Pas pushtimit të Shqipërisë, Politika e paraqiste këtë akt si “mision kulturor”, duke shpallur formimin e “Qarkut të Durrësit” dhe duke pretenduar se popullsia shqiptare do të “fisnikërohej” nën sundimin serb. Ky diskurs nuk synonte vetëm justifikimin e pushtimit territorial, por edhe krijimin e një narrative morale që e paraqiste dhunën si akt civilizues.
Që në fillim të luftës, gazeta artikuloi objektiva shumë më të gjera se sa “çlirimi nga turqit”, duke shpallur hapur projektin për dalje në Detin Adriatik. Në këtë kuadër, Politika e glorifikonte fushatën ushtarake edhe në Kosovë dhe Sanxhak, duke deklaruar se ushtria serbe kishte “thyer përfundimisht Arnautët e egër në Kosovë dhe në Sanxhak”. Kjo gjuhë çnjerëzore krijonte bazën ideologjike për krimet e kryera në terren.
Autorja tregon se Politika ushqente në mënyrë sistematike urrejtjen ndaj shqiptarëve, duke i përshkruar ata si “të egër”, “kriminelë” dhe “banditë”, madje edhe kur bëhej fjalë për të moshuar dhe fëmijë të zënë rob. Ky diskurs synonte të zhdukte çdo ndjenjë empatie dhe të normalizonte dhunën e ushtrisë dhe formacioneve paramilitare.
Në këtë klimë propagandistike, krimet e kryera në Sanxhak gjatë viteve 1912–1913 – djegia e fshatrave, vrasjet masive dhe shpërnguljet e popullsisë myslimane – paraqiteshin si masa të domosdoshme shtetërore. Politika jo vetëm që i justifikonte këto veprime, por shpesh i glorifikonte, duke i lidhur me interesat “historike” dhe “strategjike” të Serbisë.
Në kundërshtim të plotë me këtë diskurs, socialdemokratët serbë, veçanërisht Dimitrije Tucoviq dhe Dushan Popoviq, denonconin hapur krimet dhe paralajmëronin se kjo politikë do të prodhonte pasoja të rënda morale dhe politike, duke krijuar armiqësi të thella dhe të qëndrueshme me popullsinë shqiptare dhe myslimane të rajonit. Megjithatë, këta zëra mbetën të margjinalizuar përballë një shtypi që funksiononte si justifikues moral i dhunës shtetërore.
Në këtë mënyrë, siç dëshmon analiza e Ljubica Štefan, krimet e viteve 1912–1913 në Sanxhak nuk ishin veprime të izoluara, por pjesë përbërëse e një politike të qëllimshme shtetërore, të mbështetur dhe të legjitimuar nga propaganda e organizuar mediatike.
/dardaniapress.net/










Discussion about this post