Autor: Ismet Azizi
„Xhemijeti“ si organizatë politike u angazhua për mbrojtjen e qenies shqiptare në Mbretërinë SKS, natyrisht të mbuluar nën petkun e religjionit islam, përndryshe s’kishte si të jetë ndryshe në këtë kohë. Xhemijeti duke synuar mbrojtjen e territoreve etnike shqiptare nga kolonizimi, që stimulohej përmes reformës agrare, në fakt e mbronte gjeografinë shqiptare. Por përveç që luftonte kolonizimin, reformën agrare, shpërnguljen, rëndësi të veqant i kushtonte arsimit në gjuhën amtare Këtë e dëshmojnë dhjetra dëshmi që Xhemijeti në kërkessat e veta kërkonte arsim në gjuhën amtare. Xhemijeti si një organizatë arriti që nëpërmjet deputetëve shqiptar ta ngrit zërin në senzibilizimin edhe në arenën ndërkombëtar të të drejtave nacionale të shqiptarëve, që për politikën zyrtare të Boegradit, paraqitëte rrezik të madh.
Në aktivitetin e Xhemijetit, fillimisht një lëvizje fetare-kulturore, dhe më vonë parti shqiptare-myslimane (boshnjake) e cila tubonte krerët myslimanë të Maqedonisë, Kosovës dhe Sanxhakut, Kryetari i partisë ishte Nexhib Draga, një prej politikanëve të shquar në mesin e shqiptarëve, i cili në momente të caktuara, kur ishte nevoja ishte aleat i radikalëve. Aqif Blyta nga Sanxhaku, përkatësisht nga Pazari i Ri, kyçet që në fillim të nismës për themelimin e Xhemijetit. Në kuvendin themelues të mbajtur në Shkup, më 19 dhjetor 1919. Blyta u zgjodh sekretar i kësaj partie. Nexhipi ishte vëllai i madh i liderit të ardhshëm Xhemijetit dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i tij ishte Aqif Blyta.
Në nivel lokal, Blyta ishte organizator i kuvendit themelues i Xhemijetit në Pazarin e Ri, i cili u mbajt më 4 prill 1920. Në tubim u vunë themelet e Xhemijetit në Pazarin e Ri dhe rrethinë. Sipas autorit M. Radoviq. “Që nga themelimi i Xhemijeti, Aqifi ishte anëtar dhe lider i tij në Novi Pazar, deri në shpartallimin e kësaj partie. Luajti rol të rëndësishëm në Këshillin e Përgjithshëm të Xhemijetit.” Megjithatë, edhe pse ishte i renditur lart në listën e Xhemijetit, Blyta, nuk arriti të kandidohet në zgjedhjet parlamentare në nëntor të vitit 1920, kur Xhemijeti kishte fituar tetë mandate. Sipas M. Radoviqit: “Kishte qenë oficer i armikut dhe nuk kishte shtetësinë jugosllave“..Meqë ai e dinte gjuhën turke, shqipe dhe serbe, si i deleguar i partisë, edhe pse nuk ishte deputet, shpesh shkoi në Beograd për çështje të ndryshme politike. Ai me ndërgjegje të lartë kreu funksionin e sekretarit të partisë. U angazhua në ruajtjen e unitetit në parti dhe unitetin e të gjithë myslimanëve në Jugosllavi. Megjithatë, si shqiptar që ishte, ai ishte më i përafërt me rrymën pro shqiptare në Xhemijet, duke përkrahur Nexhipin (vdiq 1922) dhe Ferat Dragën.
Në janar të viti 1923 Ferhad Draga, në Kongresin e 4-të të partisë, si lider i shqiptarëve të Kosovës, si dhe me përkrahjen e myslimanëve (pra shqiptarëve dhe boshnjakëve) të Sanxhakut imponohet lider i partisë. Për ngritjen e tij të shpejtë është meritor Aqif Blyta i cili Dragës i siguroi përkrahjen e sanxhaklinjëve.
Në zgjedhjet parlamentare të marsit 1923 Xhemijeti kaloi shumë mirë duke i fituar 14 mandate dhe si partner i koalicionit hynë në qeverinë e Nikolla Pashiqit. Rezultati i zgjedhjeve dëshmuan për reputacionin dhe ndikimin e Blytës që ka pasur në trevën a Sanxhakut lindor. Blyta bëhet anëtar i tre komisioneve. Kariera e Blytës si deputet edhe pse jetëshkurtër, ishte për t’u mbajtur në mend. Aqif Blyta ishte me përvojë dhe njohës i mirë i rrethanave. Paraqitja më e dalluar e tij në Parlament ishte më 6 dhjetor 1923 në një takim të Komitetit Financiar. Duke sulmuar partnerët e koalicionit në qeveri, e cila ishte tashmë në krizë, Blyta tërhoqi vëmendjen e opinionit politik. Rebelimi i tij gjatë fjalimit dha sinjal rënien e shpejt të qeverisë.
Disa ditë më vonë, më 15 dhjetor 1923 Aqif Blyta në seancën e rregullt të Kuvendit vazhdoi kritikat e tij. Ai akuzoi të gjithë ish autoritetet jugosllave se myslimanëve në Sanxhak iu është konfiskuar në mënyrë të paligjshme toka, dhe iu është dhënë ortodoksëve. Në vazhdim kërkoi të respektohen të drejtat kushtetuese të myslimanëve në Sanxhak, Maqedoni dhe Kosovë, në të vërtetë të trajtohen njëjtë si serbët, kroatët dhe sllovenët.
Deri nga mesi i vitit 1924 Blyta ishte tashmë njëri nga politikanët me ndikim në Xhemijet. Në shkurt 1924 Aqif Blyta pati një paraqitje të re në Kuvend. Gjegjësisht, pasi pësuan disa civilë shqiptarë në fshatrat rrethin e nga xhandarmëria, Fehrat Draga dhe Aqif Blyta dorëzuan një interpelancë në Ministrinë e brendshme.. Në këtë kontekst Blyta diskutoi në Kuvend më 30 mars 1924 kur interpelanca ishte në rend të ditës. Blyta u lidh me diskutimin e Farhat Dragës për dhunën ndaj popullatës jo të krishterë në Kosovë dhe Sanxhak nga ana e policisë. Pas këtij diskutimi pasuan raporti i detajuar i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe disa sulme ndaj Farhat Dragës dhe Xhemijetit nga politikanët sërbë.
Megjithatë, forcimi i Xhemijetit dhe prononcimet më të lirshme të përfaqësuesve të tij, dhe përafrimit ndaj opozitës, në të vërtetë ndaj Partisë Fshatare republikane kroate të Stjepan Radiq (me kontaktet tashmë ekzistuese me JMO), nuk i përshtatej Nikolla Pashiqit.
Tehu i sulmeve të tyre verbale ishin të drejtuara ndaj bashkëpunimit të anëtarëve të Xhemijetit me kaçaket.. Ai gjithashtu përmendi marshimin e Kosta Peçancit nëpër Sanxhak në vitin 1922. Përfundoi duke akuzuar qeverinë se ndjekja e kaçakëve zakonisht përfundojnë me ushtrim të dhunës kundër popullatës jo-të krishterë..
Aqif Blyta dhe Ferhad Draga janë shënuar si persona për të cilët duhet ushtruar presion policor. Blyta u arrestua katër herë midis 27 dhjetorit 1924 dhe 6 shkurtit 1925. F. Draga u arrestua gjithashtu disa herë.
Me ndërprerjen e ekzistencës së Xhemijetit, u ndërpre karriera politike e Aqif Blytës për shumë vite, sepse aktiviteti i mëtejshëm publik kishte me shkaktuar presion të ri ndaj autoriteteve ekzekutive. Megjithatë, Blyta mbeti politikani më me ndikim në Novi Pazar dhe rrethinat e tij. Për shumë, Blyta ishte një mik i respektuar, tregtar dhe politikan në zë, por gjithashtu një simbol i rezistencës ndaj Beogradit dhe një shteti që myslimanët e rajonit kurrë nuk e pranuan plotësisht. Ndikimi i tij nga Novi Pazari u përhap në rajonet përreth. Nga ana tjetër, Blyta kuptoi avantazhet e pozicionit të tij. Ai mblodhi ish-anëtarët e Xhemijetit dhe mbajti kontakte me ta. Duke i “drejtuar” votat myslimanëve, kishin një ndikim të madh në zgjedhjen e liderëve politikë serbë. Ndikimi i tij u ndje në të gjitha zgjedhjet në këtë rajon deri në vitin 1941.
Ferhat Draga sipas Hrabakut, njohësit më të mirë të Xhemijeti, ishte shembull tipik i shqiptarit (siç e quan në kontekst Arbanas), me prejardhje kelmendas, krenar me prejardhjen e tij dhe me lashtësinë të popullit të tij në gadishullin Ballkanik. Ka mbajtur kontakte me Komitetin e Kosovës në Shkodër, dhe një kohë ishte edhe kryetar. Po ashtu ka mbajt kontakt me Lëvizjen kaçake të shtrirë edhe në Sanxhak. Me sundimin serb në ish Vilajetin e Kosovës nuk mund të pajtohej, andaj kërkoi aleancë me kroatët. Atij i konvenonte nacionalizmi borgjez shteti i coptuar federal, ku nëpërmjet Xhemijetit do ta impononte pushtetin e tij nga Sanxhaku deri në kufirin Jugosllav-bullgaro –Grek, Ai ka theksuar se numri më i madh i myslimanëve të Sanxhakut, Kosovës, dhe gati tërë Maqedonia iu takon Shqiptarëve. Ai me tërë gjallërinë e tij ka protestuar me rastin e çdo ndjekjeje të fshatarëve shqiptar, jatakëve të kaçakëve.
Sipas koncepcionit të tij për shqiptarët e Srerbisë Jugore shkruan Hrabak, proklamonte të njëjtat ide sikurse Komiteti i Kosovës. Me një fjalë, ishte shqiptaromadh, i ngjashëm me Hasan Prishtinën dhe bejlerët–nacionalist në prag të 1912, të cilët kërkuan autonomi për 5 vilajete.
Është me interes të thuhet, shkruan Hrabak për disa mendime të demokratëve të Sanxhakut dhe të atyre të Maqedonisë për Xhemijetin, të cilët i kanë njohur shumë mirë njerëzit e Xhemijetit, rrethanat, zakonet dhe adetet e tyre qysh nga “zamani turk”. Më vonë sociologu Sreten Vukosavleviq, për Xhemijetin (më 4 qershor 1923) thotë këtë:
Xhemijeti ka një program deri diku konfuz, me synim të definuar me dashakeqësi, të shprehur paqartësish. Deri te kjo pjesërisht vjen sepse në Xhemijet janë tubuar myslimanët e tre racave;turke, racës sonë(duke aluduar në boshnjakët I. A.) dhe se në Xhemijet kanë hyrë njerëz nga shtresa të ndryshme sociale: çifçinjtë dhe bejlerët mysliman. Por këto paqartësi vijnë më së shumti për shkak se aty ka synime të cilat ata nuk mund t’i shprehin publikisht.
Organizata Xhemijeti për nga forma është shfaqur mjaft dobët. Këshilli qendror dhe organet tjera zgjidhen vetëm nga disa përkrahës, mbajnë pak konferenca dhe ato dobët përcillen, revistat pak lexohen. Por, secili nga ne do të mashtrohet nëse konstaton për fuqinë që ka kjo lëvizje. Nuk është forca e tyre në organizimin e përkryer të tyre. Forca e lëvizjes është në ndjenjën islame njësoj të zhvilluar dhe të barabartë të gjithë myslimanëve, në një shikim të njëjtë të gjitha çështjeve, kujtimet e përbashkëta nga e kaluara, shpresat e njëjta dhe urrejtjet e përbashkëta shumë të zhvilluara(ndaj shtetit serb I A). Këtu, zotërinjtë e mi, njerëzit nga viset e ndryshme nuk janë të detyruar të takohen dhe të merren vesh në mes vet, për të bashkëpunuar dhe vepruar njësoj.
“Aty urdhëratë epen në vesh( pëshpëritur I A.), letrat e tyre lexohen në mes rreshtave, motivet kuptohen pa deklarata dhe aluzionet më të vogla kuptohen qartë dhe shpejt. Xhemijeti dëshiron që politikisht ta afirmoj si diçka të veçantë në shtetin tonë dhe ta krijoj diçka të tillë të veçantë. Xhemijeti nuk është parti klerikë, siç mendohet tek ne dhe gjykohet në bazë të saj se Xhemijeti është parti vetëm për përkrahësit e një feje. Xhemijeti nuk është angazhuar shumë për çështjen fetare dhe arsimore. Kur në Kuvend është miratuar një ligj i ligsht për vakëfet, Xhemijeti as që ka protestuar….
“Përfaqësuesit e Xhemijetit ndaj shtetit kanë animuzitetin e njëjtë sikurse që kanë pjesa e sipërme anëtarësisë së tyre. Unë nuk them se kjo i përshtatet kuptimit intim të tyre dhe se është politikë e tyre. Kjo mundë të jetë vetëm taktikë e tyre, me të cilën dëshirojnë të fusin shpirtin luftarak tek përkrahësit, të hyjnë në bashkësi me Organizatën Muslimane Jugosllave dhe të tregojnë se nuk është asgjë e frikshme të kapërdisen ndaj shtetit dhe të demonstrojnë kundër tij. Përfaqësuesit e Xhemijetit, shkojnë në Nish dhe vizitojnë atje të internuarit e familjeve të kaçakëve. Një përfaqësues i Xhemijetit në dasmën e tij e ngriti flamurin turk. Një i tretë flet publikisht se në veshët e Evropës tash janë të shurdhër për çështjet maqedone, por se do të hapen.
Është karakteristikë përmbajtja e tyre për organizatën boshnjake bile edhe në ato çështje ku kanë interesa të përbashkëta. Në Kongresin e Xhemijetit të viti 1922 në pikën e 13 është refuzuar propozim që të bashkohen me myslimanët e Bosnjës. Atëherë Xhemijetlinjtë thonin se nuk duan me myslimanët e Bosnjës për shkak se organizata e tyre udhëheqë një taktikë të tepër neoopurtuniste. Por nga atëherë myslimanët boshnjak dy herë kanë ndryshuar taktikën: ishin në Qeveri dhe u futën në bashkësi me ta(…)
“Ata ndaj Organizatës Myslimane të Bosnjës kanë një mosbesim të thellë, një ndjenjë se me ta nuk mundte të punohet dhe organet nuk i kanë të përbashkëta(…) Atyre synimet e myslimanëve të Bosnjës iu duken megjithatë nacionale, Jugosllave dhe Evropiane. Për këtë arsye me ta nuk mund të shkohet .
“Potencohet edhe një gjë. Unë kam thënë se Xhemijeti nuk është organizatë klerikë. Ai shkallë shkallë fillon të bëhet organizatë nacionale, nacionaliste turke dhe shqiptare, në revistën e tyre (“Hak”I.A.)dhe në kumtesat e tyre posaçërisht kultivohet kulti i Kemal pashës dhe të gjitha luftërat dhe fitoret e tij ngritën shumë lart. Edhe më tepër Xhemijeti zhvillohet–po bëhet nacionalit shqiptare.
“Synimet e nacionalistëve shqiptar janë rreziku më i madh për ne. Njerëzit që udhëheqin Xhemijetin janë nacionalist, më të dalluarit e kryengritjes shqiptare nga viti 1908-1912. Këta janë njerëzit, të cilët atëherë paralajmëruar “veliku autonomiju shkipnije”(autonominë e madhe të Shqipërisë I.A.) nga deti Adriatik deri te Shtipi dhe Serezi. Në Kongresin e madh të pesë vilajeteve të Rumelisë të mbajtur në qershor të viti 1909 në Dibër. Kongresi i cili për herë të parë pa Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qartë formuloi kërkesat kombëtare, më të rëndësishmit ishin njerëzit të cilët tash udhëheqin me Xhemijetin (Politika 12 VII 1924. 4)
Kur analizohet aktiviteti politik i Nexhib e Ferat Dragës dhe Aqif Blytës, mund të thuhet se atë që nuk mund ta bënin Lëvizja Kaçake e Kosovës dhe Komiteti i Kosovës, vazhduan ta bënin legalisht duke u ballafaquar me politikanët serb në parlament dhe jashtë tij. Edhe pse Xhemijeti ekzistoi mjaft shkurt, këta veprimtarë dhanë kontribut të madh çështjes kombëtare, gjatë ekzistimit të tij, pas shuarjes e deri me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë saj.
Andaj këta tre veprimtarë, deri vonë të anatemuar, meritojnë të vlerësohen drejt dhe t’ju jepet vendi i merituar në historinë kombëtare.
Diskutim rreth këtij postimi