E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu
I nderuar ministër i Punëve të brendshme, z. Xhelal Sveçla,
I nderuar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti,
Shkëlqesi ambasadorë,
Të dashur kadetë,
Jam i lumtur që sot jam me ju në festimin e kësaj arritje të rëndësishme në jetën tuaj, diplomimit. Ky çast është kulmi i punës së palodhur dhe rezultati i përkushtimit të përditshëm. Andaj, urime të gjithëve, secilës dhe selit prej jush!
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur familjarë të kadetëve,
Zonja dhe zotërinj,
Jam dyfish i lumtur që jemi sot këtu, në prag të festimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, tek po shtojmë dhe po forcojmë radhët e Policisë së shtetit tonë. Sikurse vendi ynë, edhe Policia jonë ka kaluar në etapa të ndryshme. Të gjithë jemi krenarë që sot ajo mbron jetën dhe pronën e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim dhe me përkushtim zbaton ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës.
Për Qeverinë tonë, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet. Vetëm gjatë vitit të kaluar:
-U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës;
-U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë;
-I mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit;
-I shkatërruam 69 grupe kriminale;
-Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave;
-U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike, me ç’rast u shkatërruan pesë laboratorë të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe tre laboratorë për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri. Ndërkaq dje, atje policia e Kosovës ka shkatërruar tre laboratorë droge.
Në vitin 2022, i ndërtuam katër objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje.
Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare.
Policia e Kosovës qëndron e palëkundur në mision e ruajtjes së rendit dhe të sigurisë publike. Ajo është në të përditshmen e qytetarëve, andaj ndryshimin dhe avancimin e saj e ndjejnë dhe përjetojnë sidomos qytetarët. Jemi të lumtur që Policia vazhdon të renditet ndër tre institucionet më të besueshme për qytetarët tanë.
Kolegët tuaj, zyrtarët policorë, veçanërisht në dy vitet e fundit, me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me bandat e me krimin. Janë sulmuar, janë plagosur, por nuk janë dorëzuar. Përkundër kësaj, ata janë akoma aty, qëndrojnë në krye të detyrës.
Të dashur kadetë që po diplomoni,
Sot betoheni se do t’i shërbeni vendit me profesionalizëm, përgjegjësi e ndershmëri. Se do ta mbroni sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Se do të punoni në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, gjinie apo religjioni.
Pas një sfide pothuajse tetë mujore të kaluar me sukses, ju nga sot do të filloni një etapë të re të jetës suaj. Nga këtu, në ditën tuaj të diplomimit, ju bëj thirrje t’i qëndroni besnik betimit tuaj dhe vendit tonë.
Vendi ynë e gëzon lirinë falë sakrificës së shumë brezave, që luftuan e u flijuan për të. Që punuan e kontribuan për të. Në këtë ditë, dhe çdoherë nderojmë kujtimin për të gjithë ata. Kujtojmë po ashtu kolegët tuaj, që nuk u dorëzuan përballë asgjëje, duke zbatuar misionin e përbashkët. Rënia e tyre në mbështetje të sovranitetit tonë shtetëror dhe respektimit të integritetit territorial, e kundër krimit dhe paligjshmërisë, mbetet shembull i dashurisë së pakusht për Republikën tonë për secilin prej nesh.
Të dashur kadetë,
Të dashura kadete,
Uroj të shohim secilin e secilën nga ju në nivelin më të lartë të detyrës, ashtu siç e kanë bërë gjeneratat para juve. E sikurse ata, besoj që edhe ju do të jeni shembull i gjeneratave që do të vijnë më pas, duke vepruar me profesionalizëm të lartë e duke qëndruar me guxim të madh. Angazhimi i juaj është siguria e jonë. Institucionet do t’i keni mbështetjen tuaj më të madhe, pa rezervë e pa kursim.
Jemi të bindur se nga sot në Republikën tonë do të kemi në detyrë një gjeneratë të përgatitur, të përkushtuar e të ndershme.
Ju uroj të gjithëve shumë suksese!
Uroj të na bëni krenarë!
Ju faleminderit!
Diskutim rreth këtij postimi