Fshati, i cili gjendet rreth 35 km në verilindje të Mitrovicës e 30 km larg minierës “Trepça” në Stanterg, kufizohet me fshatra të komunës së Leposaviqit (në veriperëndim), me Murgullën (në verilindje), me Zhitinë (në lindje), me Kaçanollin (në jug) dhe me Selacin (në jugperëndim). Dikur ky fshat ka qenë tërësisht i izoluar. Pas përfundimit të luftës në Kosovë (1999), është asfaltuar rruga nga Bajgora deri në këtë fshat, ku në maja kodrash janë vendosur fluturaket e erës që prodhojnë energji elektrike. Pasi pushova pak te Kroni i Kafes, ku piva ujë dhe u freskova, vazhdova edhe pak deri në Rrzhanë. Nga kodra lart vështrova poshtë ku kanë qenë shtëpitë e fshatit. Ata që e vizitojnë për herë të parë, mendojnë se këtu kurrë nuk ka pasur shtëpi, nuk kanë jetuar kurrë njerëz, në këto livadhe të bukura, plot lulëzim e të pasura me bar kah të përthekojnë sytë, kurrë nuk kanë kullotur dele e lopë, se nuk ka pasur blegtorë e bujq të vyeshëm, kujtojnë se kurrë nuk ka pasur shkollë, nxënës, mësues… Po varret e vjetra në skaj të fshatit çfarë dëshmojnë ato? Dëshmojnë për ekzistencën e banorëve në këtë vend të thellë malor… Për disa çaste më bëhet sikur dëgjoj thirrje njerëzish, këngë e gaze barinjsh duke luajtur pidak, xhilit, rrasaz, guxhaz, bletaz, shokaz, dhenaz…; thirrjen e bareshës me gisht në fyt: “Dushku i dhive, bari i dhene,/ bjeri knenaj, motra jeme”: blegërimë delesh, vërritje dhish, pëllitje lopësh, hingëllimë kuajsh, byrlykje terakësh, lehje qensh; cingërimën e ziles së shkollës, zërat e ëmbël të nxënësve e këshillat e mësuesve… Këtu nuk ka më shtëpi, as banorë, as tufa bagëtish në këto livadhe e kullosa të pasura me bar… Këtu kullosin vetëm rrufetë… Këtu dëgjohet vetëm gjëma e të vdekurve ndër varre, gurgullima e ujit të Lumit të Rrzhanës që zhdirgjet duke pëshpëritur në gjuhën e valëve, fëshfërima vajtuese e gjetheve të ahishtës…
– Pak histori për Rrzhanën
Rrzhana është një fshat i vjetër, sot i braktisur e i harruar nga robi e zoti. Për vjetërsinë e tij dëshmojnë gjurmët e mbeturinave të kulturës materiale. Dikur ka qenë vend i urbanizuar, me minierë që nga periudha iliro-dardane. Prof. Dr. Skënder Rizaj në librin e tij “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII”, Prishtinë, 1982, shkruan se “ky vendbanim përmendet në vitin 1530/31, se shtrihet 30 km në verilindje të qytetit të lashtë, se administrativisht i ka takuar Nahijes së Bellasicës e Sanxhakut të Vushtrrisë”. Orientalisti boshnjak, Hazim Shabanoviq, shkruan se “nën nahijen e Zveçanit përmenden në vitin 1456 vendet tregtare: Dimitrovica dhe Rzhana”.
Toponimi me emrin Irjana (Irzhana) na del i regjistruar në njërin prej defterëve të parë osman të këtyre territoreve, atë të Rumelisë të vitit 1451-1452. Rrzhana, falë pasurive minerare, është zhvilluar në periudhën ilire, romake dhe osmane. Duke iu referuar këtyre begative, osmanët këtë minierë – (osm. Maden) e quanin Celâl (Xhelal) madeni (osm.Celâl-madhështi, këtu me kuptim madhështor). Në fakt, sipas defterit të regjistrimit të përgjithshëm të vitit 1468/69 Rrzhana cilësohet si treg – Pazar, minierë e argjendit, prandaj ishte has i perandorit. Në këtë vit ishin regjistruar 52 shtëpi dhe 2 beqarë. Të dhënat e vitit 1487 tregojnë se Rëzhana numëronte 43 shtëpi. Pra krahasuar me numrin e banorëve të 35 viteve më parë (1451-1452), kishte humbur, për shkaqe të panjohura, afro 3/4 e popullsisë. Ndërkaq më vitin 1516 Rrzhana paraqitet si nahije e veçantë selia e së cilës ishte vet Pazari i Rrzhanës dhe numëronte 51 shtëpi. Të dhënat e mëvonshme shënojnë rënien e numrit të përgjithshëm të banorëve ndoshta për shkak të rënies së prodhimtarisë minerare. Kanun-nama e Bosnjës e vitit 1516 përmend Rrzhanën dhe madenet e saj si has i sulltanit ndërsa në disa dokumente miniera ishte shënuar si majdan madhështor (Celâl Madeni). Në ligjin mbi minierat (Maden kanuni) të Sylejmanit të Madhërishëm, figuronte si njëra nga minierat më të rëndësishme të argjendit (Irjana gümüş madeni) në Perandorinë Osmane. Ka mundësi që vlerësimet e tilla janë të ekzagjeruara. Për Rrzhanën kemi edhe disa të dhëna. Qyteti Trepça e Poshtme (Trepça Zir) më vitin 1576 figuronte në Nahijen e Rrzhanës, e cila ishte në kuadër të Kazasë së Jeni Pazarit, që do të thotë se administrativisht ishte e lidhur me Sanxhakun e Bosnjës. Në regjistrin e përgjithshëm të Sanxhakut të Bosnjës, përkatësisht në Kadillëkun e Jeni Pazarit të vitit 1604 është regjistruar Nahija e Rrzhanës me tetë fshatra. Ky regjistrim e shënon Trepçën e Poshtme në kuadër Nahijes Rrzhana. Se Rrzhana kishte filluar të humbë rëndësinë si vendbanim dhe si qendër mineralogjike e tregtare dëshmon edhe zvogëlimi i mëtejmë i numrit të banorëve që jetonin në të. Kohë më vonë (nuk dihet saktësisht kur) miniera kishte ndërprerë punën plotësisht. Mund të jetë viti 1689, për shkak të rënies së murtajës. Në regjistrimet e mëvonshme Rrzhana si vendbanim përmendet rrallë, ndonëse Nahija e Rrzhanës do të ekzistojë edhe për një kohë të gjatë. Në dokumentin osman nga viti 1715 përmendet galeria e minierës në katunin Irjane (Irzhane-Rzhana) të kazasë së Bellasicës që do thotë se Rrzhana, megjithatë ekzistonte, dhe se në këtë kohë, administrativisht i takonte kazasë së Bellasicës, që gjendej në sanxhakun e Shkupit, ndërsa nga viti 1877 do t`i takojë Vilajetit të posa formuar të Kosovës. Rrzhana figuron të jetë shënuar edhe në sallnamet (shkrim, libër, anal, vjetar, kalendar) e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900 me po të njëjtin emër – Irjana (Irzhana).
Në vitin 1912, kur Kosova u pushtua nga Serbia, fshati ka pasur mbi 200 banorë, të gjithë shqiptarë. Pas dhjetë vjetësh (1921) numri i tyre u përgjysmua. Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, banorët shqiptarë të këtij fshati kanë përjetuar dhunë e terror të pushtetit serb. Në vitin 1948 ka pasur 15 shtëpi me 206 banorë, në vitin 1951 – 16 shtëpi e 243 banorë, në vitin 1961 – 23 shtëpi me 287 banorë; në vitin 1971 – 329 banorë; në vitin 1981 – 17 shtëpi me 233 banorë shqiptarë të familjeve Hasani dhe Tahiri. Thuhet se banorët me mbiemrin Tahiri kanë ardhur nga fshati Brecë.
Deri në mesin e viteve ’50 në fshatin Rrzhanë nuk ka pasur shkollë. Në vitin shkollor 1956/57 është hapur shkolla katërklasëshe. Deri në vitin 1977, kur është ndërtuar shkolla e re, mësimi është mbajtur në odën e Osman Hasanit. Mësuesi i parë ka qenë Halim Jashari, i cili ka punuar me paralele të kombinuara me gjithsej 78 nxënës. Nga viti shkollor 1964/65 kjo shkollë ka qenë paralele e ndarë e sh. fill në Bare e pastaj e asaj në Kaçanoll. Mësues të tjerë që kanë punuar në shkollën e Rrzhanës, kanë qenë: Latif Vllahia, Beqir Qunaku, Mon Asllani, Avdi Toplica, Lutfi Shyti, Sadik Ferizi, Shaban Hasani dhe Rizah Hasani. Shkolla është mbyllur në vitin shkollor 1985/86, pasi që shumica e banorëve ishin shpërngulur, ndërsa nuk kishte më nxënës. Deri në vitin 1961, prej 180 banorëve mbi moshën 10 vjeç, vetëm 40 kanë ditur shkrim-lexim, ndërsa 141 kanë qenë analfabetë. Njëzet vjet më vonë (1981), prej 147 banorëve mbi dhjetë vjeç, 113 kanë ditur shkrim-lexim, kurse 34 jo. Në vitin 1975, vetëm 27 banorë kanë qenë të punësuar në ndërmarrje të ndryshme, kurse dhjetë vjet më vonë vetëm pesë. Nga përfundimi i LDB-së (1945) e deri në fillim të viteve ’90, për shkak të kushteve shumë të vështira, mungesës së rrugës e infrastrukturës, nga ky fshat janë shpërngulur 42 familje me 520 banorë. Fshati është elektrifikuar tek në vitin 1980. Deri në vitin 1993 në fshatin Rrzhanë kanë jetuar rreth 150 banorë. Një vit më vonë kanë mbetur vetëm pesë familje me rreth 60 banorë. Edhe këto pesë familje me pak banorë janë shpërngulur. Në vitin 1994, familja e Xhafer Hasanit është shpërngulur e fundit në Obrançë të Llapit, komuna e Podujevës. Banorët e këtij fshati sot jetojnë në komunën e Podujevës (Obrançë, Dumnicë, Vilanc, Katunishtë) në Stanterg (koloni) në Tunel të Parë, në Melenicë, në Mitrovicë, Shipol, Vushtrri, Nadakovc, Pestovë, Novosellë e Maxhunit, Frashër, Ceceli, Repicë, Sfaraçak etj. Në vitin 1999, piromanët serbë kanë djegur të gjitha shtëpitë e shkollën e fshatit si dhe kanë vrarë katër banorë: Fitim Hasani, Lumturie Hasani, Rushit Hasani dhe Rifadije Hasani. Kështu, që nga përfundimi i luftës (1999), asnjë banor nuk është kthyer për të jetuar në fshat. Ata i kanë pronat këtu dhe një ditë ka mundësi të kthehen për të jetuar në trojet e tyre stërgjyshore…
Discussion about this post