– Në përvjetorin e lindjes (9 prill 1877) veprimtar e patriot i shquar i Lëvizjes Kombëtare, poliglot (njohës i disa gjuhëve, si: turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht), studiues i disa fushave (folkloristikë, etnografi, numizmatikë arkeologji), njohës i shkëlqyer i antikuareve dhe koleksionist i famshëm në Ballkan, politikan e veprimtar i dalluar,
Lef Nosi, veprimtar e patriot i shquar i Lëvizjes Kombëtare, poliglot (njohës i disa gjuhëve, si: turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht), studiues i disa fushave (folkloristikë, etnografi, numizmatikë arkeologji), njohës i shkëlqyer i antikuareve dhe koleksionist i famshëm në Ballkan, politikan e veprimtar i dalluar, nënkryetar i klubit “Vllazëria” të Elbasanit, drejtor i shoqërisë “Afërdita”, botues i gazetës “Tomori”, ndër organizatorët e Kongresit të Manastirit (1908), Kongresi të Elbasanit dhe për hapjen e shkollës Normale (1909), hartues i një “Abetare për shkolla fillore meshkujsh e femrash”, të cilën e botoi në bashkëpunim me klubin e Manastirit, krah i djathtë i Ismail Qemal Vlorës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë (28 ëntor 1912) me siglën “Lef Nosi”, ministër i Postës e Telegrafisë (4 dhjetor 1912-21 shkurt 1914) në kuadër të Qeverisë Provizore, sekretar gjeneral i të njëjtës ministri në kohën e Princ Vidit, anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943), anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës (25 tetor 1943–25 tetor 1944), mbledhës dhe sistemimues i dokumenteve historike, përfshirë këtu edhe ato të Qeverisë së Vlorës e të Shpalljes së Pavarësisë, dokumenteve me natyrë biografike, politike-shoqërore, regjistra të vjetër të esnafëve, kronologjive të ngjarjeve historike në periudha të ndryshme kohore, arkeologjisë, etnografisë, botimeve me vlerë albanologjike dhe ballkanologjike (materialeve të pasura gjuhësore), mbledhjes së materialit të pasur folklorik (ciklit të këngëve të kreshnikëve, këngëve legjendare, baladave) si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, të dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë etj., lindi më 9 prill të vitit 1877 në Elbasan në një familje të pasur e arsimdashëse. Shkollimin fillestar e mori në vendlindje, ndërsa atë të mesëm – Gjimnazin në Athinë, ku vazhdoi edhe studimet e larta për farmaci. Kreu vetëm dy vjet dhe u kthye në vendlindje. Ishte shumë i vyeshëm dhe kështu punoi pa ndërprerë si autodidakt për të zgjeruar kulturën, sidomos për të mësuar gjuhë të huaja. Kryesisht iu kushtua historisë dhe kulturës shqiptare.
Thuhet se ka qenë njeri ndër njerëzit më të ditur në Shqipëri. Kështu, tërë jetën ka punuar për të mirën e atdheut dhe të popullit të tij, por në fund e pësoi nga regjimi komunist, i cili e dënoi me pushkatim (1946).
Në fillim të shek. XX (1902) organet e drejtësisë osmane e arrestuan, por, në mungesë të provave të fajësisë, e liruan. Idetë e tij politike morën formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën e shtypën në Londër më 1907. Sipas këtij programi politik, shteti i ri shqiptar, i cili do të ishte laik, do të përfshinte katër vilajetet e Perandorisë Osmane: Janinën, Kosovën, Manastirin dhe Shkodrën. Në maj 1908 udhëtoi në Filadelfia të SHBA-ve për çështjet shqiptare, të arsimit dhe të kulturës kombëtare. U kthye sërish në vendlindje dhe, i frymëzuar nga idetë e rilindësve, u bë një ndër veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit si mbështetës i alfabeteve shkodrane të Mjedës dhe Fishtës. Në këtë kohë ka filluar të japë mësim në një shkollë nate të qytetit. Pas një viti (1909) u zgjodh kryetar i Klubit “Vllaznia” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi dhe drejtoi shoqërinë “Afërdita”. Ka dhënë një kontribut të çmuar në punimet e Kongresit të Elbasanit (1909) si dhe në hapjen e Normales (1 dhjetor 1909). Më vonë ai u bë drejtor i kësaj shkolle.
Shkroi, përktheu dhe botoi artikuj të guximshëm për ekspeditat ndëshkimore të Shefqet Turgut pashës mbi popullatën shqiptare etj. Për këtë arsye u burgos dhe pushteti xhonturk e dënoi me vdekje (1910). Me ndërhyrjen e patriotëve, dënimi iu shndërrua në internim në Bursa të Turqisë. Pasi mbajti tetë muaj burg, në prill 1910 u lirua dhe u kthye në vendlindje. Menjëherë vazhdoi me botimin e gazetës ”Tomorri” (25 mars 1910), duke pasur përkrahjen e A. Xhuvanit, L. Gurakuqit, Simon Shuteriqin e Kristo Dakos. Ka shkruar me pseudonimin “Mali i Vashës”.
Më 28 nëntor 1912, Nosi ishte ndër delegatët e Elbasanit në Vlorë. Më 25 nëntor 1912, delegacioni i Elbasanit, së bashku me atë të Kosovës, iu bashkuan Ismail Qemal Vlorës. Në këtë moment të rëndësishëm janë njohur me Rexhep Mitrovicën, të cilët pastaj kanë këmbyer dhjetëra letra me njëri-tjetrin. Me Ismail Qemal Vlorën, Ilias bej Vrionin, Hajredin bej Cakranin, Xhelal bej Skraparin (Koprencka), Dudë (Jorgji) Karbunarën, Taq (Dhimitër) Tutulanin, Myfti Vehbi Efendiun (Agolli), Abas Efendiun (Çelkupa), Mustafa Again (Hanxhiu), Dom Nikollë Kaçorrin, Shefqet bej Daiun, Qemal Beun (Karaosmani), Midhat bej Frashërin, Veli Efendiun (Harçi), Elmas Efendiun (Boce), Rexhep bej Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën – Dukagjinin, Abdi bej Toptanin, Mustafa Asim Efendiun (Kruja), Kemal Beun (Mullaj), Ferid bej Vokopolën, Nebi Efendi Sefën (Lushja), Zyhdi bej Ohrin, Dr. Ali Myrtezain (Ali Struga), Nuri Efendi Sojliun, Xhemal bej Deliallisin, Ymer bej Deliallisin, Zyhni Efendiun (Kanina, Mustafaraj), Aristidh Rucin, Qazim Kokoshin, Jani Mingën, Dhimitër Zografin, Dhimitër Mborjen (Emanuil), Dhimitër Beratin, Pandeli Calen, Athanas Floqin, Spiro Iluan dhe Luigj Gurakuqin, ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë me siglën “Lef Nosi”. Ky personalitet i madh i kohës, në kujtimet e tij, midis tjerash, shkruan: “Menjëherë mbas Shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali me shokë dhe me popullin mbrapa, shkuan ne xhami dhe në kishën kryesore të qytetit të dëgjonin lutjet fetare të rastit, udhëhequr nga klerikët shqiptarë. Edhe në xhami e kishë u dukën të ngrihen dhe të valojnë dy Flamurë të Shqipërisë. Këta dy flamurë u gjenden në shtëpitë e ZZ Aristidh Ruci dhe Eqrem Vlora!”
Në qeverinë e Ismail Qemalit, caktohet në detyrën e ministrit, pra më 4 dhjetor, me votimin e dytë, ku mori 37 vota, u zgjodh anëtar i qeverisë e Ministër i Postë-Telegrafisë. Kontributi i tij në administrimin e këtij sektori është shumë i madh. Nën drejtimin e tij, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash filloi filatelia shqiptare (5 maj 1913). Në këtë kohë Lef Nosi, i cili shërbente si ministër i postës, realizoi vulën e parë postare shqiptare.
Më 28 nëntor 1913, ditën e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, nga Vlora iu drejtua nëpunësve të zyrave Postare e Telegrafike me këto fjalë: “Dita e sotme e indipendencës tonë kombëtare të cilën të huajt na e kishin grabitun që nga sot pesëqind vjet asht me e shenjta e ma e lumëta ditë për gjithë kombin shqiptar…” Nga ish-qeveritarët e përkohshëm në delegacionin prej 34 shqiptarëve, që morën pjesë në përmortjen e Franc Jozefit, ka qenë edhe Lef Nosi si përfaqësues i Elbasanit, bashkë me Imzot Nikollë Kaçorin e Hasan Prishtinën, përfaqësues të Durrësit. Ishte gjithashtu delegat i Elbasanit në grupin e gjashtëmbëdhjetë shqiptarëve që shkuan në Nojvid, të mbreti për të takuar princ Wied-in dhe për ta uruar me rastin e caktimit të tij princ i Shqipërisë. Pas largimit të princ Widit dhe ambicieve që tregonte e zhurmës që po krijonte Esad Toptani, Lef Nosi u vendos në Shkodër (1914), ku ishte edhe Aqif pashë Elbasani. Në 25 -27 dhjetor 1918, ishte delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit dhe u përfshi në qeverinë prej 14 anëtarësh të dalë prej tij së bashku me Shefqet Vërlacin dhe Ahmet Daklin.
Në 1919 zgjidhet si një nga delegatët për në Versajë, anëtar i Konferencës së Paqes në Paris perkrah me Mehmet Konicën, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën, Imzot Luigj Bumçin etj. Në vitet 1918-1919 ishte një nga drejtuesit e të përkohshmes “Kopështi letrar”, e cila dilte në Elbasan. Në kohën kur po mbahej Kongresi i Lushnjës, u ndodh jashtë vendit, por e përshëndeti me telegram. Duke qenë anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920), mbrojti me tërë energjinë e tij interesat e Shqipërisë dhe kombit të tij. Në ato vite Lef Nosi kishte letërkëmbim me mjaft personalitetet të shquara brenda e jashtë vendit, veçanërisht ne Norbert Joklin. Në vitet 1921-1923 ka bashkëpunuar me miqtë e tij të shoqërisë “Atdheu”. Ka qenë në grupin politik “As i beut as i pashës”. Me Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, u caktua kryetar i Bashkisë së Elbasanit. Pas fitores së “Legalitetit” në dhjetor të 1924, iu kushtua studimeve historike (mbledhjes dhe sistemimit të dokumenteve historike, përfshirë këtu edhe ato të Qeverisë së Vlorës e të Shpalljes së Pavarësisë, dokumente me natyrë biografike, politike-shoqërore, regjistra të vjetër të esnafëve, kronologji të ngjarjeve historike në periudha të ndryshme kohore), arkeologjisë, etnografisë, botimeve me vlerë albanologjike dhe ballkanologjike (materiale të pasura gjuhësore), mbledhjes së materialit të pasur folklorik (ciklit të këngëve të kreshnikëve, këngëve legjendare, baladave) si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë, të cilat sot ruhen në Arkivin e Institutit të Kulturës Popullore (rreth 12.000 faqe). Ka botuar, siç thamë, dokumente nga Shpallja e Pavarësisë, të cilat i ka ruajtur, nga shqetësimi se mos i humbisnin ose nga droja se mos dëmtoheshin. Shumica e dokumenteve kanë qenë në gjuhën osmane. Pra, Lef Nosi është botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte nënshkruar nga delegatët. Origjinali i dokumentit nuk gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit. Pra, merita më e madhe e kryesore për ruajtjen e dokumenteve të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, i takon Lef Nosit. Më 1924 botoi një seri broshurash me titull “Dokumente historike”, ku përfshiu gjithë dokumentet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe të shpalljes së Pavarësisë.
Lef Nosi ka pasur një letërkëmbim të pasur me personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë. Përveç me albanologun austriak, Norbert Joklin (1877-1942), ka pasur letërkëmbim me interes, edhe me studiuesen skoceze, Margaret Harsluek, e cila ka qëndruar në Shqipëri gjatë periudhës 1923-1939 etj. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Lef Nosi botoi një fletëpalosje me Dokumentin e Pavarësisë të 28 nëntorit 1912, që mbetet dokumenti më autentik i kësaj ngjarjeje madhore.
Me pushtimin italian, Nosi u internua në Itali bashkë me Mehdi Frashërin e Rauf Ficon. U kthye në atdhe me 1942. Me Ali Këlcyrën u inkuadrua në lëvizjen e Ballit Kombëtar, me bashkëdrejtuesit e të cilit do të ketë pastaj edhe mospajtime të theksuara. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur dhe neutral. U vendos për të banuar në Tiranë. Në kohën e pushtimit gjerman (tetor 1943) u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës (25 tetor 1943–25 tetor 1944), një organ kolegjial me kompetencat e kryetarit të shtetit (drejtimin e Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura, emërimin e nëpunësve të lartë të shtetit, dekretimin e ligjeve, traktateve etj.), që zëvendësonte mbretin për sa kohë ai nuk ndodhej në Shqipëri. “Regjenca nuk ka pasur lidhje me gjermanët”, ka deklaruar në gjyq Lef Nosi (1946). Sipas tij, politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve. Pra, sipas tij, Regjenca kundrejt aleatëve ka mbajtur qëndrim asnjanës. Është i njohur kontributi i Lef Nosit për shpëtimin e hebrenjve, të cilët kanë qenë të rrezikuar me jetë nga nazistët gjermanë. Pas tërheqjes së forcave gjermane dhe hyrjes së komunistëve, ndonëse kishte mundësi të largohej nga vendi, L. Nosi vendosi të qëndrojë këtu e të ndajë fatin bashkë me popullin e tij. Ishte i bindur se gjatë jetës së vet nuk kishte bërë asnjë të keqe, përkundrazi, kishte punuar dhe sakrifikuar shumë për të mirën e përgjithshme të vendit e kombit të tij. Shkoi në veri të Shqipërisë, ku u strehua bashkë me Anton Harapin. Nga tetori 1944 ndodhej në Kuvendin Françeskan, në malet e Pultit e në fshatin Kir, ku u zbulua shpejt dhe u arrestua. U dërgua në burgun e Tiranës. Në fillim të shkurtit 1946 filloi gjyqi në sallën e kinemasë “Kosova” kundër regjentëve dhe kryeministrit, duke përmendur Anton Harapin, Lef Nosin dhe Ibrahim Bushatin, të cilët u quajtën “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Kështu, “gjyqi ushtarak i Tiranës”, edhe pse i akuzuari Lef Nosi nuk ishte dhe nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak, më 12 shkurt 1946, e dënoi me vdekje, pushkatim. U ekzekutua tetë ditë më vonë (20 shkurt). Ky njeri që shquhej për cilësitë mentare deri edhe filozofinë e tij, për talentin rapsodik, për konsekuencën patriotike, dashurinë proverbiale ndaj atdheut e popullit të tij që e ka shprehur fuqishëm që nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në ngjarjet e mëdha kombëtare, si në ngritjen e flamurit (1912), u pushkatua nga regjimi komunist. Po kush pushkatohet? Një yll i madh i dijes, një yll i madh i lirisë! Një regjim që vret trurin e kombit, çfarë perspektive apo të mirash mund t’i sjellë vendit, përveç tragjedi e errësirë… Megjithatë, komunizmi nuk arriti të pushkatojë dot dritën që shkëlqeu me gjallje e me vdekje të Lef Nosit, kurdoherë me vezullime të zjarrta.
Më 17 dhjetor të vitit 2007 u dekorua nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë si një ndër veprimtarët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare, firmëtar i Aktit të shpalljes së Pavarësisë dhe një ndër krijuesit e shtetit shqiptar”, ndërsa me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë u dekorua me Urdhrin “Nderi i Kombit” me dekretin nr. 7574, datë 26 qershor 2012. Gjithashtu mban titullin “Qytetar Nderi” i Elbasanit.
Literatura: Fjalor Enciklopedik Shqiptar III, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 1854-1855;
Historia e popullit shqiptar II, ASHSH, IH, Botimet “Toena”, Tiranë, 2002, f. 508-510;
Ligjvënësit shqiptarë 1912-2017, dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Tiranë, 2018, f. 33;
Bardhosh Gaçe, Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare, Botimet Toena, Tiranë, 2012, f. 145-148);
Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912– 2005, fq. 507;
Hasan Hasani, Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, Faik Konica, Prishtinë, 2003 f. 331;
Fazli Hajrizi, Rexhep Mitrovica në Lëvizjen Kombëtare, Libri Shkollor, Prishtinë, 2008;
Eqrem Zenelaj, Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë (1699-1918), Prishtinë, 2010, f. 626;
Sinan Gashi, Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë (1453-1982), Prishtinë, 2009, f. 189;
Lef Nosi, Dokumente historike (1912-1918), Tiranë, 2007, f. 79, 80, 93, 97, 99, 103, 113, 176, 179-180, 183-184, 203-292, 303;
Hysni Myzyri, Shkolla Normale e Elbasanit, Tiranë, 2004;
Eqrem bej Vlora, Kujtime I (1885-1912) dhe II (1912-1925), Tiranë, 2001, f. 10, 21, 64, 144;
Hysen Selmani, Nga notimet e Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve, Tiranë, 2008, f. 168;
Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, “Çabej”, Tiranë, 2004, f. 88;
Shefik Osmani&Njazi Kazazi, Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike. Tiranë, 2000, f. 178;
Hajrullah Koliqi, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2012, f. 195, 312, 317;
100 vjet Pavarësi Kombëtare (Album historik), Eugen, Tiranë, 2012, f. 116-125;
Jusuf Buxhovi, Kosova nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar, Prishtinë – Houston, 2012, f. 104, 239;
Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, 2007, f. 24, 91;
Diskutim rreth këtij postimi