TË PËRNDJEKURIT NGA KOSOVA
REGJISTRIMI, STREHIMI DHE INFORMIMI
Rozhajë, më 13 mars 1998. Protesta paqesore në Rozhajë kundër dhunës serbe në Kosovë
Në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë ne Rozhajë, në orën 13, filloi tubimi i protestës kundër dhunës serbe ne Kosovë. Salla ishte përplot njerëz dhe tubimin e kishim lajmëruar 48 orë më parë në organet e sigurimit. Pankartat e shkruara një nate me parë nga Ali Daci, Deli Kurpejoviqi, Halil Daci, Haxhi Lajçi e te tjerë, kishin përmbajtje të qartë. Populli shqiptar dhe ai mysliman kërkonin nga qarqet ndërkombëtare dhe vendore një paqe të mundshme në Kosovë.
Të nderuar, vëllezër e motra, Zonja e Zotërinj, Të nderuar qytetarë të pranishëm,
Te shqetësuar dhe te indinjuar për situatën tronditëse ne Kosovë, jemi mbledhur këtu në Rozhajë, sot me 13 mars, në ketë tubim paqësor proteste, që të ngremë zërin kundër dhunës dhe terrorit që po ushtron me tërë forcat e armatosura regjimi serb ne Kosove që këto dite u ashpërsua me brutalitetin më të madh ndaj popullatës civile shqiptare.
Fillet e kësaj tragjedie datojnë që para më tepër se një shekull, kur në Europë po konsolidoheshin kombet dhe shtetet nacionale. Fuqitë e Mëdha i ndanë shqiptarët dhe i copëtuan trojet e tyre. Më se gjysma e trojeve etnike shqiptare mbeti nën Jugosllavinë e pare dhe te dytë. Tani, me çdo kusht, me dhunë e terror, me zjarr e hekur, po tentohet që, pa vullnetin e shqiptareve, këto troje përsëri të mbeten nën Jugosllavinë e mbetur nën Jugosllavinë e tretë.
Suprimimi i autonomisë se Kosovës dhe okupimi i saj nga forcat ushtarako-policore, tregoi se Serbia po i ripushton shqiptarët dhe trojet e tyre. Po ndodh kjo edhe pse ka rënë regjimi komunist dhe është inauguruar sistemi shumëpartiak dhe është shpërbërë Jugosllavia komuniste. Megjithatë, shqiptarëve në Kosove e më gjere, do t’u duhen shumë mund, organizim, mençuri dhe përkrahje ndërkombëtare, për të dalë nga zgjedha shekullore. Këto dite Kosova po ushton përsëri. Forcat e mëdha serbe, të armatosura deri ne dhembë dhe te frymëzuara nga shovinizmi më ekstrem antishqiptar, sulmuan me mjete të blinduara nga toka dhe me helikopterë e aeroplanë nga ajri, popullsinë e pafajshme civile shqiptare në fshatrat e Drenicës. Pasojat janë të mëdha e tragjike. Në shtëpitë e veta me dhjetëra e dhjetëra të vrarë e te masakruar, gra, fëmije e pleq. U shkatërruan shtëpitë dhe u plaçkiten pasuritë e tyre. Te gjitha këto po i bëjnë kinse për t’i gjetur “terroristët shqiptarë”. Vallë, a thua gratë me duar ne magje, fëmijët e pleqtë, madje edhe fëmija në barkun e nenës shtatzënë, qenkan terroristë?!.
Mos valle fëmijët me lodra në dorë, nxënësit e studentët me libra e fletore, kërcënojnë dikën?!
Shqiptarët në Kosovë, e as gjetiu, nuk janë terroristë. Shqiptarët në Kosovë kërkojnë te drejtat e tyre legjitime, si çdo popull tjetër. Kërkojnë të jenë të lirë, të jetojnë e të punojnë të lirë në vatrat e tyre atërore e stërgjyshore. Të jetojnë në harmoni e me respekt edhe me fqinjët, porosiste poeti i ynë i madh, Naim Frashëri. Është ky përcaktimi ynë njerëzor, demokratik e civilizues. Forcat ushtarake policore e paramilitare po terrorizojnë, vrasin e masakrojnë popullatën civile shqiptare, gra dhe fëmijë, njerëz të pafajshëm. Barbaria policore serbe, këto ditë në fshatrat e Drenicës, në Prekaz, u shfaq me mizorinë e llojit te vet, me torturat dhe masakrat ndaj shqiptarëve, ngjashëm me tragjeditë e Bosnjës…Prandaj edhe ne sot, në ketë tubim proteste, të bashkuar pa dallime e ngjyra partiake, protestojmë për mbrojtjen e çështjes se Kosovës dhe kërkojmë që të ndalet dhuna dhe terrori, të ndalen vrasjet dhe masakrat ndaj shqiptareve. Ulja në tavolinën e bisedimeve dhe dialogu demokratik, është e vetmja zgjidhje. Regjimi serb po akuzon shqiptaret për terrorizëm, po akuzon boten, diplomacinë botërore, se kinse janë kundër serbëve. Akuzon z. Robin Kuk, edhe Klintonin, edhe zonjën Ollbrajt, zotërinjtë Kinkel, Gonzales edhe kënd jo, vetëm e vetëm se po ia tërheqin vërejtjet udhëheqjes se Serbisë se nuk do te tolerojnë një Bosnje të dytë në Kosovë. Po akuzon forcat demokratike politike në Mal të Zi se nuk po përkrahin politikën e tyre gjenocidale. Është për t’u çmendur se si politika aktuale serbe nuk nxori kurrfarë mësimi nga tragjedia e Bosnjës. Prandaj u drejtohemi forcave ndërkombëtare, në rend të parë SHBA-ve dhe Unionit Evropian, që të bëjë presione ndaj regjimit serb që t’ i ndërprejë terrorin e dhunën policore- ushtarake ne Kosove, në mënyrë që problemi i Kosovës dhe i shqiptareve, të zgjidhet përmes dialogut me përfaqësuesit legjitim të popullit të Kosovës dhe me ndërmjetësimin e palës së tretë ndërkombëtare, garantuese e dialogut. Shqiptaret duhet t’i kenë të drejtat si gjithë të tjerët, të gëzojnë lirinë dhe token e tyre. Shqiptarëve, ndonëse të lodhur dhe të varfër, dëshirën për liri nuk do të mund t’ua shuajë askush dhe askurrë. Të lirë dhe sovranë qofshin gjithë popujt liridashës.
Faleminderit!
(Fjala e Ali Dacit në protestën e Rozhajës të mbajtur më 13 mars 1998)
Të shqetësuar për situatën e rëndë e tragjike në Kosovë, të krijuar nga sulmet e forcave të armatosura serbe ndaj popullatës shqiptare civile, degët e partive politike në Rozhajë Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Partia e Aksionit Demokratik, Lidhja Liberale e Malit të Zi, Partia Social Demokrate e Malit te Zi dhe Partia e Barazisë Nacionale, nga tubimi protestues kundër dhunës në Kosovë, të organizuar më 13 prill 1998, miratojnë ketë:
DEKLARATË
1. Dënojmë dhunën dhe terrorin e regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe kërkojmë që urgjentisht te ndërpritet ajo.
2. Përkrahim qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare që problemi i Kosovës te zgjidhet me mjete demokratike.
3. I bëjmë apel bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Shteteve të Bashkuara te Amerikës dhe Unionin Evropian, që të angazhohen seriozisht dhe menjëherë të bëjnë presione efikase ndaj regjimit serb qe ta ndal terrorin dhe dhunën në Kosovë.
4. Përkrahim hetimet ndërkombëtare me rastin e dhunës mbi popullin shqiptar ne Drenicë.
5. U bëjmë apel organeve dhe institucioneve të Malit te Zi, që në kuadër të kompetencave të tyre, të japin kontributin e plotë në ndërprerjen e dhunës dhe konflikteve te armatosura ne Kosove. Me këtë do të sigurohej edhe qetësia dhe stabiliteti në Ballkan.
Në Rozhajë, më 13 mars 1998.
Pasojnë nënshkrimet e përfaqësuesve politik të kësaj deklarate, të vulosur me vulat e partive:
1. LD në MZ- Ali Daci
2. PAD- Harun Haxhiq
3. LLMZ- Alia Shaboviq
4. PSD- Dr.Izet Braliq
5. PBN- Alija Matoviq
Diskutim rreth këtij postimi