Serbët kërkonin që të shtynin kufirin edhe më tej në drejtim të fushës së Llapit, nën Vranjë, në drejtim të Bujanocit duke u thirrur në pasigurinë që ofronte kufiri momental. Londra ia bëri me dije qeverisë serbe se kufiri tani më ishte caktuar kurse në rajonin e Vranjës edhe ishte ratifikuar. Duke ua komunikuar porosinë në formë verbale, Gouldi u tha përgjegjësve serbë se qeveria britanike nuk do të përkrahte asnjë iniciativë për ndryshim të kufirit dhe nuk do të favorizonte asnjë veprim të bazuar në paragjykime që kishte Serbia për fqinjët e saj.
Në Serbi keqtrajtimet ndaj popullsisë jo serbe nuk ndaleshin pasi që ende kishin mbetur pa u shpërngulur disa shqiptarë apo edhe të tjerë që ishin myslimanë. Me 20 maj në Beograd, Gouldi u takua me konsullin Nikollaides Efendiun i cili sapo kishte arritur nga Brindizi dhe ishte në rrugë për në Nish. Nikollaidesi ishte emëruar konsull i përgjithshëm i Perandorisë Otomanë në Serbi. Por, Serbia nuk e pranonte si të tillë, me këtë titull dhe pozitë zyrtare, duke u ankuar se qeveria serbe dhe ajo otomane ende nuk e kishin nënshkruar formalisht konventën konsullore. Gouldi pohonte se kjo nuk ishte arsyeja e refuzimit të pranimit të Nikollaidesit. Arsyeja e vërtetë ishte frika që prezenca e konsullit otoman do të ndikonte që bota të merrte vesh për metodat e paligjshme që i zbatonte shteti serb në shpërnguljen e myslimanëve të fundit që kishin mbetur në rajonin e okupuar.
Diplomati britanik njoftonte se në Nish më nuk kishin mbetur më shumë se 100 familje myslimane kurse gjendja e tyre ishte e mjerueshme edhe pse ata para pak kohësh ishin nga familjet më të pasura të rrethit të Nishit. Këto familje do të shpërnguleshin sapo të gjenin blerësin e pasurive të tyre. Që nga vendosja e regjimit serb, këto familje ishin keqtrajtuar aq shumë sa që më nuk kërkonin mbrojtje nga askush pasi që kërkesat e tyre të panumërta ishin treguar të kota. Sipas disa vlerësimeve ishte llogaritur se pasuria e myslimanëve vetëm në rrethin e Nishit, kapte shumën 1 milionë funte sterlinash (rreth 13 miliardë të vlerës së sotme). Në lidhje me këtë çështje kishin filluar negociatat me kohë por vonoheshin me qëllim nga qeveria serbe. Myslimanët i kishin refuzuar propozimet serbe të pagesave pasi që nuk ofrohej pagesë e garantuar.
Për keqtrajtimet që ushtronte Serbia ndaj popullatës joserbe, sidomos ndaj asaj shqiptare, Gouldi kishte marrë informata edhe nga Foreign Officei në Londër. Për këtë arsye ai kërkoi takim me Ristićin t’i cilit ia komunikoi brengosjen e qeverisë britanike në lidhje me këtë çështje dhe kërkoi nga qeveria serbe që t’i ndërmerrte sa më parë masat për kthimin e shqiptarëve në tokat e tyre. Gouldi i tha Ristićit se të njëjtin qëndrim, për kthimin e shqiptarëve, e kishin edhe qeveritë tjera të Fuqive të Mëdha pasi që Serbia kishte obligime t’ua mbronte të drejtat dhe pronën shqiptarëve. Me këtë veprim, siç bëri me dije Gouldi, Serbia do ta evitonte edhe problemin e përleshjeve me shqiptarët në kufi. Ministri i jashtëm i Serbisë, Ristići, i premtoi diplomatit britanik se këtë çështje do ta shqyrtonte sa më shpejt edhe me Princ Milanin.
Moslejimin e kthimit të refugjatëve shqiptarë në pronat e tyre, Gouldi e shihte edhe si rezultat të rivalitetit politik që ekzistonte në mes ministrave dhe këshilltarëve të Princ Milanit. Gouldi theksonte se këshilltari për çështje ushtarake i princit serb, i cili ishte edhe shef i shtatmadhorisë ushtarake, gjenerali Kosta Protići, së bashku me Radivoje Milojkovićin, ishin dy figurat të cilat u kishin shkaktuar shqiptarëve vuajtjet nga trajtimet barbare.
Gouldi shpresonte se princi serb dhe qeveria e tij së shpejti do të këndelleshin dhe do të hiqnin dorë nga politika e vrazhdët që ushtronin ndaj shqiptarëve. Përndryshe, sipas tij, Serbia do ta humbte përkrahjen e madhe që gëzonte nga Fuqitë e Mëdha. Gouldi theksonte se princi serb kishte një mburrje të çuditshme dhe ishte tërësisht nën ndikimin e gjeneralit Protić në çështjet ushtarake.
Gouldi kishte vendosur që për një kohë të mos ia dorëzonte princit serb një memorandum të cilin e kishte përgatitur në lidhje me këto çështje për të cilat ai kishte shprehur pikëpamjen zyrtare britanike. Pasi që memorandumi ishte i natyrës së vështirë për qeverinë serbe dhe princin e tyre, Gouldi mendoi se paraqitja e kij dokumenti mund të merrej si aktakuzë për serbët. Por, jozyrtarisht, Gouldi e qortoi rëndë Ristićin. Ia kishte bërë me dije se nëse princi nuk kthente një përgjigje në favor të trajtimit adekuat të shqiptarëve, atëherë ai do të detyrohej që t’i rregullonte disa gjëra dhe t’i bënte publike disa shënime dhe fakte të cilat do të ishin të një natyre të pakëndshme për qeverinë e Serbisë.
Përfaqësuesi britanik në Beograd kishte kohë që priste një përgjigje nga qeveria serbe dhe sidomos nga Princ Milani në lidhje me kthimin shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Me 17 qershor, kreu i Këshillit të Ministrave, Ristići, ia komunikoi diplomatit Gouldi në konfidencë një letër të cilën e kishte marrë nga Princ Milani. Letra ishte përgjigja e princit për shqiptarët e dëbuar nga pronat e tyre të cilët tashti ishin vendosur kryesisht në Kosovë.
Princ Milani nuk e kishte ndërruar mendjen në lidhje me kthimin e shqiptarëve. Ai edhe më tutje e ndalonte rreptësisht kthimin pasi që theksonte se këta shqiptarë ishin fajtorë pasi që i kishin rezistuar pushtimin serb. Nuk mund të ktheheshin as ata të cilët ishin shpërngulur pas përfundimit të luftës për arsye se, sipas tij, ata kishin vendosur vullnetarisht ta refuzonin regjimin serb duke emigruar sipas dëshirës. Princi serb bazohej edhe në disa konsiderata ushtarake të cilat tregonin se shqiptarët, që ishin popull tjetër dhe që kishin religjion tjetër, ishin të rrezikshëm për shtetin serb pasi që ata nga natyra ishin luftarak dhe luftënxitës. Në fund të letrës, princi thoshte se ndoshta do të lejonte kthimin e ndonjë shqiptari paqësor nëse për këtë gjë insistonte Porta. Ristići i pohoi diplomatit britanik se nuk pajtohej tërësisht me këto qëndrime të princit. Madje, ai i deklaroi diplomatit britanik se personalisht do të lejonte kthimin edhe të atyre që kishin rezistuar me armë pasi që ata nuk kishin rrugëdalje tjetër dhe se në këtë mënyrë kishin mbrojtur pronat e tyre nga invazioni i një ushtrie të huaj. Por, Ristići bëri me dije se në një atmosferë të vështirë për shqiptarët që ishte krijuar në Serbi, ishte vështirë të besohej se dikush prej tyre dëshironte të kthehej.
Diplomati Gouldi nuk ishte i kënaqur nga vlerësimi i princit për njerëzit të cilët ishin dëbuar nga pronat e tyre dhe pas asnjë arsye u ndalohej kthimi apo kompensimi i pasurisë. Në lidhje me këtë ai e kontaktoi përfaqësuesin diplomatik otoman në Beograd dhe ambasadorin britanik në Stamboll në mënyrë që të krijohej një vijë e presionit ndaj Beogradit që do të çonte në ndonjë zgjidhje të çështjes së shqiptarëve të përzënë nga Serbia.
Gjatë kësaj kohe britanikët ishin në dijeni të provave të panumërta të keqtrajtimeve dhe veprimeve arbitrare që ushtronin organet e pushtetit serb ndaj popullatës joserbe të Nishit, Pirotit dhe qyteteve tjera, të cilët detyroheshin të lëshonin vendin e tyre. Legata otomane vërshohej nga ankesat e popullatës joserbe që në Beograd vinin nga të gjitha anët për të kërkuar ndihmë. Organet e shtetit serb i keqtrajtonin edhe hebrenjtë. Një hebre algjerian, i quajtur Mercado Alkali, ishte ankuar te otomanët, britanikët por edhe te francezët. Këtij hebreu shteti serb ia kishte konfiskuar një shtëpi të madhe në Nish, disa dyqane dhe një sipërfaqe të madhe të tokave që kishte përreth qytetit. Autoritetet ushtarake ndaj tij ishin sjellë si ndaj shqiptarëve duke e ngarkuar me një taksë, të cilën serbët e quanin kontribut për luftë, të një shume prej 6000 frangave. Pasi që kjo ishte shumë e madhe e parave të cilën hebreu nuk mund ta paguante, ia kishin marrë të gjitha gjërat me vlerë, përfshirë edhe mobiliet të cilat i përdoret Princ Milani për vete në Konakun e tij në Nish. Njësoj kishte ndodhur edhe me pasuritë e turqve dhe të shqiptarëve në duart e të cilëve më parë ishte tërë ekonomia e Nishit dhe e rajonit.
Në pasditen e 14 korrikut përfaqësuesi diplomatik otoman e njoftoi kolegun e tij britanik për një telegram të cilin sapo e kishte pranuar nga Stambolli e që kishte të bënte me çështjen e kthimit të shqiptarëve në shtëpitë e tyre në Serbi. Pasi që telegrami ishte i natyrës së zbehtë, diplomati britanik kërkoi që Porta të formulonte një dokument më të kompletuar dhe më të fuqishëm të cilin do t’ia adresonte qeverisë serbe. Diplomati britanik u zotua se një dokument të tillë do ta shtynte edhe ai në emër të qeverisë britanike por paraprakisht i duhej ta vërtetonte nëse ekzistonte vullneti i shqiptarëve për t’u kthyer në pronat e tyre. Për këtë çështje Gouldi sërish bisedoi me Ristićin i cili, si përgjigje, përsëri deklaroi se nuk besonte që shqiptarët dëshironin të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Në fund të korrikut Karateodori Pasha i kishte dërguar një telegram Legatës Otomane në Serbi që kishte të bënte me kthimin e refugjatëve shqiptarë. Çështja e përshkruar në telegram ishte aq e zbehtë sa që përfaqësuesi diplomatik otoman në Serbi nuk e kishte të qartë se çka duhej të bënte. Këtë çështje kishte kërkuar ta nxirrte në pah përfaqësuesi britanik por otomanët edhe me këtë përgjigje nuk ndihmonin në sqarimin e plotë në lidhje me atë se çfarë kërkonte Porta dhe cilat ishin masat që duhej ndërmarrë në lidhje me problemin e refugjatëve shqiptarë në qarqet diplomatike dhe brenda qeverisë së Serbisë.
Për këtë gjë kishte shprehur interesim edhe qeveria britanike për të cilën ishte ushtruar ndikimi por dukej se Porta duhej hartuar një program për kthimin e shqiptarëve në Serbi. Nuk kishte shenja se po bëhej një gjë e tillë. Prandaj, Gouldi vendosi që ta kontaktonte ambasadorin britanik në Stamboll në mënyrë që ky ta këshillonte Portën për çështjen e refugjatëve shqiptarë. Para hartimit të programit otomanët duhej ta sqaronin së pari nëse shqiptarët dëshironin të ktheheshin dhe nëse shqiptarët dëshironin që otomanët ta paraqitnin kërkesën e tyre para qeverisë serbe. Nëse një gjë e këtillë kryhej siç duhej, atëherë Gouldi mendonte se do ta kishte lehtë që këtë çështje ta paraqiste me sukses para qeverise serbe duke u bazuar në gatishmërinë e qeverisë britanike dhe në nevojat e refugjatëve shqiptarë.
Gouldi, sipas instruksioneve të Londrës, nuk pushoi të reagonte në adresë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë për shkak të keqtrajtimit që ky shtet ua bënte popullsisë myslimane. Edhe me 18 korrik, Gouldi ia përkujtoi Ristićit se Fuqitë e Mëdha, të cilat garantonin pavarësinë e Serbisë, nuk e shihnin me sy të mirë keqtrajtimin e myslimanëve në këtë shtet. Ristići e luti diplomatin britanik që Londra të mos merrte ndonjë vendim të shpejtë pasi që ai premtoi se kjo çështje do të shikohej seriozisht nga Beogradi dhe se do të mënjanoheshin shkaqet e ankesave. Ministri serb shtoi se për këtë çështje nuk mund të akuzohej vetëm Serbia. Sipas tij, faji ishte edhe i myslimanëve për maltretimet që iu bëheshin, pasi që ata nuk mund të adaptoheshin në ndryshimet e reja dhe se nuk u pëlqente që të qeveriseshin nga serbët të cilët ishin të krishterë. Kjo ishte arsyeja e shpërnguljes masive të myslimanëve edhe pas përfundimit të luftës sipas Ristićit.
Për shkak të brutaliteti serb, myslimanët tashti po shikonin të gjenin mundësi të shitjes së shpejtë të pasurive dhe të iknin sa më shpejt nga Serbia. Si rezultat i kësaj gjendjeje pasuritë e patundshme kishin vërshuar tregun serb në të cilin kishte fare pak blerës.
Në Beograd përfaqësuesi diplomatik otoman, Sermed Efendiu, me 22 korrik ia tregoi një telegram përfaqësuesit britanik. Në telegram, të cilin e kishte dërguar Karateodori Pasha, thuhej se Porta e Lartë kishte informata se Serbia ishte duke përgatitur një sulm ushtarak për të depërtuar në Prizren. Gouldi nuk i besoi këtij lajmi.
Sermed Efendiu, ia tregoi Gouldit edhe një peticion dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, të cilin e kishin nënshkruar myslimanët e keqtrajtuar nga autoritetet e Serbisë. Myslimanë shpresonin në krijimin e një komision ndërkombëtar i cili do të merrej me hulumtimin e problemeve të tyre në Serbi. Gouldi i tha Sermed Efendiut se nuk kishte instruksione për këtë peticion por tha se disa herë ia kishte tërhequr vërejtjen qeverisë serbe për këtë çështje. Gouldi shtoi se Ristići i kishte premtuar se do të merrej seriozisht me këtë çështje për të cilën ishte akuzuar më së shumti “naçallniku” (kryetari) i Nishit i cili ishte ftuar në Beograd që të përgjigjej për këtë gjë. Gouldi shtoi se kishte insistuar që qeveria serbe, nëpërmes ministrit të Brendshëm, t’u dërgonte një qarkore të gjithë “naçallnikëve” duke ua bërë me dije se kishin obligime për t’i mbrojtur të gjithë myslimanët.
Me 31 korrik Ristići i tha diplomatit britanik se prijësit shqiptarë i kishin mbledhur klanet për t’u konsultuar për luftë. Sipas tij, shqiptarët po përgatiteshin për ta sulmuar Serbinë. Ai shtoi se shqiptarët nuk do të mund të ndaleshin as nga forcat otomane edhe sikur ato të dëshironin pasi që numri i tyre rreth kufirit me Serbinë ishte i vogël dhe përbëhej vetëm nga dy batalione. Ristići kërkoi nga Gouldi që qeveria britanike ta shqyrtonte këtë çështje te sulltani në Stamboll e pastaj të arrestoheshin prijësit shqiptarë. Gouldi nuk ndërmori ndonjë hap në këtë drejtim pasi që nuk u bazua në këto informata të Ristićit.
Në anën tjetër, Gouldi ia përkujtoi edhe një herë Ristićit çështjen e refugjatëve shqiptarë. Gouldi theksonte se pritej që së shpejti çështja të merrej në shqyrtim nga përfaqësuesi gjerman në Beograd dhe pastaj t’i drejtohej qeverisë serbe. Në këtë iniciativë ai ndihmohej nga kolegu i tij austro-hungarez i cili ishte në pritje të një raporti i cili së pari do të miratohej nga princ Bismarcku dhe Kont Andrassy. Gouldi i tha Ristićit se çështja e refugjatëve shqiptarë tashti po përkrahej edhe nga komisionari Velini, i cili ishte edhe anëtar i Parlamentit Italian. Edhe komisionari italian kishte vendosur t’i thoshte Ristićit të vërtetën për rrezikun e kufirit të Serbisë nëse qeveria e Beogradit nuk pajtohej për kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Dhe jo vetëm kaq, Velini i sugjeroi Ristićit që Serbia duhet t’ju siguronte shqiptarëve një nivel të lartë të autonomisë.
Diskutim rreth këtij postimi