I biri i Sherif Brahimaj i vrar në kolonën e refugjatëve në Husaj më 18 prill 1999, studiuesi i historisë
Dren Sh Brahimaj
shkruan recenzion mbi vepren time “Shtigjet e përgjakura”. Falënderit shumë Dren !
UNIVERSITETI I PRISHTINËS “HASAN PRISHTINA”
FAKULTETI- FILOZOFIK
DEPARTAMENTI- HISTORI
Recension
Libri: Shtigjet e Përgjakura
Autor: Ali Daci
Mentor:
Prof. asoc. Dr. Bujar DUGOLLI
Punoi Ba.Dren BRAHIMAJ
Pejë, 2021
Recension
Aktivisti i çështjes kombëtare, Ali Daci, ka dhënë një kontribut të çmuar në grumbullimin, sistemimin, dokumentimin e fakteve dhe intervistimin e njerëzve të cilët ishin dëshmitarë okularë të masakrave që ndodhën në kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi në pranverën e vitit 1999. Gjatë intervalit kohorë mes prillit dhe majit në fshatërat e Malësisë së Rozhajës u vranë nga forcat ushtarake serbo-malazeze 21 shqiptar. Libri i Ali Dacit – “Shtigjet e Përgjakura” ka vlerë historike dhe përmes tij lexuesi i sotëm kupton politikën shoveniste të Serbisë.
Në pjesën e I-rë autori na njehë me situatën që kishte filluar të përshkallëzohej në Kosovë gjatë vitit 1998 dhe përgaditjet që kishin filluar të ndërmerrnin shqiptarët e Rozhajës dhe Malit të Zi për ndihmën që mund t’iu bënin të përndjekurve nga shtëpitë e tyre. Me 13 mars 1998 ishte mbajtur një protestë paqësore në Qendrën për Kulturë në Rozhajë, ku nga organizuesit e kësaj proteste dënoheshin ashpër krimet që po kryheshin në Kosovë nga regjimi serbë. Gjatë kësaj periudhe, LD në Mal të Zi kishte hapur për herë të parë zyren e saj në Rozhajë në maj të vitit 1998, aktiviteti i saj politik do të pushojë përkohësisht, ngase lufta në Kosovë po krijonte rrethana të reja. Kjo degë do të shëndrrohej në një Këshill Emergjent, i cili do të përkujdesej për pritjen, strehimin dhe informimin e refugjatëve nga Kosova. Këshilli i Emërgjencës në vazhdimësi përmes mjeteve të komunikimit njoftonte opinionin e gjerë në Mal të Zi dhe Evropë për çështjet me të cilat po bërballeshin refugjatët të cilët detyroheshin të iknin për t’iu shpëtuar reprezaljeve të policisë dhe ushtrisë serbe. Në këtë pjesë janë të paraqitura letrat të cilat Këshilli i Emergjencës i’u kishte drejtuar autoriteteve në Prishtinë, Këshillave emergjente në Perëndim për t’i njoftuar me situatën por edhe për të kërkuar ndihmë materiale për numrin e madhë të refugjatëve të cilët dita e ditës vetëm sa shtoheshin. Përveç strehimit, ky Këshill u përkujdes edhe për regjistrimin e nxënësve nga Kosova në shkollat e Rozhajës.
Në pjesën e II-të përshkruhen lajmërimet dhe njoftimet që kishin bërë antarët e Këshillit Emërgjent dhe mediat malazeze për masakrën që kishte ndodhur në fshatin Husaj. Po ashtu janë të shkruara biografitë e shkurtëra të të vrarëve në Malësinë e Rozhajës dhe janë përshkruarë vrasjet e tyre sipas interpretimit të dëshmitarëve që i kanë mbijetuar sulmeve, rrahjeve, e burgosjeve nga ushtria serbo-malazeze. Në Hajlë u vranë: Sokol Lajçi, Ramë Lajçi, Tane Husaj dhe Ramiz Brahimaj. Ndërsa nga prita e organizuar prej ushtrisë serbe në fshatin Husaj nga sulmi mbi kolonën e refugjatëve mbetën të vrarë: Labinot Kastrati, Milazim Pelaj, Nemka Brahimaj, Rexhep Brahimaj, Mursel Brahimaj dhe Sherif Brahimaj. Në Bukel të Sipërm mbetën të vrarë Afrim Xhuraj dhe Selim Kelmendi. Aksioni i ushtrisë serbe për vrasjen e refugjatëve shqiptar që vinin nga Kosova vazhdoj edhe në Fushën e Gilit dhe në fshatrat përreth ku mbetën të vrarë: Faruk Murati, Arif Arifaj, Mehmet Rexhaj, Ajet Rexhaj, Hetem Rexhaj, Musë Rexhaj, Arif Hysenaj, Muhamet Blakaj dhe Sadik Ramçaj.
Në pjesën e III-të njoftohemi me dëshmit autentike të cilat i kanë rrëfyer të mbijetuarit e masakrave, të kryera në zonën e Malësisë së Rozhajës në pranverën e vitit 1999 nga ushtria serbo-malazeze. Pra, janë të përmbledhura dëshmit e dëshmitarëve: Bajram Shala, Besim Azemaj, Haxhi Ahmeti, Musa Daci, Gani Nikçi, Halil Brahimaj, Musa Lajçi, Hatmane Bajraktari, Dafina Ahmeti, Shpresa Zogaj, Lindita Kastrati, Hysen Lajçi, Ali Beqiraj, Smajl Ahmetaj dhe Arben Rexhaj.
Në pjesën e IV-të janë të paraqitura të gjitha kallëzimet penale të viteve 2005 – 2007, të cilat Komiteti Malazias i Juristëve për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeiut nga Rozhaja i kishte ngritur. Këto kallëzime penale erdhën pas hulumtimeve dhe kërkimeve shumëvjeçare për krimet e luftës ndaj banorëve civilë, të cilat janë bërë gjatë gjysmës së parë të vitit 1999, ku janë fituar fakte dhe prova të pamohueshme se krimet në fjalë janë bërë nga pjesëtarët atëhershëm të Ushtrisë Jugosllave.
Në pjesën e V-të shohim se janë të përmbledhura të gjitha deklaratat e refugjatëve nga Kosova dhënë Këshillit të Emergjencës, ku përshkruhen kushtet në të cilat janë detyruar ta lënë Kosovën. Po ashtu në këto deklarata të marra gjatë muajve mars-qershor 1999 janë të shtjelluara edhe kushtet e refugjatëve në Rozhajë, financimi, ndihmat, organizmi e përditshmëria e tyre. Këshilli Emërgjent kishte lidhje edhe me DW të cilën e informonte herë pas here me gjendjen në Rozhajë.
Në pjesën e VI-të paraqiten të gjitha shkrimet e publikuara në gazeta të avokatëve dhe aktivistëve të shoqërisë të cilët ngritën zërin për të kërkuar drejtësi dhe denim meritor për kryesit e këtyre krimeve makabre ndaj civilëve shqiptar. Në këtë pjesë është e paraqitur edhe aktakuza e ngritur nga Prokuroria Supreme Shtetërore e Malit të Zi me 30 korrik 2008.
Libri “Shtigjet e Përgjakura” e autorit Ali Daci i ka dhënë një kontribut të madhë dokumentimit të krimeve të kryera nga ushtria serbo-malazeze në territorin e Malit të Zi në pranverën e vitit 1999. Dëshmit dhe faktet e përmbledhura në këtë libër janë të pakontestueshme dhe tregues të qartë të synimeve të politikës së regjimit serbë të ndjekur gjatë viteve 90-ta të shekullit XX.
Diskutim rreth këtij postimi