Sipërfaqet e mëdha të tokave punohen gjithnjë edhe më pak dhe shërbimet mjekësore dhe arsimimi fëmijëve përballen me sfida. Studiuesit e demografisë vlerësojnë se dukuria e emigrimit të të rinjve po sjell gjithnjë e më shumë shpopullimin dhe plakje të popullsise në Shqipëri, sidomos në fshatra.
Kuta është një fshat panoramik i Mallakastrës me sipërfaqe të mëdha bujqësore që shtrihen buzë Lumit Vjosa. Nga rreth 500 familje që kishte pesë vite më pare, fshati tani ka mbetur me 150 familje. Pjesa dërrmuese e të rinjve janë larguar në emigrim, ndërsa një grup i vogël të moshuarish qëndrojnë në qendrën e fshatit.
Shumica e të moshuarve janë ish-traktoristë që kujtojnë me nostalgji se fusha punohej dikur dhe merrej prodhim i lartë, sidomos në drithëra.
Muharrem Seranaj rreth të shtatëdhjetë e pesave thotë se fshati po braktiset nga të rinjtë dhe këtë e tregon edhe shkolla nëntëvjeçare e cila kishte rreth 300 fëmijë dhe tani ka rreth 60 së bashku me fëmijët e kopshtit dhe rrezikon të mbyllet.
“Jemi shumica pleq dhe s`ka kush e punon tokën. Ska të rinj. Kush do vejë, kush do t`i mbushë thasët me grurë dhe kush do i punojë, misri do punë të tjerat duan punë”, thotë ai.
Bujar Haxhaj ndonëse në pension punon me traktorin e tij në tokat e bashkëfshatarëve, por pret që banorët të marrin pensionin dhe ta paguajnë.
“E kam rritur çmimin e punimit të tokës nga 10 mijë që ishte, është bërë 15mijë frezimi, kush do ta paguaj? Kemi shkruajtur emrat atje, kur të marrin pensionin do të na i japing paratë”, thotë ai.
Bujari thotë më tej se çmimet e rritura të plehrave organikë nuk e justifikojnë prodhimin.
Shumica e tokave në këtë stinë kanë gjelbërim natyror apo janë të mbjella me hasëll për bagëtinë, thotë ai pasi nuk arrijnë të punohen.
Nje pjesë e banorëve merren dhe me prodhim vaji ulliri, por edhe atë nuk arrijnë ta shesin pasi nuk gjejnë dot treg.
Haxhi Brahimaj, një tjetër i moshuar thotë se problemi më i madh për ta është mungesa e shërbimit mjekësor dhe ata duhet të shkojnë në Fier rreth 60 km për t`u vizituar apo marrë ilaçe.
“Iku doktori në Gjermani, iku dhe një doktor tjetër që kishim më parë. Tani ka mbetur vetëm një inferimiere dhe ajo do dalë këtë vit në pension. Shkoj në Fier për tu vizituar dhe marrë ilaçet tek doktori. I kam kalur 81vitet”, thotë ai.
Kuta njihet në Shqipëri për rezistencën kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit në lumin Vjosë. 6 vite më parë banorët zhvilluan protesta të vazhdueshme dhe Gjykata Administrative e shpalli në maj të 2017 të pavlefshëm koncesionin shqiptaro-turk për ndërtimin e Hidrocentralit.
Ismail Myrtaj që i ka kaluar të tetëdhjetat thotë se ende është shqetësim se ndërtimi i hidrocentralit nëse do bëhej do e përmbytë fshatin dhe rreth 2.500 hektarë tokë. Tani që edhe të rinjtë ikën kryesisht në Angli dhe Itali është më vështirë që ato toka të mbrohen e të punohen, thotë ai.
“Për ne kështu është se na prishet toka, na prishet bujqësia.Me ato jetonin të parët tanë me ato përpiqemi të jetojmë edhe ne sot”, thotë ai.
Valbona Duri, profesore e demografisë në Universitetin e Gjirokastrës thotë se dukuria e emigrimit po sjell shpopullimin dhe mplakje të popullsisë sidomos në fshatra.
“Largimet e popullsisë ose mosprezenca e popullsië ashtë ajo që nuk sjell dinamikë zhvillimi në territor. Sa më pak popullsi ,më pak kërkesa, më pak zhvillim. Nëse do t`u referohemi shifrave dhe fakteve në hapësirat rurale që kanë vuajtur më shumë dhe e kanë ndier më shumë peshën e emigrimit është në to mbetja e popullsisë së mplakur duke bërë që këto fshatra të karakterizohen nga dukuria e një shpopullimi të dukshëm dhe të ndjeshëm”, thotë Valbona Duri, profesore e demografisë në Universitetin e Gjirokastrës.
Largimi i të rinjve ul lindshmërinë dhe sjell mjaft pasoja të tjera në këto fshatra, thotë zonja Duri. Sipas saj duhen masa efikase konkrete për ta ndryshuar këtë situatë.
“Nevojiten të hartohen politika por jo vetëm politika të përgjithshme, por politika specifike për nxjerjen nga kjo situatë e hapësirave rurale por që tashmë bëhet fjalë jo vetëm për to por edhe për gjithë vendin”, thotë ajo.
Pak vite më parë Kuta luftonte për të mbrojtur tokën nga përmbytjet e hiderocentralit dhe të rinjtë lidhnin veten me zinxhirë në protestat që mbanin, por tani fshati është në një sfidë të re për të punuar dhjetëra hektarë sipërfaqe bujqësore pasi shumica e të rinjve ikën jashtë vendit.
Diskutim rreth këtij postimi