Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup
“Salihu dhe salihët vijnë këtu për t’i mbledhur shpirtrat e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.”, u them unë shokëve të mi, për të shtuar se “Edhe vetë rruga jonë, që është në anën e kundërt të kolonës që ikte më 1995-të, pra në anën e kundërt të Marshit të Vdekjes, në një mënyrë, është një prirje që t’i gjejmë ata shpirtra të vrarë që bredhin nëpër këto pyje, për t’i kthyer në paqen e amshueshme, aty ku u nisën për ta shpëtuar kokën vetëm për arsye se besimi i tyre fetar ishte tjetër nga ai i agresorëve. Ky, zaten, ishte mesazhi i Marshit të Paqes.
“Në këtë pjesë të shtegut, së paku në ahishtën e Kodrës së Kamenicës jam i sigurt se nuk gjen asnjë pëllëmbë toke që nuk është njomur me gjak. Prandaj, pjesëmarrës të maratonës, kini kujdes si silleni, sepse toka nëpër cilën jeni duke shkelur është njëjtë si me qenë duke ecur mbi plagë të hapura me gjak. Andaj, ju lutem, mos e harroni sebepin se pse jeni nisur – në këtë rrugëtim jeni nisur për Srebrenicën time dhe tënden!”.
Ky ishte teksti që do ta lexonim të ngjitur në murin e një shtëpie në Kodrën e Kamenicës, një pikë malore pranë vendbanimit Kamenica e Epërme në Bosnjën Lindore, gjatë marshit tonë në kujtim të gjenocidit serb mbi boshnjakët në korrik të vitit 1995. Sado që mundohesh t’i shtrëngosh dhëmbët, njerëzorja ngadhënjen. Pas kësaj, në pjesën tjetër të rrugës, pavarësisht vështirësive që na pritën, na pllakosi heshtja. Ishte trishtim të shkelnim më nëpër atë tokë, sepse gjithkund na dukej se po shkelnim mbi kufoma, mbi plagë që kullonin gjak ose mbi njerëz të plagosur për vdekje.
“A po shkojmë në Srebrenicë?”
Derisa ecja jonë javore nëpër male ishte shndërruar në rit, Daja (njëri nga personazhët e këtij reportazhi) një ditë maji do të na e dërgonte një vegëz interneti të Marshit të Paqes, që çdo vit organizohet në kujtim të gjenocidit të Srebrenicës, duke na pyetur “A po shkojmë në Marshin e Paqes në Srebrenicë?”. Të prirë nga dëshira për të ecur maleve, të gjithë iu përgjigjëm me po, por vetëm më vonë – pasi që i pamë krejt informacionet për këtë marsh – e kuptuam se ky nuk është vetëm një marsh 100-kilometërsh nëpër male e fshatra, madje as vetëm një pelegrinazh kujtimi. Ai ishte diçka tjetër. Krejt në fund e morëm vesh se ky marsh ishte një udhëtim mes shpirtrash e fantazmash, mes gjakut, plagëve, lotëve dhe dhimbjeve, që në varrezën e madhe të Potoçarit (vendbanim afër Srebrenicës) flasin me heshtjen, me gurët e pafund të varreve, me datat e të varrosurve, që nga foshnje disamuajshe e deri te pleqtë e plakat 90-vjeçare, si dhe me varret e zbrazëta që i presin kufomat ende të paidentifikuara.
Drejt Sarajevës
Mbrëmja mes 6 e 7 korrikut 2023 na gjeti në rrugë. Daja, Lemi dhe Kanuni (emrat e njohur për rrethin e miqve e që në këtë shkrim po i paraqesim me nofkat që ne thirremi mes vete) ishim ekipi që ia kishim mësyrë Marshit. Pas simiteve të ngrohta në Çair, rruga do të na shpinte nëpër Luginë të Preshevës. Gjatë udhëtimit nuk do të na mungonin debatet politike se plani për shkëmbim mes Kosovës e Serbisë mbase do të ishte shpëtim për Preshevën. Kështu mëngjesi do të na zbardhë në rrugën për Vishegrad, ku nuk na ik sysh “Ura mbi Drin” e Ivo Andriqit. Aty na lind edhe një debat tjetër se si ka qenë e mundur që një shkrimtar si ai të jetë njëherazi edhe ambasador i Jugosllavisë mbretërore në Gjermaninë e Hitlerit, edhe nobelist i letërsisë në Jugosllavinë socialiste, por edhe hartues elaborati për zhbërjen e joserbëve nga Ballkani. “Edhe austriaku Peter Handke, një mbështetës i agresionit të Serbisë së Millosheviqit, më 2019-të e mori çmimin Nobël për letërsi.”, do të ishte komenti im, për ta mbyllur këtë debat me pohimin e pathënë se “Perëndimi nuk e ka për herë të parë që e huq kaq shumë në dallimin mes kriminelëve dhe viktimave”.
Arritja në Sarajevë, vendosja në një shtëpi private dhe përgatitjet për të dalë në Bashçarshi i kryejmë sa ora dhe koha deri në faljen e xhumasë na kalon duke hëngër “sarajevski çevapi” dhe duke gjerbur kafenë me llokum. Ndërkaq vetë lutja e xhumasë në xhaminë “Gazi Husref Beg” është një përjetim tjetër. Hatibi (ligjëruesi) do ia kushtonte hutben (fjalimin javor) pikërisht Srebrenicës, duke e përfunduar me fjalinë e bukur “Ne e kemi shtrirë dorën e faljes dhe jo dorën e hakmarrjes, por kriminelët duhet të dënohet nga institucionet e drejtësisë.”. Perfekte!
Pasditja na kalon duke e shëtitur Sarajevën, ku lagjet e saj të bëjnë të ndjehesh, siç thotë prof. Davutogllu në librin “Qytete e qytetërime”, sikur kalon nga Bursa në Vjenë dhe nga Vjena në Moskë. “Sarajeva është një Jerusalem i Ballkanit.”, përfundon prof. Davutogllu.
Kur bie muzgu, ne jemi rrugës për në banesën tonë.
Taksisti indiferent
Që ta shkurtojmë rrugën dhe ta ruajmë fuqinë për ditën që na pret, vendosim të kthehemi me taksi, pos tjerash, edhe për të gjetur një mundësi që nesër në mëngjes të kemi transport deri në pikën e nisjes për në marsh. Dhe, pasi u morëm vesh me taksistin që të nesërmen herët në mëngjes të vijë të na marrë në banesë, pjesa tjetër ishte habia e tij se pse kemi ardhur në Bosnjë, ngase ai – edhe pse boshnjak mysliman – nuk kishte asnjë informacion për Marshin e Paqes në kujtim të gjenocidit në Srebrenicë, madje nuk shfaqi asnjë empati për atë ngjarje e as respekt për disa shqiptarë që po e nderonin Srebrenicën. E që të mos zihej keq në bisedë, kaloi në temën e futbollit. Na fliste për tifozët e Zhelezniçarit, por edhe për atë se ai i njihte ekipet tona, si Shkëndijën e, bile, edhe “Struga Trim Lum”. Në dalje nga makina, u shfrymë me një sharje se si mundet që një boshnjak të jetë kaq indiferent ndaj Srebrenicës dhe ndaj disa shqiptarëve që kanë ardhur të shprehin respekt për ata dhe mes futbollit dhe gjenocidit, atij i duket më i rëndësishëm futbolli. “Indiferenca është faji që boshnjakët e kanë paguar shumë shtrenjtë.”, do të jetë komenti i Kanunit, për ta mbyllur atë ditë të gjatë të 7 korrikut 2024.
Drejt Nezukit
Diku para orës 4 të mëngjesit taksisti indiferent na priste në fund të rrugës derisa ne i mbyllnim valixhet e rënda. Ai na shpie deri te autobusët që niseshin për në marsh. U gëzuam që më në fund ishim në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Taksistin nuk arrita as ta përshëndes e as ta falënderoj. Jo nga urrejtja, sa nga keqardhja. Më irritojnë njerëzit indiferentë.
Më shumë se dy orët e ardhshme të udhëtimit drejt Nezukit do të kalojnë duke i kundruar pyjet e Bosnjës verilindore, duke i parë fshatrat e vegjël e fshatarët që gdhiheshin për punët e fushës. Arritja në Nezuki na e sjell sfidën e parë. Autobusi, për shkak të ndonjë pengese në rrugë, nuk mund të arrinte në pikën ku duhej të niste marshi dhe ku duhej t’i ngarkonim valixhet. Ndërkohë dikush nga marshistët e tjerë na tha se nëse nuk kemi gjetur ndonjë organizatë që të na i marrë valixhet, mbase duhet t’i mbajmë në shpinë gjatë gjithë rrugës. E derisa do ta ecnim rrugën malore rreth dy kilometra me valixhe në shpinë, që ishte një lodhje e madhe, Kanuni do të na dëshpëronte duke thënë se “Nëse nuk na i marrim çantat, unë kthehem.”. “Po të ketë nevojë, do të mbajmë edhe ty në shpinë, por ne nuk kthehemi.”, do ia kthenim ne me gjysmë fryme nga lodhja, por me entuziazmin e pakthyeshëm që ta bëjmë detyrimisht atë rrugë. Pas vështirësive vjen lehtësimi – së shpejti do të gëzoheshim se nuk do të vuanim aq shumë.
Nisi marshi
Pasi që ishim paraqitur te organizatorët, i vendosëm valixhet në maunet e ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës, që ishin mbështetje e vazhdueshme e marshit, dhe pas fotografisë së parë me flamur kombëtar shqiptar, për të dëshmuar se në atë kolonë ka edhe shqiptarë, u nisëm. Pika e parë ishte Nezuki, një vendbanim i vogël i rrethinës së Tuzllës. Nën tingujt melankolikë të këngës “Shehidi”, që vinin nga minarja e xhamisë së fshatit, një këngë që do të jetë lajtmotivi mallëngjyes i gjithë rrugës, kolona me mbi 5000 njerëz nga mbarë bota do të merrte rrugën. Fshatarët, që kishin dalë përreth shtëpive, na uronin rrugë të mbarë dhe luteshin për ne, ndërsa unë rrëqethesha nga vargjet e këngës shumë prekëse, që në fillim dhe në fund të çdo strofë e përsërit vargun “Šehidi, hej miljenici, gdje ste vi?” (Dëshmorë të dashur, hej, ku jeni?).
Ndonëse terreni i ditës së parë të rrugës doli të kishte qenë më i lehti, atë ditë e hoqa tmerrin për shkak të atleteve të mia, që më vrisnin këmbën. Dhe, ndonëse atë problem e zgjidha pas dite, duke ia huazuar njërit nga shokët një palë atlete vere, dhimbja e këmbës m’u shndërrua në kënaqësi, sepse sa herë që shkelja dhe ndjeja dhimbje, kjo ma kujtonte vuajtjen e atyre mijëra grave, pleqve e fëmijëve që në korrikun e 1995-tës iknin nëpër pyje për të shpëtuar kokën. Asgjë nuk ishte dhimbja e këmbës sime në krahasim me shpëtimin e kokës së tyre. Pas një dite të gjatë të 8 korrikut, pas disa pushimeve për të ngrënë diçka (ushqimi ynë i atyre ditëve do të jenë pemët e thata dhe uji), kur i kishim kaluar gati 30 km, arritëm në kampin malor në Ljiple.
Miku ynë i ri, Muhamedi
Dita po përfundonte derisa ne e gjetëm një tendë të ushtrisë për t’u vendosur. Të gjitha ishin të mbushura plot, ndërsa shumë njerëz kishin marrë tenda personale dhe po i rregullonin. Në tendën në të cilin u futëm ne, natyrisht me leje, ishte një burrë që i kishte kaluar të 50-tat, që quhej Muhamed. Bashkë me të ishte edhe një djalosh i ri. U njoftuam dhe u shpjeguam se kush ishim, gjë që i bëri përshtypje Muhamedit, i lamë valixhet, i hapëm thasët ku do të flinim dhe dolëm t’i lajmë sytë në cisternat e ushtrisë. Kur u kthyem, në tendë e gjetëm vetëm Muhamedin. E pyetëm se ç’kishte ndodhur me djaloshin. “Iku.”, na tha Muhamedi. “Nuk dëshironte të rrijë me shumë njerëz në tendë. Më ftoi edhe mua të shkoj, sepse e kishte gjetur një tendë tjetër, por nuk shkova. Nuk mund t’ju lija vetëm pas këtij nderi që na e keni bërë.”, na shpjegoi ai. Veteran i luftës, një biznesmen mesatar, njeri shumë i guximshëm, që nuk pajtohej me Marrëveshjen e Dejtonit dhe gjithnjë e përsëriste se “lufta nuk ka përfunduar, ky është vetëm armëpushim”, Muhamedi tash e tutje do të jetë shumë shpesh bashkudhëtari ynë i 5-të, edhe pse ai kishte ardhur vetë dhe ecte vetë në marsh.
Që të dëshmojmë praninë tonë, mbi tendë e vendosëm flamurin kombëtar dhe kështu ishim në rregull. Në mbrëmje, në një fushë sporti aty pranë, u shfaq një program dokumentar që fliste për ditët e gjenocidit me rrëfime nga të mbijetuarit, si dhe me aktorë publikë të kohës. Një fat i hidhur. Srebrenica, deri më 1993, kishte qenë në duar të ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës. Pas incidenteve luftarake me forcat e Ushtrisë së Republika Srpska-s, ndërhyn Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke e shpallë atë zonë të mbrojtur nga trupat e OKB-së (të njohur si UNPROFOR). Prandaj shumica e banorëve të vendbanimeve përreth do të vendoseshin në zonën e Srebrenicës, ashtu që numri i popullatës do të pesëfishohej, duke arritur deri në 60.000 njerëz, shumica absolute boshnjakë myslimanë. Të mbijetuarit e këtij dokumentari flisnin se si më 1994 dhe në fillim të 1995-tës jeta në Srebrenicë zhvillohej në mënyrë krejt të qetë, madje se kishin filluar dasmat, festat e lojërat sportive, sepse ndiheshin në zonë të sigurt. Megjithatë, në korrik të 1995-tës fillon ofensiva serbe me arsyetimin se po i luftonin forcat e armatosura boshnjake, ndërsa në thelb ishte ideja e spastrimit etnik të terrenit për ta krijuar Republika Srpska-n e sotme. Forcat e OKB-së nuk do të bënin asgjë ose do të qëndronin indiferente, ngase serbët i kishin marrë peng edhe disa ushtarë holandezë të UNPROFOR-it. Pjesa tjetër ishte numra: më shumë se 15 mijë boshnjakë, shumica gra, pleq e fëmijë, do ta braktisin Srebrenicën, për të ikur maleve drejt Tuzllës, ku ishte territori që e kontrollonte ushtria e BeH-së, duke e realizuar atë që e quanin Marshi i Vdekjes. Dhe, nga ata 15.000, atje nuk do të arrijnë të gjallë as 5000 sosh. Zyrtarisht konsiderohet se janë varrë 8372 njerëz, një numër që nuk ka përfunduar, sepse mbi 2000 njerëz akoma konsiderohen të zhdukur dhe pa varr. Vrasjet do të ndodhnin nëpër pika të caktuara, ku ikanakët detyroheshin të kalojnë për shkak të terrenit malor. Në ato pika serbët prisnin dhe vrisnin sa kishin municion dhe sa kishin mundësi fizike, derisa pjesa tjetër të ikte nëpër pyje.
Pas atij emisioni dokumentar, nata ishte një ankth. Jo vetëm për shkak të të ftohtit malor, as vetëm për shkak se thasët tanë ishin shumë të hollë, ndërsa toka e ftohtë dhe e fortë, madje as vetëm për shkak të gërhitjes së rëndë të Muhamedit. Ne ishim të traumatizuar me atë që e pamë në atë dokumentar. Qysh në orën 4 të mëngjesit u ngritëm, dolëm të gjejmë ndonjë kafe nga fshatarët aty pranë dhe, pas lutjes së mëngjesit, ishim gati për rrugë.
Një slloven në Marshin e Paqes
Dhe, derisa pinim kafe në një kënd të rrugës, duke mërdhirë nga pak, kur po afronte ora e nisjes, afër nesh u ndal një njeri që nuk na përshëndeti me selamin boshnjak, porse me “Dobro jutro”. Pasi këmbyem dy-tri fjalë dhe ai e mori vesh se jemi shqiptarë, na tregoi se ishte kryetar i një komune në veri të Sllovenisë dhe se në marsh kishte ardhur për respekt të boshnjakëve të komunës së tij, ku po ashtu kishte edhe mjaft shqiptarë. “Por – na shpjegoi slloveni – arsyeja themelore është se njëri nga boshnjakët e komunës sime ma dha ta lexoj librin “Srebrenica, zaboraviti ne smijem, halaliti neću” (Srebrenica – nuk guxojmë ta harrojmë, hallall nuk duam t’ua bëjmë”) të autorit Hasan Hasanoviq, në të cilin paraqitet rrëfimi personal i dokumentuar i një të riu që e ka bartur në shpinë vëllain e tij të vrarë më shumë se 9 orë, për ta varrosur në zonën myslimane, sepse i kishte premtuar nënës së tij se nuk do ta linte vëllanë të prehet në territor serb. Erdha ta respektoj këtë boshnjak të ri.” – na tha slloveni.
“Edhe ne ishim në gjendje të të mbajmë në shpinë, Kanun.” – i thamë ne shokut tonë, që kur u nisëm në Nezuki e kishte çështje se a do të mund t’i mbajmë valixhet nëse nuk gjejmë zgjidhje. Kolona ishte gati të nisej dhe biseda jonë duhej të përfundonte.
Nga përpjeta përmbytëse deri te takimi me Salihun
Dita e dytë e marshit ishte edhe më e gjatë, por edhe më lodhshme për shkak të terrenit të vështirë. Sa vinte e rëndohej. Gjëja e vetme e bukur ishin pritjet e fshatarëve, që përreth rrugëve na ofronin ujë, kafe të zier në kazanë, dikush ndonjë shalqi e dikush ndonjë ëmbëlsirë. Na shihnin si heronj që i nderonim dëshmorët e tyre. Aq më shumë na nderonin neve që ishim shqiptarët e vetëm në atë marsh. Të paktën me flamur shqiptar ishim të vetmit, sepse në atë kolonë mund të ketë pasur edhe shqiptarë të tjerë, por që ne nuk i takuam. Ajo ditë kishte një përpjetëze të gjatë, që nuk i dukej fundi, në të cilën na u desh disa herë të ndaleshim të pushojmë, ndërsa meqë ishte një rrugë që sapo e kishin hapur, pluhuri ngrihej si mjegull.
Dhe, kur mendon se ke dalë në majë të kodrës, aty ku të pret uji, kafeja dhe kënga mallëngjyese “Shehidi”, aty na gjen edhe një takim tjetër po ashtu mbresëlënës. Derisa isha shtrirë në kokërr të shpinës, që të pushoja pak, madje isha kotur, e dëgjoj pranë meje Kanunin dhe Dajën që flisnin me dikë dhe ai u tregonte se në atë marsh vinte secilin vit. “Jam boshnjak mysliman i Srebrenicës. Kam qenë ushtar i Bosnjës në luftë dhe jam plagosur, duke mbetur përgjithmonë invalid. Derisa kam qenë në spital, familja ime kanë ikur nga qyteti. Gruaja dhe djali im kanë shpëtuar, por babanë ma kanë vrarë dhe kurrë nuk ia kam gjetur trupin. Prandaj çdo vit vij në këtë marsh për ta nderuar babanë tim.”, shpjegonte ai. Ngrihem e përshëndes dhe njoftohemi. Salihu do të jetë po ashtu njëri nga miqtë tanë të atij marshi. Dhe, kur marrim rrugën të vazhdojmë, e vërejmë se ai çalon keq me këmbën e tij, por kjo nuk e ndalon që ai, me bastun në dorë, bashkë me të bijat të vijë çdo vit në atë pelegrinazh vjetor. “Salihu dhe salihët vijnë këtu për t’i mbledhur shpirtrat e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.”, u them unë shokëve të mi, për të shtuar se “Edhe vetë rruga jonë, që është në anën e kundërt të kolonës që ikte më 1995-të, pra në anën e kundërt të Marshit të Vdekjes, në një mënyrë, është një prirje që t’i gjejmë ata shpirtra të vrarë që bredhin nëpër këto pyje, për t’i kthyer në paqen e amshueshme, aty ku u nisën për ta shpëtuar kokën vetëm për arsye se besimi i tyre fetar ishte tjetër nga ai i agresorëve. Ky, zaten, ishte mesazhi i Marshit të Paqes.
“Ndalohen flamurët kombëtarë”
Dita e dytë duhej të përfundonte në vendbanimin Mravinjci. Por, para se të arrijmë aty, shtegu na nxirrte në një rrugë rajonale të asfaltuar. Për befasinë tonë, makinat që kalonin na fishkëllenin dhe udhëtarët na shanin. Ne menduam se kjo ishte për arsye se ata ishin serbë dhe meqë kalonin aty pari, u pengonte flamuri shqiptar. Por, kur arritëm në Mravinjci, aty e takuam Muhamedin, që kishte gjetur një mundësi për ta mbushur baterinë e telefonit dhe priste në radhë te një njeri që shiste sanduiçë. Derisa po e diskutonim me të reagimin e serbëve ndaj nesh, ai na tha se krejt rruga e marshit që e bëjmë bie në Republika Srpska. E që kjo të bëhet edhe më e dhimbshme, në mbrëmje – derisa shfaqej programi i radhës – organizatori kërkoi, me dashamirësi, që marshistët të mos valojnë asnjë flamur, por atij shtetëror, sepse “kishte pasur reagime nga banorët lokalë”. Ishte shumë indinjuese për ne. Le që nuk lejohej flamuri shqiptar, por ata synonin ta ndalojnë edhe flamurin kombëtar boshnjak në territor të shtetit të Bosnjës. Kaq ishte fuqia boshnjake myslimane në këtë shtet. Natyrisht, si shqiptarë rebelë që jemi, të nesërmen gjatë gjithë ditës do ta mbanim flamurin e hapur.
Varrezat sekondare e terciare dhe fluturat
Ajo që binte në sy gjatë gjithë rrugës ishin ca pllaka të zeza me mbishkrime “Sekondarna grobnica” (Varrezë sekondare) ose edhe “Terciarna grobnica” (Varrezë terciare), ku shkruante numri i vrarëve, fjala bie “250 të vrarë”. Aty marshistët rëndom ndaleshin dhe bënin lutje për shpirtrat e të vrarëve. Ashtu vepronim edhe ne. Por, nuk e kishim idenë se çfarë nënkuptonte varreza “sekondare” e “terciare”. Prandaj, derisa ecnim, i takuam ca djem të Bratunacit (një vendbanim i rrethinës së Srebrenicës), të cilët i pyetëm dhe ata na shpjeguan se varrezat sekondare janë varrezat masive në të cilat të vrarët janë varrosur për së dyti, pasi që janë zhvarrosur nga varreza e parë masive. Ndërsa varrezat terciare ishin varrezat në të cilat të vrarët janë varrosur për herë të tretë. Madje, njëri nga djemtë që na e shpjegonte këtë, na njoftoi edhe për një fenomen tjetër: mënyra se si ishin zbuluar shumë varreza masive ishin ca lule që kishin mbirë në zona të caktuara dhe ato kanë qenë arsyeja që mbi to të mblidhet një lloj i veçantë i fluturave. Pasi që është konstatuar një varrezë masive me këto shenja, në këtë mënyrë ishin zbuluar edhe varrezat e tjera. Por, më e dhimbshmja ishte se, siç na njoftonte djaloshi që nuk ia mbaj mend emrin, kishte raste kur trupi i një njeriu është gjetur nëpër disa varreza. Kjo është arsyeja që plot familje nuk pranojnë t’i varrosin gjetjet e një pjese të trupave të familjarëve të tyre, sepse presin që mos ndoshta në ndonjë varr tjetër masiv do të gjenden pjesë të tjera të trupave të tyre. Vërtet morbide.
Rruga e Siratit
Duke ecur nëpër shtigje malore këndej, nuk është se nuk kam parë shtigje të vështira, por shtegu nëpër të cilin duhej ta kalonim në ditën e tretë ishte vërtet i tmerrshëm. Kishte pjesë që duhej të ecnim duke u mbajtur për litari dhe këtë duhej ta bënim me asistencë të ekipeve të organizatave të sporteve të rrezikshme. E derisa u ngjitëm në majë të kodrës, prej së cilës hapej horizonti i Srebrenicës, ngjitja ishte si në terren 90 shkallësh. Por, sado e vështirë, na vinte turp të qahemi. Jo vetëm për shkak se atë e kalonin edhe plot gra e të moshuara, siç ishin disa plaka mbi 80 vjeçe nga Franca, por edhe sepse gjithnjë në mendje e kishim se sa të vështirë e kanë pasur ta bëjnë atë rrugë atë 15 mijë boshnjakë që iknin nga tytat, që flinin nëpër pyje, që nuk kishin ushqim dhe që nuk e dinin as shtegun e saktë që i shpinte drejt vdekjes apo drejt jetës.
Nipi i Sazlisë me flamur shqiptar
Dita e fundit e marshit ishte karakteristike edhe sepse në pjesën e fundit të rrugës bashkoheshin edhe disa mijëra njerëz të tjerë, që të merrnin pjesë në marsh. Kështu, në Kodrën e Kamenicës, pikërisht aty ku e lexova atë citatin që e kemi vendosur në krye të këtij teksti, e takuam një djalosh që e mbante një flamur gjigant shqiptar. Ne menduam se ishte shqiptar dhe iu turrëm ta përshëndesim. Për fat të keq, djaloshi nuk dinte shqip, ndërsa arsyeja që merrte pjesë në marsh me flamur shqiptar ishte se gjyshja e tij ishte një shqiptare nga Sazlia e Kosovës dhe prandaj ai dëshironte që edhe shqiptarët të jenë të pranishëm në atë marsh.
Në të vërtetë, ky roli i ambasadorëve shqiptarë në nderim të viktimave të Srebrenicës ishte vërtet domethënës. Në një pjesë të rrugës na u afrua një boshnjak dhe na pyeti se nga jemi dhe kur e kuptoi se jemi shqiptarë të Shkupit, u habit. Madje, nga entuziazmi nuk mundi të mos jetë krejt i sinqertë: “Nuk di a do ta bënin boshnjakët këtë që ju po e bëni për ne. Ju faleminderit shumë.”.
Arritja në Potoçari
Meqë ishim lodhur shumë, por edhe nga pauzat gjata, nuk arritëm të futemi në qytet në kohën kur bëhej futja solemne e marshistëve në Potoçari. Ne ishim ndër të fundit që arritëm atje.
Duke hyrë në qytet, nga kodra ku shihen varret, e ke ndjesinë se krejt shpirtrat e atyre që i ke gjetur rrugës, po i kthen aty, që të prehen në paqen e amshueshme. Edhe aty na pret kënga “Shehidi” dhe vargu që ta djeg shpirtin: “Šehidi, hej miljenici, gdje ste vi?” (Dëshmorë të dashur, hej ku jeni?), një pyetje që kurrë nuk gjeti përgjigje.
Pasi e kemi kryer me sukses misionin, u biem rreth e përqark varreve, lutemi për ta dhe kur më është errësuar, kërkojmë të strehohemi në kampin e radhës ose të hamë diçka. Aty pranë varrezës e gjejmë një hostel ose han (ashtu edhe quhej – “Potoçarski han”), që e mbante një turk me origjinë boshnjake, i cili në atë javë e linte hanin në shërbim falas për të gjithë njerëzit që vijnë ato ditë në Potoçari. Pastrimi, gjumi, ushqimi dhe pijet, të gjitha ishin falas në atë han. Madje, që të mrekullohemi me të, vetë ai u shërbente njerëzve. “Njerëzit e mëdhenj janë modestë.”, do të konkludonim ne.
Në han e takuam edhe shqiptarin e vetëm të këtij udhëtimi – Afrimin nga Suedia. Ai, si nip boshnjaku dhe shqiptar i Mitrovicës, i mërguar qëmoti në Suedi, çdo vit e kishte bërë traditë që nga Suedia të vijë me motoçikletë, që t’iu bashkohet motoçiklistëve që niseshin nga Bihaçi dhe më 10 korrik në mbrëmje hynin në Potoçari.
Pasi që më fund po hanim një gjellë (fasule) dhe pasi që bëmë dush e i ndërruam teshat, e kishim ndjesinë njësoj si haxhinjtë kur e heqin ihrahim pasi që e kryejnë haxhin. Ishte ky vërtet një pelegrinazh shpirtëror për ne.
Dhe, meqë hani ishte i stërmbushur me njerëz, mundësia e vetme ishte të flemë në xhaminë e improvizuar brenda hanit. Drejtuesit e hanit na dhanë leje dhe unë, Kanuni e Lemi do të vendosemi aty, por Daja nuk pranoi. Ai vazhdoi të flejë edhe atë natë në tendë, ku vërtet ishte vështirë të kalohej nata. Ai nuk na e tha, por ne ia lexuam – “Më lejoni edhe sonte ta ndjej dhimbjen e boshnjakëve të vrarë të Srebrenicës.”
11 korriku i gjenocidit
11 korriku ishte e premte. Do të varroseshin edhe 30 viktima që gjatë atij viti ishin identifikuar. Ajo ditë ishte rrëmujë e vërtetë në Potoçari. Delegacione politike, makina nga të gjitha anët, aty e takuam përsëri Muhamedin, ndërsa ne dolëm përsëri te varret dhe, ndërkohë, e vizituam edhe magazinën ku më 1995 kishin qenë të vendosur qindra boshnjakë dhe shumë prej tyre ishin vrarë aty. Më dukej si ato skenat Treblinkës, që i kemi parë në filma ose që i kam parë në muzeun “Jad Vahshem” në Jerusalem. “Ky ka qenë holokaust i vërtetë.”, do të përfundonim ne.
Pasi e falëm namazin e xhumasë, e falëm edhe namazin e xhenazes së 30 kufomave që pas 28 vjetëve po i dorëzoheshin varrit të tyre personal. Në mesin e tyre ishte edhe djaloshi Mustafa Mekaniq, që më 1995 kishte qenë vetëm 16 vjeç. Pjesë të trupit të tij ishin gjetur qysh para 11 vjetëve, por motra e tij, Shemsa, kishte pritur aq gjatë mos po ia plotësonte trupin. E pasi e kishte humbur atë shpresë, kishte vendosur që atë vit ta varroste vëllain me ato pjesë të trupit të gjetur, duke e lënë të pushonte qetë pranë babait të saj të varrosur aty qysh më 2012. Morbiditeti ishte kryefjala e asaj dite. Sikur të mos ishin lutjet e hoxhallarëve dhe leximi i Kuranit, fare lehtë do të dëgjoheshin dënesat e njerëzve. Edhe ne mezi përmbaheshin, sepse lotët ishin në fytyrën e secilit njeri atë ditë aty.
Tashmë misioni ynë kishte përfunduar. Na duhej një mundësi kthimi.
“A ju duhen para për rrugë?”
Meqë ne nuk ishim të organizuar në grup, nuk kishim ndonjë zgjidhje transporti për t’u kthyer në Sarajevë. Duhej ta gjenim pikën e transportit publik, por ec e bëje atë me gjithë ato valixhe mbi supe. Derisa endeshim si Haxherja në kërkim të ujit për të birin, unë iu drejtova një shoferi të një autobusi që kishte ca njerëz që i njihnim nga marshi. Ai ma ktheu me tersen se nuk ka vend për të vetët e ku më për neve dhe se nuk ka leje nga menaxheri i autobusit. Pa bërë shamatë, iu afrova menaxherit të autobusit, i tregova se kush jemi dhe e pyeta a mund të na marrë. I zënë ngushtë kur e mori vesh se kush jemi, më luti të kemi mirëkuptim derisa të ulen në autobus udhëtarët e tij, që pastaj të na marrë neve. Ashtu ndodhi. Pasi u ngjitën ata, na ftoi edhe neve. Marshistët që na njihnin, na përshëndetën dhe u gëzuan që do të udhëtonim bashkë. Ata shkonin në Jajce, por i binin nga Sarajeva. Ndërkohë menaxheri i autobusit po bisedonte me Kanunin. Pasi e dëgjoi rrëfimin për ne, si duket u prek. Kur erdhi koha të zbrisnim, ne u ngritëm, i përshëndetëm të gjithë, i morëm valixhet, ndërsa menaxheri zbriti poshtë të na përcjellë. E kur ne e pyetëm “Sa të kemi borxh për udhëtimin?”, ai na u drejtua: “Mi vama dužimo. Jer trebaju novca za putu? Hfala vam puno šta ste došli.” (Ne ju kemi borxh juve. A ju duhen para për rrugë? Ju faleminderit shumë që keni ardhur.). Natyrisht, ne nuk kishim telashe të tilla. Derisa autobusi largohej, udhëtarët, të ngritur në këmbë bashkë me menaxherin, na përshëndesnin me dorë. Edhe ne u mallëngjyem.
Nga Sarajeva në Pejë
Pasi që arrijmë në banesën tonë në Sarajevë, na dukej sikur po ktheheshim në botën reale të të gjallëve. Sikur e kishim përfunduar një varrim të rëndë dhe akoma nuk e merrnim dot veten. Para muzgut dolëm në qytet të hamë diçka, ndërsa mbrëmja na gjeti duke i përgatitur valixhet për kthim.
Që ta shohim edhe më mirë gjendjen e Bosnjës, por edhe të boshnjakëve të Malit të Zi, vendosëm të kthehemi kah Rozhaja, për të dalë në Rugovë e në Pejë. Edhe aty kishim plot histori të trishta – një popull që po asimilohet, një gjeografi që po zbrazet. Zbritja në Pejë ma kujtoi romanin “Heshtja e armëve” të Ramiz Kelmendit, ndërsa çarshia e Pejës na e ndërmendi këngën “N’Çarshi t’vogël…”. Pjesë tjetër e rrugës nëpër Kosovë, në fakt, ishte rikujtim se vija e gjenocidit vërtet ka shpërthyer në mënyrën më të rëndë në Srebrenicë, porse gjithë ato territore janë të lara me gjak vetëm sepse ishin “tjetri” në atë hapësirë.
Arritja në Çair ishte njësoj si kthimi nga haxhi. Njerëzit mund të mos e hetonin, por ne – pas këtij udhëtimi – mbanim mbi supet tona shpirtrat e 8372 të vrarëve, me varr e pa varr. 30 shpirtra prej tyre i kthyem në varrezën në Potoçari, por të gjithë të tjerët do i bartnim në zemra deri në fund të jetës sonë.
Ndërkaq, unë – si kujtim nga ky udhëtim – do ta kem një shkop të njomë, të prerë nga Kodra Kamenicës. Në të do ta ruaj kujtimin e shpirtrave të atyre që enden mes Nezukit e Potoçarit duke pyetur se përse më 8-11 korrik 1995-të u vranë në mënyrë aq brutale e të pamëshirshme.
p.s. Më 23 maj 2024 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi rezolutën me të cilën 11 korrikun e shpalli ditë të kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Një fitore jo e vogël edhe për organizatorët dhe pjesëmarrësit e Marshit të Paqes, e veçmas mirënjohje për viktimat e këtij gjenocidi.
/shenja/
Diskutim rreth këtij postimi