20 vite punë, 300 ditë ekspedita nga 15 deri 500 km secila, në 5 shtete të Ballkanit; 148 lahutarë e 197 rapsodë të regjistruar, muslimanë e të krishtërë, që me lahutën me kryet e dhisë a gjarprin (simbole të lashta ilire), mbajnë gjallë epikën legjendare të kombit.
Kjo punë me mund e mend e zemër e studiuesit të Institutit Albanologjik në Prishtinë e pruri atë si ligjërues në promovimin e librit “Wild Songs, Sweet Songs” (“Këngë të egra, këngë të buta”), publikuar në Universitetin e Harvardit.
Po çfarë e lidh Harvardin me Eposin e Kreshnikëve? Në vitet ‘30 profesori i shquar i Harvardit, Milman Perry, do të ndërmerrte një punë të jashtëzakonshme në Shqipërinë e Veriut dhe ish-Mbretërinë e Jugosllavisë për të mbledhur shembuj të Eposit shqiptar. Këto materiale do të publikoheshin në Universitetin e Harvardit në vitin 2021, pasuruar me vargje, dokumente e fotografi të tjera nën kujdesin e profesor Nicola Scaldaferrit (Universiteti i Milanos), profesorit të ndjerë John Kolsti (Universitetit i Teksasit) dhe Profesor Zymer Nezirit.
“Një pasuri e jashtëzakonshme që meriton vëmendje të shtuar…”
Prof. Neziri, e nis ligjëratën e tij me një mburrje të ligjshme, që njëherazi përbën edhe alarm. “Eposet heroike, nga Gjilbraltari në Evropën Veriore, e kanë përfunduar jetën e tyre aktive. I vetmi që gjallon ende në fillim të këtij shekulli është eposi heroik shqiptar”.
Ndaj për dy dekada (nisur në vitin 2022 kur Kosova nuk ishte ende shtet) ai studioi “Eposin e Kreshnikëve” në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut e Preshevë. Fillimisht financuar nga Ministria e Kulturës e Kosovës, puna e profesor Nezirit për për dokumentimin e traditës epike do të vijonte falë financimit të familjes së tij.
Nuk mund të mungonte kjo bujari kur bëhej fjalë për rritjen e vetëdijes për këtë pasuri shpirtërore dhe ndërgjegjësimin për të kthyer sytë kah ruajtja e saj.
“Është shërbesa ime për forcimin e identitetit tonë etnik, por edhe respekti që të gjithë duhet të tregojmë për krijueshmerinë njerëzore”, shprehet profesori.
Shqetësimi i profesorit është vëmendja e munguar për Eposin në Tiranë e Prishtinë.
“Rrudhja e repertorit do ta “vrasë” këtë pasuri të jashtëzakonshme që kemi. Finlanda e ka dokumentuar, publikuar dhe përkthyer Eposin e vet në 51 gjuhë, përfshirë atë shqipe. Tradita epike finlandeze është e krahasueshme me atë të Rugovës në Kosovë, ndërsa “Eposi i Kreshnikëve” numëron plot 600 mijë vargje të mbledhura, e megjithatë nuk ka vëmendjen e merituar”, shprehet profesori.
Atij i pëlqen të sjellë edhe një anekdotë, kur një studiues kinez e pati pyetur “se mos ka ngatërruar një zero e vargjet janë 60 mijë e jo 600 mijë”. Eposi Gesar i Kinës, një ndër më të mëdhenjtë në botë ka 1 milion vargje, dhe studiuesi i huaj shprehte habinë sesi Eposi i shqiptarëve numëronte plot 600 mijë vargje të mbledhura.
Puna sapo ka filluar …
Publikimi në Universitetin e Harvardit është një arritje për Albanologjinë, pasi do të jetë më e lehtë për studiuesit e huaj të njohin madhështinë e Eposit shqiptar, jo vetëm si vlerë kombëtare, por edhe si trashëgimi botërore.
Megjithatë, profesor Neziri e ka një dëshirë. “Nuk duhet të mjaftohemi. Me këtë koleksion duhen shkruar disertacione parë nga aspekti epikologjik, dialektologjik, morfologjik, etnokulturor, etnomuzikologjik, e të tjera”.
Aktivitetin e përshëndetën edhe prof. David Elmer nga Universiteti i Harvardit dhe prof. Nicola Scaldaferri, profesor i Etnomuzikologjisë dhe Antropologjisë në Universitetin e Milanos.
Profesor Elmeri e cilësoi publikimin “si të rëndësishëm për jo vetëm për studimin e epikës shqiptare, por edhe për studimin e traditave epike europiane në përgjithësi”. Ndërsa profesor Scaldaferri vlerësoi metodologjinë e kërkimit, një kompliment aspak i vogël në shkencë.
“… Ata që kënduekshin ndë mjedis të vashzavet e rasa të laudeve”
“Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani (1685)
Në ekspeditën e viteve ‘30 profesor Parry pati fotografuar lahutarin Ali Hyseni, fotoja e të cilit është kopertinë e librit “Këngë të egra, këngë të buta” dhe ruhet me fanatizëm në Universitetin e Harvardit. Tani, pas thuajse një shekulli, një lahutar shqiptar ulet këmbëkryq e këndon në Harvard.
Isë Elezi përcolli emocione të jashtëzakonshme përmes tingujve të kujtesës shekullore arbërore, por siç u shpreh ai në përfundim të takimit ,“është radha e të rinjve, në Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, apo gjetkë, që ta duan dhe të bëjnë më të mirën e tyre për kombin”.
Diskutim rreth këtij postimi