Shkruan: Ismail SINANI
Çfarë i bie të jemi modernë? A jemi modernë nëse jemi përdorues të teknologjisë? A jemi modernë nëse jemi kundër familjes? A jemi modernë nëse jemi kundër identitetit, qoftë ai fetar apo kombëtar? A jemi modernë nëse jemi eurocentrikë? A jemi modernë nëse jemi oksidentalë? A jemi modernë nëse i mohojmë prindërit tanë? A jemi modernë kur nuk duam e nuk i duam fort fëmijët? A jemi modernë kur i duam macet dhe qentë? A jemi modernë kur nuk e respektojmë fisin? Apo jemi modernë kur “nuk ua hapim derën” prindërve? A jemi modernë nëse jemi kundër gjithë atyre që nuk janë “perëndimorë”? A jemi modernë kur si burrat ashtu edhe gratë nuk kanë kurrfarë respekti kur ulen përballë tjetrit – të huajit? A jemi modernë kur flasim përçartun me zëra të paartikuluar në emër të lirisë? Pra, kur jemi modernë? Kur jemi gjithë kjo më lartë? Apo?
Modernizmi është një marrëveshje, thotë Harari. Ai na imponohet në heshtje dhe njeriu nuk është se e kap dot sensin e ndryshimit. Ai thjeshtë ndryshon e ndryshon derisa po t’i jepej mundësia të kthehej në kohë, ndoshta edhe nuk do ta njihte vetveten se në ç’derexhe është katandisur. Në të shumtën e rasteve, ne jemi edhe të pafuqishëm të mbrohemi nga gjitha këto ndryshime që na vijnë sikurse baticat e zbaticat e detit, të cilat për syrin tonë janë të padukshme, përpos nëse nuk e kthejmë syrin te ndonjë “gurë matës” që flet për nivelin që “do të duhej” ta kishte uji.
Qytetërimi më i lashtë, që e njeh shkenca, është ai i zbuluar krejt rastësisht në Gobekli Tepe në juglindje të Turqisë. Supozohet se është diku rreth 12 mijë vjet i vjetër. Natyrisht dialektika shkencore nuk është se ka arritur të zbulojë shumë detaje se cila ka qenë mënyra e tyre e jetesës, por me që nuk ka zbulime të tjera që flasin për lashtësi edhe më të mëdha, atëherë për momentin ai zbulim merret si referencë, si një nulta pikë, kuptohet derisa nuk dalin zbulime tjera, të cilat do ta dërgojnë lashtësinë e qytetërimeve edhe më thellë në analet e historisë.
Nisur nga Gobekli Tepe e deri më sot, njerëzimi është më se e qartë se ka përjetuar një transformim të fuqishëm, agrar e teknik, e pse jo edhe shoqëror e religjioz. Ndonëse kur e kthejmë kokën mbrapa shohim një ndryshim marramendës nga “njeriu primordial”, por kur futemi pak më thellë, e kuptojmë se jeta shoqërore, për më shumë se mijëra vjet ka qenë disi e njëtrajtshme. Forma e rrotës, drapri, kazma e lopata, për mijëra e mijëra vjet kanë qenë të njëjta. Po kështu, të njëjta kanë qenë edhe pajisjet e transportit, qofshin ato përmes kuajve, qofshin përmes anijeve e barkave. Kjo jetë, në thelb monotone, krijon edhe koncepte kushtimisht thënë monotone. Secili brez e di se dhjetëra breza para tij dhe po aq pas tij, do të duhet të martohet, të lindë sa më shumë fëmijë, pasi që e di se më shumë se 70-80 për qind prej tyre do të vdesin nga epidemitë e shumta dhe “sëmundjet e panjohura”, do të mbjellë, do të korrë, do të gjuajë,… dhe në fund do të shkojë në “vendbanimin e pakthim”.
Kjo histori, gjithsesi, në vete ngërthen edhe shumë detaje, të cilat etnologët, antropologët, arkeologët e historianët, i njohin më në detaje, por ideja këtu nuk është gjurmimi në të shkuarën, e cila nuk ndryshon dhe nuk mund të ndryshohet. Ideja është trajtimi i modernës që fillon me revolucionin industrial, supermodernës që na ka përfshirë me fillimin e shekullit 21 dhe ultramodernës, që na pret në vigjilje.
Revolucioni industrial, i filluar 200 vjet më parë, solli një karambol të paparë deri në atë kohë. U ndërtuan fabrika, u ndërtuan qytete, u hapën vende pune, ndryshoi rrota, u shpikën lëndë djegëse, u zhvillua hekurudha, u përshpejtua transporti, u ulën distancat… u e u dhe u transformua njeriu. Ai tashmë nuk kishte nevojë të ishte vetëm se bujk e blegtor, ai tanimë mund të ishte një punëtor, e nëse ishte pak më i zgjuar e dinak, madje mund të ishte edhe tregtar e industrialist. Dhe, këtu na shfaqet klithma e parë e ankthit. E ankthit se çfarë po ndodhë në të ardhmen dhe me të ardhmen?! Fillimisht njeriu “industrializohet”. Ai largohet nga “të vetët” për t’u shpërngulur aty ku është paraja, pra rreth fabrikës. Ndërtohen lagje, të cilat përfundojnë si qytete të mëdha. Natyrisht, bashkë me dyndjen fillon edhe tjetërsimi, por që në fillim thuajse askush nuk e vëren. Kjo zgjat kështu deri në vitet e ’60-ta e ’70-ta të shekullit të kaluar, kur dikujt i kujtohet se “njeriut të industrializuar” që tashmë kishte arritur një mirëqenie të dukshme, i duhet ofruar edhe diçka më shumë, që atë do ta bënte edhe më të lirë. Filloi revolucioni seksual, i cili siç thotë sociologu shqiptar Gëzim Tushi, “ai po ecë shumë keq”.
Ky revolucion, i nisur në Francë, ishte një skenar që polli feminizmin, më vonë u dha hov edhe shumë izmave të tjerë, që njeriun e kanë zhvendosur nga natyrshmëria e tij dhe po përpiqen edhe më.
Ky revolucion, përmes konceptit të lirisë, kishte mëtuar që “gratë t’i bëjë më burra”, e për rrjedhojë edhe gratë edhe burrat, secili në mënyra që do t’i zgjidhnin vet, të mund të bënin çfarë të donin, “mjafton që mos të prekej sedra e tjetrit”? Sa absurde aq edhe paradoksale, pasi që njeriu, në dallim nga shtaza që vepron me instinkte, e ka logjikën që e bën krijesën më të avancuar.
Duke qenë “i lirë”, tashmë ky revolucion krijoji hutinë më të madhe te njeriu, pasi që ai tashmë nuk e dinte se çfarë të donte nga vetvetja e nga tjetri. Njeriu filloi t’i ngjaje një fëmije që ka një karrocë të vogël në një market të madh e që i thuhet se “je i lirë të marrësh çfarë të të dojë zemra”. Kjo turbullirë shpirtërore, bashkë me lirinë, solli edhe drogën, virusin HIV, veprimin suicidal në përmasa trishtuese… dhe pa dyshim hapin e parë të shpartallimit të familjes.
I vetmuar dhe i trishtuar, por “i lirë” të bëjë çfarë të dojë me trupin e tij, njeriu i këtij “revolucioni” shkeli në shekullin 21. Hovi teknologjik i mijëvjeçarit të tretë ka qenë i paparashikueshëm edhe për futuristët më të mëdhenj, pasi që vetëm në dy dekadat e para, të gjithë parametrat tregojnë se ndryshimi ka qenë ekuivalent me zhvillimin në dymijë vjetët e fundit.
Brezi i sotëm nuk e kupton se zgjidhja e integraleve deri para 20 vjetësh ka kërkuar një sforcim marramendës mendor, se trigonometria nuk ka qenë një “enter” i thjeshtë në kompjuter, se kibernetika e nanoteknologjia është perceptuar si fantashkencë… e shumë e shumë ndryshime të tjera si realiteti virtual e hologramet mediatike.
Njeriu i shekullit 21, “i gatuar” tashmë me revolucionin e viteve të ’60-ta, i përjashtuar nga familja e rrethi, po bëhej gati të ishte edhe më “i pavarur”. E për ta kapur “ritmin”, i duhej edhe ideologjia e tij, e cila fillimisht ishte liberale, e së fundmi është shndërruar në neoliberale.
“Liberalizmi është ideologji politike e lindur gjatë epokës moderne dhe bashkëkohore, e cila synon të vejë sa më shumë kufij në fuqinë dhe ndërhyrjen e shtetit, në mënyrë që të sigurojë lirinë individuale dhe si rrjedhojë autonominë e tij kreative”. Ky është definicioni “zyrtar” i liberalizmit dhe deri këtu është gjithçka në rregull. Por, tani kur shteti nga pozicioni asnjanës është shndërruar në liberal, na është shfaqur noeliberalizmi, i cili si doktrinë ka filluar mos t’ia njohë të drejtën tjetrit të jetë ai që do. Pra, ideologjia liberale, gradualisht po shndërrohet në diktaturë, imponuese e vlerave të saj, që në thelb është koncept i cili nuk i lejon njerëzit të jenë ndryshe, përpos liberalë, përkthyer me terma ekstremë, nuk i pranon në gjirin e vet ata që duan të jenë konservatorë, patriotë dhe, më me rëndësi, nuk i duron ata që duan ta ruajnë familjen tradicionale dhe vlerat tradicionale. Neoliberalët, me kalimin e kohës, janë shndërruar në inxhinierë, projektues të njeriut hibrid, për të cilin flet qartë Aldous Huxley në librin e tij “Më e mira e botëve”. Pra, duan njeri pa babë, pa nënë, pa vëlla, pa motër, pa fëmijë… pa banesë permanente, pa e pa… pa gjini, me shumë gjini, aseksual, superseksual… duan njeri që do të veprojë plotësisht kundër kromozomeve që i ka në trupin e tij, kundër hormoneve që ia tajit trupi. Duan një hiç, duan një asgjë, duan një diçka që e bën njeriun edhe animal dhe humanoid. Ky paradoks, i papërshkruar deri më tani në librat e historisë, po kërkon një trajtim krejt të ri sociologjik, sepse neoliberalët, me fuqinë e tyre mediatike, po e kundërshtojnë edhe parimin shkencor, i cili empirikisht është i përdëftuar te homosapiensi se “njeriu ka 46 kromozome (23 çifte), edhe atë 22 çifte kromozomesh autozome dhe 1 çift kromozome seksuale, që e përcaktojnë gjininë sipas asaj në qoftë se individi do të jetë XX (gjini femërore) ose XY (gjini mashkullore)”. Pra, tashmë, në emër të lirisë neoliberale, i është shpallë luftë edhe shkencës.
Agron Tufa, si njëri ndër shkrimtarët më me zë që e kemi fatin ta kemi ne shqiptarët, në romanin e tij “Arratia e fundit e Baltazar Ketës” – ndonëse ngjarja është fiktive – gjatë përsiatjeve që i ka njëri nga personazhet kryesorë, i cili jeton “në kohërat moderne”, thotë se “përballë ‘vetes së ardhshme’, ne nuk shkruajmë krejtësisht të vërtetën, nuk shkruajmë troç si u përballëm me sprovat e karakterit tonë kur jeta na i vuri përpara. Ekziston brenda nesh, me gjasë, njëfarë agjencie e fshehtë që hesht, trukon ose bën kalime, shkapërcen pakëz e pahetueshëm ndonjë grimëçast, që mund të jetë vendimtar për thelbin e një ngjarjeje, dhe shpesh të asaj ngjarjeje që na përfaqëson si ndërgjegje.”
Për shkak se nuk e shkruajmë të vërtetën, atë edhe nuk duam ta shohim. Mirëpo kjo që “nuk duam ta shohim”, nuk domethënë se nuk ekziston. Ideologjitë, qofshin ato liberale, komuniste, apo neoliberale, nuk e zhbëjnë faktin shkencor dhe empirik se njeriu “sado që të jetë modern”, ai sërish ndahet në dy grupe, në meshkuj dhe femra. Koncepti ideologjik nuk mund t’i zëvendësoje kromozomet XX dhe XY. Ato janë aq, as më shumë e as më pak.
“Në Perëndim ekziston mendësia se gjithkush dëshiron të jetojë si një perëndimor. Sipas kësaj mënyre të të menduarit, nëse arabët dhe myslimanët e tjerë janë të pakënaqur, kjo mund të vijë për shkak të zilisë për pasurinë materiale dhe jetën e rehatshme të Perëndimit. E kundërta e kësaj nuk merret parasysh”. Me këtë Madeleine Albright, në librin e saj “Të fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ish sekretarja amerikane e Shtetit, tashmë e ndjerë, mund të thuhet se i ka rënë pikës. Duke u bërë një vetëkritikë “vlerave perëndimore”, ajo ngre alarmin se liria dhe e mira nuk është ajo që ti dëshiron t’ia imponosh tjetrit, por ajo që ai vet e ka zgjedhë.
Liria, si koncept, është ajo që na është falë nga Zoti, e jo nga individi, kurse shteti, federata… si koncepte më të fuqishme organizative, ekzistojnë për ta mbrojtur individin, e jo për t’ia imponuar konceptin neoliberal, që e bën njeriun anti-human.
Perëndimi ose, më saktë, ajo që sot quhet “qytetërim perëndimor”, duke ta kuptojë se nuk është vlerë universale. Duhet ta dijë se nuk e gëzon të drejtën “të eksportojë” demokraci e neoliberalizëm në Azi e Afrikë e gjithandej nëpër botë. Duhet të zhvishet nga “kompleksi kolonialist” dhe ta kuptojë se bota tashmë ka hyrë në një fazë krejt tjetër të zhvillimit.
Ajo që sot është bërë normale për “agjendat neoliberale” dhe euro-perëndimore është e pakonceptueshme për një aziatik, qoftë ai edhe i Koresë së Jugut që prej më shumë se gjysmëshekulli mbrohet nga një shtet “perëndimor”.
Vitin që e lamë pas, kineastët francezë dhe koreanë kishin përgatitur një film me titullin “Return to Seoul”. Aty flitet se si kultura franceze e një koreaneje të rritur në Francë krijonte një shok kulturorë te bashkëkombësit e saj në Seul, po ashtu modernë në kuptimin teknologjik të fjalës, por antimodernë ndaj neoliberalizmit francez, që vjen më një bagazh të trashëguar nga revolucioni seksual.
Sot, teknologjia e ka reformuar njerëzimin dhe pak e shumë te të gjithë ata që janë në kontakt me të ka krijuar një “sapiens të ri”, por kjo vetvetiu nuk e krijon edhe neoliberalin e ri, siç e projektojnë “kuzhina të ndryshme” euro-perëndimore.
Dhe, vijmë te pyetja antologjike se ku jemi ne shqiptarët? Ata, të tërbuarit, shqiptarët i shohin si epiqendra e Europës, të vetëdijshmit e shohin rrezikun që i kanoset kombit tonë, sikurse çdo kombi tjetër të vogël në rruzullin tokësor, kurse të tjerët, të shumtët, i janë nënshtruar “konsumit të gjerë” të show-ëve. Ata nuk shohin asgjë tjetër, përpos “rrasjen e hundëve” në privatësinë e tjetrit. Ata nuk e kuptojnë se këta show-ë janë paragarda e tjetërsimit kulturor e shoqëror. Ndryshimi i hovshëm, që na ka përfshirë, sot ka bërë që shqiptari i vitit 2024 të mos e njohë vetveten në “kasetën e dasmave” të vitit 1990 apo 2000. Ai është bërë krejt tjetri, që han çfarë t’i serviret. Familja, nderi… janë shndërruar në koncepte abstrakte. Feminizmi, fertizilimi i fëmijëve pa “adresë të babait”, promovimi i lirisë seksuale (lexo: homoseksualizmin), janë “vlera” që po t’i kundërshtosh, shpallesh heretik antieuropian e antiperëndimor.
Dhe, kur flitet për këto nocione abstrakte, gjithë këta gardianë të këtyre “vlerave”, nuk e analizojnë aspak demografinë, e cila ka disa vite që na alarmon se në fund të shekullit “homo albanicusi” mund të mbetet vetëm kujtesë historike, pasi që duke luftuar kundër familjes, ne po e zhdukim edhe qenien tonë kombëtare dhe fizike, gjithsesi.
Dhe, vijmë te pyetjet në fillim: çfarë i bie të jemi modernë? Bota ka dy rrugë, të bie në kurthin neoliberal ose të bëjë një simbiozë të re me teknologjinë, e cila pa dyshim po e robotizon njeriun e po e shkëput nga familja, e të vendosë ca norma etike se si të menaxhohet me të arriturat e reja shkencore duke e ruajtur familjen dhe konceptin e saj tradicional pasi që siç dihet, neoliberalizmi po e “atomizon” strukturën bazë shoqërore duke e bërë kështu “lehtë të gëlltitshme” për globalizmin.
A ka shpresa? Gjithsesi se ka. A jemi në rrezik? Gjithsesi se po.
Njerëzit mund ta bëjnë lutjen e profetit Lut: “Zoti im! Shpëtomë mua dhe familjen time nga gjithçka që bëjnë ata!” ose secili nga ne mund ta ngrejë nga pak zërin, derisa të bëhet një zhurmë më e madhe, e cila do ta shpëtojë njerëzimin ose, të paktën, ata që do të duan t’i besojnë nevojës për ngjitjen në “anijen e shpëtimit”.
(Editoriali i Revistës SHENJA)
Diskutim rreth këtij postimi