Demonstrata antibullgare e shqiptarëve në Shkup, e organizuar me 10 maj 1941, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë, e cila sot e asaj dite merret si shembull i guximit i atdhedashurisë së lartë, duke synuar bashkimin kombëtar, brenda kuadrit që mundësonin rrethanat e kohës. Ideatorët e Demonstratës dhe të Lëvizjes për Çlirimi dhe Bashkim Kombëtar synonin jetësimin e idealit të bashkimit të Trojeve Etnike Shqiptare, pas tërheqjes së pushtuesve fashistë.
Pas shpartallimit të Mbretërisë Jugosllave, në prill të vitit 1941, trojet shqiptare, që ishin në përbërje të saj, u pjesëtuan midis Italisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë. Sipas marrëveshjes midis tyre, Italia mori pjesën më të madhe të Kosovës së sotme dhe Trojet Lindore Shqiptare nga Struga e deri në Grupçin (midis Shkupit dhe Tetovës), pjesën jugore të Sanxhakut të Tregut të Ri, si dhe trevën e Ulqinit. Këto troje zyrtarisht quheshin “Tokat e Lirueme”. Gjermania pushtoi zonën e Mitrovicës dhe pjesën më të madhe të Llapit. Ndërsa Bullgaria pushtoi trevat e banuara me shumicë shqiptare nga lumi i Moravës në perëndim, përfshirë Kaçanikun, dhe krahinat e Shkupit, Kumanovës, Preshevës , Bujanocit, Ohrit, Manastirit, Prilepit dhe të Velesit.
Gjendja padurueshme nën pushtimin bullgar
Pushtuesi italian në “Tokat e Lirueme” lejoi përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare, krahas italishtes, zhvillimin e mësimit në shkolla, organizimin e jetës kulturore të shqiptarëve si dhe përdorimin e flamurit kombëtar, ndonëse me shenjën e liktorit (fashos).
Në trojet e pushtuara nga Gjermania u mundësohej nxënësve shqiptarë shkollimi në gjuhën amtare, por drejtimin e pushtetit vendor e kishin serbët. Gjendja ishte krejtësisht ndryshe në trojet e pushtuara nga Bullgaria. Shqiptarët nën regjimin fashist bullgar (1941-1944) përbënin elementin e rrezikshëm, të urryer deri në shkallën e nazizmit, të cilëve u mohohej edhe e drejta për të jetuar në trojet e tyre. Në thelb të albanofobisë së këtij regjimi qëndronte aftësia e shqiptarëve që kishin mbijetuar regjimet pushtuese ndër shekuj dhe ishin në trojet e tyre, aty ku i kishte lënë Zoti. Prandaj kundër tyre u ndërmorën një varg masash për ti detyruar të shpërnguleshin. Këtu qëndronin shkaqet që ata të jetonin në kushtet e shtetrrethimit ushtarak dhe policor. Kështu synohej spastrimi etnik i tokave shqiptare dhe shndërrimi i tyre në toka bullgare.
Masat e dhunës e të terrorit, përkonin me organizimin i ekspeditave policore e ushtarake nëpër krahinat shqiptare, arrestimet e meshkujve dhe ushtrimi i dhunës mbi ta deri në shkallën e vdekjes, dhunimi i vajzave dhe i grave, përbuzja e burrave me heqjen e plisave në vende publike dhe detyrimin e mbajtjes së kapelave bullgare, dyert e shtëpive duhej të ishin të hapura, për të pasur në to qasje më të shpejtë policia. Plaçkitej gjithçka që ishte e vlefshme për ta, që nga gjësendet e çmueshme, bagëtia, drithi etj. Kësaj gjendje i shkonin në ndihmë tatimet e larta e të papërballueshme.
Një nga mënyrat e ushtrimit të dhunës ishte goditja e të arrestuarve me dajakë shkoze të pagdhendur sipas sistemit 1-25, që do të thoshte 25 dajakë numëroheshin 1. Të shumtën e herëve të keqtrajtuarit detyroheshin vetë të numëronin. Kjo do të thoshte se të arrestuarit i jepeshin 25 dajakë të pagdhendur shkoze, por numri i tyre ishte shumë më i madh. Rëndom numërimi i dajakëve përfundonte tek numri 24. Kur arrihej tek ky numër i thuhej të ndëshkuarit se kishte gabuar. Atëherë fillohej nga e para. Ata që ishin shëndetlig nuk mund ti përballonin dajakut dhe vdisnin. Kishte edhe raste kur të ndëshkuarit përfundonin në furrë. Policia bullgare nuk la pa prekur edhe në çështjen më të ndjeshme, në normat morale shqiptare: dhunimi i femrave.
Një masë e rëndë ndëshkimi ishte mobilizimi i djemve të rinj shqiptarë, në të ashtuajturat “Trudovi druzhini” (grupe të punës).Të mobilizuarit dërgoheshin në punë të detyrueshme në Bullgari, zakonisht për ndërtimin e objekteve ushtarake e civile ( rrugëve, hapjen e tuneleve etj.), ku jetohej në kushte të kampeve të përqendrimit. Në punishte norma ishte thuajse e pa mbërrishme, orari i gjatë i punës, ndërsa ushqimi thuaja pa kalori. Ata që nuk ia dilnin ta përmbushin normën i shtroheshin sistemit të dajakut 1-25. Edhe ata që e kalonin normën rriheshin pse nuk i ishin përmbajtur rregullave të punës. Për rrjedhojë, shumë nga këta të rinj i lanë eshtrat në objektet e përmendura në Bullgari. Shkurt, qëndrimi i pushtuesve bullgarë ndaj shqiptarëve ishte i pashembullt, tej mase diskriminues, dhe likuidues. Njerëzit arrestoheshin pa arsye e terrori mbi të shtohej nga dita në ditë. Këto qenë arsyet që një pjesë e shqiptareve u detyrua të emigronte në tokat e pushtuara nga Italia, ose të dilnin maleve për të organizuar luftë guerile.
Dhuna e represioni i këtij pushtuesi nxiti drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare të këtyre trojeve të organizoheshin për t’iu kundërvënë atij. Nga mesi i prillit 1941 ata themeluan në Tetovë “Komitetin Shqiptar”, me Shaip Kamberin në krye. Me programin e tij, Komiteti synonte shtrirjen e pushtetit italian në trojet e pushtuara shqiptare nga Bullgaria. Me 18 prill, me nismën e Shaban Efendisë u organizua në Kumanovë një mbledhje, në të cilën morën pjesë edhe drejtues të Preshevës. Në të morën pjesë: Avokati Preshevës, Abdullah Saqipi, Myftiu i Preshevës, Lutfi Ahmeti, Abdullah Osmani nga Kumanova dhe Abdullah Veliu nga Presheva.U ra në një mendje të mbahej një mbledhje me përfaqësues të gjithë zonës pushtuese bullgare në Shkup.
Në pjesën e dytë të prillit u organizua një mbledhje e përfaqësuesve të Trojeve të pushtuara nga bullgaria në Bojali Han të Shkupit. Në atë mbledhje morën pjesë: Shaban Efendi Osmani, Aqif Tetova nga Gjilani, Shaip Mustafa nga Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdullha Veliu nga Presheva, Hafëz Lutfiu nga Presheva, Abdullha Saqipi nga Prehseva dhe Idriz Ymeri nga Tetova. U ra në një mendje të themelohej Lëvizja për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar dhe u ngrit një delegacion, me Shaban Efendi Osmanin në krye, për t’u konsultuar me qeveritarët e Shqipërisë për masat që duhej të ndërmerreshin kundër dhunës bullgare. U vendos të organizohej një demonstratë kundër dhunës bullgare në Shkup. Delegacioni i LÇBK me Shaban Efendinë në krye, udhëtoi në Dibër dhe në Tiranë, me kërkesën që viset e banuara me shumicë shqiptare t’u bashkoheshin Shqipërisë Etnike, sepse ato toka “janë të kombit shqiptar”. Por qeveritarët shqiptarë hezituan të përgjigjeshin për një çështje tepër të mpreh politike. Këto ishin dhe sugjerimi e konsulliz shqiptar në Shkup, Hamit Kokallari.
Pas kthimit në Shkup u organizua një mbledhje me përbërje të gjerë intelektualësh nga trojet e pushtuara në Bojali Han. U ra në një mendje për organizimin e demonstratës me 10 maj 19141, me kërkesën që: Shkupi, Kumanova, Presheva dhe pjesët lindore të Gjilanit që janë me shumicë shqiptare, duhet t’i bashkohen Shqipërisë”.
Përgatitja e demonstratës
Demonstrata,që do të mbahej me 10 maj 1941 në Shkup, organizohej pas 20 ditë të pushtimit bullgar. Për të siguruar suksesin e saj atdhetar të krahinës së Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Bujanocit, si dhe trevave të tjera shqiptare, u vunë në veprim në terren për ndërgjegjësimin e popullatës se ishte e domosdoshme organizimi i një demonstrate në Shkup. Në takimet e shumta të organizuara në fshatra e në qytete u shpërnda material propagandistik si dhe plisa falas. Kjo thuhet në një dokument të proveniencës policore bullgare të asaj kohe. Sipas tij “propaganduesit shqiptarë, të furnizuar me fletushka, i kanë vizituar qytetet më të mëdha në Maqedoni për të zhvilluar propagandë …”. Më tej thuhej se organizatorët e demonstratës kishin një sasi plisash, të destinuara për ata që do të merrnin pjesë në demonstratë. Në terren u shpërndanë edhe fletushka, në të cilat flitej për rëndësinë e organizimit të demonstratës dhe shtrohej kërkesa për shtrirjen e pushtetit italian në trojet e pushtuara nga Bullgaria. Ata organizonin takime në qytete e fshatra, ku me burrat e lagjes së qytetit apo të fshatit zhvillohej propagandë kundër pushtuesve bullgarë, duke e dënuar dhunën dhe masat represive që ushtronte ky pushtues dhe duke kërkuar bashkimin me“Tokat e Lirueme”, duke vënë në dukje përparësitë që ishin atje në sferën e të drejtave kombëtare. Drejtuesit e LKÇB ishin të bindur se kështu do të siguroheshin parakushtet për jetësimin e idealit të bashkimit kombëtar, edhe pas largimit të pushtuesit fashist italian dhe atij gjerman nga Trojet Etnike Shqiptare.
Zhvillimi i Demonstratës
Për demonstratën e Shkupit bënë përgatitje të duhura, duke ngjallur moralin e lartë kombëtar për t’u përballur me forcat të policisë dhe ushtrisë, të cilat do t’u kundërviheshin demonstruesve pamëshirshëm pa zgjedhur mjetet, praktikë kjo që tashmë ishte provuar sa e sa herë. Kundër tyre do të vihej atdhedashuria e djalërisë shqiptare.
Në paraditen e 10 Majit, qindra atdhetarë të Shkupit, Kumanovës e të Preshevës u grumbulluan para ndërtesës së Bojali Hanit, simboli i bashkimit të tokave të pushtuara. Në krye të tyre ishin drejtuesit e LBÇK. Sipas ndonjë artikulli, ku është përmendur shkarazi demonstrata e Shkupit, është thënë se në krye të demonstratës qëndronin Shaip Mustafë Presheva dhe Jahja Osman Kumanova. Kështu e thotë edhe R.Bunjaku, njëri nga pjesëmarrësit. Qemal Sejfullau në një artikull të tij e thotë se organizatorë të demonstratës ishin “disa nacionalistë të caktuar”, por nuk e thotë cilët ishin ata.
Sipas raportimit të Spiro Kitinçevit, udhëheqës i demonstratës ishte Idriz Hoxha, i propozuar nga një grupim i parisë së Shkupit. Duket se krahas tyre si dhe Shaban Efendisë, bashkëorganizatorë të demonstratës ishin edhe tre grupime të Shkupit. Grupimi i parë udhëhiqej nga Hasan Shukriu, Qemal beu dhe Emin bej-Kumbaraxhiu; Grupi i dytë udhëhiqej nga Shefki Ramiz beu, ndërsa Grupit të tretë i printe Atullah Hoxha. Ndërkaq nëpunësi i shërbimit sekret bullgar në Shkup, Stoilov, shprehet se ”Said Idriz Hoxha ( Sait Hoxha ) deputet në Parlamentin Osman dhe njëri nga drejtuesit e kryengritjes së vitit 1912 (T.L) ishte “organizatori kryesor i manifestimeve të shqiptarëve në Shkup në vitin 1941”, “kur u kërkua bashkimi i Shkupit me Shqipërinë “ . Ai e thotë se këtë nismë e bëri Shqipëria italiane”. Ndërsa bashkëpunëtorë të ngushtë të Sait Hoxhës , sipas tij ishin: Qemal Rustem beu, Rustem Rustemi dhe Atulla Hoxha, dhe se kërkesa e tyre ishte bashkimi i Shkupit me Shqipërinë. Sipas tij, ata ishin më aktivët në Shkup dhe për realizimin e objektivit të tyre kërkonin edhe mbështetjen e turqve e qytetit të Shkupit. Nuk dihet nëse këta ishin udhëheqës kryesor apo bashkorganizator. Duhet të ishte kjo e dyta, sepse ka prova se njëri nga ata ishte Shaip Mustafa bashkë me Jahja Osmanin.
Duhet të kihet parasysh fakti se në rrethanat e atëhershme edhe krahu komunist shqiptar me Shaip Mustafën dhe Jahja Osmanin kishte prirje kombëtare. Ata i përkisnin krahut kombëtar të komunistëve shqiptarë, që ishte i vogël përballë krahut komunist me prirje internacionale dhe pa taban kombëtar. Shaip Mustafa, sipas një dokumenti, kërkoi leje për organizimin e Demonstratës nga Metodija Sharlo Shatarov, sekretar i Komitetit Krahinor të PKJ për Maqedoni, për të “shmangur dhunën e pushtuesit bullgarë që ushtrohej mbi shqiptarët e trojeve të pushtuara prej tyre”. Shaip Mustafa ishte njëri nga komunistët e parë në Serbinë Jugore dhe njëri nga organizatorët e demonstratës kundër pushtimit bullgar. Është për të vënë në dukje se në mars të vitit 1943, Sh.Mustafa ra në konflikt me Svetozar Vukmanoviq Tempon në Gjilan. Ky kur e qortoi se nuk angazhohej për mobilizimin e shqiptarëve të trojeve lindore në Luftën kundër pushtuesve fashistë, ai kërkoi garanci me shkrim se do t’u njihej e drejta shqiptarëve për bashkim kombëtar. Nëse kjo e drejtë do të garantohej ai do të ishte në gjendje të mobilizonte një brigadë të rinjsh shqiptarë brenda një kohe të shkurtër. Kjo, si dhe organizimi i demonstratës në Shkup, qenë arsyet që Shaip Mustafa pas përfundimit të Luftës do të dënohej me heqje lirie me 18 vjet .
Gjithsesi Bashkimi i forcave kombëtare, pa dallime ideologjie, dhe në mbështetje të një ideali kombëtar, ishte njëra nga përparësitë dalluese të kësaj demonstrate. Ishte pra ideali kombëtar që i bashkoi drejtuesit e Trojeve Lindore dhe ishte një shembull për t’u lakmuar, i cili përbënte një shtysë të fuqishme për organizimin e demonstratës, mobilizimin e shqiptarëve për të marrë pjesë në atë ngjarje të rëndësishme në historinë tonë.
Në paraditen e 10 majit, 1941, para Bojali Hanit në Shkup u grumbulluan qindra shqiptarë, me flamuj kombëtarë dhe me plisa në kokë. Në ballë të tyre qëndronin disa drejtues të LBÇK si dhe Shaip Mustafa e Jahja Osmani. Demonstrusesit filluan të brohorisnin kërkesën programatike të LÇBK “ Shkupi, Kumanova dhe Presheva janë shqiptare”,”Shkupi është i yni”, ej. Parakalimit për në Çarshi, atyre iu bashkuan edhe nxënësit e arsimtarët e medresesë “Gazi Isa Beu”, të cilëve u printe Bedri Haliti, si dhe disa boshnjakë e “turq”, me Atullah Hoxhën dhe Shefki Ramizin në krye. Është për të vënë re fenomenin se “turqit” hodhën publikisht fesat dhe i zëvendësuan ato me plisa, si dhe mbështetën kërkesën për bashkimin me “Tokat e Lirueme”. Kjo përbënte një shqetësim shtesë për policinë bullgare, sepse mbështetja e kërkesës shqiptare, sipas një dokumenti “flet shumë”. Edhe në një dokument tjetër bullgar vihet në dukje se ajo që i brengoste më së shumti autoritetet ushtarake e policore bullgare ishin plisat e boshnjakëve dhe të turqve në demonstratë.
Demonstruesit pasi parakaluan Çarshinë e Vjetër të Shkupit iu drejtuan Komandës Ushtarake bullgare, Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Gjermane, për të vazhduar deri te konsullata italiane, e cila gjendej në anën e djathtë të Urës së Gurit, në Shtëpinë e oficerëve, rrjedhimisht ish Burmali Xhamia, me refrenin e tyre. Madje disa demonstrues ia thyen dritaret kësaj ambasade në shenjë mllefi pse nuk po i plotësonte kërkesat e tyre. Në çastet kur demonstruesit po e kalonin Urën e Gurit u vu në veprim ushtria dhe policia bullgare për parandalimin dhe shpërndarjen e demonstruesve, e bashkë me ta edhe kërkesën programatike e LÇBK.
Sipas R. Bunjakut, demonstruesit u vërsulën kundër policisë dhe treguan guxim të madh në kacafytjen me atë. Gjithnjë sipas tij, në këtë kacafytje u shqua Shaip Mustafa. Përkundër guximit të dëshmuar të rrallë, duarthatë kundër forcave speciale, me një numër të madh policësh e ushtarësh, i përballën për një kohë sulmet e tyre. Qëndresa e tyre përballë shkopinjve të gomës dha rezultate, por jo edhe kundër kondakëve të pushkëve, të cilat shkaktonin plagë të rënda, thyerje këmbësh, duarsh, brinjësh e pjese të tjera të trupit. Dhe së fundi policia speciale bullgare qëlloi edhe me armë. Kjo përfundimisht shpërndau demonstruesit.
Autoritetet ushtarake e policore bullgare me fuqinë e më të fortit ia dolën të shpërndajnë demonstruesit dhe të arrestonin një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish, të cilët i dërguan në komandën e policisë së qytetit të Shkupit si dhe në Shtabin ë ushtrisë bullgare të Shkupit. Atje ata u rrahën e u keqtrajtuan për disa ditë pastaj disa u dënuan me një kohë të caktuar heqje lirie. Ndërkaq, njësitet speciale ushtruan dhunë të rëndë në shumë qytete e fshatra të banuara me shqiptare, me parullën “Kjo është Bullgari”, si përgjigje e parullës së demonstrueseve “Shkupi e Kumanova janë Shqipëri”.
Pas demonstratës së 10 Prillit, policia bullgare arrestoi qindra demonstrues ,midis tyre edhe udhëheqës të LÇBK, si: Shaip Mustafën, Jahja Kumanovën, Jahja Saitin, Azem Latif Hoxhën nga Kumanova , Ejup Saitin nga Shkupi, Shemsi Hatipin etj, të cilët u keqtrajtuan në Xhaminë e Jahja Pashës, ose u internuan në kampet e përqendrimit në Bullgari , siç ishte rasti me Shaip Mustafën e Jahja Osmanin. Rrahën e vranë qindra shqiptarë të krahinës së Shkupit, Kumanovës e Preshevës. Nëpër shumë fshatra shqiptare plaçkitën gjithçka çfarë përbënte vlerë, sidomos stolitë e arit . Xhandarmëria bullgare i arrestoi në Çarshinë e Shkupit, dy vëllezërit tregtarë të plisave, Mahmutin dhe Hakiun, sepse kishin furnizuar demonstruesit me plisa. Mahmuti nuk i përballoi dajakut dhe vdiq. Xhandarmëria bullgare arrestoi më shumë se 300 shqiptarë , cilëve ua grisi plisat dhe i dërgoi në kazermën ushtarake të kësaj lagjeje. Terrori bullgar vazhdoi të ushtrohej mbi shqiptarët e zonës okupuese gjatë gjithë periudhës së pushtimit.
Në fund mund të konsiderohet se demonstrata kundërbullgare e shqiptarëve në Shkup e organizuar me 10 maj 1941, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë , e cila sot e asaj dite merret si shembull i guximit i atdhedashurisë së lartë , duke synuar bashkimin kombëtar, brenda kuadrit që mundësonin rrethanat e kohës. Ideatorët e Demonstratës dhe të Lëvizjes për Çlirimi dhe Bashkim Kombëtar synonin bashkimin me Italinë, jo pse ajo ishte fashiste, por për të shmangur dhunën bullgare,dhe jetësimin e idealit të bashkimit të Trojeve Etnike Shqiptare,pas tërheqjes së pushtuesve fashistë.
Diskutim rreth këtij postimi