Hyrje redaksionale
Në një kohë kur debatet për historinë e Kosovës dhe Sanxhakut vazhdojnë të mbeten të politizuara, një burim i rrallë nga fundi i shekullit XIX hedh dritë mbi realitetin e asaj kohe – pa ngarkesat ideologjike të mëvonshme.
Bëhet fjalë për studimin “Novibazar und Kossovo (Das alte Rascien)”, botuar në Vjenë në vitin 1892, i cili paraqet një analizë të detajuar gjeografike dhe etnografike të kësaj hapësire.
Ky dokument, i hartuar në kontekstin e interesit të Austro-Hungarisë për Ballkanin, sjell disa përfundime që edhe sot mbeten jashtëzakonisht aktuale.
“Serbia e Vjetër” – një term politik, jo shkencor
Një nga konstatimet më të forta të këtij studimi është refuzimi i termit “Serbia e Vjetër”.
Autori thekson qartë se ky emërtim nuk ka bazë gjeografike apo etnografike, por përfaqëson një konstrukt politik të nacionalizmit serb të shekullit XIX.
Madje, ai paralajmëron se përdorimi i këtij termi për territore si Prizreni, Gjakova apo Peja është një mënyrë për të justifikuar pretendime territoriale, ndonëse këto zona i përkasin hapësirës shqiptare.
Rascia – një rajon më vete
Në vend të kësaj terminologjie, studimi përdor emrin historik Rascia, duke e përshkruar si një zonë tranzicioni midis tre botëve: shqiptare, maqedonase, boshnjako-serbe.
Ky përkufizim e nxjerr në pah karakterin kompleks dhe shumëetnik të rajonit, duke rrëzuar idenë e një territori homogjen.
Shqiptarët – popullsi e hershme
Një nga pjesët më domethënëse të studimit është pohimi se në lashtësi, kjo hapësirë ishte e banuar nga fise ilire, pra shqiptare. Ky konstatim përforcon tezën e vazhdimësisë shqiptare në Sanxhak dhe Kosovë dhe bie ndesh me narrativat që e paraqesin këtë territor si historikisht ekskluzivisht serb.
Migrimet që ndryshuan historinë
Studimi identifikon disa procese kyçe demografike: shpërnguljet masive serbe të viteve 1690 dhe 1737, vendosjen e popullsisë shqiptare në hapësirat e zbrazura. Si rezultat, në fund të shekullit XIX, në këtë territor jetonin rreth 90.000 shqiptarë, me përqendrim të veçantë në Kosovë.
Autori shkon edhe më tej, duke theksuar se: popullsia serbe ishte në rënie, ndërsa ajo shqiptare në rritje. Duke e përshkruar këtë si një proces gradual të ndryshimit të karakterit etnik të Kosovës.
Dëbimet pas vitit 1878
Një tjetër element i rëndësishëm është dëbimi i shqiptarëve nga rajonet e Nishit, Leskovcit dhe Prokuplës pas vitit 1878. Rreth 20.000 shqiptarë u vendosën në Kosovë, duke ndikuar ndjeshëm në strukturën demografike të rajonit.
Përfundim
Ky studim austro-hungarez i vitit 1892 dëshmon se: Sanxhaku dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë hapësira homogjene, shqiptarët kanë qenë një element i hershëm dhe i rëndësishëm, ndryshimet demografike janë rezultat i proceseve historike, jo i miteve politike. Në një kohë kur historia shpesh përdoret si mjet politik, rikthimi te burimet e tilla të paanshme mbetet një nga mënyrat më të sigurta për të kuptuar të vërtetën.
/DardaniaPress/










Discussion about this post