Nga Dr. Sc. Qazim Namani
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, IKMM, Prishtinë
qazimnamani@hotmail.com
Abstrakt:
Përndjekja e hebrenjve nga çetnikët serbë nëpër vendbanimet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mitrovica është qyteti i dytë në Kosovë, pas Prishtinës, për praninë e komunitetit hebre gjatë kësaj periudhe.
Gjatë kësaj kohe Gjermania, Italia dhe Bullgaria i ndanë territoret e banuara me shqiptarë sipas sferave të interesit. Për interesa të ngushta politike dhe ekonomike Mitrovica, mbeti nën administrimin e qeverisë kuislinge serbe dhe ushtrisë gjermane.
Në qytetin e Mitrovicës, në muajin qershor 1941 formohet Komisariati i Policisë Ushtarake të fshehtë. Në vitin 1942 themelohet shërbimi policor i fshehtë (Gestapo).
Në 1942 fillon përndjekja e pjesëtarëve të komunitetit hebre në Mitrovicë, të cilët u rekrutuan dhe u vranë më pas në kampin e Sajmishtës dhe kampin e Batajnicës në Beograd.
Për arrestime dhe dërgimin e hebrenjve në kampet të përqendrimit, me gjermanët bashkëpunuan disa grupe të çetnikëve që vepronin në rajonin e Mitrovicës
Një tjetër forcë bashkëpunuese për identifikimin dhe dorëzimin e komunitetit hebre në duart pushtetit nazist gjerman, është përfolur edhe roli i kishës ortodokse të qytetit.
Shqiptarët dhanë kontributin e tyre duke i kaluar disa dhjetëra hebrenj nga zona e kontrollit të gjermanëve në zonën e kontrollit nga italianët.
Fjalë kyçe: Çetnikët, Mitrovica, Lufta e Dytë Botërore, gjermanët, serbët, shqiptarët, pushtim nazist, përndjekje, kamp.
Përndjekja e hebrenjve nga çetnikët serbë nëpër vendbanimet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore
Ndarja e sferave të interesit në mes të Gjermanisë , Italisë dhe Bullgarisë në trojet shqiptare
Në vijim të shohim si u zhvilluan bisedat në mes Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë, për ndarjen e sferave të interesit, në këto treva të banuar me popullatë shqiptare. Gjatë bisedimeve për ndarjen e sferave të interesit në territorin e Kosovës në mes të Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë, u zhvilluan bisedimet prej datës 22 e deri më 24 prill 1941 në Vjenë të Austrisë.[1]
Vija e demarkacionit në mes të Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë në Kosovë, dhe me ngjyrë të kaltër kufiri jugor i Serbisë, Prapashticë deri në Priboc
Edhe pse Hitleri i kishte premtuar Italisë, territorin e Kosovës, për interesa të ngushta politike dhe ekonomike, për shkak të minierave të Trepçës, nën kontrollin gjerman mbeti Mitrovica, me rrethinë, Vushtrria dhe Besiana (Podujeva), një pjesë e Drenicës, Obiliqi deri shumë afër Prishtinës. Po ashtu në këtë takim gjermanët e lejuan Bullgarinë që ta okupojë, territore të Kosovën Lindore, deri afër Dardanës (Kamenicës), Gjilanit, Vitisë e deri në Kaçanik. Në fund komanda superior e forcave të armatosura gjermane më 3 gusht 1941, e njoftoj komandantin në Serbi, se ishte caktuar vija e demarkacionit.[2]
Vendimet e Qeverisë Kuislinge Serbe dhe bashkëpunimi i saj me ushtrinë gjermane
Këshilli i komisareve të qeverise kuislinge të Serbisë, më 6 gusht 1941, e nxori dekretin për formimin e qarkut të Kosovës.
Kryetar i qeverisë kuislinge serbe ishte zgjedhur Acimovic. Qarku i themeluar nga gjermanët në territoret me popullatë shqiptare, ishte në kuadër të Serbisë, por me status të veçantë, për pushtet të përbashkët në mes shqiptarëve dhe serbëve.[3]
Komandanti i divizionit të 60-të, të motorizuar gjenerali Eberhard, më 21 prill 1941, në Mitrovicë e kishte organizuar një tubim, në të cilin e kishin ftuar edhe parinë shqiptare.[4]
Kur plani gjerman “Final Solution” ose zgjedhja përfundimtare u përdor për herë të parë në konferencën e Vansi (Vannsee) në Berlin, më 20 janar të vitit 1942, ku ushtarakët e lartë gjerman diskutuan për zbatimin e këtij plani për vrasjen e të gjithë hebrenjve në Evropë në këtë kohë qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve ishte human dhe i drejtë.[5]
Njësitë ushtarake të Divizionit të 60-të, dhe të Divizionit 294, vepronin sipas instruksioneve të komandantit të prapavijës së Armatës së Dytë, gjeneral kolonelit Voltfgang Shmit-Llogan.[6]
Më vonë me 22 prill1941, këto detyra kaluan në duart e komandantit të ri ushtarak për Serbi, gjeneral nënkolonelit Helmut Ferster.[7]
Helmut Ferster e kishte për detyrë të udhëheq administratën ushtarake dhe administrative në tërë territorin e Serbisë.[8]
Në atë kohë në qytetin e Mitrovicës ishte formua, Orts Komanda 1/861, si organ i administratës ushtarake.
Më 2 maj 1941 Orst Komanda, e kishte ndërruar emrin dhe e kishte bërë Krajs Komandura 86, në kuadër të Feld Komandat urës 816 e cila selinë e kishte në Uzhicë.[9]
Krajs Komandanti i ushtrisë gjermane në Mitrovicë, më 16 maj 1941, kishte mare pjesë në këshillime me shtabin e komandantit e përgjithshëm të ushtrisë gjermane në Serbi, gjeneralin Helmut Ferster.[10]
Krajs komandatura e Mitrovicës ishte kompetente për rrethet dhe kontrollonte territoret e Mitrovicës, Vushtrrisë, Llapit, Studenicës dhe të Dezhevës ( Tregut të Ri).[11]
Gjermanët i filluan bisedimet, me të gjitha forcat reaksionare të komuniteteve brenda territorit të Serbisë: Të serbëve, malazezëve, boshnjakëve, shqiptarëve, folksdojçët, bjellogardistet etj.
Gjermanët në Mitrovicë, ishin pritur nga paria shqiptare në, më kryetar Xhafer Devën, kurse në Trepçë gjermanët, u pritën nga Loticistët, Foldojçerët, Bellogardistët, dhe admiruesit e tjerë të fashizmit, të cilëve ju printe drejtori teknik i minierës Gjorgje Dimitrijevic.[12] Siç shihet në minierat e Trepçës shqiptarët ishin të përjashtuar nga çdo ndikim i udhëheqjes apo edhe punësimit, edhe pse popullate e këtyre vendbanimeve ishte me shumicë shqiptare.
Në atë kohë në minierën e Trepçës ishin të punësuar 3600 punëtor, ndërsa në qytetin e Mitrovicës, jetonin gjithsejtë 13.000 banorë të shumë kombësive si: shqiptarë, serbë, malazias, turq, romë, hebrenj e tj.[13]
Udhëheqësit kompetent të ushtrisë gjermane (Nojhauzeni, Braumileri) etj, dhe eksponentët e tyre në minierën e Trepçë, i eksploatimin mineralet dhe pasuritë e asaj treve për nevojat e ekonomisë dhe ushtrisë gjermane. Orst Komandatura, prej 2 majit të vitit 1941, dhe Krasj komandat ura 861, si organi më i lartë i pushtetit ushtarak-administrativ të ushtrisë gjermane për Qarkun e Kosovës, i zbatonte të gjitha masat, që i urdhëronte administrate gjermane në Serbi.[14]
Në Mitrovicë më punët informative dhe me shërbimin kontra-informativ, merrej selia e degës së shërbimit gjerman ABVER (mbrojtja), qendra e së cilës gjendej në Beograd. Organizatë tjetër informative ushtarake e cila kishte funksion ekzekutiv (bënte arrestime, hetime e tj), ishte policia e fshehtë ushtarake (Gehajmefe-LD policia)-GEP, dhe qendra e saj po ashtu gjendej në Beograd, (GEP-grupi 20).
Më 12 qershor 1941, në qytetin e Mitrovicës, formohet Komisariati i Policisë Ushtarake të fshehtë. Ky komisariat bashkëpunonte ngushtë me degën e ABVERIT, dhe i kryente urdhëratë e tij, si dhe urdhëratë e komandave ushtarake gjermane.[15]
Organizatë e tretë informative ishte shërbimi I-C (Ajus-ce), në njësitë e ushtrisë gjermane, që vepronte edhe në terren. ABVER dhe GEP, organizuan aktivitete informative në terrenin e Mitrovicës dhe Qarkut të Kosovës në përgjithësi. Në atë kohë ende nuk ishte themeluar ekspozitura e GESTAPOS. Gesoapo u formua në muajin shkurt të vitit 1942.[16]
Me punët policore dhe të sigurisë merrej xhandarmëria (Feld Xhandarmëria), komanda e së cilës ishte pranë Krajs Komandurës së Mitrovicës, e cila i kishte degët e saj në Tregun e Ri dhe Rashkë.[17]
Roja kufitare doganore (Colgreneslive), krahas shërbimit kufitar doganor, kishte edhe detyra policore, dhe të sigurisë me karakter ushtarak-informativ dhe kontra-informativ. Në qytetin e Mitrovicës ekzistonte komisariati i këtij shërbimi edhe në terren.[18]
Interesimi i gjermanëve ishte që të sigurohet rrugëtimi i lirë, drejt Beogradit dhe Serbisë qendrore, përmes luginës së lumit Ibër. Udhëtimin e lire nëpër luginën e Ibrit, gjermanët e shihnin vetëm, duke bashkëpunuar Milan Nedicin, dhe çetnikët të cilët ishin koncentruar në atë zone. Në vijim të shohim bashkëpunimin e çetnikëve me ushtrinë gjermane.
Philip Cohen në librin e tij “Lufta sekrete e Serbisë, propaganda dhe falsifikimi i historisë” dokumenton pastrimin e të gjithë hebrenjve nga bashkëpunëtorët nazist të Serbisë, i cili shkruan se ishte kryetar i qeverisë së Serbisë gjenerali Milan Nedici i cili mburrej se Beogradi është kryeqyteti i parë evropian i pastruar nga hebrenjtë.[19]
Çetnikët u bënë aleatët më besnik të gjermanëve në Mitrovicë me rrethinë
Gjermanët në qytetin e Mitrovicës i gjetën bashkëpunëtoret e tyre, nga të gjitha komunitetet, që në ato vite jetonin në Kosovë. Si aleatin më besnik gjermanët e gjetën Kosta Milovanovicin dhe grupin e çetnikëve të tij. Vojvoda Kosta Peçanci, nën patronimin e gjermaneve shkoi në Beograd, dhe e formoi shtabin e aradheve çetnike.[20] Siç shihet rolin kryesor për bashkëpunim me Gestapon, në qytetin e Mitrovicës e kishin dy formacionet e çetnikëve, grupi i Kosta Milovanovicit dhe ai i Kosta Peçancit.
Të gjithë komandantët gjerman me urdhër të Komandës së Lartë 65, u informuan për gatishmërinë e Kosta Peçancit, dhe çetnikëve të tij, se do ta pastrojnë territorin e kësaj zone prej komunistëve dhe kundërshtarëve tjerë të ushtrisë gjermane.[21]
Si kudo, forcat gjermane, edhe pse kishin pushtet absolut ushtarak dhe civil, mbështeteshin te kuislingët, kryesisht në degën lokale të Policisë Speciale, xhandarmërinë, forcat e Loticit, formacionet e çetnikëve, dhe anëtarët e aparatit administrativ. Në zonën e Leskocit. mjaft aktiv ishin edhe vullnetarët e Kosta Peçanacit.[22]
Kosta Peçanci e pranoj detyrën, se do ti pastroj territoret Prej Leskoci, Luginës së Ibrit, Kralevës, Rashkës dhe Raçës. Për këtë çështje më 17 shtator 1941, u informua edhe Shtabi i ushtrisë gjermane, Divizionit të Kosovës 717-të.[23]Këto forca filluan aksionin me arrestime dhe pushkatime të hebrenjve në qytetet ku ata jetonin. Në Leskoc, me datën 11.12 të vitit 1941, u pushkatuan 6 hebrenj.[24] Duke e përcjellë gjendjen e hebrenjve të Selanikut, rruga më e siguruar e shpëtimit të hebrenjve ishin tokat shqiptare drejt kufirit në zonën e kontrollit nga italianët. Zona më e siguruar dhe më e afërt për shpëtimin e hebrenjve nga këto anë ishin fshatrat shqiptare në Malësinë e Galabit.
Në këtë periudhë Xhafer Deva i mobilizoj shqiptaret për mbrojtjen e hebrenjve, brenda zonës që kontrollohej nga gjermanët. Duke e parë rrezikun disa familje hebraike nga Nishi, Kushumlia, Piroti, Vraja e Leskoci, përmes shqiptarëve arritën të kalojnë në territorin e kontrolluar nga italianët.
Më 24 prill 1942 e vizituan Mitrovicën Dr. Harolld Turner, krye shef i Shtabit Administrativ pranë Administratës ushtarake të Serbisë dhe përfaqësues i qeverisë kuislinge serbe, Millan Aqimovic. Komanda qarkore e rojës shtetërore serbe gjendej në Mitrovicë. Organizata “Zbor” vazhdoi të punoi dhe veproi në mënyrë të organizuar dhe pas pushtimit gjerman. Stevan Ilic, udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë më 8 korrik 1941 e kishte vizituar sekretarin e përgjithshëm të “Zborit” në Beograd, dhe prej asaj kohe rregullisht ju dërgonte raport atij dhe Millan Nedicit për rrethana në Kosovë. Stevan Ilic u emërua shef i Qendrës Informative për Kosovë. Stevan Ilici bashkëpunonte gjithashtu edhe me Gestapon në Mitrovicë.[25]Me këtë rast Horald Turner, ia bëri me dije xhandarmërisë shqiptare se Qarku i Mitrovicës, si territor i takon Serbisë, andaj duhet të aplikohen pa kushte, dhe vendoseshin një mëri dekretligjesh për rregullimin administrativ të Kosovës.[26]
Kosta Peçanci dhe çetnikët e tij, duke qenë të pakënaqur, me administratën e Acimovicit, ata e formuan qeverinë kuislinge në krye më gjeneral Milan Nedicin, të cilit ju besua detyra, që të punoj me forcat e armatosura gjermane, për likuidimin e partizanëve, kundërshtarëve tjerë, dhe vendosjes së pushtetit të rregullt.[27]
Forcat e çetnikëve të Nedicit, e morën në kontroll edhe luginën e lumit Ibër, dhe atje i zhvilluan disa konflikte me xhandarët shqiptar. Njësitë çetnike në këtë zonë i udhëhiqte Mashan Gjurovici. Gjurovici vazhdimisht i akuzonte shqiptarët, se po bëjnë presion ndaj popullatës serbe, në Leshak, Leposavic, Sllatinë, dhe Bajnsk. Çetnikët e Mashan Gjurovicit, Vaso Popovicit, Radomir Sveticit, David Popovicit, Brana Petrovicit, ishin shumë aktiv, dhe rreth vetes i tubonin serbët përgjatë luginës së lumit Ibër, tej përroit të fshatit Cerajë. Në këtë trevë u formuan edhe dy rryma tjera të çetnikëve, ajo e Drazha Mihajlovicit dhe e Kosta Peçancit.[28]Nga këto të dhëna kuptohet qartë se lugina e lumit Ibër, ishte e kontrolluar tërësisht nga formacionet e grupeve çetnike serbe.
Gjermanët edhe Milan Nedici, në fillim të vitit 1942, dërguan forca të mëdha ushtarake në luginën e lumit Ibër, me detyrë që të sigurojnë rrugëtimin e pa penguar, për mirëmbajtjen e rrugës dhe hekurudhës, prej qytetit të Mitrovicës e deri në Kralevë. Gjermanët i jepnin rëndësi të posaçme këtij territori dhe vijave të komunikacionit.[29]
Forcat kuislinge të çetnikëve të Milan Nedicit, që në fillim të vitit 1942, ishin shpërndarë, në Mitrovicë, Rashkë, Vushtrri, Besianë, Tregun e Ri dhe Luginën e Ibrit.
Mbrojtja doganore kufitare, përveç gjermanëve që e kishin një numër të vogël të ushtarëve, pjesa më e madhe e doganierëve ishin nga forcat çetnike të Nedicit, veç tjerash Nedici, i kishte dërguar për këtë qëllim 29 oficer dhe 658 ushtarë. Në mesin e këtyre doganierëve ishin edhe një numër i vogël nga xhandarmëria shqiptare nën komandën e Bajazit Boletinit, e të cilët trajtoheshin si pjesëtar të rojës shtetërore serbe.[30]
Me urdhër të komandës ushtarake gjermane, xhandarmëria e forcave shqiptare, u detyrua për të ju bashkuar rojës shtetërore serbe.[31]
Komanda e rojës qarku shtetëror serbë, për këtë zonë gjendet në Mitrovicë[32]. Ardhja e Milan Nedicit në Mitrovicë, solli edhe disa njësi të armatosura serbe.[33]
Organizata fashiste Lotiçiste “Zbor” e bëri arrestimin e hebrenjve në Mitrovicë me rrethinë
Kjo organizatë fashiste serbe, aktivitetin e saj kundër hebrenj ëve e kishte filluar, para Luftës së Dytë Botërore.
Sjellja ndaj hebrenjve në Serbi, ndryshoi kah fundi i viteve tridhjeta të shekullit XX, kur partia fashiste serbe “ZBOR”, e filloi fushatën e hapur anti semitike. Krye rabini Alkalaj u dëbua nga senati me 1938, ndërsa me 1939 dhe 1940 kundër hebrenjve aplikohen restrikcione të ndryshme ligjore.[34]
Organizata serbe fashiste, Lotiçiste “Zbor”, e vazhdoi veprimtarinë e vet edhe në kushtet e okupimit nga Gjermania. Gjatë viteve1941/42, organizata fashiste serbe “Zbor” që e drejtonte Lotici, përkrahej nga një pjesë e klerit serb, i bëri listat për likuidimin e hebrenjve. Në vitin 1941 kjo organizatë serbe, ju dorëzoi gjermanëve listën e të gjithë hebrenjve që jetonin në Kosovë.[35]
Stefan Ilici, duke mos hasur në pengesa nga xhandarmëria shqiptare, të cilët tani më nuk kishin asnjë mundësi që të kundërshtojnë, vepronte në rajonin e Mitrovicës, i pa penguar nga askush. Stefan Ilic, që ishte udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë, më 8 korrik 1941, e vizitojë në Beograd sekretarin e përgjithshëm të “Zborit”, dhe e njoftoi për rrethanat e krijuara në qytetin e Mitrovicës. Prej asaj kohe Stefan Ilici, i dërgonte rregullisht raporte sekretarit të “Zborit”, dhe Milan Nedicit. Stefan Ilici u emërua shef i Qendrës Informative për Kosovën. Stefan Ilici, ishte bashkëpunëtor i Gestapos në Mitrovicë, dhe merrej me zbulimin e pjesëtareve të partizanëve dhe hebrenjve.[36]
Kur plani gjerman “Final Solution” ose zgjedhja përfundimtare u përdor për herë të parë në konferencën e Vansi (Vannsee) në Berlin, më 20 janar të vitit 1942, ku ushtarakët e lartë gjerman diskutuan për zbatimin e këtij plani për vrasjen e të gjithë hebrenjve në Evropë në këtë kohë qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve ishte human dhe i drejtë.[37]
Më 24 prill 1942 e vizituan Mitrovicën Dr. Harolld Turner, krye shef i Shtabit Administrativ pranë Administratës ushtarake të Serbisë dhe përfaqësues i qeverisë kuislinge serbe, Millan Aqimovic. Komanda qarkore e rojës shtetërore serbe gjendej në Mitrovicë. Organizata “Zbor” vazhdoi të punoi dhe veproi në mënyrë të organizuar dhe pas pushtimit gjerman. Stevan Ilic, udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë më 8 korrik 1941 e kishte vizituar sekretarin e përgjithshëm të “Zborit” në Beograd, dhe prej asaj kohe rregullisht ju dërgonte raport atij dhe Millan Nedicit për rrethana në Kosovë. Stevan Ilic u emërua shef i Qendrës Informative për Kosovë. Stevan Ilici bashkëpunonte gjithashtu edhe me Gestapon në Mitrovicë.[38]
Qeveria serbe e Millan Nedicit në fillim të vitit 1942 i shtoi shpërblimet për informimin, zënien dhe likuidimin e kundërshtarëve.
Në luginën e Ibrit vepronte edhe aradha çetnike në udhëheqjen e Mashan Gjuroviciti cili ju drejtua Millan Nediqit me kërkesë që të ju lutet organeve ushtarake gjermane që kjo aradhe të mbetet në këtë luginë. Kjo u arrit pasi që çetnikët kishin dhënë shumë dëshmi të bashkëpunimit me gjermanët. Në prill të vitit 1942 edhe lotiqistet erdhën në luginën e Ibrit, më këtë rast organizuan një solemnitet më 26 maj 1942. Meshën e kreu në kishën ortodokse në Leshak Kleriku-Lotiqist Boshko-Haxhi-Trifunovic. Në mars të vitit 1943 u formua korpusi i dytë çetnik i Kosovës me shtatë brigada.[39]
Gjermanët dhe Millan Nediqi dërguan qysh në fillim të vitit 1942 forca të mëdha ushtarake në luginën e Ibrit për mirëmbajtjen e hekurudhës dhe rrugës. Njësitet e Nedicit ishin shpërndarë në Mitrovicë, në Rashkë, në Podujevë, Vushtrri, dhe Novi Pazar.[40]
Prej marsit të vitit 1942, u formua ekspozitura e Gestapos, për ti likuiduar partizanët dhe hebrenjtë, Qeveria e Milan Nedicit, në fillim të vitit 1942 i shtojë shpërblimet, për zënien dhe vrasjen e pjesëtareve të partizanëve dhe hebrenjve, ku disa prej tyre ishin mbështetur te grupet komuniste dhe ato partizane.[41]
Qeveria e tij jepte shpërblim për likuidimin e çdo anëtari të partisë komuniste, shpërblimi u shtua prej 3000-25 000 dinarë, ndërsa për atë çetnik, që e vret prijësin e bandave të armatosura partizane, shpërblimi u shtua prej 25.000 në 100.000 dinarë. Vrasësit e komunistëve merrnin edhe disa shpërblime tjera, dhe për çetnikët sigurohej me garanci, fshehja e emrave të tyre.[42] Pas ofrimit të këtyre kushteve, çetnikët filluan aksionin, për arrestimet e kundërshtarëve të ushtrisë gjermane
Arrestimet që i bëri Gestapoja, në maj të vitit 1942, i solli dëm lëvizjes sepse Gestapo arrestoi 44 anëtar të lëvizjes, 24, prej tyre ishin anëtar të PKJ, kurse 14 anëtar të LRKJ.[43]
Vojvoda Mashan Gjurovici, në një nga letrat që ja kishte dërguar Kosta Pecancit, lavdërohej se si i kishte depërtuar në kampin e qëndrimit në qytetin e Nishit, një grup prej 28 partizanësh. Çetnikët merrnin paga prej Qeverisë së Millan Nedicit, në mënyrë që ata ta ruanin rrugën automobilistike dhe hekurudhën që kalonin nëpër luginën e lumit Ibër. Milan Nedici në fillim të vitit 1942, e gradoi vojvodën Mashan Gjurovicin, duke i dhënë edhe gradën e kapitenit të klasit të dytë.[44]Nga këto burime tani më bëhet e qartë se të gjithë hebrenjtë e zonës së Nishit, të cilët u kapën nga grupet çetnike, u dërguan në kampin e Sajmishtës, në Beograd.
Disa qindra hebrenj nga Mitrovica u depërtuan në kampin e Zemunit, e pastaj në Bergen-Belsen. Bazuar në këtë të dhënë nga Muzeu i Zagrebit, në Kosovë thuhet se ka pas 550 hebrenj, prej tyre janë vrarë 210 ose 38,2%.[45] Nga kjo e dhënë kuptojmë se bëhet fjalë për vrasjen e 210 hebrenjve, shifër kjo që qarqet e ndryshme sllave, u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve. Shtohet pyetja në këtë shifër a u përfshinë hebrenjtë nga Mitrovica me rrethinë, që në atë kohë këto territore, ishin brenda kufijve të Serbisë.
Nga të dhënat e cekura më lartë mundë të pohojmë se edhe nëse është bërë kjo vrasje dhe dorëzim i hebrenjve, këtu nuk kanë dorë shqiptarët, sepse me shumë shembuj konkret dëshmohet virtyti i shqiptarëve dhe sakrifica e tyre për shpëtimin e hebrenjve.
Shtohet pyetja a thua fati i 210 hebrenjve ishte vepër e forcave çetnike që vepronin në Mitrovicë dhe rrethinë të cilët në atë kohë bashkëpunonin me forcat gjermane. Kjo bënë të mendohet se këta hebrenj ishin nga Serbia të cilët u penguan që të hyjnë në Kosovë nga kolaboracionistet serb, duke i kthyer prapë në Serbi-Zemun për ti dërguar pastaj në kampin e Bergen Belzenit, sigurisht se shqiptarët nuk i dërguan në Zemun as prej Zemuni në kamp për vrasjen e tyre. Kjo çështje kërkon një studim të hollësishëm për të kuptuar realitetin dhe fatin e këtyre 210 hebrenjve që studiuesit sllav, e veçanërisht ata serb u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve të Kosovës.
Nga dokumentet e kohës dhe të mbijetuarit e hebrenjve që kishin qenë në kampin e Prishtinës, kuptojmë për sjelljen humane dhe korrekte të ushtarëve Italian dhe shqiptarëve të Kosovës të cilët bënë çmos që hebrenjtë nga ky kamp të dërgohen në Shqipëri.
Kur në vitin 1942 gjermanët urdhëruan kapjen e hebrenjve në Kosovë, autoritetet shqiptare i urdhëruan hebrenjtë që të shkojnë në Shqipëri. Rreth 500 hebrenj sa ishin në Kosovë në atë kohë kaluan në Shqipëri, të cilët u vendosën në Berat, Krujë e vende tjera. Prenk Uli që kishte qenë sekretar i Prefekturës së Prishtinës gjatë Luftës së Dytë Botërore njihet si shpëtimtari më i madh i hebrenjve në Prishtinë, këtë e dëshmoi Josif Levi i cili kishte qenë rabin hebraik në Prishtinë kur thotë se PrenkUli me trimëri të pa shoqe i shpëtoi 52 hebrenj.[46]
Vrasja e tre tregtarëve më të njohur të Mitrovicës në Leshan
Aradhet çetnike filluan që të vrasin edhe pjesëtar të komuniteteve tjera, por më shumë bëri jehonë vrasja e tre tregtarëve shqiptar, më të njohur të Mitrovicës, të cilët u vranë në Leshan. Ky rast i detyroj gjermanët që të hulumtojnë rastin dhe të kërkojnë largimin e çetnikëve nga ajo zonë, dhe të kalojnë në Serbinë Perëndimore.[47]
Për këtë rast Mashan Gjurovici, i drejtohet me një letër Milan Nedicit, duke ju lutur që të intervenoj, pranë administratës ushtarake gjermane, që ai me çetnikët e tij të mbesin në luginën e lumit Ibër.
Mashan Gjurovici në letrën e tij kishte shkruar. Çetnikët e kësaj aradhe kanë bërë çmos për këtë trevë, për ti likuiduar partizanët e kundërshtarët tjerë të ushtrisë gjermane, që çetnikët e tij bashkë me ushtrinë gjermane, kanë dhënë plotë dëshmi të bashkëpunimit. Prezantimet tendencioze të shqiptarëve për çetnikët para trupave gjermane, është e pa saktë shkruan ai, sepse në këtë pjesë ku vepronte aradhja ime deri më tani, nuk ka ndodhur asnjë gjë e pa pëlqyeshme për gjermanët.[48]
Pas ndërhyrjes së Milan Nedicit, forcat e çetnikëve të Moshan Gjurovicit mbesin edhe më tutje në luginën e lumit Ibër.[49]
Forcat gjermane së bashku me çetnikët që vepronin në atë zonë, duke i kërkuar kinse vrasësit e tre tregtarëve më të njohur të Mitrovicës, në fshatin Belluq, kishin zënë hebrenj dhe qytetar tjerë robër, të cilët i mbajtën disa muaj në burgun e Mitrovicës, pastaj i internuan në kampet e përqendrimit, ku shumica prej tyre u likuiduan.[50]
Përqendrimi i çetnikëve në luginën e lumit Ibër
Siç shihet pas këtyre ndërhyrje dhe arrestimeve me ndihmën e çetnikëve, të cilët duke i shërbyer ushtrisë gjermane, çetnikët u konsoliduan mire për të qëndruar edhe më tutje në luginën e lumit Ibër. Bashkëpunimi në mes të ushtrisë gjermane, dhe formacioneve çetnike dhe ushtarake të Nedicit u shtuan.
Përveç kësaj po në prill të vitit 1942, në luginën e Ibrit, erdhën edhe lotiçistët me armatën e tretë vullnetare nën komandën e kapitenit Jovan Kragujac. Kjo aradhe pasi erdhi në Leshan, ia fali kishës ortodokse një kambanë të madhe pasi më 26 maj 1942, e organizoj një miting të madh. Meshën e kishës në këtë rast e kreu kleriku lotiqist, Boshko Haxhi Trifunoviqi, dhe pas meshës foli edhe kapiteni Jovan Kragujac, pas tij e morën fjalën inxhinieri Dragutin Jakshiqi dhe Mlladen Vuçkovici, vullnetar. Kjo aradhe serbe e ardhur si përforcim në Leshan, i kishte 341 ushtarë, ku 18 prej tyre ishin angazhuar në polici.[51]
Në këtë periudhë gjermanët, konstatuan se administrata gjermane, me ndihmën e qeverisë kuislinge serbë të Milan Nedicit, ishin forcuar mjaftë, dhe nuk kishin nevojë të madhe që të bashkëpunojnë me aleancën e lidhur më çetnikët e Drazha Mihajlovicit dhe me komunitetet tjera që jetonin në Mitrovicë.[52] Pas këtij bashkëpunimi me ushtrinë gjermane, çetniket i forcuan radhët e tyre, dhe filluan organizimin e organizatave çetnike në vendbanimet ku me shumicë jetonte popullata shqiptare.
Është me rëndësi të dihet se gjermanët në luginën e lumit Ibër e kishin sjellë edhe një korpus me ushtarë rus, për ta siguruar hekurudhën dhe komunikacionin nëpër luginën e lumit Ibër, në një gjatësi prej 98 km, prej Zveçani e deri në Ushçe, përgjatë rrugës u ndërtuan 66 bunker me betonarme, dhe në këtë korpus mbrojtës rus ishin të mobilizuar 1.100 ushtarë. Garnizoni i çetnikëve i kishte 685 vetë, me ta ishin edhe njësitë e rojës shtetërore serbe, si dhe korpusi i vullnetarëve serb. Të gjitha këto forca e kishin për detyrë që të sigurojnë komunikacionin dhe të pengojnë depërtimin e ushtrisë partizane, prej Sanxhaku në Serbi.[53]Në fakt gjithë ky numër i ushtarëve serbë, rusë dhe gjerman, e kishin në kontroll të plotë këtë zonë, dhe e pengonin çdo bashkëpunim dhe lidhje të shqiptarëve të Tregut të Ri me shqiptarët e Mitrovicës përmes luginës së lumit Ibër.
Marrëveshjet e Nedicit me gjermanët dhe krijimi i formacioneve të para partizane kundër gjermanëve
Në këto rrethana gjermanët i bënë disa marrëveshje me shkrim me çetnikët e Nedicit. Komandanti i ushtrisë gjermane gjeneral Feld Marshali Maksimilija Fon Vajks, në një nga urdhëratë e vet shkroi: Në këtë situatë që gjendemi, duhet të rishqyrtohen ofertat e çetnikëve. Ai gjithashtu urdhëroi që të nder prehen të gjitha format e propagandës kundër lëvizjes çetnike.[54]
Në frymën e këtyre marrëveshjeve në mes majorit të korpusit të çetnikëve Vojsllav Llukacevicit, dhe ushtrisë gjermane, ishte paraparë lufta e përbashkët me ushtrinë gjermane në shumë qytete e mes tjerave edhe në qytetin e Mitrovicës.[55]
Në vitin 1942, në Mitrovicë dhe rrethinë, kishin filluar që të formohen edhe celulat e para, kundër formacioneve çetnike dhe ushtrisë gjermane. Një numër i anëtarëve të partive që e kundërshtonin okupimin gjerman, u burgosën, disa prej tyre së bashku me hebrenjtë u depërtuan në kampe të përqendrimit, ndërsa disa edhe u vranë. Nga burimet e shkruara të kohës mësojmë se pas burgosjes në muajin maj të vitit 1942, ndër të burgosurit ishte edhe Kryetarja e Këshillit të Rrethit të Organizatës së Grave në Mitrovicë, Silvira Tomazini, e cila pas qëndrimit prej rreth 3 muaj në burgun e Mitrovicës, më në fund pushkatohet.[56]
Agjenti më i dalluar i Abverit në trevën e Mitrovicës, ishte Konstantin Plavsici, i cili vepronte kundrejt zonës italiane të pushtimit dhe agjenturës britanike. Prej dokumenteve gjermane, është bërë e ditur se Konstantin Plavsici, ia kishte dorëzuar Abverit në Mitrovicë, një pjesë të madhe të informative për numrin, udhëheqësit, dhe vendet ku gjendeshin aradhet partizane që vepronin në rajone të ndryshme të Shqipërisë.[57] Siç shihet agjenturat e çetnikëve serb, në vitin 1942, kishin arritur të vepronin edhe brenda territorit të Shqipërisë.
Formimi i korpuseve çetnike brenda kufijve të Shqipërisë
Në vijim ofrojmë të dhëna, rreth shtrirjes dhe organizimit të korpuseve çetnike, brenda kufijve të Shqipërisë, duke i organizuar radhët e veta në tërë territorin e Kosovës së sotme e Shqipërisë.
Komandanti i korpusit të parë çetnik në Kosovë, kapiten Jovan Milladinoviqi, më 11 nëntor e urdhëroi kapitenin Zhivorad Zhika Markovicin, që të shkoi në terren në rrethet e Mitrovicës, Vushtrrisë, dhe Llapit për të formuar organizata çetnike. Ai në pranverë të vitit 1943, ia kishte kthyer një telegram Komandës Supreme duke shkruar, se është shumë i lumtur, që atij ju besua detyra për organizimin e çetnikëve në trevat e Kosovës.[58]
Korpusi i dytë çetnik i Kosovës u formua në muajin mars të vitit 1943, në Llokovicë afër Leposaviqit, korpusi i katër i çetnikëve formohet me 7 shtator, për trevën e Dukagjinit, e cila i numëronte 120 vetë. Komandant brigade për këtë trevë ishte caktuar Radovan Role Vulici.
Brigada e çetnikëve të Mitrovicës, përbëhej prej anëtarëve të Keserovicit, dhe komandant i saj ishte caktuar Zarija Radovanovici. Brigada që vepronte në lumin Ibër në atë kohë, ishte nën komandën e Mihajlo Zekicit. Grigada e çetnikëve që u themelua në dhjetor 1943, në qytetin e Pejës, komandohej nga Milosh Petrovici. Brigadën e çetnikëve të Sharrit e udhëhiqte Bogdanovici, komandant në brigadën e çetnikëve të Graçanicës ishte caktuar Vaso Zokici, ndërsa brigadën e çetnikëve të Drenicës e udhëhiqte komandant Makarija Llazarovici.[59]
Në vitin 1943, shihet qartë se çetnikët i kishin themeluar brigadat edhe në të gjitha zonat me popullatë shqiptare brenda zonës së Italisë, që në atë kohë ishin bashkuar me trojet shqiptare dhe quheshin Shqipëri. Nga këto burime shihet qartë se të gjitha trevat e Kosovës si ato që ishin në kontroll të gjermanëve por edhe ato në kontroll të italianëve ishin mbuluar me rrjetin e organizuar të forcave çetnike të Serbisë.
Korpusi çetnik i Kosovës në vitin 1943 ishte bërë ndër më të mëdhenjtë në Serbi, dhe deri në atë kohë i kishte mobilizuar 1700 vetë. Çetnikët në rrjetin e tyre i tubonin njerëzit, që kishin formim shovinist, dhe që nxisnin aspirata për vrasjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve.[60]
Shtabin e përgjithshëm të korpusit të çetnikëve, përveç komandantit Zhika Marinkovicit, e përbënte edhe togeri i xhandarmërisë së Mitrovicës Miorad Popovici, si krye shef i shtabit dhe majori Dragolub Radovici nga Toplica, si zëvendës komandant i korpusit të çetnikëve.[61]
Gjatë kësaj periudhe, oficer informativ ishte zgjedhur Lluka Radonjici, ish shef i stacionit hekurudhor në qytetin e Mitrovicës, e i cili punonte me këmbëngulje për të siguruar sa më shumë njerëz, për punë informimi në Mitrovicë, dhe vende tjera në Kosovë.
Pranë shtabit të çetnikeve ekzistonte edhe shërbimi propagandistik, radiostacioni, itendantura dhe gjyqi special ushtarak.[62] Nga këto të dhëna kuptohet qartë se në territorin e Kosovës së sotme, gjatë vitit 1943, formacionet e çetnikëve e kishin në duart e veta tërë situatën në terren.
Këto formacione të çetnikëve, së bashku me ato që ishin themeluar në Maqedoninë e sotme, në vitin 1944, u bashkuan me forcat partizane jugosllave, dhe bënë masakra të tmerrshme ndaj popullatës së pa mbrojtur shqiptare.
Raportet e ushtrisë gjermane me shqiptarët e Mitrovicës dhe Sanxhakut
Në vijim të shohim qëndrimin dhe raportet e shërbimit informative gjerman, me popullatën shqiptare të Kosovës, dhe asaj të Sanxhakut, që me ndarjen e sferave të interesit kishin mbetur brenda kufijve të Serbisë.
Me 21 prill 1941, në Mitrovicë, u bë marrëveshja e përfaqësuesve shqiptarë, me divizionin 60 të këmbësorisë gjermane dhe formohet xhandarmëria shqiptare nën komandën e kapiten Pajazit Boletinit, dhe u vendos shkalla e lartë gjyqësore.[63]Gjyqi i qarkut të Mitrovicës, përfshinte gjyqet e rretheve në Tregun e Ri, Vushtrri e Podujevë.
Në gusht të vitit 1941, formohet organizata “Lidhja Popullore Shqiptare”, kryetar zgjidhet Rexhep Mitrovica. Kjo organizatë veproi në dy drejtime: hapjen e sa më shume degëve në vendbanimet shqiptare dhe hapjen e shkollave për ta arsimuar rininë shqiptare. Kjo organizatë bënte propagandë për të ju bashkuar Shqipërisë.[64]
Në Mitrovicë u formuan shoqëritë kulturore artistike si “Skënderbeg”. “Terik”, etj. Në korrik të vitit 1941, hapet shkolla në gjuhën shqipe, dhe parashihej hapja e 48 shkollave fillore në gjuhën shqipe, dhe kishte nevojë për 104 mësues.[65]Shkollat fillore në gjuhën shqipe u hapën edhe në Pazar të ri, Vushtrri e Podujevë.
Në muajin mars 1943, shërbimi informative gjerman e mbajti një mbledhje në Sjenicë, në të cilën morën pjesë Xhafer Deva dhe Hasan Zvizdici, me që rast u vendos që të formohet çeta e nëntë e regjimentit të katërt të Divizionit të Blinduar “Brandenburg”, në të cilin u angazhuan 80 vetë. Çeta u formua në Rashkë e pastaj u plotësua në qytetin e Vushtrrisë. Shumica prej anëtarëve të çetës ishin boshnjak, që ju bashkangjitur edhe një numër i vogël i shqiptarëve.[66] Pjesëtarët e kësaj çete merreshin me punët informative dhe aksione me diversantë. Deri në shkurt të vitit 1944, kjo qetë veproi në Sanxhak dhe në Serbi.[67]
Pas formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit me datën 16-19 shtator 1943, me qëllim që të mbrojë viset shqiptare të çliruara edhe pas kapitullimit të Italisë. Kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, në fund të muajit mars të vitit 1944, ia dërgon një letër Hitlerit, me kërkesë për armatosjen e shqiptarëve të Kosovës, dhe kërkojë ndihmën e Gjermanisë për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të pushtuara nga sllavët. Bedri Pejani kërkojë që në prill të vitit 1944, të formohet një divizion “SS” me vullnetar shqiptar. [68]
Po ashtu Oliver Jens Schmit, shkruan se në fillim të vitit 1944, u themelua Divisioni SS Skandërbeg, por veprimi i të cilit ishte i kufizuar. Divizioni kishte fuqi të dobët ushtarake, andaj më shumë u mor më depërtimin e 281 hebrenjve nga Kosova.[69] Në këtë rast shihet qartë se Schmit i referohet librit të Pavle Dzeletovic Ivanovit, libër ky i porositur nga qarqet jugosllave anti shqiptare, për ta mohuar kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë botërore.[70]Nga burimet e mëvonshme u vërtetua se të dhënat në librin e Ivanovit nuk kanë bazë të qëndrueshme shkencore, por janë shkrime të pa sakta dhe propaganduese të Milorad Vavicit, që u botuan në vitin 1983.
Ky është vetëm një shembull se një historian serioz, duhet të jetë shumë i matur, kur shkruan pa fakte të verifikuara, për tiparet dhe virtytet e një populli të huaj.
Akuzat se shqiptarët e Kosovës, i dorëzuan hebrenjtë te ushtarët gjerman nuk qëndrojnë, sepse në terren hasen shumë raste kur shqiptarët e Kosovës e rrezikuan edhe familjen e tyre për shpëtimin e hebrenjve. Këtë e dëshmojë edhe vet Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica dhe shumë shqiptar tjerë nga Kosova që kaluan për detyrë në Tiranë.
Këta shqiptar nga Kosova që e morën në dorë qeverisjen e Shqipërisë të asaj kohe, po të kishin qenë ndjekës të hebrenjve, këtë do ta bënin edhe në Tiranë, dhe qytetet tjera të Shqipërisë së sotme, asnjë hebre nuk do të mbijetonte në Shqipëri, dhe Shqipëria do të radhitej bashkë me shtetet tjera të rajonit si vende ku u bënë përndjekjet e hebrenjve. Përkundrazi, këta edhe kur vepruan në Kosovë e Serbi, u treguan human dhe mbrojtës të hebrenjve, tani këtë respekt ndaj hebrenjve e treguan edhe në Shqipëri.
Pas kapitullimit të Italisë Shqipëria u pushtua nga gjermanët por ë gjithë hebrenjtë u strehuan te fshatarët shqiptar. Shqipëria doli nga lufta e dytë botërore si i vetmi vend evropian që kishte më shumë çifut se para lufte.
Bashkëpunimi i Drazha Mihajlovicit me ushtrinë gjermane
Pas kapitullimit të Italisë, ushtria gjermane hyri në territorin e Shqipërisë. Gjermani e formoi qeverinë e re në Tiranë. Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica, ishin caktuar të jenë pjesë e kësaj qeverie. Pas kalimit në Tiranë, të këtyre figurave të njohura nga Mitrovica, popullata shqiptare e rrethinës së Mitrovicës, dhe e Sanxhakut mbetën nën kontrollin e ushtrisë gjermane dhe formacioneve çetnike. Ky ishte rast i volitshëm për çetnikët që të fillojnë aksionet e tyre kundër popullatës së pa mbrojtur shqiptare.
Pas kapitullimit të Italisë, njësit gjermane, pjesëtar të korpusit të vullnetarëve të rrethit, dhe Drazha Miahajlevici me çetnikët e tij, morën pjesë së bashku me ushtrinë gjermane në luftime, kundër partizanëve.
Qëndrimi i Drazha Mihajlovicit, dhe çetnikëve të tij, ishte pastrimi i territoreve veriore, duke i vrarë dhe larguar shqiptarët nga vendbanimet e tyre. Drazha Mihajlovici deklarohej kundër hakmarrjes personale, dhe insistonte se vetëm hakmarrja kolektive dhe e organizuar do të arrinte efektin e qëllimeve të tij.[71]
Drazha Mihajloviçi dhe formacionet tjera të çetnikëve, natën e Bozhiqëve të vitit 1943, pikërisht më datën 5 dhe 6 të muajit janar 1943, forcat serbo-çetnike i vranë dhe masakruan 9200 shqiptarë të pafajshëm, ndërsa me dhunë i detyruan të shpërngulën nga vendlindjet e tyre edhe 32 000 banorë tjerë me origjinë shqiptare.[72] Kjo masakër është kryer me bekimin e Kishës Ortodokse të Serbisë. Korpuset çetnike kryen një prej krimeve më të rënda, gjatë Luftës së Dytë Botërore në këtë pjesë të Gadishullin tonë. Të mbijetuarit e Masakrës së Bihorit u detyruan të konvertohen me dhunë. Vajzat e reja dhe gratë e mbetura pa burra, u skllavëruan për nevojat e batalioneve çetnike.[73]
Këto krime të rënda, që çetnikët i kryen kundër popullatës së pafajshme shqiptare, nuk penguan bashkëpunimin e çetnikëve me ushtrinë gjermane.
Në fillim të vitit 1944, Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, ndër më të mëdhatë në Serbi
Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, në fillim të vitit 1944, kishte mobilizuar një numër të vullnetarëve diku midis 1500-1700, dhe hynte në radhën e Korparmatave më të mëdha në Serbi.[74]
Çetnikët në Mitrovicë lëviznin lirshëm, dhe zhvillonin shantazhe e propaganda, madje edhe merrnin nga qytetarët ndihma material. Në fund të muajit prill 1944, komandanti i Korparmatës së Dytë të çetnikëve të Kosovës, Zhika Markovici, ju drejtohet serbëve të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, që me datën 6 maj, ditën e Shën Gjergjit të dalin në malin e Kopaunikut (Albanikut), për ta dhënë betimin e mbretit për atdheun. Në tekst të betimit ithtarët e lëvizjes çetnike, u zotuan se do të luftojnë dhe do të hakmerren, për Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Drenicën, Kollashinin, Lebanën dhe Ibrin.
Pas këtij betimi Ratko Krivokapici, i cili ishte zgjedhur komandant i brigadës fluturuese çetnike në Sanxhak, bëri masakrime të mëdha të popullatës myslimane në atë trevë.[75]
Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, në vitin 1944, haptas bashkëpunonte më ushtrinë gjermane, dhe mori pjesë aktive në luftime përkrah ushtrisë gjermane.
Në një telegram të shërbimit informativ gjerman, të datës 13 prill 1944, thuhet se Zhika Markovici, komandant i Korparmatës së Dytë të Kosovës, është i gatshëm që me 4000 ushtar të vihej nën komandën gjermane.[76] Siç shihet Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, në vitin 1944, në prill të këtij viti, ishte shumë aktive dhe kishte bashkëpunim të plotë me ushtrinë gjermane, andaj nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri nga aksionet e kryera të çetnikëve kundër hebrenjve të ju vishen shqiptarëve.
Si përfundim, duke u bazuar në burimet e shkruara, por edhe nga numri i hebrenjve, që shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, ne si popull mund të krenohemi me qeveritë e kohës, sepse po të kishin në programin e tyre ndjekjen e popullatës hebraike, në takat shqiptare nuk do të mbijetonte asnjë qytetar hebre. Në disa burime serbe shqiptarët e Kosovës akuzohen për arrestimin e disa hebrenjve në Prishtinë, nga divizioni SS Skandërbeg, gjatë vitit 1944. Nuk përjashtohet mundësia të ketë pasur ndonjë rast, por shqiptarët nuk kishin kurrfarë kompetence, të udhëhiqnin aksione të tilla, dhe nuk kishin komandë të plotë në asnjë veprim, pasi që ky divizion, ishte themeluar në muajin prill të vitit 1944. Për mbrojtjen e hebrenjve, padyshim se ka merita të mëdha edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës.
Murteza Studenica në librin e tij “Shqiptarët dhe Hebrenjtë” shkruan: Kur gjermanët kishin kërkuar listën e hebrenjve që jetonin në trojet etnike shqiptare, dy hebrenj lider të komunitetit hebraik, z. Kohen dhe z. Jakoel shkuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe kërkuan mbrojtje. Ekzistonte një marrëveshje midis gjermanëve dhe Xhafer Devës, se gjermanët nuk duhet shumë të përzihen në punët e brendshme të qeverisë. Këta dy hebrenj u takuan me Xhafer Devën, ishin të shqetësuar se ky do ti dorëzonte në Gestapo (Geheim Stat Polizei-Policia Sekrete Gjermane). Xhafer Deva për befasinë e këndshme të këtyre dy hebrenjve, refuzoi që ti dorëzonte listat e emrave të hebrenjve, që gjendeshin në trojet etnike shqiptare. Mjekët dhe gjykatësit shqiptar nga Kosova i dërgonin hebrenjtë qoftë për mjekim apo për ta kryer burgun në Shqipëri , me të vetmin qëllim shpëtimin e tyre.[77]
Kur nazistët i kërkuan listat e hebrenjve më 1943, qeveria shqiptare kundërshtoi ti dorëzonte ato. Populli shqiptar pa dallim feje ju dha strehë, bukë, mbrojtje dhe bëri që asnjë prej tyre të mos bëhej pre e holokaustit.[78]
Në Maj 1945, Komiteti i hebrenjve të Jugosllavisë i drejtohet me përshëndetje Qeverisë Demokratike të Shqipërisë ku thuhet: “Kur hebrenjtë e Jugosllavisë, Polonisë, Gjermanisë” etj., shuheshin me gaze e mjete hekuri nga nazifashistet, pa dallim, burra, gra, e fëmijë, në Ballkan ishte një popull që u ngrit mbi çdo teori racore dhe mbi qytetërimin perëndimor, popull hero dhe mikpritës i Shqipërisë…Në historinë e kësaj lufte do të mbetet i shënuar një popull i vogël, por bujar e heroik, populli shqiptar, i cili do të shënohet ndoshta i vetmi, nga të gjithë popujt e pushtuar të Evropës, që pengoi dhe ndaloi shfarosjen dhe ndjekjen e hebrenjve.[79
[1] Aradha Partizane e Kopaunikut e Shalës, e Ibrit: Branislav Bozevic, Dr. Hakif bajrami, Milotin Folic dhe Milorad Vavic, Beograd, 1981, fq. 21
[2] Po aty, fq 21
[3] Po aty fq. 22
[4] Po aty, fq.22
[5] Ana Lalaj “Studime historike” 2004 (3-4), Viti LVIII (XLI), Tiranë 2004
[6] Aradhja Partizane e Kopaunikut e Shalës, e Ibrit: Branislav Bozevic, Dr. Hakif Bajrami, Milotin Folic dhe Milorad Vavic, Beograd, 1981, fq 23
[7] Po aty, fq.24
[8] Po aty, fq. 24
[9] Po aty fq,24
[10] Po aty, fq. 25
[11] Po aty, fq. 25
[12] Po aty, fq 29
[13] Po aty, fq. 29-30
[14] Po aty, fq, 30
[15] Po aty, fq.30
[16] Po aty, fq 31
[17] Po aty, fq.31
[18] Po aty, fq.31
[19] Nexhat Bushati, Gazeta “Gazeta Shekulli” 23.Qershorë 2006
[20] Aradhja Partizane e Kopaunikut e Shalës, e Ibrit: Branislav Bozevic, Dr. Hakif Bajrami, Milotin Folic dhe Milorad Vavic, Beograd, 1981, fq. 123
[21] Po aty, fq 124
[22] Hranislav Rakić, Teror i zločini okupatora i domaćih izdajnika u Leskovačkom i
Vranjskom kraju 1941-1944, Narodni Muzej Leskovac i međuopštinski odbor SUBNOR-
a Južnomoravskog regiona, Leskovac, 1986, str. 42.
[23] Aradhja Partizane e Kopaunikut e Shalës, e Ibrit: Branislav Bozevic, Dr. Hakif Bajrami, Milotin Folic dhe Milorad Vavic, Beograd, 1981, fq. 124
[24] Hranislav Rakić, Teror i zločini okupatora i domaćih izdajnika u Leskovačkom i
Vranjskom kraju 1941-1944, Narodni Muzej Leskovac i međuopštinski odbor SUBNOR-
a Južnomoravskog regiona, Leskovac, 1986, str. 42.
[25] Branisllav Bozheviq, Hakif Bajrami, Millutin Foliq, Millorad Vaviq “Aradha Partizane e
Kopaonikut, e Shalës, e Ibrit” Beograd 1981 fq. 406
[26] Milutin Folic, Aradha Partizane e Kopaunikut e Shalës, e Ibrit, fq.405
[27]Aradhja Partizane e Kopaunikut e Shalës, e Ibrit: Branislav Bozevic, Dr. Hakif Bajrami, Milotin Folic dhe Milorad Vavic, Beograd, 1981, fq 124
[28] Po aty, fq. 127
[29] Mitrovica me rrethine, Mitrovicë, 1979, fq 435
[30] Po aty, fq. 436
[31] Po aty, fq. 405
[32] Po aty fq.405
[33] Po aty, fq.405
[34] Hakif Bajrami, Gazeta, “Koha Ditore”, Koha për kulturë, e shtunë, 20 maj 2006.
[35] Hakif Bajrami “Koha Ditore” Maj 2006
[36] Branisllav Bozheviq, Hakif Bajrami, Millutin Foliq, Millorad Vaviq “Aradhja Partizane e
Kopaonikut, e Shalës, e Ibrit” Beograd 1981 fq. 406
[37] Ana Lalaj “Studime historike” 2004 (3-4), Viti LVIII (XLI), Tiranë 2004
[38] Branisllav Bozheviq, Hakif Bajrami, Millutin Foliq, Millorad Vaviq “Aradhja Partizane e
Kopaonikut, e Shalës, e Ibrit” Beograd 1981 fq. 406
[39] Po aty fq.434
[40] Po aty fq. 435
[41] Po aty, 407
[42] Po aty, fq 407
[43] Po aty, fq.410
[44] Po aty, fq. 411
[45] MUZEJSKI PROSTOR; Zagreb, “Zhidovi na tlu Jugosllavije” Zagreb 1988 fq. 211,191
[46] Po aty fq. 45.
[47] Po aty, 412
[48] Po aty, fq. 412
[49] Po aty, fq. 412
[50] Po aty, fq. 413
[51] Po aty, fq. 413-414
[52] Po aty, fq.430
[53] Grup autorësh, Mitrovica me rrethinë, Mitrovicë 1979, fq. 437
[54] Po aty, 437
[55] Po aty, 437
[56] Mitrovica dhe Rrethina, Mitrovicë, 1979, fq. 369
[57] Po aty, fq. 391
[58] Po aty, fq. 434
[59] Po aty, 434
[60] Po aty 434
[61] Po aty, 434
[62] Po aty 434
[63] Fazli. Hajrizi, Bedri Gjinaj-mësues dhe atdhetar i shquar, Prishtinë, 2014, fq. 80, 82
[64] Po aty, fq.83, 84
[65] Po aty, fq.87, 89
[66] Grup autorësh, Mitrovica dhe Rrethina, Mitrovicë, 1979, fq. 437
[67] Po aty, 437
[68] Tahir Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit, Bruksel, 1965, fq. 34-35
[69] Oliver Jens Schmit. “ Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore Ballkanike”, Koha, Prishtinë, 2012, fq.105
[70] P. D. Ivanov, “Jevreji Kosova i Metohije” Beograd 1988 fq.70.
[71] Grup autorësh, Mitrovica me rrethinë, Mitrovicë 1979, fq. 437
[72] http://shekulliagency.com/histori/masakra-e-bihorit-fati-i-9200-shqiptareve-te-pafajshem/
[73] Po aty
[74] Mitrovica dhe Rrethina, Mitrovicë, 1979, fq 392
[75] Radoje Rajovic: Kontrarevulucija u Cernoj Gori, Titograd, 1977, fq.312
[76] Branko Lotos: Kosovska Mitrovica i Okolina u planovima Draze Mihajlovica, Radnicka Klasa 479, Tajna i Javna Saradnja Cetnika i Okupatora.
[77] Murteza Studenica “Shqiptarët dhe hebrenjtë” Prishtinë 2000. fq. 8
[78] Harvey Sarner “Shpëtimi në Shqipëri” Tiranë 1999
[79] Apostol Kotani “Hebrenjtë në Shqipëri gjatë shekujve” fq. 5 Tiranë 1996
Vijon
_______________________
SHPËTIMI I HEBRENJVE GJATË LDB-së NË FSHATRAT SHQIPTARE TË MALËSISË SË GALABIT (2)
Dr. Sc. Qazim Namani
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, IKMM, Prishtinë – qazimnamani@hotmail.com
Ma. Emin Sallahu,
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, IKMM, Prishtinë n- emin.sallahu@rks-gov.net
Diskutim rreth këtij postimi