Shkruan: Daut DAUTI, Londër
Organizimet rajonale të karakterit ekonomik, politik e ushtarak janë të nevojshme dhe ato kanë luajtur rol të madh në histori, pasi që kanë sjellë zhvillim në sferat për të cilat janë formuar dhe kanë funksionuar. Kjo edhe është arsyeja e themelimit të këtyre organizatave. Por, “Ballkani i Hapur” ka qenë organizim, të cilin edhe mendjet më të paarsimuara me njohuri për këtë rajon europian e kanë cilësuar si të pavend. Ky ka qenë një organizim i dyshimtë që nga dita e parë kur doli kjo iniciativë.
Historia ka shënuar disa organizime me karakter të këtillë ekonomik dhe politik, që kryesisht kanë dala si rezultat i refuzimit ose përgjigjes ndaj formimit të organizatave të mëdha ushtarake, politike, ekonomike apo tregtare rajonale, kontinentale e interkontinentale. Ta zëmë, kur Perëndimi e formoi NATO-n, Lindja u kundërpërgjigj me Paktin e Varshavës. Si rezultat i këtyre dy organizatave, doli “Lëvizja e të Painkuadruarve”. Kur u formua embrioni i asaj që sot quhet Union Europian, dolën disa organizata tjera, kryesisht tregtare, si përgjigje ndaj kësaj të parës.
Por, si kundërpërgjigje e çkafit ishte “Ballkani i Hapur”? Kundërpërgjigje ndaj Unionit Europian, në të cilën vendet e “Ballkanit të Hapur” aspirojnë t’i bashkohen edhe përkundër ekzistimit të Procesit të Berlinit. Ka edhe një varg pyetjesh tjera të këtilla. Por, nuk ka përgjigje të logjikshme kur e kemi parasysh se këtë organizim nuk e përkrahën diplomatët europianë e as ata amerikanë.
Si “baballarë” themelues dhe në ballë të “Ballkanit të Hapur” dolën Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiqi. I pari kishte nevojë të madhe për afirmim të Serbisë, duke e nxjerrë nga terri dhe izolimi dhe duke i krijuar kushte për treg të mallrave që pritnin plasman. I dyti, Edi Rama, kishte fare pak arsye që lidheshin me vendin e tij – Shqipërinë. U pa qartë se Rama kishte nevojë të çuditshme për afirmim të personalitetit të tij, duke i mbuluar dështimet që u pasqyruan në ekonominë dhe politikën e Shqipërisë.
Për hir të argumentimit mund të thuhet se zelli i Edi Ramës ka pasur qëllim të mirë. E vërtetë që duhet të vihet Ballkani në baza normale që do t’i sillnin përparim tërë rajonit dhe në këtë aspekt nuk mund të mohohet roli i rëndësishëm i Serbisë. Por, Serbia nuk është demokratizuar dhe, mbi të gjitha, ky vend as që është distancuar nga e kaluara e saj, që shkaktoi gjakderdhje për të satën herë në Ballkan. Prandaj, roli i Serbisë nën udhëheqjen e Vuçiqit mbetet edhe më tutje i karakterit hegjemonist ndaj vendeve fqinje. Si shtesë, Serbia nuk e ka ndryshuar as qasjen e saj në politikën globale ndërkombëtare. Ky vend ka mbetur i vetmi në Europë, që zyrtarisht nuk distancohet nga qëndrimi rus jo vetë ndaj Ukrainës, por edhe më gjerë.
Duke i pasur parasysh këto fakte, “Ballkani i Hapur” ka qenë një lloj kafeneje tipike ballkanike me të gjitha karakteristikat që ofron hipokrizia. Në këtë kafene Edi Rama më shumë është dukur si kryekamarieri i Vuçiqit, i cili endej nga tavolina në tavolinë për t’i bindur myshterinjtë publikisht, por edhe duke iu pëshpëritur në vesh se “megjithatë, Vuçiqi është burrë i mirë”. Myshterinjtë e përhershëm të kësaj kafeneje, që mëtonte të dukej si një klub me pamje të zbehur të “xhentëlmenëve” të Perëndimit, dukeshin të kënaqur me këtë “shërbim”. Myshterinjtë e tjerë, që shikonin nga dritarja shprehën dyshime, kurse ai kryesori (Kosova) as që u afrua e as nuk e ktheu kokën të shikojë në këtë dritare. Çfarëdo qeverie e Kosovës e ka të qartë se cila duhet të jetë lidhja e ardhshme me Serbinë dhe se “Ballkani i Hapur” nuk ishte aspak përgjigje adekuate për krijimin e një rajoni mbi baza paqësore dhe të ardhme prosperuese.
Është një varg i arsyeve që e detyroi Edi Ramën ta shpallë zyrtarisht “fajronin” e kësaj kafehaneje ku kamerierët dhe myshterinjtë e çmendur dukeshin se ishin angazhuar në një lojë të argëtimit të vetvetes, por më shumë për rehabilitim dhe përmbushje të apetiteve hegjemoniste të Serbisë. Pa marrë parasysh “arsyet” e këtij fajroni, pasojat kanë mbetur dhe ato janë të rrezikshme, sidomos për Kosovën. Në këtë “kafehane” Edi Rama nuk e ka përfaqësuar tërësinë e nevojshme të çështjes kombëtare shqiptare. Për të qenë kjo gjë edhe më keq, ai ka vazhduar me qëndrimin e tij të injorimit të Kosovës edhe pas fajronit në fjalë.
Qëndrimi i Edi Ramës shpesh është duke u cilësuar si mosmarrëveshje ose problem mes tij dhe Albin Kurtit. Por, ky është një problem i përmasave më të mëdha për shkak se ka krijuar hendek mes dy qeverive, gjegjësisht dy vendeve përkatëse, që në fund të fundit që të dyja janë shqiptare. Qasja e Edi Ramës nuk pushon as me ndërrimin eventual të qeverisë në Prishtinë. Çfarëdo qeverie e Kosovës nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me qëndrimin e dorëzimit të pakusht ndaj Beogradit, siç merret si sugjerim i këtij kryeministri të shtetit shqiptar. Pra, Edi Rama, me hapat e tij të çuditshëm politikë, e ka krijuar problemin ndërshqiptar që mund të zgjasë, kurse pasojat serioze të mos sanohen lehtë.
Pra, Edi Rama nuk mundi ose nuk deshi ta luajë rolin e faktorit sipas shembullit të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Është e pakuptueshme pse ai nuk e zbaton këtë mundësi kur dihet se është në pozitë më të favorshme dhe më legjitime ndaj Serbisë sesa që është Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut. Injorimi ndaj Kosovës vetëm sa i komplikon gjërat më shumë. Fakti që dihet është se tanimë çështja e ngrirë Kosovës me Serbinë si realitet i ri përbën esencën e problemit të Ballkanit. Ky problem nuk ka mundësi të përfundojë pa pëlqimin ose miratimin e qeverisë së Kosovës ndaj propozimit të tanishëm apo të ndonjë plani tjetër të ardhshëm eventual.
Vonesat e zgjidhjes së këtij problem esencial, që vijnë si mungesë e vullnetit dhe kompetencës së faktorit ndërkombëtar dhe të cilat i përkrahë qeveria në Tiranë, janë të gabuara. Dhe, për fat të keq, kjo vonesë që bëhet me qëllim të akomodimit të kërkesave të paarsyeshme të Beogradit, e shfajëson Serbinë nga përgjegjësia dhe, si pasojë, i ngre apetitet nacionaliste serbe në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Si efekt zinxhiror rritet edhe nacionalizmi shqiptar në Kosovë dhe gjetiu në rajonet e ish Jugosllavisë për shkak se ky nacionalizëm është reagues.
Në këtë rast, si gjithmonë, vjen në shprehje roli i fuqisë ndërkombëtare, që kërkohet në formë të intervenimit (politik). Por, nuk duket se ka ndonjë iniciativë serioze të kësaj bashkësie ndërkombëtare për reagim të duhur, që do t’i rregullonte gjërat që sërish kanë dalë nga vendi ku janë vendosur, pasi që nuk e durojnë kallëpin e imponuar në mënyrë të padrejtë. Prandaj, situata tashti na shpërfaqet me karakteristikat, që duken si ato të fillimit të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, që e kapluan ish Jugosllavinë dhe që prodhuan pasoja të rënda.
Më në fund është koha të kuptohet se problemet e Ballkanit Perëndimor, që ekzistojnë dhe shfaqen kur u vjen koha, është çështja e pazgjidhur shqiptare, e cila tashti manifestohet në formën e saj të re – Kosovës. Nuk është i vogël numri i ekspertëve ose njohësve europianë dhe më gjerë, që kanë bërë me dije për këtë problem të injoruar. Por, për çudi, këto këshilla sërish nuk merren me seriozitet. Por, edhe më i çuditshëm është fakti i një kryeministri shqiptar, si Edi Rama, dhe disa shqiptarëve të tjerë, që gjithmonë janë të gatshëm të përkrahin çfarëdo plani ndërkombëtar edhe kur e dinë se kjo gjë nuk përfundon me sukses. Zaten, ndërkombëtarët problemet e Ballkanit i konsiderojnë si çështje të një kafeneje të të çmendurve. Sa e mundësojnë mbylljen e njërës kafene, e hapin tjetrën.
/Shenja/
Diskutim rreth këtij postimi