Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti në një takim studiuesin dhe publicistin Prof. Ismet Azizi, i njohur për veprimtarinë e tij kërkimore dhe shkencore, veçanërisht në fushën e historisë dhe trashëgimisë së Sanxhakut.
Gjatë takimit u bisedua për rëndësinë e promovimit të dijes, kulturës, vlerave shpirtërore dhe mendimit shkencor në hapësirën shqiptare, si dhe për rolin që luajnë institucionet kulturore dhe fetare në ruajtjen e identitetit dhe kujtesës historike.
Myftiu Tërnava prezantoi para mysafirit veprimtarinë botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila ndër vite ka dhënë kontribut të rëndësishëm në pasurimin e literaturës fetare, kulturore dhe shkencore në gjuhën shqipe. Po ashtu, ai e njohu Prof. Azizin me projektet e ardhshme në fushën e botimeve, të cilat synojnë të forcojnë kulturën e leximit dhe zhvillimin e mendimit shkencor në shoqërinë tonë.
Nga ana e tij, Prof. Azizi prezantoi aktivitetet kërkimore dhe botuese që ka zhvilluar ndër vite, si dhe veprimtarinë e Organizatës “Kosova për Sanxhakun”, e cila prej më shumë se një dekade punon për forcimin e lidhjeve kulturore, historike dhe njerëzore ndërmjet Kosovës dhe Sanxhakut.
Në takim u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që promovojnë dijen, kulturën dhe vlerat shpirtërore, si dhe nevoja për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si pasuri e përbashkët e popullit tonë.
Prof. Ismet Azizi shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për pritjen e ngrohtë dhe mikpritjen e treguar nga Myftiu Naim ef. Tërnava dhe Bashkësia Islame e Kosovës, duke vlerësuar lart kontributin e këtij institucioni në promovimin e dijes, botimeve shkencore dhe kulturës shqiptare.
Takimi u përmbyll në frymën e respektit të ndërsjellë dhe me gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në projekte që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, promovimin e dijes dhe forcimin e urave të mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve në rajon.










Discussion about this post