Më 31 mars – 1 prill 2025, bëhen 80 vjet nga Masakra a Tragjedia në Tivar e shqiptarëve të mobilizuar me dhunë nga efektivet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave dhe Shtabi Oëperativ i Kosovës. Ajo ishte masakra më e përgjakshme dhe më e pabesë e pushtetit komunist jugosllav fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Siç thekson me të drejtë studiuesi Uran Butka, masakra ishte projektuar dhe realizuar nga shteti komunist jugosllav, madje, për fat të keq, edhe me miratimin e pushtetit komunist në Shqipëri se të gjithë ata djem na paskëshin qenë ballistë, kriminelë, fashistë etj. Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar ka qenë projekti famëkeq i Vasa Çubriloviqit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, se ”janë dy mënyra të spastrimit etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim, që, për fat të keq, u bë edhe platformë e LNÇ –së të Jugosllavisë, e ideologjisë partizano-çetnike e komuniste. Disa studiues dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë që kanë shpëtuar, atë çfarë ka ndodhur në Tivar e kanë quajtur masakër e tragjedi, ndërsa pushteti komunist, duke u përpjekur që ta eklipsojë e mjegullojë plotësisht atë, ka përdorur vazhdimisht shprehjen eufemike “ngjarje”, e cila gjoja paska rrjedhur për shkak të pakënaqësisë së masës shqiptare të rekrutuar e të armatosur, në njërën anë, dhe eprorëve e tyre ushtarakë, në anën tjetër. Vetë A. Rankoviq në Kongresin I të Partisë Komuniste të Serbisë (maj 1945) e pranon se janë vrarë 450 shqiptarë, duke e paraqitur atë si “rrjedhojë e gabimeve të organeve të niveleve të ulëta gjatë zbatimit në praktikë të vijës së Partisë Komuniste të Jugosllavisë”. Është më se e vërtetë se asnjë nga të mobilizuarit shqiptarë gjatë rrugëtimit deri në Tivar nuk ka poseduar ndonjë armë të lehtë. Madje ata janë kontrolluar detajisht qysh në Prizren. Këtë e kanë dëshmuar sa e sa herë bashkëfshatarët e mi, përjetues të kësaj tragjedie nga fshati Kotorr i Skenderajt: Isuf Halil Hajrizi, Sylë Feriz Hajrizi, Sinan Sinan Hajrizi (Bardhok), Salih Selim Hajrizi, Smajl Sylë Behrami dhe Azem Sadri Behrami.
Në fillim të vitit 1945, edhe pse nazistët gjermanë ishin tërhequr, të thuash, plotësisht nga këto hapësira, regjimi jugosllav pas ripushtimit të Kosovës dhe instalimit gati të plotë të sistemit komunist, mobilizoi me forcë shumë shqiptarë, të cilët i nisi në dy fronte kryesore: në frontin e Sremit – Vojvodinë dhe në atë të Adriatikut në veriperëndim të Jugosllavisë. Gjatë marshutës Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rjekë rekrutët shqiptarë nga një batalion i Divizionit të 46-të të Armatës IV të Jugosllavisë, pastaj nga repartet e Brigadës X Malazeze etj. Derisa shqiptarët ishin rekrutuar dhe dërguar në luftime në këto fronte (Srem e Adriatik), brigadat partizane-çetnike serbe vërshuan në Kosovë, duke masakruar popullatën shqiptare të pambrojtur, dihet, jo vetëm për të vendosur e konsoliduar pushtetin komunist, por edhe për të bërë pastrim etnik. Me mijëra shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës për ta zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serb që po instalohej dhe po konsolidohej sërish në Kosovë. Kriminelët serbo-malazezë çdo ditë e natë burgosnin, vrisnin e masakronin shqiptarë pa dhënë asnjë llogari askujt. Popullata e pambrojtur e duarthatë këtë kohë zezonë jetonte në ankth e pasiguri të plotë. Askush, jo vetëm që nuk dinin se ku i kishin dërguar djemtë e tyre, por as nuk guxonin të pyesnin se a janë të gjallë apo të vdekur. Udhëheqësit e lartë politikë serbo-malazezë dhe disa komunistë nga radhët e shqiptarëve u jepnin sqarime banale se të gjithë të rekrutuarit kanë qenë bashkëpunëtorë dhe dorë e djathtë e nazistëve gjermanë, prandaj gjithçka u ishte e qartë…
Ata që kanë shpëtuar për gjysmë shekulli me radhë sa zgjati sistemi komunist, nuk kanë guxuar të flasin për këtë tragjedi dhe tmerr që përjetuan të mobilizuarit në Tivar. Edhe historianët gjatë gjithë kësaj periudhe kanë heshtur, pra kanë mbyllur gojën pa guxuar të shkruajnë qoftë edhe një rresht për masakrën që kishte ndodhur. Isuf Halil Hajrizi nga Kotorri, i cili ka pasur një kujtesë të fortë, shpesh ka hezituar t’i rrëfejë madje edhe vëllait të tij, Hazirit, për gjithë atë që kishte ndodhur nga droja se mund ta pësojë keq nga organet e pushtetit komunist. Sa herë pretendonte që gjithë ato kujtime e përjetime të tij t’i derdhte në letër, i vëllai i përgjigjej urtë e butë: “Jo, Hazir, kjo është punë me zarar! Duhet të kemi shumë kujdes! Njëherë nuk është koha sepse mund ta pësojmë të dy bashkë me familjen tonë, e cila ka vuajtur e pësuar shumë! Durim sepse edhe kësaj do t’i vije koha! Disa gjëra që t’i kam rrëfyer, nuk është mirë t’ia tregosh askujt, more vesh!” Hazir Hajrizi, i cili punonte mësues dhe ishte shumë i ri, në fillim nuk e arsyetonte këtë qëndrim hezitues të të vëllait, mirëpo më vonë, kur erdhi dimri i vitit 1956 dhe kur regjimi i A. Rankoviqit zbatonte të ashtuquajturin “Aksion për mbledhjen e armëve”, i dha plotësisht të drejtë. Atëbotë rrallë kush i ka shpëtuar dhunës e terrorit shtetëror. Deri në vitin 1966, kur u mbajt Plenumi i Brioneve dhe Rankoviq u rrëzua nga pushteti, askush nuk ka guxuar të përmendë hapur Tivarin e të rrëfejë për tragjedinë që kishte ndodhur atje, ku kishin pësuar mijëra shqiptarë të mobilizuar. Haziri ka biseduar herë pas here, sidomos pas vitit 1990, me vëllanë e tij edhe për Tragjedinë e Tivarit. Çdo rrëfim i vëllait të tij i thadrohej thellë në kujtesë.
Që nga fillimi i viteve ’90 e këndej janë botuar disa libra që kanë si temë bosht tragjedinë e Tivarit, si: “Tragjedia e Tivarit” e “Masakra e Tivarit” (Kujtime) të Azem Hajdinit – Xanit, “Masakra e Tivarit” e Muhamet Pirrakut, “Tragjedia e Tivarit” e Hakif Bajramit, “Masakra e Tivarit” e Uran Butkës, “Nga Kotorri në Tivar” e Hazir Hajrizit, “Dëshmi për Tivarin” e Haxhi Birinxhikut dhe shkrime të ndryshme të autorëve të njohur, si: Zekerja Cana, Muhamet Shatri, Shaban Braha, Sami Mula, Fehmi Rexhepi, Islam Dobra, Jusuf Buxhovi etj. Po kështu edhe disa shkrimtarët tanë, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Bedri Hysa, Din Mehmeti, Gjokë Dabaj, Agim Vinca, Basri Çapriqi, Mustafë Shyti, Hajro Ulqinaku, Ekrem Kryeziu, Ibrahim Kadriu etj., kanë shkruar vepra të zhanreve të ndryshme (poezi, proza, drama, skenarë filmash e dokumentarësh), ku tematika kryesore është Masakra a Tragjedia e Tivarit.
Kriminelët çetnikë serbo-malazezë kanë vrarë në Tivar vetëm shqiptarët e rekrutuar me dhunë nga Kosova. Ata i rekrutuan në mars të vitit 1945 dhe i nisën gjoja për të luftuar kundër forcave gjermane. Rrugëtimi nga Drenica, Shala e Bajgorës, Permalina, Mitrovica e qyteza e Vushtrrisë nëpër Prizren, Zhur, Kukës, Pukë, Shkodër e deri në varrin Tivar ka qenë një kalvar i vërtetë me shumë vuajtje e tragjedi. Gjatë rrugëtimit rojet serbe kanë vrarë e persekutuar disa të mobilizuar shqiptarë. Masakra më e madhe ka ndodhur në Monopolin e Duhanit në Tivar të Ri, ku janë ekzekutuar mbi 1.500 shqiptarë. Historianët tanë dhe disa përjetues të masakrës kanë dhënë shifra të ndryshme, prej 400 deri në 2000 e më tepër. Protagonisti i këtij rrugëtimi dhe dëshmitari i masakrës makabre, Isuf Hajrizi, thotë se askush nuk e di, pra as ai, sa ka pasur të vrarë, sepse askush nuk i ka njehur kufomat, madje as eprorët që kishin urdhëruar krimin. Megjithatë, herë pas here ai e përsëriste dialogun e zhvilluar ndërmjet oficerëve dalmatinas që kishin ardhur në Tivar për t’i marrë në dorëzim të rekrutuarit nga eprorëve serbo-malazezë, të cilët, para se t’i dorëzonin, kishin urdhëruar t’i vrisnin, së paku, gjysmën prej tyre. Eprorët kroatë u thoshin oficerëve serbo-malazezë se “në listë duhet të jenë 3600 të rekrutuar, ndërsa mungojnë shumë prej tyre sepse ju i keni vrarë këtu!” Prandaj oficerët kroatë nuk pranonin të merrnin përsipër njerëz të vdekur. Thoshin se i kanë njehur dhe iu kanë dalë 2005 të rekrutuar. Protagonisti i kësaj tragjedie, Isuf Hajrizi, i cili në një çast më kritik ishte deklaruar se ai është “komandant”, bënte një përllogaritje të tillë; duke hequr këtë numër prej 3600 – shit, i dilte se në Tivar janë ekzekutuar 1595 shqiptarë të rekrutuar. Kështu, kishin kaluar disa ditë, as kroatët nuk pranonin t’i merrnin për t’i udhëhequr të shpëtuarit e për t’i dërguar më tutje drejt veriut të Jugosllavisë, për shkak se nuk përputheshin as për së afërmi shifrat (numrat) dhe sepse nuk dëshironin të merrnin asnjë përgjegjësi. As serbo-malazezët nuk dinin çfarë të bënin me të mbijetuarit… Kufomat e të mobilizuarve të vrarë i kishin fshehur, duke i hedhur në det dhe në shkëmbinjtë sipër qytetit, ku i kishin djegur për të humbur gjurmët e krimit.
Mitrovicë, 1 prill 2025
Diskutim rreth këtij postimi