Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë
Emërtimi i toponimeve përfaqëson një instrument të rëndësishëm identitar, duke i dhënë një fytyrë territorit të emërtuar, por njëherazi na disa të dhëna edhe për të shkuarën e tij. Ndryshimi i toponimeve manifeston një strategji të mirëfilltë politike, që shpeshherë nënkupton fshirjen e një pjese të së shkuarës dhe zëvendësimin e saj me emërtimin e së tashmes. Një operacion i tillë zakonisht aplikohet vetëm pas ndonjë zhvillimi të bujshëm politik, revolucioni, aneksimi ose pushtimi, kolonizimi ose dekolonizimi, madje shpeshherë mund të identifikohet edhe në periudhat fillestare të shtetformimit, kjo për arsye se të emërtosh diçka ose dikë do të thotë ta bësh atë tëndin (ta vësh në kontroll), ta përfshish në një sistem, në një shoqëri, në një mendim ose edhe në një fé (Étienne Copeaux: 2008). Ai që emërton, pret që emri i dhënë të njihet dhe përdoret, sepse mospërdorimi, keqpërdorimi ose mosnjohja e emrit mund të sjellë zemërim, indinjatë dhe revoltë nga lokaliteti i emërtuar. Prandaj nacionalizmi është veçanërisht i ndjeshëm kundrejt çështjeve që lidhen me toponiminë. Sa herë që ka pasur ndryshime kufijsh, thuajse përherë ka ndodhur që toponimet të ndryshohen. Në njëfarë mënyre, mund të thuhet se konflikti midis dy shteteve për një territor të caktuar njëherësh përfaqëson rivalitetin ndërmjet dy kulturave të ndryshme se cila prej tyre do ta monopolizojë emërtimin e territorit. Ky fenomen është edhe më tipik në zonat kufitare, të cilat kanë pasur një prirje më të theksuar për t’u emërtuar në mënyra të ndryshme nga kulturat kombëtare të shtet-kombeve antagoniste.
Në rajonin e Ballkanit, për shkak të shpërthimeve të nacionalizmit si rrjedhojë e ndryshimit të kufijve dhe formimit rishtazi të shteteve të reja, konflikti mbi toponimet në shumë raste është vendosur në qendër të konflikteve politike. Rasti më tipik gjatë viteve të fundit ka qenë antagonizmi ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit të kësaj të fundit. Gjithashtu, edhe konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është karakterizuar nga emërtimet e ndryshme të Kosovës. Qysh në vitin 1968, kur ish krahina autonome e Kosovës dhe Metohisë brenda shtetit jugosllav, u emërtua zyrtarisht si Kosova, nacionalistët serbë kërkuan vazhdimisht rikthimin e emërtimit të vjetër, pasi Metohia paraqiste një krahinë tejet të rëndësishme për kishën dhe identitetin ortodoks serb. Ndërkaq, me implementimin e kushtetutës së re në shtator të vitit 1990, u rivendos emri i vjetër Kosova dhe Metohija, të cilin kësaj here shqiptarët e Kosovës e kundërshtuan masivisht, duke kërkuar përdorimin e emrit Kosova. Edhe në ditët tona, teksa Kosova tanimë është një shtet i pavarur, kur zyrtarët serbë flasin për Kosovën, vijojnë t’i referohen emrit të dikurshëm Kosova dhe Metohija, duke shprehur kështu edhe ambiciet e tyre politike mbi këtë territor.
Nisur nga këta shembuj, politikat në Ballkan e tregojnë haptazi se gjuha, emërtimet dhe klasifikimet përfaqësojnë një kategori tërësisht politike, sikurse edhe vetë toponimet e vendosura. Veprimtaria nacionaliste e rithekson edhe më tepër ngarkesën kuptimore të emrave në shënjimin e një territori dhe marrjen e tij në kontroll. Vendimi për ta përdorur një emërtim dhe jo një tjetër kthehet në shprehje të një qëndrimi të caktuar politik dhe e stabilizon një raport të caktuar ndërmjet kombit dhe territorit. Në rastet kur emërtimet e vendeve janë subjekte të territoreve të kontestuara, si në rastet e mësipërme, neutraliteti në përdorimin e toponimeve kthehet në një luks të tepërt, sa mungon edhe fjala e përshtatshme për të dhënë një emërtim neutral. Në pamje të parë, funksioni i toponimeve duket se është veç dhënia e një orientimi për hapësirën ku banojnë qytetarët. Por, me kalimin e kohës, toponimi kthehet në një instrument përkatësie, të cilin njerëzit duke ligjëruar për të, fillojnë t’i japin disa cilësi, në mënyrë që ta bëjnë më të njohur dhe të dallueshëm nga cilësitë që ua japin vendeve të tjera. Në këtë kuptim, duke krijuar një sens përkatësie te njerëzit, si dhe duke përfaqësuar gjuhën ose kulturën ku këta të fundit jetojnë dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin, toponimet nisin të marrin pushtet historik (vijimësia në kohë) dhe, për rrjedhojë, territorit nis t’i jepet njëfarë dimensioni “i shenjtë”. Mirëpo, edhe më të rëndësishëm sesa toponimet në vetvete, janë ata të cilët janë veshur me pushtetin e krijimit të toponimeve të reja, pra agjentët shoqërorë, që vendosin se një vend i caktuar do të mbartë një referent të caktuar.
Në artikullin “Geographies of Toponymic Inscription: New Directions in Critical Place-Name Studies”, sipas studiuesit Reuben Rose-Redwood, ekzistojnë tri kategori të ndryshme agjentësh shoqërorë që mbartin pushtetin e krijimit të toponimeve. Së pari, janë okupatorët e huaj ose forcat kolonialiste. Regjimet koloniale shpeshherë i importojnë toponimet nga vendi i tyre. Rast tipik për ilustrimin e këtij fenomeni janë emërtimet e rrugëve në Irak pas pushtimit nga SHBA në vitin 2003, ku emrat vendas gradualisht nisën të zëvendësohen nga “Main Street, Cigar Street ose South Street” në gjuhën e pushtuesit.
Së dyti, krijuesit e toponimeve të reja mund të jenë pjesë e hegjemonisë lokale ose kombëtare. Ky grup agjentësh shoqërorë mund të evidentohet më lehtësisht në vendet që kanë pasur ndryshim të regjimeve politike, si për shembull vendet post-komuniste të Ballkanit dhe Europës Qendrore, por mund të evidentohet edhe në krijimin e shteteve të reja. Kështu, për shembull, në periudhën komuniste në Shqipëri u ndalua çfarëdolloj emërtimi rruge që mund t’u bënte jehonë figurave të njohura të periudhës së monarkisë, teksa qytetet e reja që dolën në sipërfaqe gjatë kësaj kohe nisën të marrin emërtimet e ideologjisë komuniste (rasti i qytetit të Kuçovës që u emërtua qyteti Stalin). Ndërkaq, pas rënies së komunizmit, ndodhi i njëjti fenomen, por kësaj here emërtimet që të kujtonin ideologjinë komuniste gradualisht fillojnë të reduktohen, teksa qytetet e reja që shfaqen gjatë demokracisë nisin të marrin emërtime po aq ideologjike (rasti i qytetit të Kamzës, ku qendra është emërtuar “Bulevardi Blu” ose “Sheshi Demokracia” në Kavajë etj). Po kështu, edhe në Malin e Zi ende ekzistojnë gjurmë të emërtimeve të komunizmit, sidomos në qytetet me shumicë shqiptare, si për shembull shkolla fillore “Mareshali Tito” në Ulqin. Nga ana tjetër, qytete të ndryshme në Kosovë, qysh pas shpalljes së pavarësisë, kanë sjellë gjithashtu toponime të reja (nga Uroshevac në Ferizaj etj).
Së treti, minoritetet dhe shtresat e margjinalizuara ndonjëherë mund të kenë një impakt të konsiderueshëm në përcaktimin e toponimeve lokale. Kjo ndodh për shkak se duke filluar nga periudha post-komuniste, hegjemonia shtetërore nuk është më totale, andaj shpeshherë ekzistojnë momente përballjeje me kundër-hegjemonitë lokale gjatë procesit të vendimmarrjes dhe, në këtë kuptim, ajo çka i krijon toponimet janë pikërisht zonat e përballjes midis kundër-hegjemonive lokale dhe hegjemonisë shtetërore. Kështu, për shembull, në Irak komunitetet shiite kanë nisur një proces riemërtimi të hapësirave publike, duke kryer një lloj “ekzorcizmi toponimik” të trashëgimisë së Sadam Huseinit (Rose-Redwood: 2010). Në këtë grup bëjnë pjesë edhe grafitet politike, që riemërtojnë rrugët, duke shprehur kështu mospranimit ndaj emrave zyrtare. Raste të tilla mund të gjenden që nga Irlanda e Veriut, zonat baske ose edhe në veriun e Kosovës. Gjithashtu, rastet e shkatërrimit të tabelave të rrugës me emra serbë gjatë kohës së Jugosllavisë nga ana e shqiptarëve të Kosovës mund të konsiderohen një formë proteste dhe mospranimi ndaj gjuhës serbe në një zonë me shumicë shqiptare. Fakti që toponimet shpeshherë kthehen në ilustrimin e pakënaqësive të një lokaliteti kundrejt pushtetit qendror bëhet edhe më i dukshëm në rastet kur popullsia vendase ngulmon në ambiciet e veta politike nëpërmjet përdorimit të disa toponimeve specifike.
Megjithatë, në rastin e dytë, pra të krijimit të toponimeve të reja gjatë fazave fillestare të shtetformimit, përgjithësisht agjenti shoqëror që i ka vendosur këto toponime ka qenë shteti, çka shënjon edhe iniciativën e shtetit për hegjemoninë politike në territor. Funksioni themelor i toponimeve gjatë këtij momenti ka qenë përcaktimi i një vije demarkacioni midis vetes dhe tjetrit, vendasit dhe të huajit, çka në instancë të fundit sjell krijimin e një kufiri të qartë kulturor ndërmjet dy komuniteteve të dallueshme.
Në këtë prizmë mund të vëzhgohet ndërlidhja midis nacionalizmit shtetëror dhe ndryshimit të toponimeve. Krijimi i toponimeve të reja përkon me politikën shtetërore të kombëtarizimit të hapësirës, pra të kombëtarizimit gjuhësor të territorit si një truall i shënjuar nga identiteti kombëtar. Në vijim të kultivimit të imagjinatës kombëtare, diçka e tillë ka ndodhur edhe në Shqipërinë e viteve 1920-30-të, kur nisi procesi i shqiptarizimit të toponimeve. Siç do të shohim më poshtë, shqiptarizimi i toponimeve do t’i shërbente promovimit të nacionalizmit shqiptar, që nga ana e shtetit konsiderohej si e vetmja zgjidhje për tejkalimin e përçarjes dhe copëtimit të vendit që solli lufta.
Në Ballkanin e periudhës midis dy luftërave botërore, pos Shqipërisë, edhe shtete të tjera, si Greqia, Bullgaria ose Jugosllavia, kishin nisur një proces intensiv të “inxhinierisë toponimike”, edhe pse në disa vende ose rajone, ndryshimi i toponimeve nga ana e autoriteteve kishte filluar edhe më herët dhe shpesh vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore (Clayer: 2015). Në rastin e Shqipërisë, të tilla reforma nisën të zbatohen në praktikë, duke filluar nga viti 1920-të e në vazhdim. Vendimet për ndryshimet e toponimeve në Shqipërinë e kësaj periudhe kanë qenë veçanërisht të pranishme në zonat kufitare të jugut të vendit. Në këto zona ende vijonte të ishte i pranishëm ndikimi i gjuhës dhe kulturës greke edhe pas përfundimit të luftës së parë. Kësisoj, politikat e kombëtarizimit të hapësirës në këtë pjesë të territorit u shfaqën si një nevojë emergjente nga ana e autoriteteve shtetërore shqiptare për të dëshmuar shqiptarizmin e kësaj zone. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, disa intelektualë shqiptarë filluan të merren me një sfidë të madhe simbolike: ndryshimin e emrit të qytetit të Gjirokastrës, ndër qytetet kryesore të jugut të atyre viteve me ndikim nga kultura greke. Në vitin 1913, ky qytet ishte qendra e lëvizjes për autonominë e Epirit të Veriut, e cila e kundërshtonte haptazi sovranitetin shqiptar. Fushata e riemërtimit të toponimeve gjatë viteve 20’ u përqendrua pikërisht në këtë zonë. Në bazë të të dhënave të mbledhura nga studiuesja Nathalie Clayer “Në vitin 1920, botuesi Veli Harshova shpjegonte se emri i qytetit “Gjinokastër” (dhe jo “Gjirokastër”) lidhej me kështjellën e një shqiptari me emrin Gjin, domethënë Gjin Shpata, dhe jo me etimologjinë greko-latine “Argyro-Kastro” (“Kështjella prej Argjendi”). Për sa i përket emrit “Epir”, shumë i lidhur me politikat separatiste vorio-epirote, autoritetet politike të shtetit të ri shqiptar kërkuan në vitin 1921 që posta të mos pranonte më letra që e kishin këtë emërtim të shkruar sipër zarfit. Ndërkaq, sa i takon emrit të Epirit, gjatë viteve të ’20-ta në Shqipëri nis të përhapet gjithnjë e më tepër shpjegimi që i jepte dikur Shemseddin Sami Frashëri, sipas të cilit “Epir/Epirus” është emër shqiptar (i shqiptarizuar më vonë si “i Epërm”).
Procesi i riemërtimit të toponimeve në shkallë kombëtare vijon në vitet 1926-1927, pas marrjes së postit të presidentit nga Ahmet Zogu. Për arritjen e këtij qëllimi ai angazhoi si administratën lokale, ashtu edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit. Mirëpo, raportet e komisioneve lokale përfaqësonin vetëm tërthorazi bazën e procesit të riemërtimit. Vendimi për riemërtim vendosej nga komisioni kombëtar, i cili përbëhej nga ish kryeministri Mehdi Frashëri dhe gjuhëtarët Karl Gurakuqi dhe Mati Logoreci (Clayer: 2015). Ndër vendimet më të rëndësishme që u morën gjatë kësaj kohe ishte se “Zyrtarët e gjendjes civile, ushtarakët apo nëpunësit shtetërorë nuk ishin të autorizuar të pranonin nga ana e komunave, entiteteve lokale apo qytetarëve, letra ose kërkesa në të cilat do të figuronin vetëm emrat e toponimeve të vjetra”. Gjatë kësaj faze të zhvillimit të shtetit shqiptar, për shumicën e intelektualëve që morën pjesë në komisionet e riemërtimit, duke qenë se kujtimet e përçarjes së territorit gjatë luftës qenë ende të freskëta, misioni i tyre ishte mbijetesa e kombit. Kjo e fundit mund të realizohej vetëm përmes “kombëtarizimit të shoqërisë” dhe “kombëtarizimit të hapësirës” ku jetonte kjo shoqëri. Arsyeja kryesore përse bëhej ky proces riemërtimi ishte eliminimi i të gjitha toponimeve të konsideruara si të huaja, pra ato joshqiptare. Në fakt, siç ka ndodhur edhe në shtetet e tjera ballkanike të kësaj periudhe, dikotomia vendas/i huaj ishte në qendër të çdo politike shtetërore mbi riemërtimin e toponimeve. Megjithatë, siç u vu re më vonë, kriteri dallues shqiptar/i huaj mbeti gjithsesi tepër subjektiv dhe nuk ishte aspak i qartë për banorët e komuniteteve ku u ndryshuan emërtimet. Kështu, për shembull, toponimi i ri “Gjinokastër” qe i huaj për dialektin e zonës, ashtu sikurse edhe riemërtimi i fshatit “Qeparo” në “Gjinovlash”, “Dhërmiut” në “Gjolekaj” apo “Vuno” në “Malaj”. Ajo që bie në sy është prirja për zëvendësimin e toponimeve të lidhura etimologjikisht me gjuhën greke, me toponime të reja të importuara nga emërtimet katolike të veriut të vendit, ashtu sikurse zëvendësimi i “r” ndërzanore të dialektit tosk me shkronjën “n” të dialektit gegë. Studiuesja Nathalie Clayer këtë fenomen e argumenton me figurën e Skënderbeut si hero kombëtar me origjinë gegë, çka i kthente termat gegë në emrat e rinj që do të përdoreshin më shpesh në procesin e shqiptarizimit të toponimeve gjatë viteve 1920-30-të. Gjithsesi, nëse marrim parasysh faktin se riemërtimi i toponimeve është para së gjithash një instrument identitar i shtetit për kontrollin e territorit të vendit dhe dallimin e të huajve nga vendasit, me gjasë, ndryshimi i toponimeve të vjetra të lokaliteteve kufitare të jugut nuk ka qenë veçse një vendim simbolik i shtetit shqiptar për të dëshmuar prezencën e vet në këto zona të kontestuara. Elementi i dytë që i karakterizon riemërtimet e këtyre viteve është përparësia e kombëtares mbi lokalen, ku pavarësisht kundërshtimeve, sidomos në disa lokalitete me shumicë ortodokse në jug, vendosja e emërtimeve të reja me bazë kombëtare u bë fakt i kryer. Nën politikat riemërtuese për shqiptarizimin e territorit, pas komisionit kombëtar të vitit 1937, lagjja “Palorto” në Gjirokastër u emërtua “Lagjja Kastrioti”, fshati Frashtan në Dropull (vend i banuar sot nga minoritarët grekë) u “ripagëzua” me emrin Arbëri, gjithashtu Konispoli mori emrin e ri Çamëri dhe porti i Sarandës u quajt “Zogaj” nga emri i mbretit Zog, kurse qyteti i Pogradecit u riemërtua në Përparimi. Pavarësisht gjithë këtyre toponimeve të reja, që i solli shteti shqiptar brenda një periudhe shumë të shkurtër, përdorimi i tyre qe edhe më afatshkurtër. Në ditët tona, me përjashtime të vogla, janë toponimet e vjetra që vijojnë të përdoren.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se ndryshimi i toponimeve nuk është një proces që ndodh vetëm nga lart. Në raste të tilla, po aq i rëndësishëm është edhe reagimi i shoqërisë dhe komuniteteve ku këto riemërtime kanë ndodhur, pra mënyra se si përkatësia identitare e shoqërisë ndikohej nga këto ndryshime. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të shpjeguar mënyrat se si u pritën këto riemërtime nga ana e komuniteteve vendase. Gjithsesi, ajo çka mund të vërehet është vendosmëria e shtetit shqiptar të kohës për “t’i kombëtarizuar” emërtimet e toponimeve, veçanërisht në zonat kufitare të jugut, të cilat ishin subjekt i ambicieve territoriale të lëvizjes vorio-epirote.
Në këtë drejtim, ky shkrim mund të konsiderohet në kuadër të një sprove fillestare për ta parë projektin nacionalist nga perspektiva e toponimeve dhe ndryshimeve që këto sjellin në mënyrën se si një territor i caktuar bëhet pjesë e ligjërimit zyrtar. Duke qenë se studimet e teorive nacionaliste mbi toponimet në vendin tonë janë të pakta, kjo qasje mund të konsiderohet si një hap fillestar në hulumtimin e mënyrës se si emërtimi i toponimeve ndërlidhet me ligjërimin mbi kombin.
/shenja/
Diskutim rreth këtij postimi