Në shenjë (ri)kujtimi
Shkruan: Sabit Jaha
Qyshkur isha nxënës i Shkollës Normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, gjatë pesë viteve shkollore sa zgjaste ky shkollim profesional për përgatitje të kuadrit arsimor për MËSUES, gjatë këtyre viteve dua (si me shkas apo me arsye) që t’i zë ngoje vetëm mësimdhënësit e lëndës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, të cilët brenda periudhës kohore 1969-1973 na ligjëruan mësimet si: Profesor Nuhi Vinca, Naim Basha, Skënder Salihu, Sahit Tahir Ali Lubishtani dhe Sabit Alidema. Pikërisht për këtë të fundit, me shkas apo me arsye, do të përqendrohem më gjatë, duke i nxjerr në pah sa e sa imtësi, dromca jete nga ajo kohë e shkuar e para gjysmëshekullit, por duke u thelluar edhe në ditët e sotme.
Dhe, sa herë që njeriu (cilidoqoftë ai) që rikthehet në retrospektivë, dashje apo pa dashje, sikur në një shirit celuloidi i rishfaqen sa e sa kujtime nga më të ndryshmet, qofshin ato të bukura, të gëzueshme pse jo edhe të pakëndshme, që kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë.
Kuptohet se, atëherë (kupto e lexo për vitet e 70-ta e këtej) ne nxënësit e asaj shkolle profesionale për mësues, më shumë merrnin dije nga shënimet që na i diktonin mësimdhënësit tanë, meqë librat e tillë sikur mungonin, prandaj sikur ishim bërë të varur nga shënimet, të cilat ashtu-kështu ishin edhe jotë plota, si për fushën e letërsisë po ashtu edhe të gjuhësisë. Megjithatë, atëbotë ne sikur ishim bukur të kënaqur edhe me ato njohuri që po i merrnim nga pofesorët (mësimdhënësit tanë). Por, për disa nga ne që dëshironim të dinim edhe më shumë (qoftë nga letërsia apo gjuhësia) nuk mungonin ndihmesat e profesorëve, të cilët nuk hezitonin dhe na ofronin edhe literaturë shtesë, për të përmbushur kërkesat tona, kuptohet nga vetinteresimi ynë, kur ata tek ne zgjonin kureshtjen për të lexuar sa më shumë, meqë në plan të parë ishin shënimet, të cilat në një mënyrë sikur i plotësonin deri diku mungesat e librave, kryesisht të letërsisë. Këtë, pikërisht profesorët tanë të nderuar dhe të respektuar, e vërenin tek ne nxënësit më të dalluar, meqë kureshtja jonë për të lexuar sa më shumë shpërfaqej edhe publikisht sapo ata (profesorët) para nesh parashtronin pyetjen se a kishte kush të pyeste diç.
Dhe, ne, njëri pas tjetrit, bënim pyetje të shumta, kuptohet në suaza të njësive mësimore, pa i tejkaluar “vijat përcaktuese” pa pretendime më të gjera, sidomos pa prekur aspektet ideopolitike, për të cilat sistemi monist i kishte lënë a bërë tema “tabu”. Prandaj, lypsej të kishin kujdes, së pari mësimdhënësit e pastaj edhe ne vetë nxënësit. Megjithatë, tema të tilla kishin dhe i trajtonim, por me një kujdes të mos binim në kurthe, prandaj vigjilenca jonë e dy palëve (mësimdhënës-nxënës) lypsej të ishin në raporte të ndërsjella, ngase shumëkush atëherë ishte në shënjestër të organeve të pushtetit monist, ku snobët, katraligët e kolaboracionistët sy e veshë i bënim katër dhe masat ishin nga më ndryshmet (nga më të lehtat deri tek ato më të rëndat): thyerje të notës së sjelljes, përsëritje të klasës, përjashtim nga shkolla etj., për ne nxënësit, ndërkaq për mësimdhënësit ishin edhe më të rënda: përjashtim (largim) nga puna, përjashtim nga LKJ, paraburgim, burgim, etj.).
Megjithatë, kur cilido mësimdhënës yni sapo fliste për akëcilin shkrimtar, ne na bëhej zemra mal që po shtonim dijet tona për kontributin e tyre nëpër shekuj a vite, ku ata kishin lindur e rritur dhe çka kishin shkruar gjatë jetës së tyre, duke ua pasur lakmi se edhe dikush nga ne mund të bëheshim poet a shkrimtar për të vazhduar gjurmëve të tyre. Megjithatë, nga ajo kohë e viteve të 70-ta, në Ferizaj njihnim disa shkrimtarë a poetë (mësimdhënës) që kishin të botuar libra të tyre siç ishin: Nol Berisha, Bedri Hysa, Nuhi Vinca, Hajro Ulqinaku, Isak Shema, Rahmi Tuda, Isak Eshrefi, etj., meqë në këtë qytet (Ferizaj) ishte themeluar Klubi letrar ”Jeronim De Rada”, i cili pos librave nxirrte revistën ”Zgjimi”, ku pos të tjerëve defilnonin edhe emrat e sa e sa krijuesve të tjerë si: Haki Braha, Faruk Tasholli, Rrahim Sadiku, Bajram Qerimi, Agim Berisha, Mustafë Xhemaili, Shpresa Vinca- Tuda, Qibrije Demiri, Isa Baftiu, Misret Halili, Shahe Krasniqi, Shyqri Galica, Shefqet Rexhepi, Mevlane Krivanjeva, Bardh Frangu, Ismet Aliu, Biser Mehmeti, Osman Syla.
Pra, Ferizaji kishte një plejadë krijuesish letrarë, të cilët njiheshin edhe më gjerë, nga dolën edhe sa e sa të tjerë që tashmë kanë bërë emër, qoftë në poezi, prozë, dramaturgji e çka tjetër.
Kështu, kjo qendër siç ishte Ferizaji, që nga fillimi i viteve të 70-ta e këtej sikur po i tërhiqte gjithnjë e më shumë shkollarët edhe të komunave përreth si nga: Kaçaniku, Vitia, Lipjani, Shtimja, Shtërpca, Hani i Elezit, Suhareka e më gjerë, ku vinin e shkolloheshin për t’u pajisur me dije në fusha të ndryshme nga arsimtarët (mësimdhënësit) tanë që ishin nga: Ferizaji, Kaçaniku, Shtimja, Vitia, Ulqini, Tuzi, Kumanova, Tetova, Prishtina, Lipjani, Gjilani,Struga, Kamenica, Drenasi, Peja, Deçani, Gjakova, Shkupi e…
Dhe, tashmë dua t’i them disa fjalë për njërin nga këta personalitete mësimdhënësish, i cili në Shkollën Normale ”Zenel Hajdini” në Ferizaj ishte profesor yni i Gjuhës dhe letërsisë shqiptare – Sabit Alidema, i cili në fushën e letërsisë shqipe bëri emër, duke botuar një kolanë veprash, të zhanreve të ndryshme. Për të thënë diç për këtë personalitet kam arsye të shumta, por dua t’i them vetëm disa më të veçantat:
Së pari, Sabit Alidema ishte profesor imi i Gjuhës dhe i letërsis shqipe në SHN ”Zenel Hajdini” në Ferizaj, për çka do t’i jem mirënjohës për gjithë atë kontribut që dha, duke na motivuar a nxitur që të lexonim sa më shumë, për të treguar afinitetin tonë edhe në krijimtari letrare.
Së dyti, derisa na shpjegonte për shkrimtarët, pos të tjerave (më dukej mua, në mos qofsha i gabuar) atij i flinte për zemër a për qejfi Garvil Dara i Ri me veprën ”Kënka e sprasme e Balës”, 1990, Katanxaro (Itali), meqë pothuajse nuk kishte nxënës që nuk e pyeste se sa dinte për këtë vepër (edhe duke recituar a deklamuar sa e sa strofa të saj) si dhe për autorin famëmadh e tejet të parapëlqyer dhe tejet të dashur nga profesori ynë i nderuar Sabit Alidema.
Pikërisht për këtë (kuptohet më vonë, derisa po studioja për letërsi në Universitetin e Prishtinës) kur po thelloja edhe më shumë njohuritë e mia për krijuesit Dara, venerova se Gavril Dara (Plaku) 1765-1832 kishte jetuar 67 vjet; Andrea Dara (1796-1872), ishte djali i Gavril Darës (Plakut) që kishte jetuar 76 vjet e që ky ishte babai i Gavril Darës (të Ri) (1826-1889, që kishte jetuar 63 vjet e që ky I fundit ishte autor i veprës “Kënka e sprasme e Balës” (1900). Vura në pah këtë gjenealogji të Familjes Dara, për të tërhequr edhe një paralele të Familjes Alidema, duke vënë në spikamë kontributin e pinjojve të Alidemëve të Pozhoranit të Vitisë për t’i bërë jehonë jo vetëm profesorit tim të nderuar Sabit Alidema, por njëkohësisht edhe për t’i zënë ngoje edhe sa e sa personalitete të Alidemëve si: Halil Alidema, Rashit Alidema, Kosovare Alidema, Valdete Alidema, Lule Alidema etj., etj.
Së treti, pas kapërcimeve të viteve të periudhës zezonë, në fillim të vitit 2010, Prof. Sabiti kishte marrë numrin e telefonit tim nga poeti, shkrimtari dhe kritiku ynë i mirënjohur Ramadan Musliu dhe më telefonoi, ku u morëm vesh që të takoheshim në Hotelin “Grand” në Prishtinë. Meqë unë atëherë banoja viza-vijë hotelit dola i pari dhe po e prisja profesorin tim, i cili sapo më veneroi se ku isha erdhi dhe u përshëndetëm miqësisht, gati pas 35 e sa vjetësh. Dhe, pas bisedave të rëndomta, pas sa e sa pyetje e përgjigjesh të ndërsjella, profesor Sabiti më “kritikoi” për duhanin që po e pija pareshtur, duke më thënë se qyshse dikur kur isha djalë taravol (17 vjeç), tashmë më 2010 gati (60 vjeç) “plak” me mjekër, sikur nuk po e lija dot këtë ves për ta zëvendësuar me ndonjë virtyt të mirë, për çka profesori im kishte plotësisht të drejtë. Dhe, pas sa e sa shakave të ndërsjella, profesori hyri në temën bosht për të cilën kishte ardhur në këtë takim. Më bëri me dije se Ramadan Musliu i kishte sugjeruar që të më kontaktojë për botimin e një vepreje letrare, të cilën e kishte shkruar qyshkur ishte në moshën 19 vjeçare, d.m.th. më 1958 dhe tashmë dëshironte ta botonte në SHB “SAS”, editor i së cilës isha unë, nxënësi i dikurshëm i profesorit tim të nderuar, Sabit Alidema. Thënë të vërtetën për këtë u ndjeva bukur i privilegjuar, meqë kjo më bënte nder dhe me plot vullnet dhe dashamirësi e mora dorëshkrimin, duke pasur një konsideratë ndaj profesorit në njërën anë, kurse në anën tjetër më zgjohej kureshtja e krijimtarisë fillestare të profesorit tim, kur ky ishte atëbotë nxënës i shkollës së mesme në Gjilan. Dhe, me t’u kthyer në banesë, për ta shuar kureshtjen time zura ta shfletoja dorëshkrimin e profesorit që e kishte titulluar bindshëm “Dallëndyshet lëshuan foletë e veta”, ku figuronte viti 1958 e tashmë po gatitej të dilte nga botimi më 2010, d.m.th. pas gjysmë shekulli. Për mua ky botim ishte i veçantë, ndërsa për profesorin tim Sabit kjo ishte jo vetëm vepra e parë por një sihariq, meqë po hapeshin dritaret e dyert krah më krah dhe sikur dallëndyshet po iu ktheheshin foleve të veta (të tyre), ku pas kësaj vepreje do të pasonin njëra pas tjetrës si: Drama “Lata” 1999; “Dragonjtë e Anamoravës/dëshmorët e komunës së Vitisë”, 2003; “Njeriu me shpirt të blertë”, 2003; “Meteorë Lirie (Veprimtaria e Halil e Teuta Alidema)”; “Rrënjë e degë”, “Bota dhe femra shqiptare”; Filmi dokumentar “Operacioni Shigjeta”; “Lufta e Pashtrikut”; “Jeta e lënë peng”; “Palca shkëmbi:; “Pika të kuqe në histori”; “Pergamena e viteve 2015”; “Gjeniu në botën e numrave”; “Guri” (roman); “Mendja, zemra duar e arta” dhe monografinë “Për ty Kosovare” (për vajzën e vet Mr. ph. Kosovare Alidema-Dema, që iku sa vite para babait të saj e vajti në amshim ku edhe ky pas sa viteve pas saj, që të dy tashmë në botën e përtejme, në atë botë ku edhe ne (kush më parë e kush më vonë) atje do të jemi, ku i kemi të parët tanë.
Së katërti, falë kontributit të jashtëzakonshëm të profesorit Sabit Alidema me ndihmën profesionale të Ramadan Musliut, krijuesit (autorit) e kësaj komune (të Vitisë), formuan Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Krijuesve të Komunës së Vitisë, ku nxorën edhe revistën, “Malli i Shtampës”. Dhe, për disa vjet me radhë kryetar i SHSHK të Komunës së Vitisë ishte Sabit Alidema, deri më 2022, ku për shkaqe shëndetësore u tërhoq nga ky pozicion, meqë të shumtën e kohës jetonte dhe vepronte edhe në Francë, por që kthehej herë pas here në vendlindje, në Pozhoran si dhe në Viti, ku jepte kontributin e vet edhe të mëtejmë në rrumbullakësimin e veprimtarisë së tij të mëtejme letrare, meqë la në dorëshkrim edhe sa e sa vepra të tjera si novela e balada.
Së pesti, duke e (ri)kujtuar tashmë profesorin Sabit Alidema, ndjej për obligim të shpërfaq disa fjalë për shembëlltyrën e profesor Sabitit (derisa ishte në krye të SHSHK të Komunës së Vitisë) asocacion kulturor-letrar që tashmë njihet me emërtimin “Ramadan Musliu”, ku për nder të këtij krijuesi famëmadh, për çdo vit në Viti mbahet Manifestim letrar “ “ për çka ka merita të mëdha profesor Sabiti, traditë kjo që po vazhdohet edhe më tej nga pasardhësit, tashmë edhe nga Fadil Abazi, kryetar i SHSHK të Komunës së Vitisë “Ramadan Musliu”. Me këtë rast, është për t’u zënë ngoje edhe përmbledhja antologjike “Autorët e Komunës së Vitisë” e autorit Muzafer Ramiqi, i cili e përpiloi dhe mbarështoi me kriter autorët e kësaj komune, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më 2021, duke pasur mbështetje si nga Ramadan Musliu, Sabit Alidema dhe të tjerët, ku kontributi i tyre i përbashkët solli kurorëzim suksesesh të njëpasnjëshme.
Dhe, së fundi, kur SHSHK të Komunës së Vitisë “Ramadan Musliu”, në SHK “Bajram dhe Gursel Sylejmani” në Viti promovoi librat e Profesor Sabit Alidemës, me insistimin e Fadil Abazi, kryetar I SHSHK “Ramadan Musliu” me vështrimet e recensionet e Esat Kamberit, Sabit Jahës, Zeqir Ramës (Ramiqit), Zymrije Salihut, Marjan N. Sopi, Nazif Laçit, Valdete Alidema-Sere, Valdete Alidema-Sereçi, etj., udhëhequr nga Arbenita Aliu, në prani të profesor Sabitit dhe familjarëve të tij, ishte një manifestim për t’u mbajtur në kujtesë dhe si model a mostër se si e sa duhet t’i kujtojmë e t’i respektojmë tanët, siç ishte ky manifestim brilant për të qenë shembull edhe për të tjerët sa janë edhe fizikisht në mesin tone, po se po, por edhe ata që tashmë nuk janë në mesin tonë, por që kanë lënë gjurmë në kohë për t’i (ri)kujtuar në vazhdimësi, siç bie fjala: për Ramadan Musliun, Bajram Qerimin, Sabit Alidemën, Zija Aliun e një varg personalitetesh të kësaj treve, për çka emrat e tyre i bëjnë nder jo vetëm Vitisë por edhe më gjerë.
Sabit JAHA
Diskutim rreth këtij postimi