Serbia s’ka këngë popullore kreshnike. Serbia guslën e njeh përmjet rapsodëve të jashtëm endacakë të verbër ose të paverbër që sillen poshtë e lart për të fituar bukën e gojës, dhe meqë e dinë që në Serbi nuk ka epikë i vardisen pikërisht asaj. Kënga epike e të verbërve nuk vlerësohet shumë nga populli dhe as nga autorët serbokroatë. Për ta thonë gjithfarësoj fjalësh përçmuese. Këta të verbër nuk janë rapsodë të vërtetë, por i kanë dalë zot kësaj pune nga nevoja. Midis tyre me vlerë kanë qenë Filip Vishnjiqi dhe Qorr Hysa, njëri hercegovas dhe tjetri boshnjak.
Megjithatë rrethi i qytetit serb të Uzhicës dhe pjesërisht krahina e Jadrit në Serbinë perëndimore me popullsi të prejardhur nga Hercegovina, Bosnja dhe Mali i Zi kanë këngë epike me lahutë, gjë që vërteton më mirë vetë Serbia e mirëfilltë nuk është zonë epike. E çuditshme është që megjithëse Serbia s’ka epikë popullore me lahutë, asnjërit nga autorët S/K nuk i del fjala që s’ka. Edhe Vuk Karaxhiqit në këtë pikë i merret goja dhe s’e shqipton fjalën s’ka, po i bie rrotull e rrotull pa thënë as kështu as ashtu. Në një bashkëbisedim me A.Dozonin me 1857 Vuku shprehet kështu: “Sot vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në krahina malore të Serbisë Jugore ka gust për këngë heroike…” (August Dozon: La poesie populaire serbe, Paris, 1859, f.3.)
Pra, sikundër shohim, Serbia përfshihet në deklaratën e Vukut sa për të thënë që viset malore të jugut të saj (Kosova) kanë prirje për epikë. D.m.th del që vet Serbia nuk ka, por shprehimisht nuk thuhet.
Duke parë se në tre vëllimet me këngë të Vuk Karaxhiqit s’ka asnjë nga një fshat serb prej fshatari serb, do të thotë se Serbia vet s’ka qenë ndonjëherë zonë lahute dhe për pasojë as zonë këngësh kreshnike.
Kemi këtu, pra dy pohime: Të M.Ibrovacit që thotë “Kjo poezi kaq e pasur e kaq e larmishme u duk papritur më 1814, dhe të Vukut, “Këngë epike sot ka vetëm në Bosnje, Hercegovinë e Mal të Zi”. Duke i marrë ad literam thëniet e këtyre dy autorëve, del se më 1814 kjo poezi u duk në ato vende që ishte edhe më 1857, ku Serbia nuk figuronte si e tillë.
Që nga 1814 deri 1857 janë vetëm 43 vjet, afat tepër i shkurtër për të lindur, jetuar dhe vdekur një poezi popullore. Kaq nxitim të madh nuk treguan as bugarshticet, të cilat sidoqoftë lanë pas vetes ca këngë, kurse deseterci në Serbi asnjë.
Vuk Karaxhiqi si njeri i dalë me paterica, s’ka qenë personalisht në asnjë vend serbokroat për të mbledhur këngë popullore, përveç në Karlovac dhe në Serm të Kroacisë, sigurisht edhe atje i ulur në një fron duke thirrur rapsodët, të cilëve u kishte dëgjuar emrin. Kjo e metë fizike e bëri Vuk Karaxhiqin të ngrejë një rrjet të tërë korrespondentësh në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi etj, që të mbledhin këngë e t’ja çojnë atij në Vjenë, ku kishte ngritur familjen. Rrjeti i korrespondentëve përbëhej nga barajraktarë, peshkopë, priftërinj, tregtarë, arsimtarë, gjeneralë etj, gjithmonë njerëz me shkollë.
Në Serbinë e çliruar më 1822, Vuku mblodhi 4 këngë prej një plaku endacak prej Kolashini, dhe 4 këngë të tjera nga një farë Angjeliko Vukoviqi prej Kosove, i cili i këndoi Vukut tre këngë të vogla me përmbajtje nga Krahina kroate dhe një këngë autobiografike, pra asnjë këngë serbe të mirëfilltë. Milivoje V.Kjezheviqi në kumtesën e tij mbi lahutën laradashe (gusle javorove) mbajtur në kongresin e VII të folkloristëve jugosllavë në Ohër më 1960, thotë se “Serbia në kuptimin e ngushtë të fjalës doli jashtë zonës epike bashkë me viset e tjera të territorit serbokroat, kështu që shtrirja gjeografike e guslës me rënien e kulturës patriarkale u grumbullua në Mal të Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe zagoren dalmate” (Mil.V.Knezevic: “Gusle javorove” në kongresin VII të folkloristëve jugosllav në Ohër 1960, fq 348.)
Pra as ky autor nuk thotë që s’ka pasur ndonjëherë epikë me lahutë në Serbi dhe as thotë që ka, po mbahet nga fija e kallamit ekuivok që të kuptohet sikur Serbia paska pasur dikur epikë kreshnike, por tani s’ka më, se u zhduk jeta patriarkale. Një pretendim i tillë do të qe me vend vetëm sikur në Serbi të qenë mbledhur dikur këngë epike, pastaj të thuhej që tanimë janë zhdukur se u zhduk jeta patriarkale, të paktën jo më shumë se në Kroaci dhe në Bosnje, ku kënga epike s’ka pushuar së kultivuari edhe sot.
Këto përpjekje të gjithëanëshme të autorëve për të na bindur se në Serbi ka pasur po tani s’ka këngë epike, nuk janë punë serioze. Duan të na e paraqesin Serbinë me zor si zonë epike që e ka humbur, si një mal që ka qenë pyllnajë por e ka humbur pyllin.
Pa na dhënë këngë serbe që të jenë vjelur në filan fshat nga filan rapsod serb në filan kohë me ç’sy e faqe na thuhet që Serbia paska qenë zonë epike, po nuk qenka më?
Bashkangjitur ne po sjellim një listë të veprave dhe rapsodëve të Vuk Karaxhiqit për të parë lexuesi ynë që në Serbinë e mirëfilltë s’ka dhe s’ka pasur këngë me lahutë nga rapsodët e saj.
Citim:
Radhitja e rapsodëve dhe këngëve të Vuk Karaxhiqit.
Emër mbiemër / Prej nga është / Ku u takua me V.K Profesioni / Sa këngë dha/
Teshan Podrugoviq / Hercegov. / Karlovac / Endacak / 22
Flip Vishnjiq / Bosnja / Serm / Lypsar i verbër / 13
Starac Milija / Hercegov. / Serbi / Endacak / 4
Starac Rashko / Hercegov. / Serbi / Endacak / 10
Stojai (hajdut) / Hercegov. / Serbi / I burgosur / 3
Gjuro Cernagorac / Mali i Zi / Beograd / Lypsare e vjetër / 6
Gaj Balaqi / Lika / Serbi / Ushtar / 7
Plaka Zhivana / ? / Zemun / Lypsare e verbër / 6
Angjeliko Vukoviq / Kosova / Serbi / Emigrant / 4
Një tregtar anonim / Bosnja / Karlovac / Tregtar / 3
Gruja Mehanxhiq / Kroaci / Zemun / Roje / 3
Dy malazesë / Mali i Zi / Serbi / Kalimtarë 2/
Anonimë
Një fshatar anonim / Serbia / Serbi / Bujk/ 3
Plaka Stefania / ? / Serbi / Lypsare e verbër / 4
Një i quajtur Rov / Serbia / Serbi / Trim konaku / 3
Pavlo Iriq / Uzhica / Serbi / Trim konaku / 6
Vaso Popoviq / Kroaci / Me korespondencë / Pronar / 16
Një tregtar anonim / Bosnja / Serbi / Tregtar / 8
Plakë anonime / ? / Serbi / ? / 1
Ivan Beriq / ? / Dërguar me postë / ? / 1
Urosh Voliq / ? / ? / ? 1Malazes anonim / Mali Zi / Serbi / ? / 1*
1-Sikundër shihet nga Serbia nuk ka rapsodë, veç ambulantë.
2- Këngët janë mbledhur nga elementë heterogjenë: 29 këngë prej lypsarëve të verbër; 36 prej endacakësh pa adresë; 6 këngë prej shtegtarësh të ndryshëm; 9 këngë prej shërbyesish që s’dihet prej nga janë; 4 këngë që dalin gjasme prej një kosovari, s’kanë lidhje fare me Kosovën apo Serbinë. E njëjta gjë vlen edhe për këngët boshnjake të Kosta Hermanit, janë mbledhur larg vendlindjes, si uji që merret larg burimit, nga rrëkeja, nga llucat.
Gjatë këtij punimi neve kemi një parim: atje ku bie lahuta është i pranishëm edhe dekasilabi (por jo aty ku është dekasilabi është e pranishme edhe lahuta). Etnografi rus P.Rovinski që ka qenë në Serbi, në Mali të Zi dhe Kosovë në vitet 1860, shkruan në veprën e tij “Cernagorije” II fq.23 da su gusle u Serbiji malo poznate” (gusla në Serbi është pak e njohur)Murko: Gjurmët, 19.
Autorët serbokroatë shprehin që Sanxhaku i Novipazarit përbën një tërësi epike, (ibidem) dhe këtë nder ia bëjnë vetes, jo për tjetër, se sa nga shkaku se Novipazari ka qenë qendra e shtetit para viteve 1280, d.m.th pra se qendra mbretërore, fetare dhe politike serbe të mbartej pëfundimisht nga Rashka në Kosovë; dhe për të mos kategorizuar këtë qendër të vjetër serbe, thonë sot që ajo formon një tërësi epike. Megjithatë nga kjo “tërësi epike” nuk njihet ansnjë këngë, qoftë në koleksionet e Vukut, qoftë në ato të M. Parry-ut dhe A.B.Lordit. E kemi fjalën për këngë epike të ortodoksit serb ose të myslimanëve të Novipazarit, d.m.th tek popullsia që flet sllavishten si gjuhë amtare, se përndryshe, shqiptarët që e flasin si gjuhë të dytë, ata këndojnë me të vërtetë shumë këngë me lahutë, pra mund të formojnë eventualisht “një tërësi epike” dhe kjo provohet sidomos me dy vëllimet me këngë epike të dy autorëve amerikanë që pamë.
Sikur populli serb i cili pati emigracione në Hungari ashtu si populli shqiptar pati në Itali, të kishte këngë epike, do ta kishte treguar këtë duke i marrë këto këngë në dhe të huaj, siç bëri popullsia jonë në Kalabri dhe Siqeli. Pra, mund t’i humbiste në Serbi, po do t’i ruante të gjalla në Hungari.
Si për sllavët e tjerë të jugut edhe për serbët shtrohet një pyetje themelore: pse këta popuj nuk formuan epikë popullore gjatë kohës që luftuan lufra të përgjakshme njëri me frankët, tjetri me bizantinët dhe armiq të tjerë? Mirë kroatët që përfunduan gjithmonë nën zgjedhën hungareze, po serbët patën sukses në luftrat e tyre, se më në fund arritën pavarsinë kombëtare që ia shkëputën Bizantit më 1196 dhe vazhduan deri më 1398 kur këtë pavarsi ua mori sulltani në luftën e Kosovës. A ka mundësi që serbët të kenë bërë një luftë të gjatë prej disa shekuj kundër Bizantit dhe të mos kenë ngritur një këngë epike për bëmat e tyre? Ne mendojme që ka, por jo në çdo rast. Serbët megjithatë janë rast tipik.
Pengesa e parë ka qenë priftëria ortodokse që ishte si e Serbisë ashtu dhe e Bizantit. Bizanti pra nuk ishte vetëm zgjedha politike e serbëve por edhe metropolia fetare e tyre. Kundër Bizantit rapsodi serb do ta kishte të vështirë të këndonte se priftërinjt do t’i nxirrnin sytë menjëherë.
Pengesa e dytë ka qenë mungesa e nje vargu epik që sllavët në përgjthësi nuk e vunë dot në dorë. Edhe në paçin qenë formuar këngë me varg të lirë që spikatin aty-këtu, ato nuk u regjistruan dhe vanë humbë. Ekzistenca e të tilla këngëve me vargje të lira te çekët është një rastësi, u ndodh një njeri i kujdesur që i regjistroi dhe ato mbetën, po kjo ndodh rrallë, dhe nuk u përsërit tek serbët. Mund edhe të jetë përsëritur por koleksioni humbi ose nuk është gjetur ende, por nuk vërteton veç prozën ritmike. Epika popullore nuk mbahet në prozë ritmike, ajo do metrikë të rregullt.
Rapsodi serb ka pasur mundësi të huazojë metrikë nga populli shqiptar me të cilin jetonte në simbiozë ose kufi, po populli shqiptar këndonte kundër kralëve dhe shkjeve, pra ishte për t’iu shmangur me çdo kusht këngës së tij. Duhej mallkuar bile dy herë, një herë se nuk e qaste kisha dhe se ishte lesa maestatis- kundër kralit; dhe një herë tjetër se shqiptarët ishin të përbuzur, ngaqë pa shtet e të njohur sipas fiseve.
Ka shumë shkaqe objektive që shqiptarët nuk e formuan shtetin e tyre në shek. 8,9,10,11 e tutje, kur sllavët e sidomos serbët iu ishin përveshur me zell e luftra të përgjakshme për arritjen e shtetit të tyre, që më në fund e arritën. Shkaku kryesor ka qenë pikërisht zgjedha e dyfishtë dhe depërtimi në radhët e tyre të elementit serb. Për gjendjen e shqiptarëve midis kudrës dhe çekanit, midis zgjedhës bizantine dhe serbe, flasin edhe vet historianët sllavë. Milan Shuflai thotë: “Të shtypun prej grekëve nga ana e jugut, e më tepër të shtypun prej serbëve nga ana e veriut, aristokratët shqiptarë iu drejtuan Anzhuinëve në Durrës dhe Napoli” (Dr.Milan Shuflai: Serbët dhe shqiptarët, (pasqyra e këtyre në kohën e mesme) me parathënie të St.Stanojeviqit-prof i Univeristetit të Beograd. Përkthyem prej sllavishtets nga Zef Fekeçi e Karl Gurakuqi, Tiranë 1926, f 59.)
Pra këta okupatorë në grindje midis tyre, por solidarë kundër shqiptarëve, nuk u ipnin kohë këtyre të mirrnin frymë. Kjo armiqësi bëhej edhe më e egër kur shihnin që shqiptarët i hidhnin sytë nga perëndimi, dhe shpresat kryesore i mbanin te kryengritjet. Mbase në fund të ndonjërës prej tyre arrinin të krijonin një bërthamë të qëndrueshme ushtarake që të ishte zanafilla e shtetit. Por kryengritjet shqiptare si ajo që përmend Ataliati (1043) ose ajo që përmend historia jugosllave e vëllezërve Dhimitër e Bogoje Suma (1331) kundër Stefan Dushanit, shkaktonin gjakderdhje të mëdha pa krijuar dot një bërthamë shtetërore, bile shpresat për shtet i shpinin edhe më tutje.
Populli me shtet është popull me kryeqytet, është popull me administratë shtetërore dhe lokale, popull me një kryetar, ushtri, dhe që organizon kulturë, bën ligje, ka gjyqe, etj. Kushte të domosdoshme për të jetuar kolektivisht me të drejta dhe detyra patriotike të denja dhe të caktuara. Populli pa shtet është si një karrocieri pa motorr, e hedhur që mund ta rrjepë e ta plaçkisë kushdo. Në një popull pa shtet sundojnë tarafet, fitojnë më të fortët; vetëgjyqësia, hakmarrja dhuna etj, bëhen parime dhe armiku i jashtëm depërton lehtë dhe skllavëron.
Veç kësaj, një popull pa shtet është dhe i përbuzur nga të tjerët, i marrë nëpër këmbë, se edhe vet e ndjen veten të dobët e të përulur në veten e tij.
Populli shqiptar që më vonë dijti të krijojë një bashkësi ushtarake të tillë nën Skënderbenë, sa t’i kundërshtojë një perandorie aq të fuqishme, siç qe perandoria Osmane, dhe bile t’i qëndrojë shumë më gjatë e shumë më mirë se fuqitë e tjera të Ballkanit që kishin organizim shtetëror, do të thotë se ky popull, populli shqiptar, s’ka ecur në histori si turmë e shkapërdredhur, por me organizim fisesh, me kryetar të tij në çdo fis, që s’ishte veç një shtet në miniaturë i cili kishte ligjet e veta, gjyqet e veta, botën e tij kulturore, kufinjtë politikë, aleatët e tij prej fisesh të tjera dhe ushtrinë e përbashkët për të përballur armikun e jashtëm-sigurisht kjo në mbarë vendin. Pra, edhe në çastet e tij më kritike populli shqiptar s’ka qenë kurrë një masë amorfe, po një repart i gatshëm që në kushtrimin e parë të mblidhte në kazermë një ushtri si ajo e Batos ose e Skënderbeut apo e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, etj. Për cilësitë e tyre burrërore e pagane shqiptarët i kanë pasur frikë armiqtë e tyre. Dorsa shkruan: “Dice Byron: “Non vi ha popolo piu odiato e temuto dai suoi vicini come gli Albanesi… i greci li riguardano apena come cristiani e i Turchi come musulmani. Per quanto ho poputo esperimentare, non devo lore che degli elogi…” (Bajroni thotë:- S’ka popull më të urryer e të tutur nga fqinjët e tyre se sa shqiptarët…grekët mezi i mbajnë për të krishterë e turqit për muslimanë. Me sa pashë, unë s’kam për ta veç lavdërime)
Pra, gjatë shtetit të madh serb mesjetar, lahuta s’kaloi nga shqiptarët tek serbët, se ishte instrument pa rëndësi, instrument primitiv, instrument i një populli të përbuzur, instrument cubash, instrument kundër kralëve. Serbët në atë kohë s’kishin ç’këndonin bile me këtë instrument se ishin vetë agresorë, u bënë vetë antagonistë. Gjatë pushtimit turk lahuta nuk u duhej serbëve se u bënë raja, dhe rajasë nuk i duhej lahuta por kazma e lopata. Lahutën serbët e morën si shërbim të gatshëm nga të tretët, si rapsod me qera, njësoj si boshnjakët kanë sot bilinguistët e Novipazarit. Ndryshimi është që rapsodët me qera të serbëve nuk janë të një kombësie të huaj, po nga vëllezërit e tyre boshnjakë, malazez e hercegovinas.
Në qoftë se autorët jugosllavë thonë që “Visoka moralna vrijednost gusle istice se, kad se kaze, da su gusle oslobodile Srebe od Turava, da su nasa sloboda i slicno”. (Vlera e lartë morale e lahutës vihet re kur thuhet se lahuta çliroi Serbinë nga turqit, që ajo është liria jonë e k.t.) (Murko, Tragom, fq.196) do pasur parasysh rapsodi i verbër Filip Vishnjiq, i cili shkoi nga Bosnja në Serbi më 1809 dhe këndoi këngën e parë të çlirimit kombëtar serb “Pocetak bune protiv dahije” (Fillimi i kryengritjes kundër dahive) dhe mjaft këngë të tjera, të parat që ka njohur dheu i mirëfilltë serb. Siç dihet kryengritje serbe filloi më 1804, me ndihmën edhe të Rusisë, dhe më 1817 arriti autonominë. Mbase ndihma e lahutës në këtë mes është disi e tepruar.
Ekstrakt nga “Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate”
Diskutim rreth këtij postimi