Artur Vrekaj, Massachusetts
Reflektim nga telereportazhet e Marin Memës më 26 Nëntor 2016 dhe RTV Kosovës bërë më 24
Prill 2017 në fshatrat Shqiptarë të Peshterit në Serbi.
Rafshnalta e Peshterit ngrihet 1200 metra mbi nivelin e detit dhe ka rrënjë të hershme iliro-
shqiptare. Jo më kot shqiptarët e quajnë sanxhakun e Pazarit të Ri me emrin domethënës
Masbjeshkë, vëndi ku shtegtuan e mbarështruan bagëtinë me shekuj.
Në Peshter jetojnë fiset më të fuqishme të Veriut të Shqipërisë, të Shkrelit, Kelmendit,
Gjoka,Gjeka, Nikaj, Uka, Kuqi, Kurtaj, Camaj, Bibaj, Kastrati etj që u përballën brez pas brezi me
regjimin e trefishtë shfarosës Turko-serbo-malazez.
Deklarimi boshnjak i shumicës së Shqiptarëve ishte e vetmja mundësi e mbijetesës në Peshter
prej regjimit shfarosës Serb e Malazez.
Shqiptarët e moçëm e vuajnë më shumë dhimbjen e këtij asimilimi sot. Kjo është një nga
dramat më të mëdha ndër Shqiptarët etnikë që ende pikon dhimbje.
Në Bashicë, Murat Haliloviç me dhimbje thotë se boshnjakçe flas, por jam Shqiptar.
Hilmi Salihoviq saktëson se kur fillova shkollën nuk dija boshnjakçe, por vetëm Shqip.
Nazif Salihoviç shprehet se unë e mbaj plisin se baba e ka mbajtur, stërgjyshat e kanë mbajtur.
Nuk guxojmë të themi se jemi Shqiptarë.
Kambo Hukic (Huka), në fshatin Ugla shprehet vendosmërisht : ne jemi Shqiptarë. Ai nxjerr
flamurin kombëtar Shqiptar fshehur nën divan dhe ja tregon gazetarit Marin Mema. Kam
dëshirë që kur të vdesë të mbulohem me flamur Shqiptar. Kemi jetuar terror. Shqiptarët nga
këtu u shpërngulën në Sarajevë, Pazar i Ri, Turqi etj. Kemi dëshirë me na çue një mësues me u
mësue gjuhën Shqipe fëmijëve, të paktën një a dy orë në javë.
Sali Bajri, nga Uglla përgjigjet: më djeg shpirti që po humbet Shqipja. Ne kemi fol me stërgjysha.
Mos na harroni! Të djegur jemi për Shqypni, por s’kemi gjë në dorë, hiç.
Selim Hukic, thotë: me gjak jam Shqiptar, por shumë po e humbim Identitetin se nuk kemi
shkollë.
Eso Hukiq po nga Uglla thotë jam Boshnjak, por me zemër jam Shqiptar. Kjo është pasojë e
regjimit,por ai rrëfen emrat e vëndeve përreth Ugllës që ruhen ende shqiptarë: maja e Shkjaut,
maja e Shiut, maja e Aliut, maja e Kaçizakut, maja e Molikes, maja e Mprehtë.
Murat Kuç, kujton se Serbia nuk lë Shqip, baba jem, ai ka mbajtur shallin dhe plisin.
Villka Kuç, thotë se ne kurrë s’kemi për ta humbur Shqipen.
I moçmi Bajro Hukic (Hukaj) thotë shkollën nuk na e kanë lënë Shqip.
Boroshtica është fshat Shqiptar i banuar kryesisht nga fisi Shkreli. Nezir Shkriel (Shkreli), mësues
shfaqet me plis të bardhë. Ai i gëzuar flet se këtu po gjallon Shqiptaria. Gjuha Shqipe nuk do të
vdesë këtu. Sikur betohet : Ne e kemi zemrën Shqipe! Ne e kemi gjakun Shqipe!
Hilmi Shkriel nga Boroshtica shprehet se prej pleqve ne jemi prej Shkrelve të Rugovës. Shqipen
e kam mësuar prej babe. Kushërinjtë i kam në Kosovë.
Hafiz Shkriel, mesoburrë, dimë pak. Nuk kemi bërë shkollë. Vëllai im është Shqiptar.
Përkundër mohimit absolut të Identitetit kombëtar, në literaturën shkencore serbe pranohet që
në Peshter banojnë Shqiptarë.
Shenjat më të dukshme të Identitetit kombëtar në publik në qytetin e Pazarit të Ri dhe në
fshatrat e Peshterit më së shumti në shekullin e kaluar kanë qënë plisi i bardhë dhe shalli i
bardhë që ruhen ende edhe sot.
Ismet Azizi, intelektual, kryetar i “Kosova për Sanxhakun” rrëfen në RTV e Kosovës masakrën më
të madhe në numër të Çetnikëve Serbë me komandant Pavle Gjurishiq më 5 e 6 Janar 1943 ndaj
Shqiptarëve e Sanxhaklinjve në Bihor, krahinë me 82 fshatra.
Myftiu i Sanxhakut Muamer Zukorliq e quan “Sebrenica e Sanxhakut” këtë masakër. “Sipas
raportit të komandantit çetnik Pavle Gjurishiq, gjeneralit Serb Mihajlloviq se 1200 të vrarët
ishin të aftë për ushtri, ndërsa 8000 të tjerët ishin gra, fëmijë e pleq”, shkruan ai në
bosnjaci.net.
Dokumentet arkivore shqiptare japin shifrën 4628 Shqiptarë të vrarë, therur e masakruar këto
dy ditë tmerri në Bihor.
Shoqata Kosova për Sanxhakun është kthyer në një institucion qytetar e mediatik duke vepruar
në terren në Peshter e Pazar të Ri për evidentimin e rezistencës së Shqiptarëve dhe të kulturës
së tyre. Kjo shoqatë aktive po i jep jetë me veprimtari akademike hapërimit kombëtar në
Masbjeshkë. Ajo më së shumti po bashkëpunon me autoritetet vendore në Sanxhak, dhe ato
qëndrore në Kosovë dhe Shqipëri.
Thirrja e gjakut Shqiptar ndër Shqiptarët e Peshterit është kushtrimi i kohës që jetojmë për ti
dhënë më shumë frymë hapërimit kombëtar ndër ta.
Kështu, më 22 Nëntor 2023, Këshilli kombëtar Shqiptar në Serbi hapi zyrën Shqiptare në Pazarin
e Ri dhe ndërkohë po synohet kursi i Gjuhës Shqipe. Është koha për të ndihmuar vëllezërit
tanë. Kudo ku jemi.
Shqiptarët e Masbjeshkës (sanxhakut të Pazarit të Ri) me qindra vjet mbijetesë
Diskutim rreth këtij postimi