Europën juglindore po e përfshin ngadalë, në mënyrë të padukshme, një katastrofë demografike. Nga brigjet e Adriatikut, deri te Deti i Zi, popullsia po rudhet dhe po mplaket dhe gjithnjë e më pak fëmijë po lindin. Për dhjetëra vjeçarë, të rinjtë po mërgojnë dhe rajoni nuk pret ardhacakë si barazpeshë. Dhjetë vjet më parë, papunësia ishte problemi më i madh. Tani mungesa e fuqisë punëtore po ndihet. Pensionet janë të vegjël, po pakësohet edhe numri i punonjësve që paguajnë sigurime shoqërore. Pra, pritet që pensionet të zvoglohen në ta ardhmen
Mund të ndodhë ndonjë befasi, por e ardhmja duket e zymtë. Qeveritë janë plotësisht në dijeni të këtyre problemeve, por, më së shumti, ato nuk e dinë së çfarë të bëjnë, nuk kanë para për të bërë diçka ose pëlqejnë “të shqelmojnë qentë në rrugë”. Veç të tjerash, ato nuk do fitojnë dot vota duke bërë reforma deri sa të dalin vetë në pension.
Shifrat anembanë rajonit nuk janë të besueshme, por prirjet janë të qarta, veçanërisht nëse janë parë nw dhjetëravjeçarë dhe jo në vite.
Që nga shkatërrimi i Jugosllavisë, Bosnia dhe Hercegovina ka humbur 24 % të popullsisë së vet, Serbia 9 % dhe Kroacia 15 %. Që nga viti 1990, Shqipëria ka humbur 12 %, Rumania 18 %, Bullgaria 21 % dhe Moldavia 32 %. Në se ecim po kaq shpejt deri më 2050 me këto ritme, Moldavia do humbasë 45 % të popullsisë që nga 1990, Bullgaria 39 %, Serbia 24 % e kështu me radhë.
Ndryshimi i popullsisë nga vitet 1989-1990 deri më 2020
Burimi: Agjensitë statistikore kombëtare, OKB, Banka Botërore, BIRN,
Të dhënat e ish Jugosllavisë, i referohen popullsisë banuese më 1989. Ndër të tjera, Serbia e 1990 nuk e llogarit Kosovën. Shifrat për Moldavinë përfshijnë Transistrinë.
Besohet gjërësisht, që bota është e mbipopulluar, pra, në se popullsia e një vendi tkurret, kjo është gjë e mirë për mjedisin, se nuk do ketë më trysni mbi burimet natyrore etj.
Kjo mund të jetë e vërtetë, më përjashtim të disa përcaktorëve të tjerë. Vihet re gjithashtu jo vetëm rrudhje por edhe mplakje e popullsisë dhe rënie e treguesve të pjellshmërisë.
Sa serioze është kjo gjendje?
Shkalla e pjellshmërisë mat numrin mesatar të fëmijëve që ka një grua. Për çdo popullsi të dhënë, për ta zëvëndësuar vetveten, ky numër duhet të jetë 2.1. Nuk ka asnjë vend në Europë, përveç Kosovës, që e kalon këtë shifër dhe për dhjetëravjeçarë, ai ka rënë nëpër botë. Në vendet e BE mesatarja është 1.53. Shkalla më e lartë është në Francë me 1.83 dhe më e ulta në Maltë 1.23.
Në Europën juglindore, shkallët e pjellshmërisë ndryshojnë në mënyrë të qenësishme. Bosnia e ka 1.2, që është ndër më të voglat në planet. Mali i Zi e ka 1.7 dhe Kosova shkon diku rreth 2.0, por askush nuk e di me siguri. Ajo ka popullsinë më të re në Europë, por agjensia e saj e statistikave, që ka bërë përpjekje për të dhëna të besueshme këto njëzetë vitet e fundit, ka botuar disa shifra dukshëm të ndryshme vitet e fundit. Më e fundit, është shifra e jashtëzakonshme 2.3.
Si kudo tjetër në botë, lindjet kanë rënë, dhe njerëzit jetojnë më gjatë. Në Europën juglindore po ashtu, njerëzit jetojnë më gjatë se më parë, ndonëse asnjë vend, me përjashtim të Sllovenisë, nuk ka një pritshmëri jetëgjatësie më të madhe se mesatarja e BE, 81.3 vjeç.
Ҫfarë do të thotë kjo gjë për rajonin? Do të thotë, që përveç mërgimit, më shumë njerëz vdesin se sa lindin, pra popullsia po tkurret dhe po mplaket. Po të shtosh edhe mërgimin, del se tkurrja dhe mplakja shkojnë me ritme më të shpejta.
Serbia është ndër vendet më të moshuara në rajon dhe ajo ka pasë më shumë arkivole se sa djepe për dhjetëravjeçarë. Për dhjetë vjet, deri 2019, mesatarisht më shumë se 36 460 njerëz kanë vdekur çdo vit se sa kanë lindur. Vitin e kaluar numri i vdekjeve ishte më i lartë për shkak të Covid-19, pra 53 261 vetë më shumë kanë vdekur se kanë lindur. Kudo gjetkë në rajon, ky numër ndryshon qenësisht, por prirja është kudo e njëjtë. Shqiptarët ende kanë më shumë bebe se kufoma, por vetëm përkohësisht. Në 2020 ky numër ishte vetëm 470, ndonëse ai do të ishte më i madh, pa vdekjet shtesë që shkaktoi Covid-19.
Mërgimi
Megjithë lindjet dhe vdekjet, numri i të mërguarve është tepër i madh. Ata që i lënë vendet e tyre në Europën juglindore, më shpesh vendosin të qendrojnë atje ku shkojnë e të mos kthehen në atdhe. Shtetet fqinjë u japin shtetësinë atyre nga jashtë që i quajnë me etni të njëjtë. Në se ai vend është pjesë e BE, me atë pasaportë shtetasi i ri mund të jetojë e të punojë kudo më lehtë. Kështu, shumë kroatë boshnjakë, kanë shkuar në Gjermani si qytetarë kroatë, shumë moldavë punojnë në BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar si rumunë dhe shumë maqedonas kanë fituar pasaporta bullgare.
Sa rumunë ka tani në Gjermani që janë në fakt moldavë? Është e pamundur ta dish.
Nga të gjitha vendet në Europën Juglindore, Moldavia ka shënuar rënien më të madhe të popullsisë, por vetëm më 2019 një program i ri kompjuterik në kufijtë e vendit nisi të mundësojë për autoritetet që ata të fitojnë një ide se sa njerëz ka pasë brenda dhe jashtë vendit në çdo kohë. Sidoqoftë, edhe kjo nuk mund të japë një tabllo të plotë sepse qeveria nuk ka autoritet në të gjithë kufijtë e Moldavisë për shkak se copa të mëdha të vendit janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Duke hetuar të dhënat e vendeve ku njerëzit nga Europa Juglindore vinë zakonisht, sidoqoftë mund të fitojmë një ide të mirë për shkallën dhe prirjet e mërgimit kohët e fundit. Në vitin 2018, 228 000 janë qytetarë të BE nga gjashtë vendet jashtë BE, nga Ballkani Perëndimor, ose që do të thotë se 1.3 % e tërë popullsisë së tyre krejt, ka lëvizur ligjërisht për në 28 vendet e BE, që përfshinin atëhere edhe Britaninë. Nga këta, 62 000 ishin nga Shqipëria ose 2.2 % e popullsisë së saj.
Ende më shumë syresh kanë ikur në vendet jashtë Europës dhe nuk e dimë se sa janë kështu, joligjërisht, jashtë vendit.
Duke gërmuar më tej në të dhënat e mërgimit të ligjshëm në disa vende, numrat dalin më shokuese. Sipas agjensisë së statistikave të Gjermanisë, në vitin 2019 në atë vend jetonin 748 225 rumunë, 414 890 kroatë, 237 775 serbë, 232 225 kosovarë dhe 203 625 boshnjakë. Në Itali, ka pasë zyrtarisht 421 591 shqiptarë, 1.14 milionë rumunë dhe 118 516 moldavë, që nuk janë regjistruar si rumunë.
Ajo që këto shifra nuk na tregojnë neve, natyrisht, është se sa prej tyre kanë fituar shtetësinë e vendit ku ata kanë mërguar.
Ne nuk dimë gjithashtu sa syresh kthehen në atdhe çdo vit, as nuk kemi të dhëna për mërgimin qarkullues. Tipikisht, kjo mbulon gratë që kujdesen për të moshuarit jashtë vendit, burrat që shkojnë të punojnë me periudha kohore të shkurtëra në projekte ndërtimi dhe ata që shkojnë jashtë për punë sezonale në bujqësi.
Ndërsa disa që kanë jetuar dhe punuar jashtë kthehen në atdhe pasi pensionohen, fëmijtë e tyre mbeten atje. Ata do japin ndihmesë në ekonominë dhe në fondet e pensionit të Zvicrës dhe kudo tjetër dhe, mbi të gjitha, kanë shkallë pjellshmërie të lartë në krahasim me atë në vendet e Europës Perëndimore, që e kanë ndën 2.1. Megjithatë popullsia e këtyre vendeve sërish vijon të ulet. Edhe me mërgimin, popullsia e Gjermanisë ka qendruar në vend-numëro në 2020, por vetëm Covid-10 i prishi pak modelet e mërgimit.
Një problem i madh me të dhënat
Këtë vit, shumica e vendeve në Europë do kryejnë regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë. Kjo do ndihmojë të kuptojmë se sa njerëz ka aktualisht në secilin vend, ose, të paktën, të thotë: janë më shumë apo më pak. Bosnia, sidoqoftë, nuk do e kryejë regjistrimin dhe Moldavia po ashtu gjer në vitin 2023. Vendi që ka nevojë për këtë më shumë është Maqedonia e Veriut, por këtu, ashtu sikurse në shumë vende, regjistrimi që duhet të nisë në prill është shtyrë për shkak të pandemisë. Zyrtarisht, popullsia e saj është 2.08 milionë, por kjo nuk ka kuptim sipas Apostol Simovskit, kryetarit të Agjensisë së Statistikave. Kur partitë politike të shumicës maqedonase dhe ato të pakicës shqiptare u përpoqën t’i zmadhojnë numrat e vet gjatë regjistrimit të 2011, i tërë operacioni dështoi. Tani, falë uljes së shkallës së lindjeve, për shkak të mërgimit të paregjistruar, mendohet se popullsia të ketë shkuar në 1.5 milionë.
Merrni parasysh, për një cast, se çfarë do të thotë në se shifra e popullsisë suaj është jo e saktë, aq më tepër e dhënë kot më kot. Kjo do të thotë se çdo shifër tjetër që ju nevojitet për të planifikuar një shtet modern si psh shkalla juaj e pjellshmërisë ( sa shkolla dhe mësues do keni nevojë në të ardhmën?), shifra për prodhimin e përgjithshëm për frymë, etj do dalin gabim. Maqedonia e Veriut.nuk është i vetmi vend me këtë problem të madh me të dhënat. Sipas disa ekspertëve, 3.2 milion është një vlerësim i mirë për numrin e njerëzve në Bosnie, por në 2018 Shërbimi i saj Kombëtar i Fuqisë Punëtore, që është një mënyrë tjetër për të matur popullsinë, dha shifrën 2.7 milionë, që megjithatë është e diskutueshme.
Ajo që nuk diskutohet, sidoqoftë, është që boshnjakët, si të gjithë ata që jetojnë kudo tjetër në Europën Juglindore, po mplaken më shumë. Por çfarë do të thotë kjo? Sipas një studimi të 2018, pjesa e popullsisë mbi 65 vjeç në Ballkanin Perëndimor mund të dyfishohet në 34 % në vitin 2060. Në të njëjtën kohë, popullsia nga 20-64 vjeç që ka qenë 62 % e popullsisë në 2015, do bjerë në 49 % në 2060. Në mënyrë të veçantë, raporti parashikon se 45 % e boshnjakëve do jenë mbi 65 vjeç në 2060, 30 % e serbëve etj.
Ndryshimet e popullsisë nga 1989-1990 deri 2020 dhe 2050 (projektim).* Projeksioni për Moldavinë është ende 2035 në vend të 2050. Të dhënat e fundit për Maqedoninë e Veriut nuk janë të mjaftueshme për të bërë projektime. Burimet: Agjensitë statistikore kombëtare, OKB, Banka Botërore. BIRN. Të dhënat e ish Jugosllavisë u referohen popullsisë rezidente në 1989. ndër të tjera, 1990. Serbia nuk e përfshin Kosovën. Shifrat për Moldavinë përfshijnë Transistrinë.
Ҫfarë të ardhme ka demografia
Ndonëse këto shifra janë alarmuese, parashikimi i të ardhmes është një biznes me risk. Projektimet janë bërë duke hamendësuar se çfarë sjell e ardhmja dhe me fillimin e COVID-19 është e qartë për këdo se pamja e të ardhmes mund të ndryshojë shpejt. Duke e pasur atë në mendje, sidoqoftë një mënyrë na ndihmon ta përfytyrojmë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe të Moldavisë duke parë se çfarë ka ndodhur në vendet e mëparshme komuniste dhe fqinjët e saj.
Kur Polonia iu bashkangjit BE më 2004, e ndjekur nga Bullgaria dhe Rumania më 2007, , një ndikim i menjëhershëm ka qenë mërgimi masiv. Por antarësimi në BE solli investime dhe përmirësoi standardin e jetësës në Poloni. Sot ndërsa njerëzit ende mërgojnë nga këta tre vende nuk vërehet më ai mërgimi masiv si në fillim dhe mungesa e fuqisë punëtore tregon se pagat në ato vende kanë shënuar rritje gjatë viteve. Polonia, më e pasura nga të tre, është tani një vend i mërgimit masiv nga jashtë. Popullsitë e Bullgarisë dhe Rumanisë vazhdojnë të rudhen sidoqoftë por më tepër falë pjellshmërisë së ulët se sa mërgimit jashtë.
Në parim, atëhere, në se shtetet jo të BE si Europa Juglindore vazhdojnë ta rrisin ekonominë e vet dhe të afrohen (ngadalë) me BE, ka një shpresë që gjerat mund të ndryshojnë. Por kjo është një “në qoftë se” e madhe dhe Covid-19 i ka këputur prirjet e disa viteve të shkuara. Kur nisi pandemia, qindra mijëra u kthyen në atdhe në Ballkan dhe Moldavi. Ka pak të dhëna për numrin e tyre, por thonë se shumë syresh kanë ikur sërish në BE.
Për punonjësit e zyrës, historia është e ndryshme dhe e gjithë Evropa Juglindore do të përfitojë në qoftë se disa nga ata që jetuan jashtë vendit dhe që u kthyen në shtëpi për të punuar në distance, mund të mbeten duke e bërë këtë ndërsa vazhdojnë të punojnë për punëdhënësit e tyre të huaj pas rënies së epidemisë. Ne nuk po flasim megjithatë për shifra të mëdha këtu.
E ardhmja demografike afat-shkurtër e Europës Juglindore varet mbi të gjitha nga ajo që ndodh gjetkë. Në qoftë se rimëkëmbja ekonomike është më e fortë në Evropën Perëndimore dhe Veriore, atëhere mund të presim që, pas ndërprerjes së saj të madhe afat-shkurtër, prirjet e mëparshme të emigracionit do të marrin krye edhe një herë.
Tani, më shumë se një vit që kur filloi pandemia, mund të shohim gjithashtu se normat e lindjeve janë ulur në Europën Juglindore, edhe më shumë se ç’mund të pritej nga rënia graduale e normave të pjellorisë. Kjo është për shkak se familjet janë të shqetësuara rreth pasigurisë ekonomike dhe nuk ka arsye për të besuar se të gjitha do të nxitojnë për të sajuar lindjet e vonuara pas COVID-19.
Shtetet dhe politika
Edhe nëse normat e ulta të lindjeve shqetësojnë qeveritë, është e paqartë se çfarë mund të bëjnë ato për këtë. Megjithatë, në Serbi, qeveria është mjaft e shqetësuar rreth çështjes sa më 2020 krijoi një Ministri të Mirëqënies Familjare dhe Demografisë, ministri i së cilës ka plane ambicioze. Megjithatë, gjendja e financave pas pandemisë së Serbisë do të diktojë se çfarë mund të bëhet në fakt.
Në të njëjtën kohë, qeveritë e Europës Juglindore do të kenë parë nga afër Poloninë dhe Hungarinë, të cilat, në disa vitet e fundit, kanë financuar politika të shtrenjta pro-natalitetit. Problemi është se rezultatet janë nuk janë premtuese. Në të dy vendet, normat e lindjeve janë tani më të ulta se ç’ishin përpara se të fillonin politikat e tyre. Ato mund të krijojnë votues besnikë, por duket se nuk mund t’i paguash ata votues për të pasur fëmijë. Ajo që nevojitet për këtë është siguria ekonomike, plus të gjitha llojet e masave favorizuese, duke përfshirë kujdesjen për fëmijtë fëmijtë dhe veçanërisht për gratë, si dhe sigurinë në punë.
Për të luftuar tkurrjen e popullsisë në moshë pune, vendet e Europës Juglindore, kanë filluar tashmë të rritin moshat e pensioneve tani ose në vitet e ardhshme. Rendimenti është i ulët, krahasuar me BE, ashtu si normat e punësimit të grave. Si gjetkë, një numër i madh vendesh pune janë të ndjeshëm ndaj automatizimit dhe dixhitalizimit, por ka patur pak ose aspak kërkime për ndikimin e mundshëm të një ndryshimi teknologjik të tillë në Europën Juglindore dhe se çfarë do të thotë kjo për ekonomitë e tyre, për popullin e tyre dhe demografinë në përgjithësi.
Gjatë 15 viteve të fundit, politika në Europën Juglindore është mbizotëruar nga të njëjtat çështje të njohura. Ato përfshijnë kushtetutën e Bosnjës, dialogun Serbi-Kosovë, Moldavia “zgjedh midis lindjes dhe perëndimit,” autoritarizmin në rritje, median nën presion e kështu me parë. Gjatë gjithë kohës presionet demografike rriten, por ngadalë dhe kështu pothuajse të paperceptueshme për shumicën e njerëzve. Pak vende kanë qenë ndonjëherë në këtë situatë më parë, do të thotë kanë punuar për të ulur normat e lindjeve, plakjen, mërgimin jashtë dhe përbrenda njëkohësisht, kështu, është e vështirë të parashikohet e ardhmja me siguri dhe gjithashtu e pamundur që, lidhur me demografinë, ajo të parashikojë diçka të mirë.
(Tim Judah është reporter dhe anlist politik për revistën The Economist. Ai ka shkruar disa libra për Ballkanin, kryesisht duke u vatërzuar te Serbia dhe Kosova. Ky artikull doli më 31 mars 2021 në Helvetas Mosaic)
Perktheu ne shqip, Bardhyl Adem Selimi, 7 prill 2021
Diskutim rreth këtij postimi