Forcat e UJ-së, MPB-së dhe formacionet paramilitare serbe, në datën 27. dhe 28.4.1999, në zonën midis fshatrave Junik, Korenicë/Korenica dhe Mejë/Meja, duke përfshirë edhe fshatrat Dobrosh/Dobroš, Rramoc/Ramoc dhe Guskë/Guska, e kanë kryer operacionin „Reka“. Një nga qëllimet e operacionit ka qenë që të kapen luftëtarët e UÇK-së. Qëllimi tjetër ka qenë që shqiptarët „të dënohen“ për arsye se i kanë përkrahur pjesëtarët përgjegjës për vrasjen e funksionarit të MPB-së, Milutin Praščevič dhe edhe tre policëve të tjerë lokal. Gjyqtarët e GJNPJ kanë arritur te përfundimi se operacioni „Reka“ ka pasur edhe qëllime të tjera më të gjera, e kjo është dëbimi masiv i shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vrasja e shqiptarëve që hasen në atë zonë, pavarësisht nëse kanë qenë të lidhur me UÇK-në ose jo. Operacioni „Reka“ ka filluar në datën 27.4.1999 në orën 6.30, kurse ka përfunduar në datën 28.4.1999 midis orës 17 dhe 18. Gjatë këtij operacioni, forcat serbe kanë vrarë së paku 344 shqiptarë të Kosovës.
Korenicë/Korenica
Në datën 27.4.1999, rreth orës 5, ushtarët, policët dhe pjesëtarët e formacioneve paramilitare e kanë rrethuar fshatin Korenicë/Korenica. Rreth orës 6.30, në shtëpinë e Prend Markajt kanë shkuar nëntë ushtarë dhe i kanë detyruar ata që i kanë hasur aty ta braktisin shtëpinë. I kanë rrahur dhe i kanë plaçkitur burrat. E kanë ndarë Mark Dedajn, vëllanë e tij Pashkun, Linton Dedajn, Prend Markajn, djalin e tij Pashukin, Mark Markajn, djemtë e tij Bekimin dhe Petritin, dhe Skender Pjetrin, dhe i kanë detyruar të rreshtohen në oborr para shtëpisë. Ushtarët i kanë dëbuar gratë dhe fëmijët nga shtëpia. Vajza e Mark Markajt, Merita Dedaj, në largësi njëzet metra prej shtëpisë ka dëgjuar të shtëna të shumta se si vinin nga oborri. Ka shikuar mbrapa dhe e ka parë se si burrat qëndronin të shtrirë në tokë. Nuk e ka ditur nëse janë të vdekur ose jo. Pas luftës, mbetjet mortore të babait të saj dhe kushërinjve dhe mbetjet mortore të Skender Pjetrit janë zhvarrosur nga varreza masive në Qendrën e NJSA në Batajnicë.
Në orën 7.30, rreth 35 pjesëtarë të forcave serbe e kanë rrethuar oborrin e Lizane Malajt. Djali i saj pesëmbëdhjetëvjeçar, Blerimi, ka qenë para shtëpisë. E kanë detyruar të shtrihet në tokë. Të gjithë anëtarët e familjes së saj janë dëbuar jashtë nga dy shtëpitë në oborret e tyre. Burri i saj, Vat Malaj, vëllai Nikolla, dhe djemtë e tij Andrush dhe Arben Kabashi janë detyruar të shtrihen në tokë pranë Blerimit. Grave dhe fëmijëve iu është urdhëruar që të nisen këmbë drejt Shqipërisë. Kur është larguar rreth 50 metra, Lizane Malaj i ka dëgjuar të shtënat dhe klithmat nga drejtimi i shtëpisë së saj. E ka njohur zërin e djalit të saj. Kur ka shikuar mbrapa, ajo e ka parë se shtëpia e saj dhe shtëpitë e tjera në fshat po digjeshin.
Mejë/Meja
Në datën 27.4.1999, rreth orës 7, në Mejë/Meja ka arritur një numër i madh i pjesëtarëve të UJ-së dhe policisë. Kanë shtënë para shtëpisë së Martin Pnishit. Një gjysmë ore më vonë, dy policë dhe dy ushtarë, të cilët flisnin me një përzierje të gjuhës serbe dhe ruse e kanë sjellë pronarin e pompës së benzinës në Korenicë/Korenica, Kolë Duzhmanin, për të cilin kanë menduar se është Gjelosh Kola, të cilin dikush e ka kërkuar përmes radio lidhjes. Martin Pnishi ka dëgjuar se si një person përmes radio lidhje e ka dhënë urdhrin „shkatërroje“. Pas atij urdhri, policët dhe ushtarët rus e kanë rrëmbyer Kolën dhe e kanë çuar deri te shtëpia fqinje, e cila i takonte vëllait të tij, Martin Pnishit. Pnishi nga shtëpia ka dëgjuar shumë të shtëna dhe pas kësaj nuk e ka parë Duzhmanin të gjallë.
Afërisht në orën 10.30, policët, ushtarët dhe pjesëtarët e njësive paramilitare janë tubuar para shkollës. Pnishi e ka parë se si policët, kurse në mesin e tyre e ka njohur Predrag Stanojević, policin nga SPB-ja e Gjakovës/Đakovica, po i çonin shtatë të rinj shqiptar në drejtim të urës. I kanë rreshtuar në anën më afër Mejës/Meja. Polici i cili ka qëndruar në mes të urës ka hapur zjarr nga mitralozi dhe të shtatët janë rrëzuar në tok të vdekur.
Në datën 27. dhe 28.4.1999, Dëshmitari K90 i ka parë tridhjetë pjesëtarë të NJPP-së se si tek udhëkryqi në rrugën prej Korenicës/Korenica drejt Gjakovës/ Đakovica po i ndalnin kolonat e njerëzve nga fshati, se si po i ndanin burrat nga gratë dhe po ua merrnin paratë. Grave dhe fëmijëve, të cilët e kishin kaluar punktin e kontrollit, iu kishin lejuar të vazhdojnë për në Gjakovë/ Đakovica, derisa burrat i kanë çuar te një kompleks i ndërtesave. Aty i kanë “detyruar” të futen në një nga shtëpitë e vogla. Në oborr kanë qenë rreth dhjetë pjesëtarë të NJPP-së. Pas kësaj janë dëgjuar të shtëna të gjata nga arma automatike, pas të cilës policët kanë dalë nga ndërtesa. Dëshmitari K90 ka shkuar për ta parë shtëpinë dhe aty ka hasur në trupa të njerëzve.
Nikë Peraj në datën 29.4.1999 e ka parë se si dy kamionë, në të cilët kanë qenë përafërsisht 40 trupa, po shkonin nga Meja/Meja në Gjakovë/Đakovica. Trupat kanë qenë të mbuluar me cerada, por ai ka parë pjesë të trupave kur era e ka ngritur mbulesën. Kamionët kanë shkuar nën përcjellje të policisë.
GJNPJ ka vërtetuar se trupat e numrit më të madh të njerëzve të vrarë gjatë operacionit „Reka“ janë zhvarrosur në luginën Caragoj nga vendi ku fillimisht kanë qenë të varrosur, duke e përfshirë edhe lokacionin në afërsi të urës në Bistrazhin/Bistražin, varrezat e qytetit në Brekoc/Brekovac dhe në fshatin Guskë/Guska. Në fund të muajit prill të vitit 1999 tek ura në Bistrazhin/Bistražin, në prani të pjesëtarëve të MBP-së, janë zhvarrosur rreth 100 trupa të burrave në rroba civile. Janë ngarkuar në një kamion dhe në një frigorifer. Rreth datës 20.5.1999, vetëm në një rast, nga varrezat në Brekoc/Brekovac janë zhvarrosur më shumë se 100 trupa të burrave në rroba civile. Trupat janë transportuar me kamionë me cerada. Në muajin maj të vitit 1999, nga pylli i cili i takon fshatit Guskë/Guska, janë marrë disa trupa të burrave në rroba civile. Trupat e civilëve të vrarë në operacionin „Reka“ janë bartur dhe janë varrosur në tetë varreza masive në poligonin e Qendrës për Trajnim të NJSA „13. maj“ në Batajnicë.
Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore (OMPF) e UNMIK-ut e ka përpiluar regjistrin me emrat e 344 personave të cilët në datën 27. dhe 28.4.1999 për herë të fundit janë parë në Mejë/Meja, Korenicë/Korenica dhe rrethinë. Deri në fund të muajit korrik të vitit 2021, nuk janë gjetur mbetjet mortore edhe të 15 burrave, të shënuar në regjistrin e të zhdukurve të OMPF.
/glaszrtava.org/
Diskutim rreth këtij postimi