Është trishtuese sesi Edi Rama është kthyer në apologjetin më të madh dhe të vetëm të Serbisë.
Në kohën që kanë filluar të rriten trysnitë ndaj Serbisë, që ajo të zgjedhë ndërmjet Lindjes (Rusisë) dhe Perëndimit, dhe t’i bashkohet BE-së për ta sanksionuar Rusinë për shkak të luftës pushtuese në Ukrainë, dhe krimeve të luftës që tashmë i ka kryer.
Vota e Serbisë për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut të OKB-së, nuk paraqet ndonjë hap të rëndësishëm se ajo e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Rusisë, përkundrazi ajo është vetëm një lojë për ta shitur para perëndimorëve, si qëndrim neutraliteti, për ta shpëlarë të kaluarën e vet, të përgjakshme.
Shqiptarët janë aleatët e vërtetë të Perëndimit dhe jo serbët, se beson Rama
Si shtet i akuzuar dhe paditur për gjenocid në Bosnje dhe Kroaci, dhe e pa paditur për gjenocidin në Kosovë, që i gjithë Perëndimi ishte përveç se dëshmitar, bëri luftë nga ajri kundër Serbisë, kësaj i nevojitej dosmosdoshmërisht një votë kundër gjenocidit, tashmë një akuzë në ngritje e sipër për Rusinë, përkatësisht autoritetet e saja.
Asaj i duhej një votim ku mund të shfaqej si një shtet që nuk pajtohet me krime lufte, aq më tepër që përjashtimi nga ai Këshill nuk prodhon pasoja për Rusinë.
Askush në botë nuk po i aplaudon kësaj sjellje të Serbisë. As Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josip Borell, dhe nga asnjë institucion europian, dhe hiq se hiq nga shtete të pavarura.
Edhe ata që janë më neutral, po e shohin si një përjashtim të sjelljes së saj, nga qëndrimi gjithmonë pranë Rusisë.
Intelektuali dhe njohësi i politikës ruse, Samuel Rahmani, e vlerëson si “një shkëputje e rrallë nga Rusia”, edhe pse është në pajtim me votimin e mëparshëm në OKB për invazionin rus në Ukrainë.
Pra, nuk ka vend për të propaganduar për Serbinë, aq më tepër që kjo të bëhet nga Kryeministri i Shqipërisë, i cili do të duhej të ndiqte një agjendë diplomatike denoncuese, dhe që Perëndimi ta ketë më të qartë se shqiptarët janë aleatët e vërtetë të tij dhe jo serbët.
“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë. Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, shkroi Edi Rama vetëm pak kohë më parë në tviter.
Edi Rama edhe më parë i ka dalur Serbisë përkrah, bile edhe atëherë kur ajo refuzoi t’i vendoste sanksione Rusisë. Në votimin në OKB për të konfirmuar ruajtjen e respektit për integritetin e Ukrainës, Serbia votoi pro rezolutës, por edhe atëherë ajo ishte pa pasoja, përveç ndikimit në opinion.
Edhe me 2 mars, kur Serbia votoi pro asaj rezolute, Rama shkroi: “141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës! Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah! Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”.
Këto votime, siç e kam shpjeguar edhe për votimin e marsit, nuk janë të rëndësishme (aq më tepër kur nga ajo votë nuk varej rezultati), por edhe sikur të kishte ngjarë që Serbia të kishte votuar pro një propozimi për dëbimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit, nuk është detyra e Edi Ramës t’i bëjë jehonë Serbisë dhe të kthehet në propagandist proserb.
Natyrisht se këto qëndrime të tij, si dhe në disa deklarime të tjera pro Serbisë (e “Ballkanit të hapur”) të periudhës së luftës në Ukrainë, dëshmojnë se kush e kontrollon apo pse ai i atashohet Serbisë dhe Vuçiqit.
Madje këtë nuk e bëri, asnjëherë dhe nuk po e bën as kryeministri i rizgjedhur hungarez për të katërtën herë Viktor Orban, i cili para disa ditësh është parë të shëtiste bashkë me Vuçiqin në rrjedhën e lumit Danub.
Nënshtrues ndaj serbëve, arrogant dhe fyes ndaj shqiptarëve
Rama, që në Shqipëri dhe në botën shqiptare duket si një njeri kryeneç, arrogant dhe i papërkulshëm, ai në raport me Serbinë dhe Vuçiqin, përveç se tregohet i nënshtruar, ai e bënë këtë haptazi duke fyer edhe ndjenjat e krenarisë së shtetit në Shqipëri, dhe po ashtu ndaj shqiptarëve në Kosovë, pasi po ia lehtëson rrugën armikut numër 1 të Kosovës, Serbisë!
Këto momente ishin dhe janë, shans i artë që shqiptarët të kthehen në faktor kyç në këtë pjesë të Ballkanit të paintegruar në BE, dhe që pozicioni i Kosovës të jetë në avantazh ndaj atij serb, Rama në aleancë me Vuçiqin, po e përqendron gjithë luftën kundër interesave shqiptare.
Kjo sjellje e Ramës ndaj Serbisë, është bërë përveç se neveritëse edhe e padurueshme.
/botasot/
Diskutim rreth këtij postimi