Ripostim pas 9 viteve
Nikoliç presidenti serb viziton Maqedoninë dhe pritet të marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të Betejës së Kumanovës dhe të vendosë lule për nder të heronjve të rënë, “shqipatrët rrinë këmkryq”. Beteja e Kumanovës paraqet fillimin e masakrave ndaj popullit shqiptar dhe spastrimin etnik të territoreve.
Nga shtypi i përditshëm u dha lajmi se skuadra e njohur serbe e basketbollit, “Cërvena Zvezda” nga Beogradi është ftuar për të zhvilluar një ndeshje miqësore në Kumanovë kundër ekipit me të njëjtin emër, ndeshje kjo që do të luhet të dielën në palestrën sportive në Kumanovë. Sipas uebfaqes së klubit serb nga Beogradi, skuadra serbe në Kumanovë vjen për të shënuar festimin e 100-vjetorit të betejës së Kumanovës, e cila ka ndodhur më 23 dhe 24 tetor të vitit 1912.
Diku lexova se: “Me Betejën e Kumanovës filluan masakrat e tmerrshme ndaj shqiptarëve dhe spastrimet të territoreve tona etnike. Kjo datë duhet të përkujtohet si tragjedi e madhe për shqiptarët e jo të lejohet festimi i saj zyrtar”, paska reaguar më në fund kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Skënder Hasani.
Leon Trocki ka raportuar në 1912 për egërsimin e Komitave dhe mizoritë në afërsi të Prilepit, për të cilat ushtria e rregullt serbe ka kundërshtuar : “Sikur të kishin hyrë Turqit në vendin tonë, ata nuk do të sillen kështu” . Zjarret e fshatarave të djegura ishin sinjalet e vetme që kolonat e ushtrisë serbe lajmëronin njëri-tjetrin për “përparimin” e tyre dhe drejtimin e lëvizjes. Me rënien e Kumanovës në duart serbe në Shkup është zbarkuar “tërë ajo botë e popullsisë shqiptare të cilen ushtria serbe, duke e pushtuar nga veriu shtyu para veti e që është aty, duke kërkuar strehim, pjesa më e madhe gjeti vdekjen.”
Beteja më e madhe e trevës së Kosovës gjat Luftarve Ballkanike , ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë nga 126 000 veta. Armata turke e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera. Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës. Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta. Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi mësymjen drejt pjesës perëndimore të vilajetit të Kosovës (drejt Prizrenit, Pejës, Gjakovës etj.), drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin), të Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës. Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.
Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, u vranë 3 000 veta, nga të cilët 2 000 në rrethin e Shkupit. Terrorit të paparë iu nënshtrua edhe popullsia e qytetit të Shkupit. Çdo ditë oficerët serbë organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit për të terrorizuar dhe për të masakruar fshatarët. Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga Kumanova e nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim në Shkup. Por edhe këtu i priste vdekja nga ushtarët serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi të Shkupit, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë këtu 1 200 veta. Gjatë kësaj fushate persekutimesh ndaj shqiptarëve u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin nëntor, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi dhe mjaft udhëheqës të tjerë të lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk pranuan të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e Beogradit, ku u mbajtën deri më 16 maj 1913. Pushtimi i Kosovës u shoqërua me shpërngulje në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare. Vetëm në periudhën e Luftës së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.
Diskutim rreth këtij postimi