Nexhib Draga, politikan e patriot, një ndër veprimtarët më të shquar politikë të çështjes shqiptare në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane, deputet i Vilajetit të Kosovës në Parlamentin Osman (dhjetor 1908), senator në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1920), themelues i organizatës “Xhemijet” (“Bashkimi”) etj., lindi në vitin 1868 në Mitrovicë, në një familje të pasur e shumë të njohur të fisit Këlmend me origjinë nga Mojstiri i Sanxhakut të Pazarit të Ri. I ati, Ali Pashë Draga, i cili për trimërinë e treguar në luftën turko-ruse (1876-1877), ishte graduar me titullin pasha, u bë një ndër personalitetet e shquara e më të njohura të kohës. Ishte pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në Lidhjen e Pejës (1899). Nexhib Draga i mori mësimet e para në vendlindje (Mitrovicë), shkollën e mesme e kreu në Veles (Koprulu), ndërsa studimet e larta administrative-juridike (Mulkiye) në Universitetin e Ankarasë. Një kohë ka qenë në shkollim në Paris, ku përvetësoi shumë mirë gjuhën frënge. Gjatë qëndrimit në Stamboll u angazhua në Komitetin “Bashkim e Përparim”, u njoh me dr. Ibrahim Temon dhe bashkatdhetarë tjerë. U shqua për inteligjencë të lartë, përkushtim ndaj dijes dhe dashuri për vendin e tij. Arriti të përvetësojë disa gjuhë, si: frëngjisht, turqisht, serbisht dhe bullgarisht, të cilat i fliste dhe i shkruante mirë. Gjatë periudhës (1896-1902) ka shërbyer si kajmekam në Kratova, pastaj ka kryer detyra administrative në Pazar të Ri (kajmekam – nënprefekt), Veles, Shkup etj. Në prag të Lidhjes Shqiptare “Besa-Besë” të Pejës vendoset në Mitrovicë, ku angazhohet në jetën politike dhe i përkushtohet detyrës së administrimit të ekonomisë familjare. Këtu është martuar me Rukijen, vajzën e Ago Pashait (hallë e Rexhep Mitrovicës). U rreshtua në radhët e veprimtarëve të Lëvizjes Xhonturke (Turqve të Rinj). Në zgjedhjet e para për Parlamentin e Turqisë (dhjetor 1908), Nexhib Draga u zgjodh deputet (përfaqësues) i popullit për Sanxhakun e Shkupit të Vilajetit të Kosovës. Për krijimin e profilit të tij politik, vendimtare ishte njohja me Hasan Prishtinën, i cili si student dallohej për veprimtarinë patriotike e politike (1907).
Nexhib Draga mbështeti fuqishëm Kongresin e Alfabetit në Manastir (14-22 nëntor 1908) dhe u bë një nga mbrojtësit më të denjë të shkronjave dhe të shkollës shqipe. Nuk u lëkund asnjëherë, duke i qëndruar besnik parimit të tij luftarak: “Me alfabetin latin i hapim dyert e kalasë evropiane të bijtë e së cilës jemi!” Gjithashtu ishte njëri ndër deputetët më aktivë, fjala e mençur e të cilit kishte peshë në parlamentin turk. Gazeta shqiptare “Besa” e Stambollit, e datës 26 janar 1909, duke folur për zgjedhjen e përfaqësuesve të katër vilajeteve të Shqipërisë: Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Shahin Kolonjës, Aziz Vrionit, Esat Tiranasit, Mehmed Nexhip Mitrovicës (Nexhib Draga), Mufis Gjirokastra, Gani Frashëri, Ali Hajdari e Hamid Margëlleci etj. për përfaqësues të popullit, ata i quante “Lule të atdheut që ka dërguar këtu (në Stamboll), Shqipëria”, të cilët “do të përpiqen për atdheun tonë”. Nexhib Draga bashkë me Hasan Prishtinën, Ismail Qemal Vlorën e të tjerë ishte ndër kundërshtarët e politikës antishqiptare të xhonturqve, si dhe njëri ndër nismëtarët e organizimit të Kryengritjes së Përgjithshme Kundër Perandorisë Osmane.
Pas rënies në konflikt me turqit e rinj, i bashkëngjitet Partisë Liberale Opozitare Ahrar Hurriyet ve itifat firkasi, e themeluar në nëntor 1909 dhe e udhëhequr nga Hasan Prishtina e Isamil Qemal Vlora. Kjo parti në thelb ishte konservatore, por gjithnjë në opozitë ndaj komitetit xhonturk “Ittihad ve Tarakki” (Bashkim dhe Përparim). N. Draga përfaqësonte dhe mbështeste fuqimisht idenë mbi decentralizimin e mbretërisë. Si njëri ndër veprimtaret më të shquar të Klubit Shqiptar “Bashkimi” të Shkupit me ndikim permanent në qarqet xhonturke – ushtarake, politike dhe administrative në Vilajetin e Kosovës, qysh para vitit 1908, Nexhib Draga tashti, në kushte të Kushtetutshmërisë xhonturke – Hyrrietit (Lirisë), u bë shtyllë e fortë e shkollës dhe alfabetit shqip në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë në trojet shqiptare, ndjekës e mbështetës besnik, i devotshëm i Hasan Prishtinës në fushën e kulturës, të jetës dhe të ardhmërisë shqiptare. Gjatë kësaj kohe (1909) bashkëpunoi ngushtë me grupin e patriotëve intelektualëve shqiptarë në Shkup: Bajram Currin, Rrok e Luigj Berishën, Avni Gilanin, Ymer Strazimirin, Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën, Halim Gostivarin etj.
Me mençuri të pashoqe, me guxim dhe autoritet arriti ta minojë plotësisht Kongresin Xhonturk të Dibrës (23 korrik 1909), i cili kishte për qëllim zbatimin e alfabetit turko-arab, të nxirrte dhe të flakte nga përdorimi alfabetin shqip-latin për gjuhën shqipe. Me përkrahjen e tij dhe të patriotëve tjerë: Hasan Prishtinës, Dervish Himës, Fehim Zavalanit e të Ibrahim Temos, në vitin 1909 atdhetari i shquar, Jashar Erebara, formon Klubin Shqiptar kulturo-arsimor të Kumanovës.
Nikollë Ivanaj, pas udhëtimit tetëdhjetë ditësh prej Ulqini e deri në Shkup, në nëntor 1909, përshkruan gjendjen e krijuar në Vilajetin e Kosovës. Ai, midis tjerash, thekson se është takuar me personalitete udhëheqëse, si: Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Binak Alinë e të tjerë, të cilët, sipas tij, përhapnin idetë e Rilindjes Kombëtare për hapjen e shkollave shqipe, për autonominë e Shqipërisë, për pavarësinë dhe ruajtjen e tokave shqiptare që rrezikoheshin nga synimet pushtuese të fqinjëve: Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, dihet, me miratimin e Fuqive të Mëdha. Pikëpamje të tij i ka shtruar hapur e me guxim në gazetat e kohës ne Stamboll. Madje i ka paraqitur edhe në parlament, duke kërkuar që pushteti turk të mos përzihej në këtë çështje thjesht shqiptare (“Tanini”, dt. 24 janar 1910).
Me Hasan Prishtinën Ismail Qemal Vlorën e Shahin Kolonjë i kanë dërguar një letër protestë kryeministrit, duke kërkuar që të respektohen të drejtat e shqiptarëve për të përdorur në mënyrë të lirë alfabetin që u përshtatet dhe e dëshirojnë. Në të kritikojnë qeverinë, duke e quajtur të padrejtë vendimin e saj për shpalljen e gjedjes së jashtëzakonshme (10 prill 1910), gjithashtu të bindur se, me rikthimin e parlamentarizmit dhe kushtetutës, shqiptarëve do t’u krijoheshin mundësitë që në rrugë parlamentare t’i realizojnë qëllimet e tyre historike, ndër të cilat gjithsesi më e rëndësishmja është pranimi si komb dhe vetëqeverisja mbi baza etnike dhe kombëtare, pa marrë parasysh si do të quhej.
Në këtë kohë ai, krahas Hasan Prishtinës dhe Shahin Kolonjës, u bë krah i djathtë dhe i fortë i Ismail Qemalit rreth partisë liberale opozitare “Ahrar”, duke kontribuar në veprimtarinë kulturore e kombëtare-arsimore të Klubit Qendror “Bashkimi” të Stambollit, i cili kishte rolin e një ministrie shqiptare të arsimit dhe të kulturës në kushte të shtetit shqiptar në lindje e sipër. Me angazhimin e pashoq të Nexhib Dragës, Hasan Prishtinës e patriotëve të tjerë të kohës, në Shkup u themelua klubi arsimor kombëtar “Bashkimi”. Gjuha shqipe u fut në “Drul Maulim” (Shkollën Normale) të Shkupit, në “Idadinë” (gjimnazin) dhe në Shkollën Edukative “Meçtebi-Edeb“ të Shkupit. Në këto shkolla ligjëronin në gjuhën shqipe dy rilindësit dhe publicistët e shquar pejanë: Bedri Pejani dhe Salih Gjukë Dukagjini. Në vitin 1910 vazhdoi me ngulmë dhe e udhëhoqi luftën parlamentare për mbrojtjen e gjuhës shqipe si dhe për demaskimin e ekspeditave ndëshkuese të Xhavit Pashës në Kosovë. Në fund të vitit 1911, N. Draga së bashku me Hasan Prishtinën dhe disa atdhetarë shqiptarë krijuan një komitet, qëllimi i të cilit ishte përgatitja e kryengritjes në Kosovë. Gjatë dimrit 1911-1912, N. Draga e H. Prishtina formuan komitetin lokal në Kosovë. Në janar të 1912, mblidhet me deputetët e tjerë shqiptar që bënin pjesë në opozitë, duke kundërshtuar politikën e turqve të rinj për Osmanlillëkun e Vilajeteve Shqiptare. Kështu, së bashku me Ismail Qemal Vlorën. Syrja Vlorën, Hasan Prishtinën, Myfid Libohovën, Esad pashë Toptanin etj. takohen në shtëpinë e Syrja Vlorës në lagjen Taksim. Në këtë kuvend që u pagëzua “Komploti i Taksimit”, u morën vesh për angazhimin e mëtejmë për shpëtimin e Shqipërisë. Nexhib Draga, Hasan Prishtina e të tjerë kthehen menjëherë nga Stambolli në Kosovë dhe fillojnë bisedimet me pushtetin turk rreth kandidatëve për zgjedhjet parlamentare. Pasi xhonturqit nuk arritën të pengojnë kandidimin e N. Dragës e H. Prishtinës, u vendos që zgjedhjet të mos jenë të drejtpërdrejta, por përmes të besuarve. Me nismën e tij dhe të Hasa Prishtinës, prej 21-26 maj 1912 në Junik afër Gjakovës është mbajtur një tubim i madh, ku morën pjesë 250 burra shqiptarë, në mesin e tyre edhe prijësit e njohur, Isa Boletini e Bajram Curri. Nga ky tubim iu dërgua një memorandum Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, në të cilin kërkohej ngritja e administratës shqipe; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare; caktimi në Shqipëri i një guvernatori të përgjithshëm, që do të zgjidhej nga shtetet e mëdha; autonomia e Shqipërisë, e cila nënkuptonte flamurin e vet, shkollat në gjuhën shqipe si dhe caktimin e kufijve të saj. U kërkua që garancinë për zbatimin e këtyre kërkesave ta marrin përsipër shtetet e mëdha.
Zgjedhjet për Parlamentin osman nuk u bënë sepse filluan luftërat ballkanike. Më 14 tetor 1912 në Shkup u themelua “Komiteti i Shpëtimit” në krye me Nexhib Dragën, Hasan Prishtinën, Bajram Curri etj. “Klubi i Shkupit, thekson Serjfi Vllamasi, nën udhëheqjen e të ndriturit Nexhip Dragës dhe aktivitetit të madh patriotik të Bajram Currit revolucionar, ashtu edhe me patriotë të rinj me plot entuziazëm, si Rrok e Luigj Berisha, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Halim Gostivari, Qazim Begolli, Sali Gjuka – Dukagjini, Salih Naili – Tetova, Ymer Strazini e të tjerë, është angazhuar në një luftë për vdekje me xhonturqit deri në shpërthimin e kryengritjeve të armatosura”.
Në fillim të nëntorit 1912, në një takim të zhvilluar midis Nexhib Dragës, i dërguar i Kosovës, dhe Murat Toptanit e Bektash Cakranit, u morën vesh me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin se “së shpejti në Shqipëri do të organizohej një Kuvend Kombëtar për shpëtimin e Shqipërisë”, se “krerët shqiptarë do të mblidheshin shumë shpejt, për fatin e vatanit të tyre”.
Në kohën kur shtetet ballkanike i shpallën luftë Turqisë, Hasan Prishtina e Nexhib Draga i dërgojnë një proklamatë Fuqive të Mëdha, në të cilën theksojnë se “shqiptarët nuk po luftojnë për të mbrojtur Turqinë, por për të ruajtur territoret shqiptare’. Gjatë kryengritjeve të mëdha N. Draga ishte pjesëtar i shtabit drejtues. Në mbështetje kishte edhe dy vëllezërit e tij, që u shquan në lëvizje çlirimtare: Ajdin Draga, ishte pjesëmarrës në shpallje e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, u vra më 15 qershor 1914 në afërsi të Durrësit, dhe Ferhat Draga, deputet, vdiq më 2 dhjetor 1944, në fshatin Kralan të Gjakovës.
Depërtimi i shpejtë i forcave ushtarake serbe të mbështetura nga ato ruse pengoi aktivitetin e komitetit dhe shtrirjen e luftës çlirimtare. Në gjysmën e tetorit trupat ushtarake serbe hynë në Kosovë dhe më 14 tetor 1912 arrestuan Hasan Prishtinën, Nexhib Dragën e katërmbëdhjetë patriotë të tjerë, të cilët i dërguan dhe i burgosën në Kalemegdan, dike ua pamundësuar pjesëmarrja në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Më 16 maj 1913, pas protestave të ndryshme, u liruan nga burgu dhe u dëbuan nga Serbia. Pas lirimit nga burgu (1913), Nexhib Drraga e Hasan Prishtinën udhëtojnë për në Vlorë, ku takohen me Ismail Qemal Vlorën. Pas disa javësh N. Draga kthehet në Mitrovicë dhe themelon organizatën arsimore-kulturore “Bashkimi” (1915-1918), me emrin e cilës vepronte komiteti i fshehtë për Shqipërinë etnike e kryesuar nga Hasan Prishtina.
Gjatë Luftës së Parë Botërore N. Draga ka jetuar e vepruar kryesisht në Mitrovicë dhe në Shkup. Në vitin 1918 ka pasur një ndërhyrje kirurgjike në spitalin e Vjenës. Pas krijimit të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene të Versajës, N. Draga vendos të hyjë sërish në politikë. Këtë ia mundësonte jo vetëm autoriteti i madh që kishte në popull, por edhe gjendja e mirë materiale. Më 18 dhjetor 1919, së bashku me Kenan Zijanë themeloi organizatën politike “Xhemijet” (“Bashkimi”) me qendër në Shkup, e cila vepronte në territorin e Kosovës, Maqedonisë e Sanxhakut dhe bashkonte shqiptarët, turqit e myslimanët (boshnjakët) bashkonte bashkonte. U zgjodh kryetar i kësaj organizate që kishte si synim parësor zbatimin e programit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Më 1920, si përfaqësues i kësaj partie, u zgjodh deputet në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (qeveria e Pashiqit). Në gjysmën e parë të prillit të vitit 1921, N. Draga do të shkojë në Beograd dhe do të arrijë që edhe 12 deputetë t’i përfitojë dhe t’ia bashkëngjitë “Xhemijetit”.
Nga fillimi i vitit 1921, Nexhip Draga sëmurët rëndë nga kanceri në fyt dhe, për shkak se nuk iu lejua shërimi urgjent, shkuarja në Vjenë pas një vonese prej 25 ditësh, i kushtoi me jetë. Operacioni në një spital të Vjenës nuk ia përmirësoi gjendjen. Kështu, më 18 maj 1921, vdiq i rrethuar nga studentët shqiptarë që studionin në Universitetet e Austrisë. U varros në Vjenë me nderime të mëdha. Gjithashtu në vendlindje (Mitrovicë) iu fal xhenazja, iu përgatit varri në oborrin e xhamisë së Haxhi Veselit dhe iu gdhend emri në gurin e varrit.
Pas vdekjes së tij, në krye të “Xhemijetit” erdhi i vëllai, Ferhat Draga, një personalitet gjithashtu i popullarizuar në mesin e shqiptarëve. Në zgjedhjet e vitit 1923 “Xhemijeti do të fitojë 14 deputetë. Në këtë kohë Ferhat Draga do të kërkojë nga qeveria njëfarë autonomie për Kosovën, e cila përbëhej prej 95 për qind me shqiptarë.
Sejfi Vllamasi në librin “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942, Tiranë 2000, për Nexhib Dragën, midis tjerash, jep edhe këtë vlerësim: “Ky patriot me horizont të gjerë e i ndërgjegjshëm, ka qenë kundër reklamit, prandaj të gjitha iniciativat i merrte në heshtje dhe aktivitetet patriotike i zhvillonte gjithnjë prapa perdes. Ky politikan e burrë shteti i kalibrit të madh, ka qenë udhëheqësi dhe mjeshtri politik i rinisë nacionaliste shqiptare. Ne të rinjtë punonim sipas këshillave të tij”.
Rexhep Mitrovica e konsideronte Nexhib Dragën, si njeriun më të ditur të kohës dhe mësues të shtrenjtë, prandaj konsultohej shpesh për çështje të ndryshme politike.
Profesor Ahmet Gashi gjatë qëndrimit në Stamboll shpesh është takuar me atdhetarët e atyshëm, si Ismail Qemal Vlorën, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën e të tjerë, të cilët, siç thotë ai, “e këshillonin dhe e udhëzonin si të punojë për çështjen e përbashkët kombëtare”.
(Foto e Nexhib Dragës është marrë nga libri “Osmanli Tarihinde ARNAVUTLUK”, Izmir, 1944, f. 403, i autorit Sulejman Kulçe).
Literatura: Fjalori Enciklopedik i Kosovës I, ASHAK, Prishtinë, 2018, f. 348;
Riza Sadiku, Hasan Kaleshi – jeta dhe vepra, ‘Renesansa’, Shkup, 1996, f. 171-175;
Historia e popullit shqiptar II, ASHSH, IA, Tiranë, 2002, f. 389, 397, 407, 418, 420, 428, 465, 469, 504, 508, 510;
Historia e popullit shqiptar III, ASHSH, IA, Tiranë, 2007, f. 440, 469-470;
Jusuf Osmani, Ferhat bej Draga, shembull atdhetarie (Dokumente), Prishtinë, 2018, f. 29-32;
Eqrem bej Vlora, Kujtime I, (1885-1912), Tiranë, 2001, f. 230, 243; dhe II (1912-1925), Tiranë, 2001, Tiranë, 2001;
Ahmet Maloku, Ata gabo-unë qorto, Prishtinë 1996, f. 65-96;
Harun Crnovršanin&Nuro Sadiković, Sandžak porobljena zemlja, Zagreb, 2001, f. 285-296;
Hysen Selmani, Nga notimet e Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve, Tiranë, 2008, f. 83;
Hajrullah Koliqi, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Prishtinë, 2012, f. 201, 207, 395;
Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë – Tiranë 2001, f. 246-247, 277;
Jusuf Buxhovi, Kosova nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar, Prishtinë – Houston, 2012, f. 211, 639;
Grup autorësh, Kosova në vështrim enciklopedik, ASH, QESH, Tiranë, 1999, f. 100;
Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida, Tiranë, 2000, f. 181;
Fazli Hajrizi, Mitrovica dhe Shala e Bajgorës në fokusin e historisë, Libri Shkollor, Prishtinë, 2011, f. 179-193;
Fazli Hajrizi, Rexhep Mitrovica në Lëvizjen Kombëtare, Libri Shkollor, Prishtinë, 2008;
Diskutim rreth këtij postimi