Pashallëku i Beogradit (përkatësisht Sanxhaku i Smederevës) nën sundimin osman ka përfshirë sipërfaqe rreth 23.700 km² dhe vlerësohet se në të në fund të shekullit XVIII jetonin rreth 400.000 banorë. Popullata myslimane, duke përfshirë edhe atë shqiptare në trevën e Pashallëkut të Beogradit, në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX përbënte pjesën dërrmuese të banorëve, sidomos në Beograd, Shabac, Qupri, Uzhicë e gjetiu.
Pas vitit 1783, në lagjet e Beogradit kishte 6.000 shtëpi “turke” (kryesisht popullatë shqiptare, turke, boshnjake etj.) dhe 800 shtëpi serbe, ose 5200 familje “turke” me rreth 31.260 banorë dhe 600 familje me 5.600 banorë serbë. Pra, kishte rreth 35.160 banorë. Një prej rrugëve në Beograd në fund të shekullit XVIII ekzistonte edhe “Rruga e shqiptarëve” (“Arnautska ulica”). Në vitin 1784 këto qytete kishin: Smedereva kishte 140 shtëpi “turke” dhe 60 shtëpi serbe, përkatësisht kishte 140 shtëpi “turke” dhe 60 shtëpi serbe; Qupria kishte 90 shtëpi “turke” dhe 20 shtëpi serbe; Karanovci (sot Kraleva) si qytezë kishte 11 shtëpi serbe dhe 89 shtëpi turke e shqiptare, ndërsa, banorë kishte rreth 72 serbë dhe rreth 592 turq e shqiptarë, gjithsej 664 banorë; Uzhica kishte 2.900 shtëpi “turke” dhe 100 shtëpi serbe. Në vitin 1788 Alaxha Hisar (Krushevci) kishte 150 shtëpi myslimane dhe 120 shtëpi të krishtera. Gjendje e përafërsisht e njëjtë ishte edhe në qytetet dhe qytezat tjera të Pashallëkut të Beogradit.
Pas Kryengritjes së Parë Serbe, më 1804, deri në vitin 1867, për shkak të dhunës dhe terrorit u detyruan të shpërngulën. Shumë prej tyre u vendosën në trevat e Sanxhakut të Nishit, në Bosnje e gjetiu. Në Nish ata formuan “Lagjen e Beogradit”. Një numër i tyre mbeti në Pashallëkun e Beogradit, përkatësisht Principatën serbe.
Popullata e mbetur iu nënshtra presionit e dhunës për t’u konvertuar në fenë ortodokse. Organet e pushtetit serb në Principatën serbe kishin vendosur që “myslimanët e Serbisë (lexo edhe shqiptarët J.O.) mund të mbesin në vatrat e tyre, që t’i mbajnë të gjitha të mirat, por me këto kushte: që të kthehen në fenë e stërgjyshërve, e nëse këtë nuk e dëshirojnë, atëherë mund të jenë serbë me fe myslimane dhe nëse as këtë nuk e duan, atëherë mund të regjistrohen si romë, po nëse as këtë nuk e dëshirojnë, atëherë duhet të shpërngulen nga Serbia”.
Një numër i vogël i myslimanëve duke përfshirë edhe shqiptarët, të mbetur në Pashallëkun e Beogradit, për t’i ruajtur pasuritë e tyre, më me “dëshirë” kishin pranuar të bëheshin romë, se të kthehen në “fenë e ortodokse”, ose të “bëheshin serbë të fesë myslimane”. Në këtë kohë në Beograd, Uzhicë, Shabac, Lloznicë etj. ishin regjistruar “mëhallët e romëve”. Ata ishin “romë të bardhë”. (Safet Bandžović, Progon muslimana Srbije 1830-1967).
Disa familje të mbetura gradualisht me kalimin e kohës janë konvertuar në fenë ortodokse dhe se sot në ato treva ka shumë familje me prejardhje myslimane shqiptare, por nuk guxojnë të deklarohen, për disa e kanë ruajtur mbiemrin “Arnautoviq”.
Në të njëjtën mënyrë u veprua edhe në Sanxhakun e Nishit pas pushtimit serb të në vitin 1877/78.
Diskutim rreth këtij postimi