Është interesant fakti se përskaj shumë medreseve në rajon dhe më gjerë, por edhe fakti se Sllupçani gjeografikisht është shumë afër Shkupit, si një ish-qendër administrative e Perandorisë Osmane ku gjithmonë ka pasur medrese dhe shkolla tjera fetare, babai i tij Sulejmani ishte përcaktuar që birin e tij ta dërgojë për studime në Stamboll. Logjika thotë që sëpaku medresenë, gjegjësisht ciklin e ulët ta ketë përfunduar në Shkup dhe pastaj për shkollim të lartë ta kishte dërguar atje, por nuk ka ndodhur ashtu! Duke pasur parasysh faktin se shkollimi në një vend të largët pos tjerave është i kushtueshëm dhe me plot vështirësi, vendimi për këtë veprim na çon të mendojmë se mund të kishin ndikuar disa arsye, e para: duke pasur parasysh faktin se para tij kanë qenë dy personat e lartpërmendur në studime, ata edhe mund të kishin ndikuar te Halidi i ri apote babai i tij që si opsion më të mirë ta zgjedhte Stambollin. E dyta, mund të kishte qenë shkak krejtësisht ndonjë person tjetër, si p.sh. ndonjë dijetar me ndikim në atë kohë që të ketë ndikuar te prindërit që t’i dërgojnë fëmijët atje apo mund të ketë qenë si arsye niveli i ulët dhe i pamjaftueshëm i shkollimit në vend, për çka mund të kishin zgjedhur qendrën e Perandorisë. Jo rastësisht kemi edhe shumë dijetarë të asaj kohe, nga të gjitha trevat shqiptare, që kanë studiuar atje dhe pastaj kanë vazhduar me aktivitete në vendbanimet e veta. Përmendet nga të moshuarit se Halid Efendiu ka pasur edhe një shok me të cilin kanë studiuar bashkë në Stamboll, Mulla Ejup Gera. Sidoqoftë të gjitha këto mendime dhe supozime mbeten vetëm në nivelin e së mundshmes, por ajo që na intereson neve është ta pasqyrojmë rrugëtimin e tij të përgatitjes për misionin e shenjtë, që do ta kryej deri në fund të jetës me nderë dhe përkushtim të madh.
Sipas të dhënave gojore të familjarëve të tij, mësojmë se për shkollimin e të birit, babai i tij Sulejmani është detyruar që ta shesë një pjesë të madhe të tokës së tij. Flitet se ka shitur rreth njëqind shinik tokë apo me përmasat e ditëve tona, diku rreth tetë hektarë, dhe kjo ka ndikuar që të zvogëlohet aq shumë fondi i tokës familjare, deri në atë gjendje sa pasardhësve të vet, siç ishte vetë Halidi dhe djemtë e tij, t’i mbetej shumë pakë tokë, gjë e cila kishte ndikuar drejtpërdrejtë në gjendjen e tij financiare të vështirë që e kishte përcjellë deri në fund të jetës.
Është fakt se e gjithë elita fetare shqiptare e asaj kohe ka studiuar në Medresenë Sahn-i Seman të Xhamisë Sulltan Fatih në Stamboll. Edhe pse ka pasur edhe shumë medrese tjera në atë kohë, na bënë të besojmë se edhe Halid Efendiu të ketë kryer shkollimin dhe edukimin e tij fetar po në këtë medrese. Këtë e përforcon edhe një dokument që e kemi gjetur në arkivin e xhamisë së Sulltan Fatihut në Stamboll, ku ekziston emri i Halid Efendiut si Halid ibn Sulejman që përputhet plotësisht, sepse “Ibn Sulejman” do të thotë i biri i Sulejmanit, ku vërtetë babai i tij e ka pasur emrin Sulejman, dhe është gjetur emri i shokut të tij të studimeve Mulla Ejubit nga Presheva. Por kur bëhet fjalë për Halid Efendiun, figuron një emër tjetër i vendlindjes e jo Sllupçani apo Kumanova, gjë që nuk na lejon të jemi të sigurt plotësisht edhe pse kjo mund të jetë një gabim i bërë gjatë regjistrimit.
Sipas Lucy Mary Jane Garnett, medresetë historikisht financoheshin nga sulltanët edhe kur mësimi i gjuhës dhe kulturës islame formonin kurrikulën. Studentët që kishin diplomuar në medrese shërbenin si klasa të arsimuara, duke punuar në shërbime qeveritare dhe fetare. Më 1904 çdo qytet provincial kishte nga një medrese, kurse Stambolli kishte 100 prej tyre.
Sipas Garnett, ’medresetë ngjajnë në disa aspekte në universitetet e Evropës Perëndimore ashtu siç kanë ekzistuar në ditët mesjetare’. Garnett arriti në përfundimin se nuk mund të mohohet se medresetë kanë bërë shërbim të mirë në kohën e tyre, për shkak të maturantëve të shquar që kishin dalë prej tyre. Aty rreth vitit 1904, pasuritë, objektet dhe përfitimet e mirëqenies së medreseve ishin në rënie, ku edhe rëndësia e tyre ishte në rënie gjithashtu.
Medreseja Sahni-i Seman ose Semanije (që ka kuptimin tetë oborret) është një kompleks medresesh osmane të shekullit XV në Stamboll, e cila që nga fillimi ka qenë pjesë e xhamisë së Sulltan Fatihut. Ka qenë një institucion i arsimimit të lartë të shkencave të ndryshme siç është teologjia, jurisprudenca, medicina, astronomia, fizika dhe matematika dhe ishte e themeluar nga astronomi Ali Kushji i cili ishte i ftuar nga Sulltan Fatihu në gjykatën e tij në Stamaboll. Në shekullin XVIII medreseve iu është larguar dega e inxhinierisë, kurse në shekullin XIX edhe drejtimet tjera, duke ua lënë vetëm drejtimin teologjik, që për pasojë medresetë e humbin rëndësinë që kishin.Çdo ditë e më shumë ulej interesimi i studentëve për studime në ato medrese. Kjo medrese e famshme ka punuar me sistemin e vetë tradicional deri në vitin 1924, ku edhe Republika e re sekulariste turke nën udhëheqjen e Qemal Ataurkut, e ka mbyllur me anë të ligjit Tevhid-i Tedrisat, në përpjekje për ta kufizuar arsimimin Islam. Në atë medrese kanë ekzistuar tetë shkallë të shkollimit, gjithashtu çdo student ka marrë mësime nga tetë profesorë. Studentët e shtatë shkallëve të para janë quajtur suhter ose softa,përderisa shkalla më e lartë është quajtur sipas një emri nderi, danishman apo njeriu i mësuar (dijetarë). Të diplomuarit kanë mundur të bëhen profesorë medresesh -myderrizë apo gjykatës-kadijë.
Sa i përket kohëzgjatjes së shkollimit të Halid Efendiut në nxjerrë të dhëna të ndryshme nga të intervistuarit, si p.sh. 8vjet, 15 vjet, dhe 16vjet , mirëpo duke u bazuar në sistemin e funksionimit të kësaj medreseje prej tetë shkallëve apo niveleve të studimit, del se kohëzgjatja e studimeve në këtë medrese ka qenë 8 vjet. Nëse bazohemi te viti ikthimit nga Stambolli, që lë të kuptohet nga gojëdhënat se ka qenë viti 1893/94, atëherë duhet shtuar edhe disa vite plus të qëndrimit të tij në Stamboll, përshkak se nuk përputhet me moshën mesatare të një studenti për arsye se i bie se ka filluar me studime diku në moshën 27-vjeçare, gjë që nuk është përmendur askund se aq vonë të kishte filluar studimet. Informacioni se ka qëndruar 16 vjet mund të jetë edhe i saktë, sepse zakonisht hoxhallarët e asaj kohe në Stamboll kanë vazhduar me studime më të avancuara ose kanë punuar si profesorë apo kanë shërbyer për disa vite si imamë nëpër xhami të ndryshme të Stambollit. Këtë tezë e mbështetë edhe fakti se në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, politikat reformuese kanë ndikuar që të bie interesimi për të studiuar në shkollat fetare përballë atyre të shkencave natyrore dhe ushtarake, ka gjasa që këtë zbrazëtirë shpesh ta kishin plotësuar studentët e rinj të dalë nga këto medrese.
Vazhdon….
Diskutim rreth këtij postimi