u prit me entuziazëm, ndërsa e kundërta ishte nga qarqet hegjemoniste në Mal të Zi, sepse ata mendonin së shqiptarët duhet të mbesin ende nën ombrrelën e tyre politike si në kohën e monizmit. Pikërisht nga një qasje e tillë nuk kanë munguar reagimet negative në media, duke harruar se monizmi kishte marrë fund dhe së pluralizmi politik ishte një realitet i ri edhe në Mal të Zi,përkatësisht në Jugosllavi, e cila numëronte muajt e fundit të ekzistimit. Në zgjedhjet e para pluraliste me 9.12.1990, në mënyrë plebishitare shqiptarët votuan për LDMZ, duke dëshmuar vetëdije politike dhe identitet kombëtar, ku në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA), fituan katër deputet, nga 12 sa kishte gjithsej ky koalicion. Ishte ky një fillim i mbarë dhe shpresëdhënës se do të angazhohen për përmirësimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis. Por, nuk shkoj shumë sepse në sajë të egoizimit e ambicieve lideriste me pas u formuan edhe parti tjera(UDSH,PPD,FORCA,ASH,PD etj.), duke qenë numër i lartë për një mjedis dhe popullsi të vogël në numër, që nuk ishte në interes së popullsisë shqiptare.
Interesi mbi parimet
Në politikë si veprimtari shoqërore kur në rend të parë janë interesat e individëve, apo klanëve të ndryshme që janë pjesë e partive politike, edhe koalicionet e ndryshme jo parimore nuk paraqesin befasi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse nuk kemi të bëjmë me parimet por me interesat e ndryshme.
Kujtojmë me këtë rast vitin 1996, kur në nivel lokal në Ulqin LDMZ arriti të bëjë koalicion me Lidhjen Liberale të Malit të Zi, në vend që të bënte me UDSH-në. Ishte ky sinjali i parë destruktiv, duke eliminuar vlerat dhe parimet kombëtare. Dhe nga ky rast në Ulqin më vonë kemi pasur edhe koalicione tjera jo parimore, si në vitin 2006, koalicioni UDSH-DPS, nga del se në rënd të parë kanë ardhur në shprehje interesat personale e klanore e jo parimet politike apo kombëtare.
Se votat e elektoratit votues mund të komandohën në drejtimin e duhur për të përcaktuar votuesin dëshmon rasti i votimit të përseritur në dy vendvotime në zgjedhjet lokale në Ulqin(18 shkurt 2018). Kemi të bëjmë me dy vendvotime(Darzë dhe Komunale) që përcaktuan parti të parë DPS-in, në nivelin lokal, përmes votave të votuesve të UDSH-së. Dhe jo vetëm kaq por UDSH dhe PD me pas kanë mbeshtetur kandidatin e DPS-it për kryetar të komunës duke ia mundësuar këtë pozitë për të parën herë pas 28 viteve në pluralizëm. Ndërsa, po të ishte vullneti politik nga ana e tyre, tri partitë politike nacionale(FORCA, PD dhe UDSH) pasi së bashku fituan 18 këshilltarë, kanë pasur mundësi për të propozuar dhe zgjedhur kryetarin e komunës nga ana e tyre. Por, kur egoizmi e gjelozia është mbi arsyen, nuk mund të ekzistojë qasja parimore, sepse kanë dominuar interesat e ngushta individuale në nivel lokal në raport me pushtetin qendror(DPS), duke dëshmuar se interesi politik është mbi ate kombëtar.
Nuk ka dilemë së ky rast do të mbesë i shënuar si paradoks i llojit të vet në skenën politike në Ulqin, dhe mesazh për brezat në të ardhmën se si nuk duhet të veprohet, sepse Ulqini nuk është pronë e disa individëve apo klanëve me interesa ekskluzive por i të gjithë atyre qe kanë mbeshtetur partitë nacionale.
Relativiteti i përkatësisë politike
Ka vite që sintagma “përfaqësimi autentik” është bërë pjesë e ligjit zgjedhor në Mal të Zi, që ka të bëjë enkas për popujt e ndarë, apo siç quhen këtu popujt pakicë. Dhe është pikërisht kjo sintagmë e cila bën edhe diferncimin politik, pikërisht me përfaqësimin politik i cili është i rezervuar vetëm për partitë politike nacionale. Nuk ka dilemë se janë votat ata të cilat përcaktojnë peshën e çdo subjekti politik, por, pavarësisht sa do të jetë pesha e tyre politike përfaqësues autentik mbesin subjektet nacionale si në nivel lokal dhe ate qendror.
Në krahasim me përkatësinë kombëtare, përkatësia politike është relative, ajo është në varshmëri të rrethanave shoqërore, sipas dëshirës dhe interesave të individit. Në këtë aspekt koha e pluralizmit është dëshmi e një konstatimi të tillë, ku as shqiptarët në Malt të Zi nuk janë përjashtim.
Përvoja e deritashme dëshmon se në sajë të interesave të ndryshme subjektet politike kanë kriuar koalicione jo parimore, që ka ndikuar në luhatje të elektorati votues i shqiptarëve në mbeshtetje të partive nacionale të shqiptarëve. Kemi të bëjmë me dukurinë e kohezionit brenda shqiptarëve, që është rezultat i veprimit të pushtetit për dobësimin e subjektëve politike shqiptare, duke ulur rolin dhe peshën e tyre politike. Por, në lidhje me këtë çështje duhet theksuar dobësinë e subjektëve politike shqiptare, që janë veçuar me sjellje autokrate dhe të interesave personale e klanëve të ndryshme. Pikërisht një sjellje e tillë ka ndikuar qe individë të ndryshëm të ndërrojnë partitë politike, dukuri e cila është e pranishme edhe te elektorati votues shqiptar.
Nuk ka dilemë se nëse do të vazhdojë ky kohezion brenda elektoratit votues shqiptar, do të rrezikohet identiteti politik ishqiptarëve, e më këtë edhe pjesëmarrja e përfaqësimi në strukturat qeveritare në nivelin lokal e ate qendror. Fjala është për përfaqësuesit autentik të zgjedhur dhe ata të emëruar, që duhet të jenë profesionist të dëshmuar, por edhe persona me autoritet shoqëror.
Forumi shqiptar në Tuz model i suksesit
Kur ekziton dëshira për bashkëpunim nuk ka dilemë se suksesi nuk do të mungojë, ku si model duhet të na shërbejë Tuzi. Fjala është për zgjedhjet lokale të mbajtura me 3 mars 2019, për të parën herë për komunën e pavarur të Tuzit, për Malësinë. Të vetdijshëm se vetëm të bashkuar mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar, duke sfiduar kundërshtarët politikë, pjesëmarrës në këto zgjedhje, u formua FORUMI SHQIPTAR në kuadër të cilit ishin subjektët politike shqiptare që veprojnë në Malësi(Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve).Ky bashkim ishte i qelluar dhe arriti fitore në zgjedhjet lokale, ku u mbeshtet nga një këshilltar i Demokratëve, duke formuar pushtetin lokal dhe zgjedhur kryetarin.
Përfundimisht zgjedhjet lokale në Tuz me 3 mars 2019 dhe fitorja e Forumit Shqiptar, duhet të jetë një sinjal i mjaftueshëm për të gjithë ata qe skenën politike e shohin si mundësi avancimi të çështjës shqiptare në Mal të Zi, e jo të interesave dhe të përfitimeve personale.
Moskoordinimi pengesë për unitet
Ndonëse kanë ekzistuar zëra së para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, shqiptarët do të koordinohen me mundësi reale për të dalë me një listë të përbashkët zgjedhore, ndonëse në këtë aspekt ka pasur angazhime si nga Tirana e Prishtina e sidomos nga diaspora jonë në SHBA, koalicioni nuk u realizu. Dhe shkaku qendronte në ambiciet lideriste për të qenë bartës i listës, duke mos respektuar realitetin politik brenda vet skenës politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe animozitetin e dëshmuar në mes udhëheqësve të partive politike, nuk ka pasur mundësi të realizohet një koalicion i dëshiruar, që do të eliminonte ndarjët edhe të elektorati votues shqiptar. Mëgjithatë dy listat e shqiptarëve fituan nga një deputet; Lista Shqiptare 6.488 vota apo 1.58% dhe Koalicioni shqiptar 4.675 vota apo 1.14%, që gjithsej janë 11.163 vota, duke dëshmuar se elektorati votues shqiptar mbeshtet ende partitë politike shqiptare, pavarësisht divergjencave ekzituese.
Mision avancimi i statusit e jo i interesave
Në të ardhmën për të eliminuar këto deformime duhet gjetur mundësi për bashkëpunim ne mes subjektëve politike shqiptare, ku një platformë platformë politike për shqiptarët duhet të jetë e obligueshme për zgjedhjet lokale e ato qendrore. Vetëm një veprim i tillë do të dëshmonte seriozitet para elektoratit votues shqiptar, me mision avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Malit të Zi, e jo të interesave personale e klanëve të tyre.
Mos koordinimi i subjektëve politike të shqiptarëve në sajë të sindromit të liderizmit e animozitetit të udhëheqësit e subjektëve politike, ka ndikuar në kohezionin të elektorati votues shqiptar. Pikërisht, nga një situatë e tillë kanë përfituar subjektët politike qytetare(malazeze) që është dëshmuar në zgjedhjet lokale e parlamentare, ku Ulqini paraqet rast për hulumtim.
Përfundimisht identiteti politik varët në sajë të rrethanave shoqërore duke mbetur çështje e hapur dhe si e tillë është relative, ndërsa identiteti kombëtar mbetet vetëdije dhe ndërgjegje mbarëkombëtare tash dhe në të ardhmën.
Diskutim rreth këtij postimi