Velko Odalloviq e përmendi së fundmi këtë lokacion në një deklaratë për mediat në Beograd, gjatë ceremonisë së dorëzimit të një droni, donacion nga Mbretëria e Bashkuar, që do të përdoret për kërkimin e të zhdukurve.
Ai pati njoftuar se me kërkesë të Kosovës, ky dron do të përdoret për të hetuar në tri lokacione.
“Është një vendndodhje që është e lidhur me Kizhevakun, në afërsi të Rudnicës. Tjetra është Kozarevo, e cila ndodhet midis Rashkës dhe Novi Pazarit, dhe vendndodhja e tretë është në rrethinë të Sjenicës në afërsi të minierës së Shtavalit. Ky është informacioni që kemi marrë nga Prishtina dhe ne jemi pajtuar t’i kontrollojmë ato”, pati deklaruar Odalloviq.
Në një intervistë për mediumin gjerman, Deutche Welle, zëvendësdrejtoresha kosovare e Institutit të Kosovës për Mjekësi Ligjore, Tarja Formisto më 8 gusht të këtij viti, pati konfirmuar se Kizhevaku është vendi për të cilin shpreson që përmes fotografimit ajror, mund të zbulohet si lokacion ku fshihen eshtrat e viktimave.
Më shumë informacion në lidhje me këtë lokacion pati dhënë edhe Velko Odalloviq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 14 tetor.
Siç pati shpjeguar ai në atë kohë, lokacioni në gurore ishte kontrolluar në Kizhevak dhe se kërkimi ishte kryer në bazë të një dëshmitari që e kishte dhënë informacionin në Prishtinë.
Në raportin mbi progresin e të drejtave të njeriut të botuar çdo vit nga Shtetet e Bashkuara, në pjesën për Kosovën, gjithashtu përmendet Kizhevaku si një vend në Serbi ku dyshohet se forcat serbe kanë varrosur eshtrat e shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në fshatin Rezallë më 1999.
Diskutim rreth këtij postimi