Letren dhe dëshminë për vrasjen e Avni Rrstemit redaksisë dardaniapress e dergoi Profesor Fazli Hajrizi
E Merkure 23-IV-1924
I ndershmi Z. Bajram Bej
Nji ndolli qi ishte ndolle në Tiranë me shtyni të a shkruaj ket leter, me nji shpejti për me të ba me dije Zotnin t’ande.
Dy dit perpara, d. m. th. diku e Hane dy sahat mas dite, Avni Rustemi ishte kenë tuej shkrue me dy shok të vet nga nji rrugë prej rrugave të Tirones. Nji farë Isuf Reçi i Tironës qi ky njieri ishte kenë mulligji, i pa hajr bozuk, pak a shumë njieri i Bejlerve, Tuej shkru Avnin rrugës Isufi i permendun i bjen per mas me allti edhe e plagos Avniun tepër randë, sa do qi avniu mrapa qet nja kater herë në guximtarin, tue mos muejt mej ba gja guximtari aratiset edhe pshton i cilli edhe nuk osht nxon. Avniu i shkretë mas njizet e kater sahatsh, d. m. th. nji e marte mas dite, kishte dekë në Tiranë.
Vrasja e Avniut ka ba aq nji përshtypje të keqe si në Tiranë ashtu nder të gjith viset e Shqipnis sa qi nuk muj me jau spjegu Zotnis juej si duhet.
Vlona keni nji meting pes mi vetsh tuej protestue Qeverin aty thanë se të nxihet guximtari edhe të qiten në shesh durt e mshehta qi jonë tuej krye ksi soj atentatesh të cillat e çojn Shipnin në buz të Varit, edhe per lirin e fjales e të jetës përfaqsojsive të Popullit Asamblea të mlidhet në Shkoder ose në nji gjytet tjetër të Shqypnis e të hiqet prej Tirane prej asaj çerdhes ngatresave. Ashtu edhe Shkodra e boni prani nji mbledhje të madhe në bashkin e vendit ku më kishin thirë edhe mue e u banë protestime Telegrafike per vrasjen e Avniut ashtu edhe për mledhjen e Asambles në nji tjetër gjytet të Shqipnis.
Z. Bajram Bej. Çerdha e vrasjes Avniut asht në Tiranë si mund të a dish edhe Zotnia e jote basi i ktyre roleve asht Ahmeti aj qi dishron të jenë në krye të kres e diktator, ose të ja japin të birit të dreqit fatin e Shqipnis. Kjo çerdhe qi asht e perbome prej intirikave të kti njierit në kto dit të mrame i ka lshue dekt veta edhe në at Prefekturë t’anë t’Kosovës, d. m. th. sellja e Cenës gjithnji në at Prefekturë për të cillen këna ba deri tash pes herë protestime me fjalë edhe me shkrim pranë Qeveris edhe Asambles e sosht pa deri tash nji rezulldat ashtu edhe ardhja e ati farë Ibrahim Kumanoves si zëvendës prefektat ne at Prefektur ashtu edhe Muharem Bajraktarit e Myftar Selmanit e shokve të ti Propagandista Jugosllav per me i shkrue dy mi gjandar civil të cillat s’munden me ken tjetër veç me i vendu në veprim ngatresat qi dishron çerdha e Tirones. Kur e shtrenguem na Qeverin për çashtjen e shkrimit të ktyre gjandar civilve, Kryeministria tha qi nuk kishte Kompentent në ket pune por Prefektura e Tirones me Komanden e gjandarmanis atjehit mund të kan ba ksinji farë sendi tuej kujtue qi Bajram Begi pergatitet me ba nji lëvizje at herë une i pata pergjegjë Kryeministrit qi kur levizjen po e përgaditin Zyrtart e Propagandistat e juej e jo Bajram Begi.
Zotni Bej i Falemi nderës Zotit për Bataljonin e Ismajl Hakiut qi ndolli atje e nuk i muri parasysh të shtimet e Brahim Kumanoves e të Muharem Bajraktarit me shokë të cillt kishin pas deshirin me msye Zotnin t’ande me at fuqi ushtriake por si ju thash Ismajl Hakiu gjithnji ka qindrue e qëndron në favor të Zotnis s’juej: e të lutena masi qi janë dit tepër delegate të a kjni Zellen fort për rojën e sigurimin e Zotnis juej e sa të jen e mundmë merrni punt parasysh nji gjakftohtsi, se me nder ata Zagar qi gjinden atje dishrojn me qel per ndojfar ngatrese për sigurimin e fitimit Jugosllav qi jan agentat e zi. Vrasja e Avniut ka ba nji përshtypje të madhe, si ne gjetsha qjind për dërgimin e letrave kam met ba me dije gjithnji Zotnin t’ande. Sod jau shkruva nji Telegram Hoxhes me shok të ma dërgojn Niman Ferizin në Shkodër.
Si Ymer Hoxhes ashtu të gjith shokve të fala
Me shum nderim,
Dervish Mitrovica
Edhe nji paqet duhon pa t’a dërgojm me kët njeri.



Mustafa KRUJA
Vargut të dëshmorëve t’Atdheut i u shtue dhe nji verigë. Më 2 të Marsit, ndën cipën e zezë të mesnatës, nji anije italjane shkarkoi në skelen e Durrsit trupin e nji të dekuni në mërgim. Trupin e nji burri bujar qi, para shtatëmbdhetë vjeç kish lânë plâng e shpí, gjâ e pasuní e tânë kujtimet e jetës, ato mâ të dashunat e mâ të shênjtat, u kish kthye shpinën të gjithave, edhe Mitrovicës e Kosovës së vet për me shkue me jetue e me punue në Shqipnín e lirë, bashkë me shokët mâ të ngushtë t’idealit, me Bajram Currin, Hasan Prishtinën e sa zotní tjerë dhe me djelmnín kosovare. Ç’ vlerë kishin për tê çifliqet e pallatet qi lênte në dorë t’anmikut mbas Kosovës e Mitrovicës së dashun qi, për të dytën herë, po hyjshin nën zgjedhë të huej ?
Dervish Mitrovicën e gjêjmë në 1912 në Vlonë, bashkë me shumicën e París kosovare, me lulen e intelektualvet e të nacionalistëvet të Kosovës. Vêndin, trojet u a kishte pushtue anmiku. Po shpresa rronte e gjallë në zêmrat e tyne. Nji shtet shqiptar po formohej, sado i vogël, sado i qethun e i cunguem gjithkah. Ky shtet duhej organizue, duhej forcue. Do të vinte dita me mêndue e me punue edhe për Kosovën kreshnike, për Dibër e Çamërí. Për këtë qëllim e me këtë shpresë vrapuen kosovarët mâ parë në Vlonë, ndën hijen e flàmurit të shênjtë të Skanderbegut, t’asaj shêmbëlltyre të pamvarsís e t’idealit kombtar mâ të plotë. U vunë në shërbim të Ismail Kemalit të pavdekshëm e mbasandêj të Mbretit Wilhelm Wied në Durrës. Luftuen, u vranë ndër kodrat, zajet e kënetat e Durrsit mjerisht me …. shqiptarë qi nuk dojshin Shqipní, qi nuk dijshin se ç’âsht Atdheu e lirija ! Luftuen Kosovarët për krahas me Mirditas e me gjithë atdhedashësit e Shqipnís. E kur së ligës i u dha me e mundun të mirën, së mbrapshtës me e vue përpara të mbarën, tradhtís me e poshtnue idealin ; kur gjithë patriotët u shpërndanë, kryeultë e të dëshpruem kush në nji ânë e kush në nji tjetër, atëhere edhe Kosovarët, me krenë e djelmní u shtrënguen me kërkue strehë e me u gatue për luftat e ardhshme në shërbim t’Atdheut. Disa në Mirditë, do në Lumë e në Malsí të Gjakovës e nji tubë e mirë në Shkodër.
Nuk ngjat shumë e i a mbërrîn lufta botnore. Sikur të gjithë atdhetarët e tjerë edhe krenët e intelektualët kosovarë janë të bindun se fati i kombit t’onë, sidomos bashkimi i gjithë tokës shqiptare në një Shtet varej nga fitimi i armvet austro – hungare qi ishin sjellë kundra anmiqve t’Atdheut t’onë. Prandêj të shkelmen ushtrít e asaj mbretnije në fushat e Kosovës të tânë patriotët e këtij vêndi bashkohen me to, jo si mercenarë por si ushtarë të vërtetë t’Atdheut e me premtime të qarta të Fuqís pushtuese. Dervish Mitrovica âsht ndër ta, në krye të nji batalioni e me gradë majori. Mbas pushtimit të plotë batalioni i tij shërben për qetín e vêndit në nënprefekturën e Mitrovicës. Komanda austro – hungare i ngarkon Dervishit, bashkë me detyrën e gradën ushtarake, edhe kryesín e administratës civile të Mitrovicës me krahinat e veta. Të dyja këto detyra i kryen mâ së miri gjatë gjithë luftës tue forcue edhe mâ tepër dashunín e popullit ndaj tij. Por…. qe ! Lufta mbaroi si mbaroi e Kosova e shkretë veshi prap petkun e zís e të mjerimit. Dervish Mitrovica, me të gjithë patriotët e tjerë kosovarë, muer përsëri rrugën e mërgimit. Iku në Vjenë e pak mâ vonë ktheu në Shkodër. Mërgim ? jo! Këtu tash ai nuk e quente vetin të mërguem. Gjindej n’Atdhé të vet, n’Atdhé të lirë e mund të punonte për tê e për Kosovë.
Krenët kosovarë, qi të munden me punue me sistem e me fryt për idealin e tyne, themeluen Komitetin e Kosovës. Dervish Mitrovica qe mis i këtij komiteti. Në Gushtin e vjetit 1921 nji dekret i Këshillit të Naltë i a njohu gradën ushtarake si major i ushtrís shqiptare. Por…. pa zyrë as komandë e pa rrogë! Qeveria e asaj kohe, në të cilën sundonte i gjithfuqishëm Ahmet Zogu, s’i kishte në sŷ të mirë Kosovarët e sidomos ata të komitetit. Këta ishin fajtorë, sepse nuk mund të harrojshin vêndin e tyne, Kosovën! Duhej pra të vuejshin në mjerim. Mirë e kishin në kishin lânë pasunitë e tyne në duer të baba – Pashiqit! E Dervishi i shkretë dhe fëmija e tij qi ishin mësue me gjithë të mirat e ksaj jete rrojshin tash në nji shtëpí përdhese, herë me bukë e herë pa tê, me ndihmën e disa burrave shkodranë mbasi kishin shitë e hângër gjithë ça kishin mujtë me marrë me vete.
Në 1923 u bânë në Shqipní zgjedhjet e Kuvêndit Kushtetues. E prefektura e Kosovës e zgjodh Dervishin, bashkë me Avni Rustemin, Niman Ferizin, Kadri Hoxhën e Dr. Fahrín, përfaqësues t’asaj krahine. Punoi me partín opozitare, qi kishte në krye Gurakuqin dhe Fan Nolin. U vra Avniu e qe Dervishi në sheshin e revolucionarvet qi çuen në Vlonë, në Shkodër e në prefekturën e Kosovës flámurin e kryengritjes për shpagë e për drejtí.
Qeveria e Fan Nolit e emnoi kumandar të gjindarmërís së Shkodrës. Për mue pat qênë nji fat i madh me pasë nji shoq e bashkpuntuer si atê n’at prefekturë. Oficer gjindarmërije i mbaruem, tue pasë shërbye qysh në moshën mâ të ré si nëntoger, si toger e si kapidan në gjindarmërín e Turqís në Shkup, Jeni – Pazar e Mitrovicë, i mbajtun në shërbim e i çmuem fort edhe prej kontrollit ndërkombtar qi kishte vue Evropa në tre vilajetet e Rumelís : Selanik, Manastir e Shkup ; trim, por jo profkatar, por i âmbël sa me çarmatisun me dorë të vet dy burra të maleve me nam për kah gishti e zêmra : bajraktarin e Shalës e Mark Sadikun ; e me gjithë këtê jo profkatar, por i âmbël dhe i përvutë sa s’ka ; i ndershëm tejet. Me këto cilsí ai s’kishte si mos me u dashtun e nderue si prej eprorvet ashtu prej nënurdhnasvet të vet e prej gjithkuj të gjindej në përpjekje me tê.
Dervishi s’i ka kursye kurrë flît e rreziqet për idealin kombtar. Mbas shpalljes së Kushtetís turke në 1908, kur filloi lufta ndërmjet nesh e Turqvet të rij për të drejtat e gjuhës e të vêndit t’onë, ai ndonse zyrtar i qeverís turke, përkrahu me të tânë fuqín e vet organizatat nacionaliste të themelueme me emnin Bashkimi. Por ky veprim fare i haptë i Dervishit nuk mund të mos i binte në sŷ Turqvet të Rij. U muer nji herë nën veré t’eprorvet të tij në Selanik, por edhe atje kishte shumë Shqiptarë e nji klub me rândsí të Bashkimit. E Kosova ishte te dera. Prandêj qeveria turke nuk vonoi me e çue n’Anadoll. Me gjithë këtê, me ndihmën e disa miqve të fuqishëm, mujti me kthye prap në Kosovë, ku u ndodh në kryengritjen e 1912-s. Ishte kumandar i gjindarmërís në Mitrovicë. Të plasmen kryengritja në rrethet e Gjakovës ai i shkruen nënprefektit të vet : “Sod po më thërret detyra ndaj kombit t’em. Jam kryengritës kundra qeverís turke për të drejtat e popullit shqiptar. Lamtumirë!” E me gjithë kompanín e vet dhe me kryengritësit e Mitrovicës shkon e bashkohet me ata të Pejës.
Kishte trashigue nji pasuni të madhe prej s’âmës, bijë Begollajsh të Pejës. Por si bulku i tij si katundari fqî e adhuronte për njerzí e ndere qi u bânte. Ideja e Atdheut të lirë e shtŷni me i përbuzë të gjitha të mirat qi gzonte në vênd e në plâng të vet. Sërbët, Pashiqi vetë, e kanë lutë me kthye e me gzue gjân e vet, tue i premtue edhe grada e zyra n’at shtet. “Kur të çilni shkollat shqipe e t’u njihni të drejtat Shqiptarvet më keni atje. Ndryshe jo!” përgjigjej Dervishi.
I shkreti Dervish ! Kurrë s’e ndieva atë burrë me u ankue për ça kish bâ flí e për mjerimet qi vuente n’Atdhén e lirë. Kishte gjithmonë uzdajë se punët e Shqipnís nuk do të shkojshin përherë rrokopujë, se fati i saj nuk do të qëndronte për jetë ndër duer të flliqta e të padenja. Rronte me shpresë e me nji durim shêmblluer. Shkodra s’kishte ndryshim nga Mitrovica për tê. Shtëpija përdhesë ku banonte i dukej baras me pallatin qi kish lânë në Mitrovicë. Mjaft qi t’ishte n’Atdhé të lirë e të kishte uzdajë për Kosovën.
Por…. ahi vaj ! Mërgimi i dytë e i fundëm ; mërgimi i vërtetë, mërgimi prej Atdheut të lirë në vênd të huej, ky e pat ligshtue fort. Përpara vuente me trup, por e kishte shpirtin të shëndoshë e të fortë. Tash vuente me shpirt. Mërgim dyfish. Miq e shokë mâ t’afër e mâ të dashtun bjerrë : Bajram Curr, Hasan Prishtinë, me të cilët kishte bashkëpunue heret e vonë për idealet e tija. Ça mâ zí për qëndrimin e tij, kishte humbun forcën mâ të madhen qi e mbante gjallë : shpresën për kthimin e Kosovës në gjî t’Atdheut. Këto dy vjetët e fundit pat ardhë gjithnji tue u tha e mbarue. Malli i Atdheut e dëshprimi i a grinë shpirtin e i a grinë mushknít. E hângrën. Vdiq më 24 fruer 1935 në Zarë, ku pat jetue me familjen e vet gjatë gjithë këtij mërgimi.
“Kurrë s’kthej i gjallë ndën kët regjim, thoshte. Kam ikë prej të huejve për me rrnue i lirë e me punue për Atdhé. Si me kthye në nji vênd ku mbyten patriotët për hatrin e huej e ku punimi për Atdhé paguhet me krye ?”.
Nuk desh me u kthye i gjallë. Por kur e pa dekën tu praku fshâni të madhe, qau e tha : “Trupin t’em, eshtnat e mija due qi t’i kalbë toka shqiptare. M’i çoni e m’i vorroni atje!”
Nderimi i pashoq qi i bâni Shkodra bujare trupit të pa shpirt të këtij dëshmori t’arratisun, guximi qi ajo diftoi në kët rasë âsht nji provë e qartë se sa fort ka qênë dashtë e çmue edhe nji heret nji protestë elokuente në heshtjen e saj kundra atyne qi i shkaktuen dekën e pakohshme, vetëm në të pesëdheteshtatën vjetë të jetës së tij.
Jo veç miqt e dashamirët, por të gjithë ata qi e kanë njohë Dervish Mitrovicën për s’afri qajnë sod me zêmër për tê bashkë me grue – zezën e jetimët e tij.
*MUSTAFA KRUJA Kostancw, shtypshkronja “Albania” 1 – 5 – 1935
Diskutim rreth këtij postimi