Artur Vrekaj, Boston,
14 Mars 2025
Ligji nr.16/2018 për Mërgatën e kthen KKD-në në strukturë të përzgjedhur nga partia në pushtet me përzgjedhje të njënanshme, pasi përfshihen edhe ambasadorët dhe ministri Jashtëm që janë funksionarë partie.
Ne duam një Mërgatë të pavarur të ketë zërin e saj me Kuvendin e saj me përfaqësues të çdo organizate të çertifikuar në shtetet që janë bërë atdheu i dytë, atje ku ka shumicë të konsiderueshme Shqiptarësh.
Po përjetojmë një moment historik të afrimit me BE-në, që duhet të jetë sa i mirëvlerësuar e programuar për kombin, por edhe për Mërgatën në veçanti.
Shqiptarët nuk janë të lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në liri tash e 35 vjet. Demokracia lëngon, Shqipëria boshatiset. Ardhmëria është në duart e oligarkëve politikë të mbështetur nga oligarkët ekonomikë.
Shqipërinë e kanë zaptuar parti politike që kanë synim parti-shtet dhe jo komb unik të përparuar për Shqiptarët e Ballkanit.
Ndaj roli i Mërgatës në vendimmarrje është kërkesë e kohës për demokraci të plotë në Shqipëri dhe Kosovë. Pjesëmarrja në votime e Mërgatës dhe përkushtimi për të ndërgjegjësuar Mërgatën dhe popullin Shqiptar për hapjen e sistemit zgjedhor janë punë kombëtare.
Kur themi Mërgatë Shqiptare ne duhet të kuptojmë një njësi të vetme të Mërgatës Shqiptare me rrënjë Shqiptare nga të gjitha Trojet Shqiptare.
Ne kemi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Shqiptarë nga Trojet Shqiptare, por edhe Mërgatë Shqiptare të Mërgatës së Italisë së Jugut (Arbëreshët) apo edhe Mërgatë të ardhur nga Mërgata e Turqisë.
Përveç këtyre ne kemi tashmë një situatë të re në Mërgatë dhe shumë serioze, ndoshta edhe historike që arriti DPSHL me ndihmën e saj për plotësimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë që Mërgata të votojë sivjet më 11 Maj 2025. Diaspora për Shqipërinë e Lirë për disa vjet rresht realizoi me aksion qytetar dhe juridik në Tiranë, Europë dhe New York vënien në punë të institucioneve Shqiptare që ishin të penguara prej klasës politike.
Çfarë po ndodh?
Kryetarët e partive apo dhe funksionarë partish nga Shqipëria dhe Kosova janë tashmë në Mërgatën e Europës dhe Amerikës për të kërkuar mbështetje për partitë e tyre.
Pak parti kanë piketuar kandidatura nga Diaspora për krahun e tyre. Do të jetë shumë e vështirë të kemi një kandidat nga Diaspora më 11 Maj 2025.
Megjithëse u regjistruan 13.5% e zgjedhësve nga Diaspora, prapëseprapë Diasporës nuk ju premtua asnjë perspektivë për tu ftuar në Qeverisjen e Re si drejtuese e Ministrisë së Diasporës që vetëm Shpëtim Idrizi e kërkoi si mundësi.
Partitë politike u shqyen të merrnin besimin në Diasporë se ato kishin bërë “të pamundurën” të ndihmonin për realizimin e të drejtës që Diaspora të votojë pas 35 vjetësh!
Shumë papërgjegjësi nga politikanët kandidatura për deputet u tregua kur u kërkuan të dhëna dhe mbështetje me disa votues deri në grupe të afërmish.
Tirana solli në Diasporë ca mënyra të shëmtuara të patronazhimit që zbatohen aktualisht në Shqipëri. Shumë keq!
Ne jemi ndryshe. Na bën përshtypje sjellja e tyre, servilizmi i politikanëve ndaj kryetarëve për tu futur në listat e kryetarëve për deputet.
Kjo është shëmti e madhe e shfaqjes se autokracisë me sistem të mbyllur e pazar dysh.
Disa komunitete Shqiptare në New York, Worcester, Waterbury, Detroit etj janë kthyer në fushëbeteja për mbështetjen politike të Socialistëve, Lëvizjes Shqipëria Bëhet, apo edhe partisë Demokratike.
Në pamje të parë shumë nga këta veprimtarë që takohen me politikanë Shqiptarë janë edhe anëtarë të organizatave që nuk duhet të merren me politikë, sipas statutit që kanë regjistruar zyrtarisht atje ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Në Greqi dhe Itali tashmë kemi degë të Socialistëve dhe Demokratëve Shqiptarë.
Në SHBA u çel zyrë e partisë Demokratike.
Po kështu, Greqia dhe Italia me përkrahje të majtë e të djathtë i dha tonin takimeve.
Mërgata Shqiptare është e përçarë sot në fushën e bindjeve bazuar edhe në qasjen që i japim individit që është me këtë apo atë parti. Kultura e dobët politike e Tiranës e ka lodhur edhe perspektivën e shoqërisë dhe demokracisë .
Kjo nuk e ndihmon perspektivën e mbajtjes të bashkuar të Mërgatës sonë që ka një brez të ri profesionistësh që janë rritur dhe edukuar në Perëndim.
Kjo tallava politike në Mërgatë nuk i shërben kombit tonë, sepse ne kemi eksperienca të hidhura, që kanë ndikuar në jetët tona të familjeve dhe individëve edhe nga veprimi i këtyre partive politike që tani luten për vota në Mërgatë.
Kushdoqoftë, që angazhohet deri edhe të organizohet në një degë partie politike në Diasporë në mbështetje të partisë së tij ku ka milituar, për mendimin tim, ai/ajo shohin interesin e ngushtë të partisë, apo ndonjë nevojë personale për sot, por në fakt kemi dëmtuar qartazi ardhmërinë tonë unitare, bashkimin tonë në Diasporë.
Sistemi zgjedhor sot e 35 vjet në Shqipëri nuk është i hapur. Shqipëria ende ka demokraci të pjesshme. Shqiptarët nuk janë të lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Kjo flet shumë.
Largimi i gjysmës së popullsisë nga Shqipëria në 35 vjetët e fundit flet që Ëndrra Shqiptare po kërkohet më së shumti në Perëndim, në Europë.
Prandaj, duhet ta shohim Mërgatën jo si pronë të partive, që e shfrytëzojnë për populizëm mbështetës në televizione apo rrjete sociale, por si partnere të besueshme për popullin e Shqipërisë dhe Kosovës për çfarë ajo ka arritur në Perëndim, si një gjysmë Shqipërie natyrale që është aktive dhe me potencial kombëtar.
Qoftë Shqipëria, qoftë Kosova duhe ta kenë në rend të ditës moskontrollin e Mërgatës dhe të punojnë që të kenë të njëjtin program për një strategji të përbashkët për Diasporën.
Neve në Tiranë dhe në Prishtinë na duhet të rregullojmë në Kushtetutë një nen ku të shprehet raporti i partneritetit të sovranit me Mërgatën kombëtare.
Pse duhet kjo përshtatje në Kushtetutë ?
- Për ti dhënë vëndin që i takon në tërësinë kombëtare të popullit Shqiptar në Ballkan.
- Për ta bërë më përgjegjëse Mërgatën kombëtare për fatet e kombit tonë që e ka të pazgjidhur ende Çështjen Shqiptare me fqinjët.
- Për ta vlerësuar vërtetë Mërgatën si potencial mendor, shkencor dhe financiar dhe jo si varkë shpëtimi për partitë.
- Pra, ta trajtojmë Mërgatën si njësi të vetme të Bashkuar, pse jo ta ndihmojmë edhe me shtetet Shqiptare që të vetëorganizohet më mirë.
- Edhe nga ana numerike as që bëhet fjalë që të mos e llogaritim Mërgatën si partnerin numër NJË! Një milion e 800 mijë zgjedhës janë gati gjysma e zgjedhësve të Shqipërisë.
Nëse Mërgata vlerësohet në vendimmarrje ajo do të ndihmojë në fushën e diplomacisë ku ne duhet të përzgjedhim në Mërgatë Shqiptarët që punojnë me diplomatët Euro-Amerikanë që janë aktualisht në Europë, Amerikë dhe Kanada për ambasadat tona.
Pra, diplomacia të shihet si mundësi më e mirë promovimi e Shqiptarëve të Diasporës që kanë potencial intelektual dhe juridik.
Pra, ftesa që po i bëhet sot Mërgatës në takime politike nga partia qeveriformuese dhe partitë opozitare duhet të pasqyrohet edhe më e specifikuar në ligjin e Rivlerësuar të Diasporës.
Duket që klasa politike vetëm sa bën zhurmë në Diasporë për tu shitur sikur e do Diasporën.
Sot duhet të bëjmë fjalë për një perspektivë zhvillimi mbarëshqiptare e mbarëkombëtare në trojet Shqiptare.
Prandaj, Mërgata duhet të ndërmarrë nismën e thirrjes së Kuvendit të Mërgatës për vetëorganizimin e vetëpërfaqësimin e saj me një zë të vetëm në Kuvendin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Mundësimi i regjistrimit të organizimeve politike të Diasporës në Prishtinë dhe Tiranë si subjekte më vete në kuadrin e një pune të mirëfilltë për një qasje demokratike me referendum për hapjen e sistemit zgjedhor në Tiranë.
Kosova është më demokratike se Shqipëria.
Edhe Mërgata e Kosovës ndjen dhe vepron më shumë për fatin e Kosovës dhe kombit.
E kemi pra, një shembull pse Mërgata duhet ta vlerësojë si punë kombëtare përfshirjen në vendimmarrje në Shqipëri apo Kosovë.
Nëse Diaspora vjen me subjekt politik më vete në Prishtinë apo Tiranë demokracitë e shteteve Shqiptare do të shëndoshen edhe më me kulturën Euro-Atlantike të të bërit sa më funksionalë Kuvendet dhe institucionet e qeverisjes.
Kuvendi i Mërgatës këtë rast do të jetë më me peshë të jetë partner i pavarur jo i kontrolluar nga partitë politike.
Edhe shtetet do ta shohin pastaj Mërgatën si partnere dhe jo si gjysma e tepsisë elektorale.
Një mundësi tjetër është vlerësimi i Mërgatës me zona elektorale sipas shteteve ku jetojnë Shqiptarët në Europe, Amerikë apo dhe Turqi.
Kuvendi i Mërgatës me formë referendare apo me takime programore me shtetet Shqiptare dhe institucionet juridike të Tiranës dhe Prishtinës duhet të kërkojnë një kuotë vendesh në parlamentet Shqiptare të Shqiptarëve në Ballkan, por edhe një rivlerësim të partneritetit popull dhe Mërgatë në Kushtetutën Shqiptare.
Këtej fillon njësimi kombëtar me partneritet në Kushtetutë i Mërgatës me sovranin.
Kjo do të jetë edhe një punë e bukur kombëtare për institucionet e Parlamentarëve Shqiptarë, të Gjykatave Kushtetuese dhe profesionistëve të Mërgatës me eksperienca në fushën diplomatike dhe juridike që janë sot aktivë apo në universitete e vëndeve Perëndimore.
E ardhmja pret një punë më të programuar të Mërgatës jashtë programeve të partive politike.
Partitë politike nuk kanë çfarë të na afrojnë në Diasporë, por Diaspora duhet të mendojë për Shqipëri, Kosovë dhe komb!
Lypset organizim me çdo kusht!
Kombi është dhe do të mbetet prioriteti ynë për hapërim kudo në Trojet Shqiptare dhe për një mirëorganizim në Mërgatë edhe me Kuvendin e Mërgatës. 14 Mars 2025
Diskutim rreth këtij postimi