Në gjysmën e parë të vitit 1914, shteti serb i kushtoi vëmendje edhe çështjes së komunikacionit në “Serbinë e Re”. Niveli i dobët ekonomik, industrial e tregtar, përfshirë infrastrukturën rrugore dhe atë të ndërtimeve, nuk plotësonin nevojat themelore të administratës ushtarake, policore dhe shtetërore. Qeveria serbe nisi punët në ndërtimin e rrugëve për të lidhur qytetet e Kosovës, si: rruga Pejë-Mitrovicë dhe rruga Prizren-Gjakovë. Në ndërtimin e këtyre rrugëve dhunshëm ishin angazhuar edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, të cilët administrata serbe para faktorit ndërkombëtar i deklaronte si anëtarë të xhandarmërisë, por në të vërtetë ata bënin punë angari nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të forcave ushtarake. Qeveria serbe bënte edhe shtrimin e zgjerimin e rrugëve ekzistuese, emërtimin e tyre dhe vendoste numra identifikues nëpër shtëpi.
Hapja e arterieve rrugore gjatë stinës së verës dhe të vjeshtës së vitit 1913, kishte nxitur edhe qarkullimin e komunikacionit. Kështu, në shkurt të vitit 1914, nisi të funksiononte transporti automobilistik i udhëtarëve dhe sendeve përmes kamionëve dhe automjeteve në vijën Prizren-Ferizaj e anasjelltas, si dhe midis qyteteve të tjera. Për transportin e mallrave ishin sjellë nga Gjermania dy makina të mëdha. Ndërtimeve të reja rrugore iu shtua edhe ajo e Suharekës (rruga Prizren-Ferizaj), në Pirana (rruga Prizren Gjakovë), që ishte shumë e rëndësishme si në aspektin e zhvillimit ekonomik, por edhe në atë strategjik, për qarkullimin e trupave ushtarake.
Kontribut në ndërtimin e këtyre rrugëve jepte edhe popullsia e fshatrave përreth këtyre rrugëve të reja, duke bërë punë angari. Vetëm në ndërtimin e një rruge në veriperëndim të Prizrenit, që përshkonte drejtimin Vlashnje-Goricë-Nashec-Landovicë, punonin çdo ditë 50-100 shqiptarë të fshatrave në fjalë e atyre përreth, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të forcave ushtarake serbe. Veç lidhjeve rrugore, Qeveria serbe e konsideronte të rëndësishëm hapjen e arterieve dhe nyejve të reja hekurudhore, të cilat e lidhnin territorin e saj në të gjitha drejtimet me Kosovën dhe përpos qarkullimit të njerëzve dhe forcave ushtarake nxisnin edhe zhvillimin e tregtisë.
Në mars 1914, Qeveria serbe, veç tjerash vendosi ndërtimin e hekurudhave të reja edhe në drejtimet: Merdar-Prishtinë-Prizren; Shkup Tetovë-Gostivar-Kërçovë-Prilep-Manastir; Rashkë-Pazar i Ri-Senicë Priboj-Uvac. Në fund të muajit prill 1914, nisën punimet për ndërtimin e hekurudhës në vijën Nish-Prokuple-Kurshumli-Merdar-Prishtinë, trase e cila parashihej të përfundonte brenda tre vitesh. Kontratën për ndërtimin e saj e fitoi një kompani franceze. Për këtë çështje Kosovën e vizitoi edhe ministri i Ndërtimeve, i cili më 2 maj 1914, me automobil arriti në Mitrovicë dhe udhëtoi me tren deri në Prishtinë, ku kishte qëndruar atje për 1 orë.
Qëllimi i vizitës së tij ishte studimi nga afër i planit për trasenë e re të hekurudhës Rashkë-Mitrovicë-Nish-Prishtinë. Më 26 qershor 1914, Dhoma e Tregtisë në Shkup, në Shtëpinë e Oficerëve, i shtroi darkë pune disa tregtarëve boshnjakë. Në fjalimet që u mbajtën gjatë kësaj darke, tregtarët boshnjakë konsideruan se marrëdhëniet tregtare ndërmjet serbëve dhe boshnjakëve do të zhvilloheshin e forcoheshin edhe më shumë pas zgjerimit të rrugës hekurudhore Uvac-Mitrovicë. Me ndërtimet dhe linjat e reja hekurudhore, Qeveria serbe synonte të ndërkombëtarizonte hekurudhat e saj dhe të tërhiqte prodhimet e Kosovës drejt Serbisë. Ajo pretendonte po ashtu t’i atribuonte pushtimit dhe aneksimit të Kosovës një përparim të hovshëm ekonomik e shoqëror dhe njëkohësisht t’i krijonte faktorit ndërkombëtar përshtypjen e një situate politike të ekuilibruar dhe të sigurt për të gjithë popullsinë e saj. Ndërkohë, gjendja ekonomike dhe e komunikacionit në zonën e pushtimit dhe administrimit malazez, u përcoll me probleme njësoj sikurse në zonën e pushtimit dhe administrimit serb. Që në ditët e para të pushtimit malazez, shtëpitë e shqiptarëve ishin të shkatërruara, të shembura ose të dëmtuara si pasojë e operacioneve ushtarake gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Mungonte zhvillimi normal i kulturave bujqësore dhe ndjehej mungesa e rezervave ushqimore. Pazari i Gjakovës kohë pas kohe mbahej në embargo për shqiptarët e Malësisë së Gjakovës, ndonëse pati përpjekje nga kancelaritë evropiane për ta zhbllokuar atë për nevoja të shqiptarëve.
Krahas zhvillimit të dobët ekonomik, Mbretëria e Malit të Zi përballej me një buxhet vjetor të vogël (4 milionë dinarë), i cili nuk mjaftonte për ngritjen ekonomike të shtetit malazez. Në vitin 1914, si rezultat i pushtimit dhe aneksimit të viseve shqiptare dhe një politike tatimore në kurriz të tyre, ky buxhet u trefishua, duke arritur shumën mbi 12 milionë dinarë. Mirëpo, rritja e këtij buxheti varej nga tatimet në viset e pushtuara prej të cilave Qeveria e Malit të Zi planifikonte të grumbullonte 7 034 500 dinarë, ndërsa nga ekonomia shtetërore 930 814 dinarë dhe nga të ardhurat e ndryshme 224 800 dinarë. Ky buxhet nënkuptonte se qëndrueshmëria ekonomike e Malit të Zi varej nga të ardhurat e tatimeve (të dhjetat, taksa dhe mbitaksa, dogana, akcizat, monopoli).48 Të gjitha këto masa rëndonin popullsinë shqiptare nën pushtimin dhe administrimin malazez.
Ndër format më të përhapura të shfrytëzimit ekonomik të shqiptarëve në këtë zonë, ishin: taksa të ndryshme e jashtëzakonisht të papërballueshme, vjelja e të dhjetave, sekuestrimi i bagëtisë, drithit, pronave e pasurive të tjera, puna angari dhe gjobitje të ndryshme. Organet administrative malazeze formuan një Komision për Pajtimin e Gjaqeve, i cili u përdor për të ndëshkuar shqiptarët me dëmshpërblime, për gjoja veprat penale të tyre kundër elementit serb në Rrafshin e Dukagjinit, si në kohën e Perandorisë Osmane dhe në kohën e pushtimit malazez.49 Në këto rrethana, familjeve të arratisura u konfiskohej pasuria e tundshme (bagëtia, drithi), e cila më pas shitej ose përdorej për nevoja të ushtrisë dhe administratës malazeze.50 Kështu, grabitja e tokës kishte marrë formë të institucionalizuar. Në Pejë e Deçan, qeveria malazeze përmes aparatit administrativ i largonte pronarët me forcë nga tokat e tyre, të cilat më pas i konfiskonte.51 Me gjithë buxhetin e dobët të vitit 1914, u përmirësua dhe u rindërtua rruga Pejë-Gjakovë, nga puna e detyrueshme e shqiptarëve dhe nën masa dhune e abuzimi psiko-fizik ndaj tyre.52 Për pasojë, u thellua edhe më tej hendeku i varfërisë dhe u ngritën çmimet e drithit dhe mallrave të tjera.53 Për sa më sipër, mund të përfundojmë se: së pari, strukturën demografike të Kosovës dhe viseve të tjera të pushtuara dhe aneksuara Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi, e përbënin kryesisht shqiptarët dhe se pushteti i ri synonte minimizimin e përqindjes së tyre, duke i mohuar përkatësinë kombëtare; së dyti, zbatimi i politikave ekonomike në Kosovë, që në përgjithësi synonin ndryshimin e fizionomisë pronësore e agrare dhe rëndonin popullsinë shqiptare me taksa e tatime të papërballueshme, kishin për qëllim nxitjen e shqiptarëve për t’i braktisur vendbanimet e tyre dhe për t’u shpërngulur jashtë kufijve shtetërorë serbë e malazezë; së treti, politikat për zhvillimin e komunikacionit rrugor dhe atij hekurudhor në zonën e pushtimit dhe administrimit serb, në mënyrë ekskluzive i përshtateshin synimeve shtetërore të Mbretërisë së Serbisë, për të tërhequr prodhimet nga Kosova dhe për t’i dhënë këtyre trevave pamjen dhe tiparet e një territori serb.
dardaniapress.net
Diskutim rreth këtij postimi