Sabit JAHA, Prishtinë
Në vend të nekrologut
( Zejnullah Halili 1945 – 2004 )
(Me rastin e 20 – vjetorit të kalimit në amshim)
Diku, në përmbyllje të vitit (2023) që sapo e linim pas, miku im dhe juaji z. Vilson Culaj më bëri një telefonatë (në stilin apo mënyrën: alo…alo), ku pas përshëndetjeve të zakonshme, m’u drejtua me një kërkesë për të thënë (kupto për të shkruar) për Një Mik Tonë të përbashkët – krijuesin letrar – Zejnullah Halilin, i cili më 24 shkurt 2024 mbush plot 20 vjet që kaloi në amshim e që na e la një kolanë prej 21 veprash letrare, kryesisht për fëmijë: vjersha, tregime, poema, novela, dhe romane.
Thënë të drejtën, mbase të vërtetën, në fillim, me të kuptuar se për çka e ç’farë bëhej fjalë – kërkesa e zotit Vilson, disi u gjenda gand, duke pasur parasysh atë se, megjithatë ia vlen të (për)kujtohet ky krijues letrar, mik imi, i Vilsonit si dhe gjithë atyre që bashkëpunuan apo që vetëm e njohën atë, për altruizmin e tij shembullor dhe të pashoq. Në fillim, sikur vrava mendjen tek një sugjerim a testament i Lasgush Poradecit, i cili pati thënë dikur: ,,Poetët duhet t’i (ri) kujtojmë vetëm në përvjetorët e tyre të lindjes e assesi në përvjetorët e vdekjes!’’, kishte thënë Lasgushi pareshtur, gjë që për këtë, ma thotë mendja, kishte plotësisht të drejtë ai, ngase poetët janë të pavdekshëm, gjë që meritojnë të (ri)kujtohen vetëm në përvjetorët e tyre të lindjeve.
Megjithatë, prapë sikur “nuk doja” të përfillja porosinë a këshillën e poetit Lasgush Poradecit, autor i dy veprave – perla të letërsisë shqipe: ,,Vallja e yjeve‘’ dhe “Ylli i zemrës‘’ i cili nuk arriti as deri në moshën e tij gati 100 vjeçare ta kurorëzonte opusin e tij letrar edhe me dy veprat e parapara poetike
,,Zemra ime’’ dhe ,,Ime shoqe‘’- diademë e katër rrathëve koncentrikë, ashtu siç e kishte planifikuar t’i ndërlidhte njërën vepër me tjetrën (shih: “Vallja e yjeve’’, “Ylli i zemrës” , “Zemra ime‘’ plus “Ime shoqe”.
Pra, me fjalën e dytë të veprës së parë fillon vepra e dytë e kështu vazhdohet edhe me veprat pasuese, të tretën dhe të katërtën. Pra, rast i veçantë mbase dhe unikat në letërsinë shqipe. Këtë e kishte bërë me mendjen dhe dorën e vet, vetëm dhe i vetmi Lasgushi ynë i Madh.
Zura goje Lasgushin me shkas a me arsye ngase, në mosshumëçka atëherë së paku për diçka këta dy poetë: Poradeci dhe Halili kishin pikëpamje dhe pikëpjekje të përbashkëta poetike, posaçërisht për lajtmotivet e vendlindjeve të tyre, duke zënë ngoje: fushat, malet, arat, kopshtet, krojet,… e vendlindjeve të tyre (Poradecin dhe Karadakun).
Dhe, tek dy poetët bie fjala derisa jeta idilike dhe bukolike shpërfaqet tek burimi (kroi i fshatit) aty është sheshi, ku pikëtakohen të rinjtë (vajzat dhe djemtë) dhe lidhin miqësitë e tyre, së pari për ta njohur njëri – tjetrin dhe pastaj edhe për ta dashuruar e më vonë edhe për të lidhur kurorë me martesat e tyre. Dhe këtu, në këtë rast, venerojmë pikëpamjet, pikëtrajtimet e përbashkëta me fjalët më të përzgjedhura, si dhe të reja (neologjizmat) të cilat si Lasgushi po ashtu edhe Zejnullah Halili me plot dëshirë e përdorin: si vasha – vashëza, puhi – puhiza, valë – valëza, çupë – çupëza, dritë – dritëza, zogë – zogëza, flutur – fluturza, doçkë – doçkëza e sa e sa fjalë e fjalë të tjera, edhe pse këta dy poetë jetuan në kohë e vise të ndryshme e që kam bindjen se nuk mund të jenë parë së paku sy më sy ndonjëherë e lëre më të kenë qenë pranë njëri –tjetrit, meqë Lasgushi jetonte dhe krijonte në jug të (At)dheut dhe Zejnullah Halili në veri të (Mëmë)dheut, derisa ekzistonte kufiri shqiptaro – shqiptar (deri më 1999)?! Megjithatë, ata të dy kishin një gjuhë e një gjak të përbashkët dhe menduan, shkruan e botuan shqip.
Prandaj, duke e mirëkuptuar dhe mirëpritur për së mbari këtë privilegj edhe mua m’u dha mundësia e rasti që t’i shpreh pikëpamjet e mia për mikun tonë të përbashkët, Zejnullah Halilin, duke iu falënderuar me këtë rast zotëri Vilson Culajt, që jo vetëm duke më bërë mua me dije se po përgatitej një libër përkujtimor (në formë e përmbajtje kujtimesh, memoaresh, poezi e vlerësimesh) për jetën dhe veprimtarinë e këtij krijuesi letrar, me rastin e 20 – vjetorit (2004 – 2024) të kalimit të Tij në botën e përtejme, pra në amshim. Dhe, në këtë pikëpjekje apo pikëpamje dua t’i zë ngoje vetëm e vetëm tri raste, më karakteristike a më specifike, të cilat mbamendja ime deri më sot nuk i kam lënë në harresë. Prandaj, dua t’ua ofroj edhe ju lexuesve, atyre që e kanë njohur, e që vetëm kanë bashkëpunuar si dhe atyre që e kanë lexuar opusin letrar të Zejnullah Halilit.
NËN NJË: Qyshkur në muajin shkurt 1982 sapo fillova me punë në Redaksinë e Revistave “Rilindja”, përkatësisht në revistën ,,Shkëndija‘’ në Prishtinë, rastisi të takohesha në byfenë e ”Rilindjes” me Zejnullah Halilin, ku sapo u takuam për herë të parë, ai ma shtriu dorën dhe me aq dashamirësi, sikur të ishim njohur kushedi se kur, më afroi më afër vetës, duke më përqafuar dhe më uroi për fillimin e punës në revistën “Shkëndija” dhe më tha: “Në komisionin për pranimin e ju tre gazetarëve: Sylejman Dërmaku, Zyrifa Geci dhe ti Sabit, ne nga revistat ishim: Jusuf Selimaj, kryeredaktor i revistës “Shkëndija”, Mr. Sylejman Syla, redaktor gjuhësor i revistave të “Rilindjes” dhe unë (Z. H. nënvizim imi S. J.) redaktor i “Gep”- it (Gazetës së pionerëve). Thënë të vërtetën,- shton Zejnullah Halili, – unë, ty Sabit, edhe pse nuk të njihja fare, por për mua emri yt ishte i njohur, meqë shkrimet tua publicistike dhe ato letrare kisha pasur rastin t’i lexoja qe sa vite më parë si në: “Rilindja”, “Shkëndija”, “Gazeta e pionierëve”, “Pionieri”, “Fjala”, “Flaka e Vëllazërimit’’, “Gëzimi‘’, “Fatosi”, “Zëri i rinisë” e aty këtu edhe gjetiu, gjë që ti për mua ishte emër i njohur.
Dhe, pas vlerësimit tonë të përbashkët, komisioni ynë me këtë përbërje të lartpërmendur më parë, u dakorduan që t’ju pranojmë ju treve, nga njëqind e sa kandidatë që iu nënshtruat kritereve të konkursit. Thënë të vërtetën – shtoi Zejna,
– asnjëri nga tre anëtarët e komisionit, nuk të njihnin ty fare edhe pse shkrimet tua të botuara tek ne në revista ishin të njohura, por prania jote fizike asnjëherë nuk ishte veneruar në asnjërën, redaksi prandaj pranimi yt tek ne ishte më specifik, meqë punimet tua na vinin vetëm me postë…” – u shpreh me sinqeritet tejet të plotë, sa miqësisht po aq edhe vëllazërisht Zejnullah Halili, atë ditë qyshkur u takuam dhe u përqafuam sikur të njiheshim kushedi se kur, takim ky që nga ajo ditë, po merrte karakter më përmbajtesor, falë altruizmit të Zejnës, i cili ishte i afërt me të gjithë, posaçërisht me ne më të rinjtë që na duhej një përkrahje e atë e gjenim veçmas tek Zejnullah Halili, pa u kursyer fare.
NËN DY: Rasti i dytë i veçantë ishte kur Zejnullah Halili nga redaktor u avancua në kryeredaktor i “GEP- it” Gazetës së pionierëve, meqë Qamil Batalli mori postin e kryeredaktorit të revistës letrare për fëmijë “Pionieri”.
Me rastin e emërimit të Zejnës në postin e kryeredaktorit, ai më ofroi mundësi që të bashkëpunoja pareshtur edhe me “Gepin”, ku pas ca kohe, emrin tim, Zejna e futi anëtar të redaksisë, duke më angazhuar për disa rubrika, ku për dy vjet radhazi, për secilin numër, d.m.th 24 numra, botova 24 tregime të mia humoristike – satirike me mbititullin “AUTOBIOGRAFIA” të nënshkruar me emër e mbiemër TIBAS AHAJ (lexo nga e djathta në të majtë!) shkrime këto, ku më 2001 e botova libër me titull “PERIPECITË E TUL TULANIT” në SHB “Rozafa” në Prishtinë, duke theksuar edhe dy a tri veçanti të tjera, duke nënvizuar se autori (S. J.) është i lindur më 2591 (lexo nga e majta në të djathtë!) dhe ku shkruante – tirazhi ishte i theksuar nr. 1, që d.m.th. libri im ishte botuar vetëm një ekzemplar, edhe pse hiç më pak se 70 apo 80 veta të pranishëm kishin marrë nga një ekzemplar, libër të tillë, me rastin e përurimit në Kafegalerinë “Koha”, në Prishtinë. Prandaj, për këtë promovim meritor ishte edhe Zejnullah Halili, i cili më kishte cytur e nxitur pareshtur që t’i përmblidhja këto shkrime letrare dhe t’i botoja, meqë një zhanër i tillë tek ne jo vetëm se ishte i rrallë, por mbase edhe i paktë. Po kështu iu kishte ndodhur edhe sa e sa autorëve, ku këshillat dhe sugjerimet si dhe ndihmesat e Zejnës kishin arritur efektet e dëshiruara, ku për të gjitha ato rezultate të të tjerëve Zejna gëzohej si për vete, gjë që kjo jepte për të kuptuar se të gjitha këto Zejna i jetësonte në saje të dashamirësisë për të gjithë, ku altruizmi i tij vërehej tek ai më shumë se tek kushdo tjetër.
NËN TRE: Rasti i tretë ishte më specifik, ku derisa Zejna kishte bërë më shumë se kushdo tjetër, për të tjerët, tashmë tek ai ishte rasti i parë ndoshta dhe i fundit që dikush nga ne të bënim diç për të. Pra, ishte rasti kur revista ,,Gep-i” ”Gazetë e piomierëve” në (mungesë të mjeteve financiare) u ndal së botuari dhe Zejna pas një pauze të padëshiruar priste të emërohej kryeredaktor i revistës letrare për fëmijë ,,Pionieri‘’, meqë Qamil Batalli qe caktuar kryeredaktor i revistës
,,Shkëndija‘’, ku pastaj edhe doli në pension nga kjo gazetë. Pas emërimit si kryeredaktor në “Pionieri‘’ Zejna ndjente një farë lodhjeje a plogështie shëndetësore dhe një ditë, derisa ne pinim bashkë nga një makiato, ai shtruar dhe pa dorëza, siç thuhet, m’u drejtua me këto fjalë: ,,Ndonëse ky vit është jubilar, ku duhet të shënohet 50-vjetori i revistës letrare për fëmijë ,,Pionieri”, por unë nuk kam besim në vete për shkaqe shëndetësore, që do t’ia dal mbanë … Jam në udhëkryq…” – shtoi Zejna. ,, -Prandaj tani për tani, nuk di cilën rrugë duhet të marr më tutje?! O të jap dorëheqje nga posti i kryeredaktorit, o të kërkoj ndihmë nga dikush tjetër, meqë kështu siç po shoh jam i vetëdijshëm se nuk mund t’ia dal mbanë. Por, kjo e dyta, është më e arsyeshme dhe më e lehtë për mua?! Prandaj, tek ti (Sabit) kam shpresë se do të më ndihmosh që ta kapërcej edhe këtë provim jete, ngase shumëkush pret nga unë që të shënoj këtë jubile të revistës ,,Pionieri‘’, por ka edhe disa… që presin që unë të dështoj, e të mos shënohet 50-vjetori i një reviste që konsiderohet si ,, ABETARE’’ e dytë e letërsisë shqipe për fëmijë tek ne në Kosovë. Prandaj, tek ti Sabit, kam besim të plotë se mund ta përgatitësh këtë numër festiv e jubilar!
Para se të bisedoja me ty, – shtoi Zejna– jam konsultuar edhe me drejtorin e revistave ,,Pionieri‘’ z. Demë Topalli, i cili jo vetëm se e parapëlqeu që të më ndihmojë kushdo nga anëtarët e redaksisë, por më dha kurajo që të përzgjedh cilindo nga anëtarët e revistave. Prandaj, më parë dhe më me përkushtim nuk do t’ia dilte në krye kësaj pune kush tjetër, jo vetëm me kohë dhe si duhet, pos teje o mik i dashur, Sabit!” – më tha Zejna, i cili ishte i bindur thellësisht se unë mund t’ia dilja mbanë.
Unë po e dëgjoja atë me respekt e koncentrim, njeriun e çiltër e plot vlera.
Zejna kishte bindje të plotë se unë assesi nuk do t’i shmangesha kërkesave të tij. Kur ai priste pohimin tim, pa pritur më tha:
– Veçse nuk ta thashë edhe një çështje tjetër. Drejtori, Demë Topalli, sapo unë zura ngoje emrin tënd, ai pa një pa dy, ishte plotësisht dakord me propozimin tim. Prandaj, tashmë duart i ke të lira dhe mund të veprosh siç do të duash dhe sa do të mundesh, ashtu siç ta merrë mendja t’ia dalësh në krye kësaj detyre, për të cilën ka më shumë se dy apo tri javë që po e vras mendjen… Shpresat tanimë i kam tek ti! – m’u drejtua Zejna, duke më shtrënguar dorën si një mik i vërtetë që ishte.
Unë, me gjithë entuziazmin e vullnetin e mirë, kisha një dozë mosbesimi në vete se detyrën a do të mund ta kryeja mirë dhe me kohë, por duke mos e reflektuar assesi para tij mëdyshjen apo mosgatitshmërinë. Këtë përgjegjësi po ia ngarkoja vetes edhe pse ishte tejet e rëndë, por ndjeja një obligim shumë të madh, ndaj personalitetit të Zejnullah Halilit, i cili deri më tash kishte dëshmuar bindshëm me altruizmin e tij të pashembullt ndaj shumëkujt, posaçërisht ndaj meje. Prandaj edhe unë duhej mbase të bëja diç për atë, në këtë rast ku vërtet ai gjendej në një udhëkryq prej nga duhej të merrte udhë më tutje.
Dhe, në ndarje pasi u përshendetëm ngrykas, unë me të arrirë në banesën time, pas konsultimit për ndihmë me gruan time (Sahadeten – edukatore për fëmijët parashkollorë si dhe me dy fëmijët e mi) Gencin dhe Gresën (nxënës shkolle) filluam, t’i zhvendosnim me qindra libra, nga biblioteka jonë familjare, duke i klasifikuar ato të letërsisë shqipe për fëmijë.
Pikërisht atë ditë, kur i sistemuam librat në disa grupe, me ndihmën e Ramadan Mehmetit editor i ,,Ars Poetikës,, filluam t’i radhisnim si dhe t’i skanonim materialet që do të përfshiheshin në këtë numër jubilar të 50 – vjetorit të revistës letrare për fëmijë ,,Pionieri,,. Pas angazhimeve të Ardiana Mehmetit, Demush Avdimetajt, Driton Musliut, Tahir Berishës, Petrit Imamit dhe gatishmërisë së Zejnullah Halilit, e posaçërisht ndihmës morale dhe materiale të Demë Topallit (drejtor), me kontributin e të të gjithëve arrita që numri festiv i 50 – vjetorit të revistës ,,Pionieri,, të përfshijë 180 krijues, gjithsecili me nga një krijim letrar shoqëruar me fotografi të autorëve, ku revista doli me 56 faqe, d.m.th. gati sa dy numra së bashku, me tirazh prej 5.000 copësh, duke u shpërndarë nëpër sa e sa qendra të shkollave fillore në Kosovë. Me këtë rast vlen të theksohet se derisa po përgatiteshin materialet, kur po e realizoja faqen më të përkushtuar për kryeredaktorët, nga i pari Masar Murtezai e deri tek i fundit Zejnullah Halili, ky tashmë në impresium futi edhe emrin tim (S. J.), duke theksuar se këtë numër festiv – jubilar e kisha përgatitur unë. Dhe, tashmë Zejna dukej shend e verë, meqë vetëm po priste edhe një fletëfalënderim urimi a mirënjohje nga Presidenca e Republikës së Kosovës, bekim ky që pritej brenda ditës të arrinte dhe pastaj të niste e të shtypej numri jubilar, në shenjë të 50-vjetorit të revistës “Pionieri”. Me këtë rast, vlen të theksohet edhe Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në fund të viteve të 50-ta kishte botuar vjershën e parë për fëmijë po në këtë revistë.
Revista letrare për fëmijë “Pionieri” numri jubilar sapo ishte botuar. Disa nga ekzemplarët e parë kishin rënë në duart e kryeredaktorit Zejnullah Halili. Ai, nga gëzimi për arritjen e këtij suksesi, u prit në zyrën Presidenciale të Republikës së Kosovës nga Dr. Ibrahim Rugova i cili e kishte uruar kryeredaktorin Zejnullah Halili, njekohësisht edhe veprimtarinë botuese të Revistave tjera, në kuadër të “Rilindjes” ku edhe ai më parë ishte redaktor në revistën ,,Fjala” .
Në përmbyllje të këtij shkrimi (për)kujtimi për Zejnullah Halilin, me rastin e 20- vjetorit të kalimit të tij në amshim (2004 – 2024) ”duke i thyer rregullat” e testamentit te Lasgush Poradecit se “poetët lypsen të (për)kujtohen vetëm e vetëm në përvjetorët e tyre të datëlindjes e assesi në përvjetorët e tyre të vdekjes!” – duke aluduar në atë se ata përherë a gjithmonë mbesin të PAVDEKSHËM, TË PËRJETSHËM, dua t’ua rrëfej një rrëfim të Zejnës gjatë takimit që pati me Dr. Ibrahim Rugovën, në çastin kur po ia jepte disa nga ezemplarët e parë të revistës letrare për fëmijë ,,Pionieri,, gjë që po ndjehej shumë krenar, meqë kishte arritur ta shënonte këtë përvjetor të rëndësishëm në kushte e rrethana me sa e sa pengesa, por duke i lënë anash edhe disa barriera karrieriste edhe të disave…, pasi që synimet e tij ishin kurorëzuar me rezultatet e daljes së ”PIONERIT” tashmë 50 vjeçar.
Për këtë, siç shprehej pareshtur Zejnullah Halili: “Dr. Ibrahim Rugova më përgçzoi me shumë dashamirësi për sukseset e arritura, duke më lënë shteg që edhe në të ardhmen edhe për çfarëdo ndihmash për ta ndihmuar revistën ,,Pionieri” meqë siç thoshte ai, tashmë “PIONIERI” nuk ishte ai ,,fëmija” a
,,çuni” po tanimë ky ishte burrëruar e kishte lëshuar shtat si 50 VJEÇAR” e që po shtegtonte edhe nëpër qindra e mijëra shkolla jo vetëm në Kosovë por edhe në viset tjera, ku jetonin e mësonin shqip fëmijët tanë shqiptarë në gjuhën amtare shqipe, me të cilën ligjëronin edhe Naim Frashëri, Gjergj Fishta dhe qindra e mijëra poetë të tjerë, të cilët do t’i përkujtojmë jo vetëm e vetëm me rastin e datëlindjeve të tyre, por pa i harruar edhe përvjetorët si ky i Zejnullah Halilit dhe 50-vjetorin e botimit të “Pionierit”, më 1997.
Dhe, në përmbyllje të këtij shkrimi e shoh të udhës t’ua përmend edhe një dëshirë të Zejnullah Halilit, dëshirë kjo si duket mbeti e parealizuar plotësisht… Ai, disa herë, ne miqve të tij, na e shprehte këtë dëshirë: ”Dua të takohem së paku edhe një herë me Dr. Ibrahim Rugovën dhe do t’ia kërkoj njē helikopter në shërbim…, që kur të vdes unë të ma bartin trupin tim të pajetë në Majëmalin e Karadakut, atje në fshatin tim në Kokaj, ku nga lart të më hedhin poshtë, me qëllim që me mishin e trupit tim të ushqehen së paku ndonjë ditë shpendët e malit, atje ku unë e kam kaluar rininë time- vendlindjen, të cilën e shoh me zemër…!” – kështu shprehej Zejna para meje dhe disa të tjerëve, bindshëm dhe mbase seriozisht.
Por njëherë, nga heraave të tjera i pata thënë troç e pa hezitim:
“Po,…bën ta takosh gjithsesi Dr. Ibrahim Rugovën dhe t’ia thuash po këto fjalë, fill e mbarim… Por, përgjigjja e tij do te jetë kjo: “Po, po…, pa kurrfarë problemi për çfarëdo ndihme… Ti do ta kesh mbështetjen dhe përkrahjen tonë, por tash për tash lëre këtë kërkesë anash se nuk kemi kohë të marrim vendime për vdekje, po për jetën, për të gjallët se ti, Zejnë, e di, se poetët nuk vdesin kurrë…!”
Unë i thosha këto fjalë, sikur të isha zëdhënës a përfaqësues i Zyrës Presidenciale me qëllim që Zejnës t’ia hiqja nga mendja nocionin VDEKJE, së cilës ai sikur po ia ndjente hapat se po i afrohej, por që nuk po i trembej fare…
Pas atij dialogu ai sikur e mori veten paksa më me optimizëm dhe u ndamë fizikisht… Por pas ca ditësh Zejna nuk u takua më as me mua as me të tjerët për të gjallët të tij, meqë vetëm Ai kishte ndërruar jetë dhe dëshira e Tij, sipas Testamentit ishte realizuar nga familjarët e vet, duke ia varrosur trupin e Tij në vendlindje, në Kokaj të Karadakut legjendar, në Karadakun e legjendave të shumta…., ku për Kokajt e Karadakut, Zejna shprehej pareshtur: “VENDLINDJA SHIHET ME ZEMËR”.
Diskutim rreth këtij postimi