Që nga “Naçertanija” e Illija Garashaninit që u hartua në vitin 1844, veçanërisht nga Kongresi i Berlinit (1878), nuk prajtën angazhimet e qarqeve dhe të regjimeve serbe për shkatërrimin e homogjenitetit etnik të tokave shqiptare, spastrimin etnik të tyre dhe kolonizimin me elementin sllav. Këto veprime kanë patur për qëllim ndërrimin e kompozicionit etnodemografik në tokat shqiptare që do të binin nën sundimin serb.
Nuk është asgjë e rastit që në vargun e veprimeve gjenocidale serbe mbi kombin shqiptar, vendin e parë e zunë veprimet në rrafshin demografik. Në të gjitha synimet dhe projektet serbe të gjysmës sy dytë të shekullit XIX dhe gjatë gjithë shekullit XX – ndaj Kosovës dhe shqiptarëve – në programin nacional serb shtimi natyral i shqiptarëve konsiderohej si një nga pengesat më të mëdha në mposhtjen e faktorit demografik shqiptar dhe në realizimin e aspiratave pushtuese serbe.
Nga ligjërata e Vaso Çubriloviqit, “Shpërngulja e Shqiptarëve” – që është mbajtur në Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937 – po veçojmë një pjesë nga elaborati i tij ku theksohet: “Në rastin tonë duhet pasur parasysh sa më parë se këtu kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe të pëlleshme, për të cilën i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan. Gjermania prej viti 1870 e deri në vitin 1914 ka shpenzuar shumë miliarda marka që gradualisht, duke e blerë tokën nga polakët, t’i kolonizojë trevat e veta lindore. Por, pjellshmëria e nënave polake ka ngadhënjyer mbi organizimin gjerman dhe paratë gjermane. Në vitin 1928 e mori prapë Poznanjin e vet. Statistikat tona të vitit 1921 dhe të vitit 1931, që i përmendëm më parë, tregojnë se edhe pjellshmëria e grave shqiptare ka ngadhënjyer mbi politikën tonë të kolonizimit”.
Çubriloviq nuk pushoi as në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944 doli me projektin me titull, “Problemi i Pakicave në Jugosllavinë e Re”. Këtu ai parasheh që për pakicat të formohen kampe të përqendrimit kurse pasuritë e tyre të konfiskohen. Më tutje, ai propozon që familjet e tyre të dërgohen në kampe dhe, në rastin e parë, të dëbohen në shtetet kombëtare të tyre. Këtu në radhë të parë ai parashihte dëbimin e shqiptarëve, hungarezëve dhe gjermanëve. Medoemos, sipas tij, Pollogu dhe Dukagjini duhet spastruar nga shqiptarët. Ndërsa, për Sanxhakun e Novi Pazarit thoshte se “zgjidhet vetvetiu dhe ai, në jetën tonë shtetërore, nuk e luan atë rol që luante në vitin 1912”.
“Vetëm do të përmendim se me shpërnguljen e shqiptarëve këputet lidhja e fundit e myslimanëve tanë në Bosnjë e në Novi Pazar me pjesën tjetër të botës myslimane. Ata bëhen pakicë fetare, e vetmja pakicë myslimane në Ballkan, i cili fakt do të shpejtoj nacionalizimin e tyre”, shkruante në elaboratin e tij, në lidhje me propoziminj e kolonizimit të viseve jugore.
Është momenti ta pyesim vetën, a jemi më “një racë të gjallë”, racë “e fuqishme”, a jemi racë në ekspansion në Ballkan, siç konsideroheshim dikur, a po jo ?
A ka kush që mund të merret me këtë çështje, apo kanë “ikur” e duhet të presim të vijnë? A duhet me doemos ta bëjmë me kohë punën që patjetër duhet bërë në mënyrë që tjerët (serbët) të mos e bëjnë për ne, nëpërmjet nesh. Me këtë shkallë të emigrimit, të përtëritjes së popullsisë dyshoj se pas 15 -20 viteve nuk do të mund të merren kurrfarë masash për, që thoshte Çubriloviq që të jemi ata që ishim: “racë e gjallë”, “racë e fuqishme” apo “racë në ekspansion”. Apo, siç thoshte më herët Cvijiqi, mësuesi i Çubriloviqit, që pranonte ilirët si paraardhës të shqiptarëve: “Në aspektin gjeografik, fiset më të forta etnografike të Gadishullit Ballkanik janë banorët e Kodrave të Malit të Zi, Peshterit dhe viset e Shqipërisë veriore. Banorët e këtyre trevave e kanë ruajtur formën e vjetër të vëllazërisë fisnore, gjinive-fiseve, organizimin, karakteristikat tjera dhe pamjen e tyre fizike.”
Diskutim rreth këtij postimi