Simpoziumi shkencor “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, mbajtur më 8.9.2018, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, tuboi studiues nga shumë vise e, ndër to, edhe nga Italia e Polonia, dy epikologë të njohur, prof. dr. Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferrit) dhe prof. dr. Rigels Halili. Redaksia i ka renditur kumtesat për botim sipas këtyre fushave: histori, gjuhësi, hulumtime kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe në Universitetin e Harvardit, pasqyrime të hulumtimeve kërkimore-shkencore të dorëshkrimeve të epikës gojore shqiptare në fondet arkivore të Harvardit, si dhe të tjera.
Ky vëllim hapet me kumtesën nga fusha e historisë, mbajtur nga mr. Ismet Azizi, “Sanxhaku i Pazarit të Ri në fokusin e historisë”. Autori thekson që në fillim se Sanxhaku gjendet në qendër të Gadishullit Ballkanik dhe ka pozitë jashtëzakonisht të mirë gjeografike dhe gjeostrategjike. Sanxhaku, ose saktësisht Sanxhaku i Pazarit, ka popullsi shqiptare dhe shqiptare të boshnjakizuar, si dhe një pakicë të popullsisë sllave. Popullsia shumicë ka tradita të trashëguara nga lashtësia ilire-arbërore: të folmen, veshjen, doket, ritet, mitet, festat e motmotit, lojërat, vallet këngët ku veçohen këngët e Eposit të Kreshnikëve dhe lahuta, që tashmë janë të njohura për opinionin botëror. Sanxhaku, vazhdon ai, sot u takon dy shteteve, Serbisë dhe Malit të Zi, i cili, në vitin 1790, ishte në kuadër të Vilajetit të Kosovës. Sipas studiuesit Ejup Mushoviq, pohon autori, ky rajon që nga lashtësia ka qenë i banuar nga ilirët. Pas gjendjes së krijuar, Sanxhaku, që nga viti 1913, mbeti i ndarë nga Kosova. Sanxhakasit, edhe pse të pushtuar nga Italia dhe Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, këtë kohë e përjetuan si çlirim, duke shpresuar se do t’i bashkohen Shqipërisë etnike, përfundon ai.
Nga fusha e gjuhësisë pason kumtesa e prof. dr. Rexhep Doçit, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, ndër studiuesit tanë më të dalluar në fushën e onomastikës, “Onomastika shqiptare – boshnjake e Sanxhakut të Pazarit të Ri, sipas këngëve të Koleksionit të Millmen Perit në Universitetin e Harvardit”. Këngët popullore të trimërisë së hershme të Koleksionit të M. Perit nga ana e Sanxhakut të Pazarit të Ri, thekson ai, shihet se janë këngë shqipe të kënduara nga lahutarë shqiptarë të atij krahu dhe janë përkthyer në serbisht. Në këto këngë të përkthyera janë përdorur kryesisht trajtat shqipe. Toponimet e atjeshme ilire janë dëshmi e vijimsisë shqiptare në ato vise, kurse për ruajtjen e emrit ilir Teutë, oikonimi i sotëm Tutin dëshmon për një fortifikatë të atyshme. Por, gjendja e sotme, thotë ai, dëshmon se shumica e katundeve shqiptare të Rrafshnaltës së Peshterit janë shkombëtarizuar, sidomos në këto njëqind vjetët e fundit, duke e humbur gjuhën e vet. Autori e mbyll këtë kumtesë me pohimin se popullit shqiptar është populli më i moçëm evropian me prejardhje pellazge-ilire-thrakase, prejardhje kjo për të cilën ai ka shkruar 10 vepra shkencore onomastike-gjuhësore-
Kumtesa vijuese është e prof. dr. Rigels Halilit, epikolog nga Universiteti i Varshavës, i cili në fillim të këtij mijëvjeçari ka kryer hulumtime kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri, “Epika heroike legjendare në Sanxhakun e Pazarit-një krahasim midis kërkimeve të Parry-it e Lord-it dhe gjendjes së sotme”. Sanxhaku, pohon autori, mund të quhet një nga laboratorët më të gjallë të traditës gojore të këngës epiko-heroike në Ballkan gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesi lokal Rexhep Shkrijel (me origjinë nga fshati Boroshticë, i cili banohet tërësisht me popullatë me prejardhje nga fisi i Shkrelit) dhe disa mësues në Novi Pazar ishin të vetëdijshëm për ekzistencën dhe mjeshtërinë e Salih Uglaninit, thotë ai. Pos këngëtarit Smaka Bibiq, shembull i gjallë i vazhdimësisë së dygjuhësisë shqiptaro-boshnjake në Peshter, autori përmend edhe lahutarin Remo Gorçeviq (Gorçaj), por, mund të thuhet se tradita gojore sot në Sanxhak po shkon drejt humbjes tërësore, thotë autori, për shkak të ndryshimeve të strukturës shoqërore, migracionit masiv të brendshëm dhe të jashtëm, të ndryshimeve modernizuese, sidomos zhvillimit të sistemit shkollor të kontrolluar nga instanca shtetërore dhe mungesës së kujdesit të institucioneve kulturore për traditën e këngës së lahutës.
Kumtesa tjetër e hulumtimeve kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri, në fillim të këtij mijëvjeçari, është edhe ajo e dr. Harun Crnovershaninit, “Lahutarët e njohur të Sanxhakut, me vështrim të posaçëm për lahutarin Xhemajl Arnautoviqi (1925-2017)”. – Me zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të boshnjakëve në mes të shekullit XIX, u shfaq një valë e veprimtarisë kulturore të lahutarëve në formën e krijimeve epike nga Sanxhaku, e më i famshmi ndër ta ishte Qorr Hysi (Qor Huso Husoviq), nga Kolashini, thotë autori. Pas Luftës së Dytë Botërore, secila komunë e Sanxhakut kishte dhjetëra lahutarë të shkëlqyeshëm. Ai shkruan edhe për një lahutar të Sanxhakut, Xhemail Arnautoviq, i lindur në vitin 1925 në fshatin Milijesh të Pribojit, që kishte botuar 11 libra dhe kishte shkruar 25 000 vargje, kurse boshnjakët në Suedi e kanë quajtur “Kalorës dhe Hero nga Sanxhaku i zemëruar”. Në vitet 1962-1965, ai kishte mbledhur emrat e të vrarëve gjatë gjenocidit çetnik në Luftën e Dytë Botërore. Kështu, gjatë hulumtimit të hollësishëm, Xhemajl Arnautoviqi kishte mbledhur emrat dhe mbiemrat e 2 473 viktimave boshnjake, përfundon autori.
Kumtesa e studiuesit arbëresh prof. dr. Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri) nga Universiteti i Milanos është rezultat i hulumtimit të tij kërkimor-shkencor në fondet arkivore të Universitetin të Harvardit, Koleksioni i Letërsisë Gojore të Millmen Perit (Milman Parry). “Muji dhe Gavran Kapetani”, nga Salih Ugljanini (Salih Uglla). Vërejtje për performancën muzikore”: – Millmen Peri kishte projektin paraprak, ku ende nuk përmendej epika shqiptare, e pastaj materialet e tij përfshijnë një korpus epik me më shumë se 100 këngë e me mbi 22 000 vargje, që u përkisnin repertorëve të rreth dyzet këngëtarëve, thotë autori. Aty kemi regjistrimin e parë të një kënge të tërë epike shqiptare dhe këngën më të gjatë shqipe, të dyja të pabotuara. E para është “Muji dhe Gavran Kapetani”, e kënduar nga Salih Uglla, ndërsa e dyta është “Sirotin Alia”, me 2163 vargje, e diktuar nga Adem Brahimi. Këngëtari Salih Uglla, një nga figurat qendrore të brezit të tij të këngëtarëve, deri në moshën tridhjetë vjeç këndoi vetëm në gjuhën shqipe. Në këngën “Muji dhe Gavran Kapetani”, me 236 vargje, Salih Uglla përdor vetëm tre melodi të shkurtra (ose, më saktë, modele melodike), secila prej të cilave ka pozicionin dhe funksionin e vet të saktë, pohon ai. Këngët boshnjake të Salihit ofruan elementë të rëndësishëm për zhvillimin e Teorisë së Formulës. Ai ishte i njohur për studiues, si Matija Murko dhe Alois Schmaus. Rasti i tij është shumë interesant dhe tregon se sa të ndërlikuara ishin lidhjet etnike dhe kulturore në atë zonë në atë kohë, përfundon autori.
Edhe kumtesa e profesorit të folkloristikës dhe studiuesit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Zymer U. Neziri, “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri në Koleksionin e Millmen Perit”, është po ashtu rezultat i kërkimeve të tij në Harvard, në Koleksionin e Letërsisë Gojore të Millmen Perit (Milman Parry): – Projekti i M. Perit (Milman Parry) është hartuar më 1933 dhe, në kuadër të tij, është realizuar edhe poezia popullore gojore shqiptare, nga lahutarët shqiptarë në Sanxhak të Pazarit: Salih Uglla, Avdo ose Avdullah Ferizi, Sulejman Makaj, Ali Fulani, Xhemajl Zogaj, Shaban Nuhoxha, si dhe Fatime Arifi, rrethina e Prizrenit, si dhe Ethem Hasani dhe Hamdi Murati, nga Prilepi i Pelagonisë. Dy më të mirët ishin Salih Uglla e Avdo (Avdullah) Ferizi dhe konsiderohen ndër Homerët e fundit në Evropë. Dëshmitë se lahutarët shqiptarë dygjuhësorë nuk janë sllavë, duhet pranuar, pra: deklarimi i tyre për përkatësinë etnike shqiptare, plisi i bardhë shqiptar, mbiemri pa prapashtesën boshnjake – viq, leksiku shqip në këngët boshnjakisht dhe sintaksa e përmbysur boshnjake, prandaj duhet të rishikohet edhe emërtimi i Koleksionit. A. Llordi solli edhe dëshmi shumë të rëndësishme në Harvard se këngët e kreshnikëve i këndojnë njësoj lahutarët shqiptarë të dy besimeve, ndërsa Koleksioni i Perit mbetet kryevepër arkivore e eposeve heroike të Ballkanit dhe renditet ndër kryeveprat arkivore botërore të letërsisë gojore.
Në kreun Pasqyrime është renditur kumtesa e studiuesit dhe e kandidatit doktor i shkencave të filologjisë, mr. Fitim Veliu, për hulumtimet kërkimore-shkencore të dorëshkrimeve të epikës gojore shqiptare në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit: “Kryelahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, Salih Uglla dhe Avdullah Ferizi, në studimet e deritashme të profesor Zymer Nezirit në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit”: – Në këtë kumtesë për studimet e deritashme të Zymer Nezirit, autori flet për punën e tij kërkimore-shkencore në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit, në vitet 2002, 2007 e në vijimësi. Ajo, pohon ai, ka si esencë trajtimin poetik të këngës epike në studimet e tij, në një rend substancial të kërkimit të këngëtarit, këngës dhe dëgjuesit (lexuesit), pra një trinom që shënjon poetikën teorike dhe retorikën pragmatike, dy fusha të dijes që Z. Neziri suksesshëm i inkorporon në tekstet e tij, për ta dhënë eposin si dije e dëshmi dhe, në fund, si bindje, pra, retorikë të argumentuar. Punimi i tij heton këtë idiomatikë në studimet e Z. Nezirit, në relacionin trinomik këngë, këngëtar dhe lexues, që, sipas tij, janë shenja themelore të epopesë si zhanër.
Në kreun Të tjera, Redaksia ka renditur dy kumtesa të mbajtura në këtë simpozium shkencor për lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri. E para ka të bëjë me shqyrtimin paralel të baladës boshnjake të vëllezërve Moriqi me vëllezërit Kastrati të Malësisë së Madhe, ndërsa kumtesa e dytë është një paraqitje e jetës dhe e repertorit të lahutarit të krahinës së Hasit, Jemin Zeneli. Kumtesa e profesorit dhe studiuesit të njohur të folkloristikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Adem Zejnullahu, është “Tragjika e vëllezërve Kastrati dhe vëllezërve Moriqi në dy balada historike”. – Balada shqiptare e vëllezërve Kastrati dhe balada boshnjake e vëllezërve Moriqi, në rrafshin semantik, informativ e artistik janë krijime poetike që kanë pikëtakime të shumta, por kanë edhe karakteristika të veçanta kombëtare të shtresimeve të ndryshme etnopsikologjike, ambientore, të cilat, po ashtu, i shquajnë për disa veçori të theksuara, thotë autori. Te kënga shqipe, motra, duke u hakmarrë, shëron një plagë, por hap një tjetër të pashëruar për tërë jetën e saj. Në baladën boshnjake, nëna i kërcënohet Dizdar agës se do të hakmerret ndaj tij dhe Sulltanit. Kënga shqiptare e vëllezërve Kastrati dhe balada boshnjake e vëllezërve Moriqi kanë lindur dhe janë zhvilluar pavarësisht nga njëra-tjetra në kohë e hapësira të ndryshme, por në rrethana të caktuara shoqërore, ekonomike, nacionale, sociale, politike, kulturologjike e historike, përfundon autori.
Mbledhësi i dalluar i folklorit shqiptar dhe botuesi i tij, sidomos i epikës heroike legjendare, studiues i njohur i disa fushave të albanologjisë, prof. asoc. dr. Shefqet Hoxha, ka këtë kumtesë për rapsodin e Eposit të Kreshnikëve, Jemin Zeneli: “Jemin Zeneli (Ukperaj), bartës i njohur i Eposit të Kreshnikëve të Hasit”. – Krahinat e Kukësit (Lumë, Has, Malzi, Fand) ruajnë tradita të pasura folklorike, në mes tyre edhe Eposin e Kreshnikëve, i cili ka qenë më i pasur në krahinën e Hasit, thotë autori. Në këtë krahinë, si vegël muzikore përdorej edhe lahuta, me të cilën rapsodët shoqëronin këngët e ciklit të Mujit dhe Halilit. Jemin Zeneli, Ukperaj, është bartësi më i njohur (ndoshta jo më cilësori, por me një repertor të gjerë) në Hasin e Brijës, në gjysmën e dytë të shek. XX, pohon ai, që nuk dinte të lexonte dhe të shkruante, por që zotëronte talent natyral, mençuri, kujtesë të fortë dhe ndjeshmëri delikate. Ai ishte ndër këngëtarët e njohur në Has, nga i cili ka mbledhur dhjetëra këngë historike dhe këngë të Eposit të Kreshnikëve. Prej tij, autori ka shënuar dhe botuar 14 këngë të Eposit të kreshnikëve dhe 28 këngë historike.
Ky libër, i hartuar sipas standardve shkencore, me rezyme edhe boshnjakisht e anglisht, është ndihmesë e vogël për krahinën e Sanxhakut të Pazarit të Ri, dikur pjesë e Kosovës, e sot i ndarë dysh ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Banorët e tij janë përfshirë në projekte shtetërore edhe për zhvendosje në Turqi, sidomos në kohën e Kralit, kur këtu bënin kërkime për Eposin e Kreshnikëve studiuesit e Universitetit të Harvardit dhe ku, për fat të mirë, takojnë Homerët e fundit të Evropës. Trajtimi i keq ndaj këtyre banorëve ka vazhduar edhe në kohën e Titos, prandaj sot jetojnë të zhvendosur në vende të ndryshme, një pjesë e madhe e tyre në Turqi, në Evropën Perëndimore e gjetiu. Ky libër, besoj se sadopak do t’u ndihmojë të gjithëve që ta njohin të kaluarën e vet të lavdishme të etnokulturës, që ruhet në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit.
Diskutim rreth këtij postimi