Bajram Curri, atdhetar i shquar, veprimtar politik, udhëheqës ushtarak i kryengritjeve popullore shqiptare kundër robërisë osmane e serbe, luftëtar i denjë për çlirim e bashkim kombëtar, anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, mbështetës i fuqishëm i Kongresit të Lushnjës, pjesë e Senatit të Këshillit Kombëtar të Shqipërisë (27 mars-20 dhjetor 1920), mbështetës i Lëvizjes së Qershorit e kundërshtar i gjithë atyre që punonin në dëm të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, Hero i Popullit, lindi më 16 janar 1862 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Familja e tij jetonte në Gjakovë dhe ka mendime se ky bir i denjë i kombit tonë është me origjinë nga Nikaj-Merturi me rrënjë të thella në Curraj të Epërm. Që nga fillimi i viteve ’80 të shek. XIX u vu në ballë të kryengritësve shqiptarë në Kosovë që luftonin kundër pushtuesve osmanë. Nga pozitat tradicionale të familjes në Malësinë e Gjakovës, u emërua komandant i xhandarmërisë, pastaj kapiten në Prizren, kolonel në Prishtinë dhe, së fundmi, kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e gjithë Vilajetit të Kosovës. Ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve (1899-1900) së bashku me Haxhi Zekën. Duke qenë bashkëpunëtor kryesor i tij për mbrojtjen e tërësisë territoriale të trojeve shqiptare, u vu në krye rë udhëheqjes së lëvizjes antiosmane në Kosovë. Ishte kundër përçarjes së krerëve shqiptarë, prandaj bënte përpjekje për krijimin e unitetit politik midis tyre. Pas vrasjes së Haxhi Zekës në Pejë nga Adem Zajmi (më 21 shkurt 1902), ai do të luftojë jo vetëm kudër qeverisë turke, por edhe kundër disa bashkëkomësve të tij që ishin vënë në shërbim të saj. Ishte edhe një nga prijësit kryesorë të Mbledhjes (Kuvendit) së Ferizajt, të 20 korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e Kushtetutës së vitit 1876 nga Sulltani. Pra përkrahu lëvizjen e turqve të rinj, duke qenë i bindur se mund të sigurohej liria dhe barazia e popullit të tij të shtypur e të robëruar. Ndonëse i pashkollë, ai ishte njëri ndër mbështetësit më të flaktë të zhvillimit të arsimit dhe kulturës shqiptare. Ndër luftëtarët e palodhshëm për përhapjen e shkrimit dhe të shkollave në gjuhën shqipe. Përkrahu thirrjen e Kongresit të Manastirit, i cili u organizua për të zgjidhur problemin e alfabetit të gjuhës shqipe (14-22 nëntor 1908), përshëndeti hapjen e Normales së Elbasanit (1909) dhe përgëzoi drejtorin e saj, Luigj Gurakuqin, kontribuoi njëkohësisht në themelimin e klubeve shqiptare në Kosovë etj. Në këtë kohë ishte zgjedhur nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit. Duke qenë se regjimi xhonturk ndiqte një politikë të egër antishqiptare, e detyroi atë që sërish t’i marrë armët në dorë për të ndihmuar kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës, duke i bërë qëndresë të fortë forcave osmane në Qafën e Morinës (1910), si dhe ekspeditës së Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë në Ferizaj, Prejë, Prizren, Lumë, Dibër. Bajram Curri me Hasan Prishtinën organizuan mbledhjen e Kuvendit të Junikut 21-25 mars 1912 dhe, duke pasur mbështetjen e krerëve të lëvizjes kombëtare: Isa Boletinit, Nexhip Dragës etj., i paraqitën qeverisë së Stambollit këto kërkesa me shkrim: ngritjen e administratës shqipe; njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare; caktimin në Shqipëri të një guvernatori të përgjithshëm, që do të zgjidhej nga shtetet e mëdha; garancinë për zbatimin e atyre kërkesave nga shtetet e mëdha etj. Fill pas vendimeve të mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, ku u shqua si një nga tribunët e strategët popullorë, duke thyer forcat osmane në Qafën e Prushit në qershorin e korrikun e vitit 1912, dhe në Malësinë e Gjakovës. Derisa forcat e Bajram Currit vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në rajonin e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës, Prishtinës, Gjilanit etj., kryengritësit e udhëhequr nga Isa Boletini, Zejnullah Beu (Vuçitërni), Ahmet Delija (Prekazi), Xhemal Prishtina, Idriz Seferi, po korrnin gjithashtu fitore të rëndësishme kundër ushtrisë turke. Meqë deri më 9 gusht autoritetet osmane nuk dhanë asnjë përgjigje lidhur me kërkesat për autonomi, më 12 gusht të vitit 1912, kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri dhe Riza Gjakova, pasi kishin çliruar pjesën më të madhe të Kosovës, hynë në Shkup, duke i larguar forcat osmane prej andej. Në Shkup, qendër e Vilajetit të Kosovës, ishte planifikuar që të shpallej pavarësia e Shqipërisë, por, për shkak të mospajtimeve të disa krerëve, kjo ide nuk u realizua. Bajram Curri ishte gjithashtu organizator i luftës së malësorëve të Krasniqes, Lumës, Gashit dhe trevave të tjera, kundër forcave serbe-malazeze që sulmuan Kosovën gjatë Luftërave Ballkanike. Pra, lufta e përgjithshme e popullit shqiptar për liri që çoi deri në Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, është e lidhur edhe me emrin e prijësit popullor, Bajram Curri. Edhe pse nuk mori pjesë në aktin e ngritjes së Flamurit, ai mbeti një ndër mbrojtësit më të flaktë të pavarësisë së shpallur në Vlorë.
Nuk u pajtua dhe kundërshtoi vendimet e Konferencën e Londrës të 1913, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare, prandaj drejtoi kryengritjen e armatosur popullore në Plavë, Guci, Krasniqe, Gash etj. kundër zgjedhës serbo-malazeze dhe për bashkimin e territoreve të robëruar me atdheun. Kundërshtoi veprimet e Esad Pashë Toptanit, i cili e shkëputi Shqipërinë e Mesme nga qeveria e Vlorës. Më 1914 mori pjesë në qëndresën kundër fanatikëve të revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës dhe po ashtu me Hasan Prishtinën, Ahmet Zogun dhe Isa Boletinin ishte organizator i kryengritjes antiserbe të vitit 1915. Pas hyrjes së ushtrisë austriake në Gjakovë më 1916, B. Curri shkon në terren, ku interesohet për rendin, qetësinë dhe për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe. Pushtuesit austro-hungarezë e detyruan të emigrojë në Vjenë, mirëpo ai asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet me atdheun dhe nuk e ndërpreu veprimtarinë patriotike. Ishte në kontakt të vazhdueshëm me patriotë, me inteligjencën shqiptare si dhe me miq të Shqipërisë e të popullit shqiptar, me albanologun çek Dr. J. U. Jarnik etj. Në vitin 1918 u kthye në atdhe ku u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, që u themelua në Shkodër, dhe, duke qenë një nga veprimtarët e saj kryesorë, përkrahu dhe bashkëpunoi me të gjitha forcat nacionaliste, sidomos me Lëvizjen Kaçake të Drenicës etj.
Në fillim të të vitit 1920, ndonëse ende ndodhej në Vienë, mbështeti Kongresin e Lushnjës. Qeveria e Sulejman Delvinës, e cila doli nga ky kongres, e zgjodhi anëtar të Këshillit Kombëtar dhe ministër pa portofol (prej 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920). Në Qeverinë e Hasan Prishtinës (1921) u caktua Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Shqipërisë. Udhëhoqi njësitë vullnetare kundër bandave mercenare dhe rebele në Kavajë, Petrelë, Prezë, Krujë e gjetiu kundër të ashtuquajturës “Republikë e Mirditës”, kundër provokimeve në kufirin greko-shqiptar e politikës agresive jugosllave. Ishte njëri ndër qortuesit e rreptë të dy grupeve politike në Shqipëri që luftonin njëra-tjetrën për të marrë pushtetin me çdo kusht. Më në fund këto dy grupe u bashkuan në “Bashkimi i shejtë”, i cili formoi një komision të përbërë nga Bajram Curri, Qazim Koculi dhe Avni Rrustemi për propozimin e qeverisë së re në krye me Pandeli Evangjelin. Pas qeverive të dhjetorit dhe formimit të kabinetit Ypi, me ministër të Brendshëm A. Zogun, iu dha titulli i kolonelit të nderit. Ishte ngarkuar me detyrën për shuarjen e kryengritjes së Mirëditës, për largimin e ushtrisë jugosllave, përkatësisht serbe nga territori i pushtuar shqiptar, për ruajtjen e kufirit dhe për mbajtjen e rendit e qetësisë në kufirin perëndimor shqiptar të Kosovës. Në vend të kësaj, mblodhi qindra kosovarë rreth vetes, mori Pukën dhe u përgatit për të marshuar drejt Shkodrës, bashkë me Elez Isuf Ndreun (mars 1922). Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, falë ndërhyrjes dhe ndikimit të tij në prefekturën e Kosovës, bëri të mundur nxjerrjen fitues të Avni Rustemin si deputet. Ka përkrahur Lëvizjen e Qershorit më 1924. Që më 24 maj nisi lëvizjen e armatosur me forcat e veta, duke marrë Krumën si qendër e prefekturës së Kosovës. ë gusht 1924 mori pjesë në Kongresin Arsimor të Tiranës ë mesi e intelektualëve të shquar si prof. Ahmet Gashi, Aleksandër Xhuvani, Jani Minga, Bedri Pejani e të tjerë. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë me Nolin, Prishtinën e Gurakuqin. Më 26 shtator 1924, me Hasan Prishtinën e Bedri Pejanin, në emër të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i dërguan një letër Lidhjes së Kombeve, ku paraqitën çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës, duke pasqyruar gjendjen e mjerueshme nën Mbretërinë Jugosllave, përkatësisht serbe. Pas përmbysjes së Lëvizjes së Qershorit dhe ardhjes së Ahmet Zogut në pushtet, ai nuk pranoi të marrë rrugën e mërgimit ashtu siç kishin bërë udhëheqësit e lëvizjes, por vendosi të qëndrojë në krahinën e Krasniqes, në Gash, Bytyç e Krumë, ku vazhdoi qëndresën kundër pushtetit të ri. Zogu i shkroi një letër dhe kërkoi prej tij që të largohet përkohësisht nga Shqipëria, por ai nuk e mori parasysh, duke u përgjigjur se “për me e shpëtue shpirtin, nuk e koris veten as nuk e tradhtoj atdheun!” Tre muaj të dimrit të acartë qëndroi me bashkëluftëtarët e tij nëpër shkrepat e maleve dhe në Shpellën e Dragobisë (Valbonë). Prefekti i Krumës, pasi mësoi vendndodhjen e tij, mobilizoi forca të mëdha të xhandarmërisë për ta ndjekur apo likuiduar. Në një ballafaqim, ku forcat ishin të pabarabarta, “Plaku i maleve”, për të mos rënë i gjallë në dorë të forcave të pushtetit, më 29 mars 1925, bëri vetëvrasje. Varrimi i tij u bë në prani të autoriteteve shtetërore. Miku i tij besnik, Fan Noli, intelektual e burrështetas, përkthyes e poet i shquar, i ka kushtuar poezinë elegjiake “Shpell’e Dragobisë”, me të cilën, duke zgjedhur epitetet më të bukura: “dragua i Dregobbisë”, trim tribun i vegjëlisë”. “bajrak i gjallë”, “yll i rrallë i burrërisë”, “Ante”, “ditiramb i Dragobisë”, “katakomb i Dragobisë”, i ka ngritur një përmendore me fjalë, që simbolizon pavdekësinë e këtij luftëtari e prijësi të lirisë e demokracisë:
“Thon’ u shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.
As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë”.
Mitrovicë, 29 mars 2025
Diskutim rreth këtij postimi