Nga MEHMET PRISHTINA
Ballkani Perendimor pjesërisht ndodhet me një këmbë në Evropë, pjesërisht në hartat e vjetra të gjeopolitikës sllave. Kosova dhe Shqipëria ende nuk po munden të gjejnë një rrugë të vetme, që do të impononin një qëndrim dhe një vizion mbi të ardhmen e përbashkët. Tirana dhe Prishtina nuk po flasin me një zë, ndërkohë që Edi Rama dhe Albin Kurti kanë qëndrime diametralisht të kundërta mbi disa iniciativa rajonale.
Rama favorizon Ballkanin e Hapur, kurse Kurti – Procesin e Berlinit. Ky i fundit në Forumin Strategjik të Bledit shpalosi pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e rajonit, duke veçuar sundimin i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimin kundrejt autokratëve, përballjen me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale, si katër elemente që, sipas Kurtit, mund t’i shërbejnë procesit të njohjes, komunikimit dhe ofrimit midis njerëzve në një rajon i cili ende vuan pasojat e së kaluarës problematike.
Por, krejt ndryshe mendon Edi Rama. Ai është i lidhur me projektin BALLKANI I HAPUR, duke favorizuar agjenda të paqarta dhe krejt të disfavorshme për Kosovën. Sipas Ramës, BALLKANI I HAPUR ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi, qarkullimi dhe komunkimi midis njerëzve, ideve dhe mallrave, por nuk ka arritur ta sqarojë se si do të jetë e mundur të ndodhë kjo në kushtet kur Kosova nuk njihet si shtet nga Serbia dhe kjo e fundit paraprakisht vendos kushte e barriera se si duhet të sillet Kosova.
Sipas Ramës fermerët e Konispolit do të kenë përfitime të mëdha nga BALLKANI I HAPUR, mirëpo nuk na tregoi se një fermer i Rahovecit si do të mund t’i shet produktet e veta në Kragujevc, nëse shkon me target e Republikës së Kosovës.
Me çfarë dokumente do të udhëtojnë kosovarët nëpër territorin e Serbisë, apo do të duhet të plotësohet kushti i Beogradit që pasaportat dhe letërnjoftimet e Republikës së Kosovës do të duhet të zëvendësohen me dokumente të tjera ku nuk figuron shtetësia e Kosovës.
Nëse BALLKANI I HAPUR është paraparë si një korridor nëpër të cilin mund të kalojnë vetëm ata të cilët i plotësojnë kushtet e Beogradit, kjo i bie që ai korridor funksionon me disa sensor që ua mbyll dyert atyre që nuk i plotësojnë ato kushte.
Ndonëse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin ka mosdakordësi konceptuale për Ballkanin e Hapur, ai megjithatë pretendon se kjo nismë është interes strategjik i kombit shqiptar.
Sipas Ramës, Kosova është sovrane të jetë kundër Ballkanit të Hapur, por nuk duhet të ndikojë politikën e jashtme të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, Edi Rama hapur po e pranon se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin rrugë të ndryshme në implementimin e projekteve rajonale. Mirëpo ai nuk po arrin të sqarojë një dubiozë logjike, ku në njërën anë thotë se BALLKANI I HAPUR është në funksion të strategjisë kombëtare të shqiptarëve, kurse në anën tjetër asnjëherë nuk është ulur me liderët e Kosovës të debatojë lidhur me përparësitë dhe të metat e kësaj nisme rajonale. Nëse, siç thotë Rama, kjo qenka në funksion të strategjisë kombëtare, atëherë pse kjo strategji nuk po përpunohet në Tiranë dhe në Prishtinë, por Rama po parapëlqen të komunikojë me lidershipin e Kosovës vetëm përmes konferencave të shtypit në krah të Vuçiqit dhe Zaevit (!).
Idetë e mëdha, sidomos ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e një populli apo një rajoni, nuk krijohen duke vendosur që në start barriera, siç po ndodhë aktualisht me Ballkanin e Hapur, ku Vuçqi ka arritur të bindë Edi Ramën se Ballkani i Hapur mund të funksionojë edhe pa Kosovën. Kjo është e mundur vetëm nëse fermerët e Konispolit e anashkalojnë Rrugën e Kombit dhe Kosovën, dhe zgjedhin Maqedoninë si transit për të depërtuar në tregun e Serbisë. Nëse Rama pranon këtë variant, atëherë këtu s’kemi të bëjmë me kurrafrë strategjie kombëtare, por kemi të bëjmë me një strategji të përjashtimit të Kosovës nga gjeopolitika rajonale, ku fjalën kryesore sërish do ta ketë Serbia e jo Shqipëria.
Por, si duket Ballkani i Hapur, si ide dhe si nismë nuk do të mund të mbijetojë pa mbështetjen e shteteve evropiane, kurse si kundërpërgjigje ndaj kësaj nisme është Procesi i Berlinit. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që Kancelarja gjermane Angela Merkel më 14 shtator do të udhëtojë për vizitë në Tiranë, kurse qëllimi i vizitës është t’i jepet inkurajim të ri Procesit të Berlinit i filluar në vitin 2014. Siç njoftojnë mediat, së bashku me kryeministrin Edi Rama, në Tiranë, Merkel do të ulet në të njëjtën tryezë me liderët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë pranuar këtë proces, i cili synon të lehtësojë bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, siç bëhet e ditur, nuk do të jetë i pranishëm në takim, sepse bëhet fjalë vetëm për kryetarë të qeverive.
Në njoftimin për shtyp nga zyra e Kancelares Merkel, ndër të tjera thuhet se vizioni i Procesit të Berlinit bazohet në ndihmën dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Siç dihet, një prej komponenteve më të rëndësishëm të Procesit të Berlinit është e ashtuquajtura “Axhenda për lidhje”, e cila fillimisht synon të lidhë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e transportit dhe energjetikës.
Disa samite që janë mbajtur deri më tani ndihmuan në krijimin e komunikimit midis udhëheqësve të Ballkanit, si dhe në hartimin e disa projekteve infrastrukturore. Projektet e miratuara për secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE -së dhe pjesërisht nga vet ato vende.
Kosova, sipas qëndrimeve të deritanishme të udhëheqësve të saj ndodhet në një linjë me politikat evropiane të integrimit. Nëse qeveria aktuale arrin të amortizojë efektet e keqmenaxhimit me institucionet nga e kaluara, dhe të largojë nga radhët e veta llaskucat e pushtetit, atëherë Kosova shumë shpejt mund ta ndryshojë imazhin në arenën ndërkombëtare duke u paraqitur si një partner serioz dhe i besueshëm. Pikërisht kjo tash i duhet Kosovës, sepse një vend gëzon reputacion ndërkombëtar vetëm atëherë kur arrin të konsolidohet së brendshmi.
Por, gjithsesi Kosova ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë dhe koordinimin me katër shtetet kryesore evropiane, sidomos tani kur SHBA po përballet me efektet e kritikave pas tërheqjes nga Afganistani. Diplomacia shqiptare në agjendën e saj të çdoditshme duhet ta përfshijë edhe Kosovën si pjesë e betejave të gjithanshme, gjithkund ku ajo ka qasje dhe ka miq. Vetëm kështu mund të thuhet se shqiptarët janë një komb serioz që kanë shtete të ndryshme, por kanë një strategji të përbashkët për shumë çështje ende të hapura. Me fjalë të tjera, çdo kush që pretendon të mbyll çështjen shqiptare pa Kosovën gabohet rëndë, sepse çështja shqiptare pa Kosovën është e paplotë.
Prishtinë, 3 shtator 2021
Diskutim rreth këtij postimi